Parku tematik Retro Bulqizë 2024, është projekti inovativ turistik që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për vizitorët dhe turistët gjithnjë e më të shumtë të veriut të vendit, e në mënyrë të veçantë të qarkut Dibër, ku rruga e Arbrit ka sjellë një ndryshim të madh në shumë drejtime. Projekti rivitalizon ndër të tjera një zonë minerare, duke ndërtuar aty një aset tjetër turistik, Divizionin, i cili do të kthehet në një nga nuklat më të rëndësishme të turizmit.
“Divizioni” i rilindur do të ketë një destinacion turistik mikpritjeje, me treg turistik prodhimesh të zonës, hoteleri dhe shërbime, për ata që do të duan të ndalen kalimthi apo të qëndrojnë më gjatë në eksplorimin e natyrës magjike të kësaj zone.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në prezantimin e projektit Retro Bulqizë 2024 së bashku me Zv/kryeministren dhe Ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë Belinda Balluku. “Ky park do të jetë një motor i ri ekonomie për Bulqizën, e cila është identifikuar historikisht me minierat dhe më pas është bërë shëmbëlltyra e sakrificës dhe e vuajtjeve për shkak të gjithë historive të vështira të tranzicionit që tashmë e kemi lënë pas. Tanimë ka ardhur koha që ky identifikim i Bulqizës me vetëm minierat dhe vetëm kromin, me vetëm sakrificën e atyre që për arsye apo për një tjetër kanë qëndruar këtu, do të diversifikohet në një identifikim edhe me mrekullitë e natyrës këtu rrotull.” – u shpreh kryeministri Rama.
* * *
Mirëmëngjesi të gjithëve. Është vërtetë kënaqësi që sot rikthehemi këtu në Bulqizë së bashku me Belindën dhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për të hapur kantierin e një projekti që është shumë i veçantë në llojin e vet sepse jo vetëm do të bëjë transformimin e një territori që deri në fillimin të viteve 2000 i ka përkitur ushtrisë shqiptare dhe që sot është një shëmbëlltyrë e degradimit, por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë, ku Fondi i Zhvillimit, jo vetëm do të ndërtojë të gjithë këtë infrastrukture në një sipërfaqe rreth 10 hektarë, por edhe do të krijojë kushtet për të mikpritur në këtë infrastrukturë artizanët e zonës, gra, të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme përmes kultivimit të traditës, të traditës ushqimore të kësaj zone, të traditës artizanale të kësaj zone, jo vetëm për sa i përket përgatitjes së produkteve karakteristike të zonës, por edhe produkteve që janë kaq të rëndësishme për të ruajtur traditën, por edhe për të promovuar turizmin e zonës. Do të mikpresë po ashtu, kjo hapësirë edhe ata, të cilët kultivojnë apo përpunojnë produkte, qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit dhe përpunuesit e bimëve medicinale. Do të mikpresë po ashtu familjet, do të mikpresë gjyshërit dhe fëmijët në të gjitha hapësirat rekreative dhe patjetër, duke pasur dhe një strukturë hoteliere që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do ta menaxhojë së bashku me gratë e zonës, do të mikpresë udhëtarë vendas që kalojnë nëpërmjet kësaj zone apo dhe turistë të huaj që ne shohim me shumë kënaqësi siç nënvizoi dhe ministrja, po rriten në mënyrë befasuese në numër, vit pas viti në këtë qark ku deri dje për hir të së vërtetës kur flisje për turizëm të shikonin të gjithë shtrembër sikur po talleshe se këtu dhe është dhe problem i madh kur flet se të gjithë të shohin gati për të të kapur gabim dhe pastaj ta hedhin fjalën nga e majta, ndërkohë që therja e fjalës të vjen nga e djathta.
Kështu që sot mund të flasësh për turizëm dhe askush nuk çuditet më. Dhe faktikisht rruga e Arbrit që në një farë mënyre kam përshtypje pati dhe një marrje sysh me atë tunelin e Murrizit, por nga marrja më sysh rruga do të dalë shumë e fortë sepse ai tunel që na shfaqi të gjithë ato kompleksitete gjeologjike dhe gjithë ato pengesa po shkon drejt përfundimit. I ka dhënë gjithë zonës kjo rrugë mundësinë që tanimë jo thjeshtë ta ëndërrojë, por ta përjetojë të qenit një jastëk i gjelbër i metropolit dhe faktikisht me përfundimin e tunelit dhe me çlirimin e të gjithë segmentit lidhës mes Tiranës dhe Dibrës, Dibra nuk është asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa periferia e gjelbër e kryeqytetit të Shqipërisë.
