Projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano, bashkëpunim trepalësh mes qeverisë së Shqipërisë, qeverisë së Kosovës dhe qeverisë të Maqedonisë së Veriut, – u prezantua sot nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale
Një vepër me rëndësi kombëtare në funksion të tregut të përbashkët rajonal, projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut
Projekti do të hidhet në garë ndërkombëtare në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të nisë zbatimin me çeljen e kantierit të Porto Romanos brenda vitit 2023
Në prezantimin e projektit mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë:
* * *
Së pari, dëshiroj të përshëndes Kryeministrin Kurti dhe Kryeministrin Kovačevski, të dy e patën të pamundur të ishin sot këtu për arsye angazhimesh. Në rastin e kryeministrit të Kosovës e merrni vet me mend që pa mundësia është e lidhur me situatën e krijuar së fundmi në veriun e Kosovës, situatë në të cilën qeveria e Republikës se Kosovës dhe Republika e Kosovës kanë të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë sonë dhe të Republikës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, dua patjetër t’i falënderoj edhe Artanin, zëvendës kryeministrin e Maqedoninë e Veriut dhe Liburinin, ministrin e linjës së Republikës së Kosovës që na u bashkuan në këtë moment të rëndësishëm të procesit për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit dhe mbi të gjitha nuk besoj se i mbetet hatri as miqve tanë të ulur në tryezë dhe as trupit diplomatik përpara sesa të përshëndes dhe të falënderoj të gjithë përfaqësuesit e vendeve të interesuara për këtë projekt, dua t’i shpreh një falënderim të veçantë ustait të ardhur përsëri nga Holanda, Erik Oostwegel i cili për hir të së vërtetës na ka ndriçuar rrugën me një aftësi të pashembullt që mishëron eksperiencën dhe dijen botërisht të mirënjohur të kompanisë Royal Haskoning dhe kjo na bën të ndjehemi të sigurt që thënia e vjetër e kohës së perandorisë romake që “të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, falë edhe Erikut dhe grupit të inxhiniereve dhe të analistëve të Royal Haskoning, do të bëjë që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Durrës.
Durrësi ka qenë prej shekujsh, prej shumë shekujsh i konsideruar si taverna e Adriatikut, ka pasur një përmasë tejet të rëndësishme falë rrugës Egnatia e cila bashkonte, lidhte Perandorinë Romake, Kostandinopojën dhe e cila duke nisur faktikisht ose përfunduar, merreni si të doni, nga porti i Durrësit e ktheu Durrësin në limanin më të rëndësishëm të kohës në këtë anë të Mesdheut, pozitë të cilën Durrësi e mbajti dhe në periudhën e Mesjetës të hershme dhe pas krijimit të shtetit të Arbrit.
Sot jemi në shekullin XXI dhe jemi vonë sepse nëse do të shihnim me kujdes projeksionet e kompanisë dhe progresionin e volumit të mallrave dhe të të ardhurave që kjo vepër do të garantojë në harkun e 30 viteve të ardhshme apo 20 vitet e ardhshme, si të doni, po të kishte nisur kjo punë 20 vjet më parë, apo 30 vjet më parë sot do të ishim duke i marrë frutet, por kjo punë nis sot pikërisht sepse janë pjekur kushtet më në fund që të kemi një port tregtar të denjë për shekullin XXI, jo si ai që kemi trashëguar nga shekujt e shkuar, një skenografi e Kinostudios Shqipëria e Re, një platformë e braktisur e një filmi të realizmit socialist që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI dhe ku nuk ka asnjë mundësi për zgjerim hapësirash dhe kapacitetesh përveçse është një burim ndotje mjedisore, akustike, vizuale e papranueshme. Në ndërkohë ambicia jonë është që porti i ri tregtar i Durrësit të bëhet pikërisht nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me perëndimin dhe me gjithçka tjetër shkon përtej anës perëndimore, për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet tona, ato vende që u mblodhën në samitin historik të 6 dhjetorit nuk kanë asnjë shans tjetër të kalojnë në një nivel tjetër volumet e tyre të shkëmbimeve tregtare pa Durrësin dhe është Durrësi i cili duke filluar nga integrimi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes Prishtinës dhe Strugës dhe duke u shtrirë pastaj me të gjitha vendet e tjera, do t’i japë këtij rajoni një fytyrë krejt tjetër dhe një kapacitet krejt tjetër për të përpunuar volume krejt të reja tregtare.