Të gjithë po e shohin dhe të gjithë po e përjetojnë sesi Dibra po bëhet vendi ku nuk është më absolutisht një aventurë, por përkundrazi është një investim i arsyeshëm të vendosesh kursimet për agroturizmin, të vendosesh kursimet për turizmin, të vendosesh kursimet për prodhimin, grumbullimin, agropërpunimin sepse gjithmonë e më shumë Dibra do jetë një referenc,ë jo vetëm për turistët e huaj, por dhe për të gjithë banorët e kryeqytetit.
Ky park tematik që ne po nisim të ndërtojmë do të jetë shumë afër Tiranës, 30-35 minuta dhe pa asnjë diskutim që do të jetë një nga zgjedhjet e fundjavave për shumë familje në Tiranë, për të ardhur këtu për të sjellë fëmijët këtu sepse siç e prezantoi në mënyrë të përgjithshme, – sepse projekti ka shumë detaje, – njëra nga arkitektet e studios, në këtë park do të ketë shumë mundësi origjinale për fëmijët për t’u argëtuar në mes të natyrës.
Nga ana tjetër, ky park do të jetë një motor ekonomie për Bulqizën, e cila është identifikuar historikisht me minierat dhe më pas është bërë shëmbëlltyra e sakrificës dhe e vuajtjes për shkak të gjithë historive të vështira të tranzicionit që tanimë e kemi lënë pas. E kemi lënë pas se prej vitesh nuk dëgjojmë më për vdekje nga pasiguria totale në punë, prej vitesh nuk dëgjojmë më për skllavërim të imponuar nga varfëria të fëmijëve të vegjël me trasta për mbledhjen e kromit. Prej vitesh nuk dëgjojmë më për situata mesjetare në këtë zonë, ku edhe në miniera është vendosur një standard i ri dhe ku nga puna në miniera, ata që vazhdojnë të kalojnë ditën e punës nën tokë pagat janë ku e ku më të larta sesa lëmoshat e deridjeshme. Por tanimë ka ardhur koha që ky identifikim i Bulqizës me vetëm minierat, me vetëm krimin, me vetëm sakrificën e atyre që për një arsye apo për një tjetër kanë qëndruar këtu, do të diversifikohet në një identifikim edhe mrekullitë e natyrës rreth e rrotull; mrekulli të natyrës përtej perimetrit të ngushtë të një qyteti të ndërtuar enkas për të mbështetur industrinë minerare të kohës së komunizmit. Sepse e gjithë rruga për të ardhur deri këtu, por dhe gjithë shtigjet dhe rrugët përreth këtij perimetri të nxjerrin përpara një natyre të një magjie për të cilët turistë në Europë bëjnë mijëra e mijëra kilometra për të shkuar dhe për ta kërkuar në të gjithë cepat e botës dhe kanë filluar ta shohin, kanë filluar ta gjejnë, kanë filluar ta kërkojnë këtu në Shqipëri.
Unë jam shumë i kënaqur që ky projekt po merr jetë edhe për faktin se është një tjetër aset, i cili i ka shpëtuar kthetrave të kohërave të kaluara, ku shumë asete të kësaj natyre janë lënë në duar të paafta, në duar të papërgjegjshme apo në duar krejtësisht të paidentifikueshme tanimë dhe për fat të keq, për shkak të atyre lloj privatizimeve, ne i shohin sot e gjithë ditën kur ecim nëpër rrugët e Shqipërisë dhe sot e gjithë ditën për një sërë prej tyre, ne si qeveri e kemi të pamundur të ndërhyjmë për shkak, pikërisht, të letrave që mbajnë ende nëpër dorë, ato duar. Ndërkohë që, këtu ne çojmë një hap më tutje punën e bërë për ta transformuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit, jo vetëm në një konsumator të buxhetit në funksion të investimeve, por edhe në një administrator të projekteve dhe të produkteve.
Sot Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka një sërë asetesh që i menaxhon duke vënë në punë shumë njerëz nga zonat që nga lart fare në grykën e Valbonës e deri poshtë në lindje në qytetin e Korçës dhe do të vazhdojmë ta stimulojmë këtë qasje pa privatizuar këto asete, duke ja lënë publikut nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe duke bërë të mundur që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të fuqizohet më shumë financiarisht për të riinvestuar më shumë dhe për të vazhduar të krijojë modele të tilla zhvillimi, ku faktikisht, siç do të ndodhë me këtë projekt, ato gra të Bulqizës që i kemi njohur në rrethana të tjera, ato gra të Bulqizës që janë të famshme në këtë zonë si në të gjithë Dibrën, ku gratë janë të investuara për të ruajtur traditën e ushqimeve për të cilat pastaj turistët dhe vizitorët që vijnë këtej lëpijnë gishtat, siç i thonë fjalës, të mund të jenë pjesë e administrimit, të mund të jenë pjesë e suksesit dhe të mund të ndajnë edhe divident nga të ardhurat dhe jo thjesht të marrin një pagë.
Kjo është ajo që e bën edhe më interesant, e bën edhe më inovativ, e bën edhe më të dobishëm këtë projekt.
Sot këtu janë rrënoja. Në një hark të arsyeshëm kohe, rreth dy vitesh, këtu do të jetë një destinacion ku unë jam i bindur që do të hyjnë e do të dalin me mijëra vetë në muaj, të cilët do të ndalojnë kalimthi dhe do të lënë këtu para apo do të qëndrojnë për të shfrytëzuar hotelerinë dhe eksploruar më tej rreth e rrotull.
Ne po hyjmë në një fazë të re edhe të administrimit të pronave të ushtrisë dhe për këtë arsye edhe Ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë për zhvillimin e këtyre pronave pa hequr dorë nga pronësia e shtetit, e Ministrisë së Mbrojtjes, duke krijuar hapësira për partneritete të natyrave të ndryshme, por mbi të gjitha duke i kthyer në çfarëdolloj rruge sipas projekteve këto asete të mbetura që vazhdojnë edhe trajtohen nganjëherë si vendndodhje ushtarake, ku nuk ka këmbë ushtari, në një burim të ardhurash për ekonomitë e zonave, për turizmin në radhë të parë por edhe për Ministrinë e Mbrojtjes.
Kjo është një fazë e re në tërësi, është një fazë e re që lidhet me një nivel të ri të ekonomisë. Një nivel i ri i ekonomisë që na jep neve mundësinë që sot në pak ditë të marrim një vendim që deri përpara dy apo tre vitesh, jo më larg, do të ishte i paimagjinueshëm, një vendim për të vënë nga buxheti i shtetit 100 milionë euro për pensionistët drejtpërdrejtë dhe që pensionistët që i kanë pensionet deri në 20 mijë lekë të reja do të marrin 150 euro dhe ata me pensione mbi 20 mijë lekë të reja do të marrin 100 euro dhe të gjitha këto para do të fillojnë të disbursohen, duke filluar nga java e dytë e dhjetorit.
Jo vetëm kaq, por ky nivel i ri i ekonomisë sonë na jep mundësinë që ne, përveç këtyre 100 milionë euro, të mendojmë dhe të mundemi të nxjerrim mënjanë edhe një fond tjetër, po përsëri për pensionistët për një bonus tjetër që nuk ka qenë më parë. Nuk ka qenë më parë jo se nuk kemi dashur ne por sepse nuk na e ka lejuar ekonomia, nuk na e kanë lejuar mundësitë, një bonus të pranverës i cili do t ë jetë një bonus që edhe në mandatin e katërt ne do të vazhdojmë ta mbajmë në raport me çfarëdo qoftë na sjell më shumë sesa parashikimi rritja ekonomike dhe edhe me këtë bonus dhe me sasinë e tij, pensionistët do të njihen menjëherë brenda pak ditëve dhe paralelisht me paratë që do të marrin përpara Vitit të Ri do të marrin dhe informacionin e saktë sesa do të marrin më tutje në pranverë.
Këto bonuse janë një rritje e drejtpërdrejtë e fuqisë blerëse të pensionistëve dhe janë një sinjal i drejtpërdrejtë kuptimplotë i faktit që shifrat e rritjes ekonomike, të cilat janë shumë domethënëse dhe të cilat tregojnë që në këtë dekadë Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të prodhimit të saj të brendshëm, pra të ekonomisë së përgjithshme kombëtare në të gjithë rajonin, tanimë është një rritje, e cila nuk ka përfshirë vetëm punonjësit në sektorin publik, pagat e të cilëve janë thuajse trefishuar, në raport me të kaluarën, por përfshijnë edhe pjesën më vulnerabël, por edhe pjesën më të vështirë për t’u adresuar, pensionistët sepse bëhet fjalë për më shumë se 700 mijë pensionistë, një pjesë e madhe e të cilëve jetojnë në Shqipëri e një pjesë tjetër nuk jetojnë në Shqipëri dhe të cilët në një pjesë të madhe i paguajnë akoma haraç marrëzisë së viteve, përpara se ne të merrnim detyrën.
Fakt absolut, sepse të gjithë pensionistët që dalin në pension prej vitit 2014 kanë pensione më të larta se ata që kanë dalë në pension përpara vitit 2014. Pse? Sepse atë reformë që të tjerët përpara nuk e bënë, por e mbajtën sistemin e pensioneve si në komunizëm megjithëse bërtisnin e ulërinin rrugëve sikur ishin të djathtë, e bëmë ne, dhe sot pasqyra e gjithë sistemit të pensioneve tregon qartë se kush di ta qeverisë dhe kush vetëm mund ta shkatërrojë këtë vend.
Përtej pensioneve janë edhe investimet dhe nuk dua të zgjatem më shumë por dua të ndalem vetëm për shumë pak minuta tek ajo që tha Belinda, investimet në veri. Është e paimagjinueshme që narrativa perverse, diabolike dhe përçarëse, narrativa nxitëse e urrejtjes, e cila e ka dominuar 30 e kusur vite politikën tonë për shkaqe që ju i dini dhe që unë nuk do t’i diskutoj këtu, vazhdon ushqen dhe ka akoma njerëz që vazhdojnë e hanë narrativën që qeveria jonë nuk ka bërë investime në veri.
Ne nuk kemi bërë investime në veri? Nëse marrim investimet në veri të qeverisë sonë, përfshirë edhe investimet që akoma sot nuk kanë përfunduar në rrugën e Kombit, në rrugën e Kombit të cilës qeveria e mëparshme, burimi i kësaj narrative të ulët, i ndërtoj vetëm trupin, aksin, por e la totalisht rrugëve nga pikëpamja e të gjitha pjesëve të tjera, ku vetëm urat e ndërtuara janë sot atje si rezultat i kësaj qeverie, janë investime në veri që të marra së bashku janë jo një njëherë, por disa herë më shumë sesa të gjitha investimet në infrastrukturë të bërë për veriun në të gjitha vitet bashkë përpara se ne të vinim në qeveri sepse rruga e Arbrit nuk është në jug, është në veri.
Nuk është në jug është në veri rruga që shkon deri lart në Vermosh dhe atë e ka bërë kjo qeveri.
Nuk është në jug, po është në veri rruga nga Shkodra në Velipojë të cilën e premtuam sa herë ju erdhi nevoja për vota dhe e harruan sa herë i morën votat nga besnikëria e verbër e shkodranëve që sot po e shohin me sytë e tyre çfarë dallimi ka mes nesh dhe atyre që i mbajtën peng, ashtu sikurse rruga Shëngjin-Velipojë nuk është në jug, është në veri. Ashtu si kundër rruga që të çon deri në Lurë dhe që është drejt përfundimit sot nuk është në jug, po është në veri, ashtu si kundër rruga e Dukagjinit nuk është në jug, po është në veri, ashtu si kundër rruga e Komanit për të cilën së shpejti hapet kantieri pas disa problemesh të natyrës juridike nuk është në jug, po është në veri. Ashtu si kundër pa i hyrë numërimit, shumë rrugë të tjera më pak domethënës për ata që na dëgjojnë në tërësi, po shumë domethënëse për të gjitha komunitetet e veriut të Shqipërisë, nuk janë në jug, po janë në veri.
Ashtu si kundër rruga e Valbonës, rruga që të çon në Valbonë që ishte shirit inaugurimi i hedhur përtokë se s’kishte as rrugë dhe kishte vetëm borxhe edhe për kompaninë atje, nuk është në jug por është në veri. Ashtu sikundër argotizmat që janë ndërtuar deri shumë më tutje Bajram Currit aty ku maja e malit rri bashkë me retë me mbështetjen e qeverisë përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të cilën në mënyrën më të pacipë çfarë nuk thonë sot, por që ka lënë në të gjithë Shqipërinë gjurmët e prekshme të rreth 500 projekteve transformuese për bujqësinë, nuk janë në jug, po janë në veri dhe nëse deri dje e vetmja pikë ku mund të imagjinonin të gjithë se mund të ndalonin ishin shkallët përpara turizmit të Peshkopisë, ku rri Astriti atje të shkallët.
Sot, sa e sa dyer të tjera janë hapur, sa e sa familje të tjera janë vetëpunësuar, sa e sa ekonomi të tjera të vogla janë ndërtuar apo po ndërtohen. Ndërkohë që brenda pak kohe dot të finalizojmë edhe atë që e kemi quajtur paketa e maleve, e cila është në konsultim publik aktualisht për t’i dhënë mundësi të gjithë shqiptarëve nga të gjitha zonat malore dhe për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që i kanë lënë këto male për të shkuar në Europë e deri në Britani që të vijnë pa asnjë pengesë, për shkak të mungesës së titujve të pronësisë dhe me një mekanizëm të drejtpërdrejtë mbështetje me një mekanizëm me shumë pak hapa procedurale, me shumë pak letra, por shumë të konsoliduar në mbështetje të të drejtës për të zhvilluar pronën e stërgjyshërve, të investojnë këtu kursimet e tyre, por duan të vazhdojnë të rrinë atje, po të duan kthehen këtu, por ama nga këtu ta hapin derën dhe të marrin të ardhura në fund të muajit më shumë seç marrin kudo ku janë në Europë në fund të muajit nga puna që bëjnë për të tjerët atje dhe të jenë 10 vjet pa asnjë taksë.
E shkuara ka qenë tmerrësisht e vështirë dhe nuk jam unë këtu që mund tua u them ju se ju e keni përjetuar tmerrin e së shkuarës në lëkurën tuaj në Bulqizë. Dalja nga tuneli i asaj të shkuare, të asaj të shkuare tanimë është kryer dhe ne nuk kthehemi më në atë tunel, por rruga për të vazhduar të ngjitemi është ende e përpjete, por ama tanimë dielli ka dalë mbi Shqipëri dhe tanimë na takon ne që të gjithë së bashku t’i bëjmë realitet shpresat legjitime dhe patjetër t’i adresojmë me solidaritet falë dhe mundësive të reja që krijojmë edhe nevojat legjitime të shumëkujt që ka nevojë për mbështetje më shumë dhe që ka nevojë për dorën e shtetit ama një gjë nuk ka asnjë diskutim, ky vend nuk kthehet më mbrapa.
Ky vend po bëhet dita ditës dhe ky vend nuk ka vend në vijën e parë të frontit dhe në udhëheqjen e tij për “Sudet” dhe për “Rrapushët” që e kanë persekutuar Shqipërinë që nga viti 1912 me të gjitha përrallat dhe fantazitë keqbërëse të tyre. Sot janë përsëri vërdallën dhe sa më shumë do t’i afrohemi momentit të gjykimit të popullit ku të gjithë do marrin atë që iu takon, aq më shumë do shikoni t’ju vijnë me qilima fluturues nëpër dyer edhe t’ju thonë: “ma ble qilimin se unë do të çoj në hava”, por të gjithë shqiptarët e arsyeshëm e kanë provuar fluturimin e atij qilimi edhe nuk i kthehen më atij fluturimi sepse tanimë është shumë e qartë që ne mund të vazhdojmë të synojmë të fluturojmë vetëm duke forcuar këmbët dhe duke ecur hap pas hapi në këmbë, të bashkuar për Shqipërinë e vitit 2030, e cila do të jetë anëtare e BE dhe një horizont i ri do të hapet për ata që më pas do marrin stafetën, se askush nga ne nuk rron sa malet, por malet janë këtu dëshmitare për të gjithë ne.
Faleminderit!