Nga ana tjetër ky është një port që e çon bashkëpunimin, e nisur me 1001 vështirësi, rajonal në një nivel krejt tjetër dhe për këtë arsye ne e kemi nisur këtë proces paralelisht, në radhë të parë me Kosovën dhe ashtu sikundër nga një anë kemi filluar punën për hekurudhën, nga ana tjetër kemi mbështetur si qeveri e Republikës së Shqipërisë financiarisht studimin e fizibilitetit për Portin e Thatë të Prishtinës, por paralelisht me këtë kemi punuar për të bindur Bashkimin Europian që ta përfshijë më në fund Korridorin 8, i cili për arsye që nuk është vendi këtu t’i shtjellojmë është bllokuar për dekada të tëra në marrjen e statusit pjesë e infrastrukturës europiane në mënyrë që të ecim paralelisht edhe me Portin e Thatë të Strugës.
Lajmi shumë i rëndësishëm i Samitit, ishte ndër lajme të tjera se Korridori 8 tanimë është zyrtarisht i përfshirë në rrjetin e infrastrukturës së qarkullimit rrugor, hekurudhor të Bashkimin Europian, që do të thotë që ne mund të kemi akses edhe në mbështetjen europiane për ndërtimin e kësaj vepre kaq shumë të rëndësishme dhe për këtë arsye sot ne nënshkruajmë dhe dokumentin me qeverinë e Maqedonisë së Veriut për Portin e Thatë të Strugës ku siç e thashë, siç e tha dhe Eriku në fakt, duhet të paguajë qeveria e Maqedonisë së Veriut, se ne Kosovën marrim përsipër. Disa gjëra që janë të rëndësishme duke i përshëndetur me shumë respekt dhe duke i falënderuar përfaqësuesit e trupit diplomatik këtu në sallë sepse ne besojmë që përfaqësojnë vende të cilat kanë një interes në këtë zhvillim dhe nga të cilat praktikisht kemi marrë interesime prej kompanish të mëdha që të përfshihen në këtë projekt duke e shoqëruar këtë përshëndetje me faktin që ky projekt do të jetë njëkohësisht edhe projekti me standardet më të larta të profesionalizmit në hartim dhe me të atilla standarde transparence dhe cilësie në gjithë procesin e garave që kanë karakterizuar edhe garat ndërkombëtare shumë të suksesshëm që ka organizuar ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në fushën e energjisë ku kemi parë një konkurrencë të hatashme pikërisht për shkak të besimit tek garat.
Porti i ri Tregtar faktikisht që në fazën e parë rrit trefish kapacitetin e përpunimit gjë që është e pamundur të mendohet për portin ekzistues dhe për të gjithë ata që i hyjnë një polemike absurd natyrisht të qëllimshme politikisht dhe si të gjitha gjërat e qëllimshme politikisht, kur politika shtrembëron faktet për arsyet e mosarsyes së saj, ja ku jemi sot për të thënë që ne, jo vetëm nuk u nisëm pas berihait që të mbyllim portin tregtar për të bërë një port turistik, por fakti që i kishim përgatitjen e plotë dhe besimin e plotë se do të kishim gati portin e ri tregtar, na bëri qw të jemi shumë konfidentë edhe me projektin e transformimit të tij, portit ekzistues në një port turistik dhe po të shikojmë fazën e parë të Portit të ri turistik që nis faktikisht në pak javë, ajo fazë zhvillohet në një hapësirë që nuk prek asnjë aktivitet tregtar të portit aktualisht dhe të dyja projektet janë të fazuara në një mënyrë të atillë që harmonizohet zhvillimi i portit të ri turistik me portin tregtar.
Pika tjetër shumë e rëndësishme është garancia 100% e kontratave ekzistuese me tw gjithë operatorët ekzistues. Ata kanë kontrata të caktuara. Kontratat janë të garantuar 100%.
Thjesht do të ketë spostime nga një vend në vendin tjetër, por operacioni ligjor nuk do të pengohet për asnjë subjekt që do të doje të vazhdojë operimin.
Tjetra, çfarë nuk u tha për miliardat dhe për historitë surreale që do t’i kushtonte me demek Shqipërisë ky spostim, “për t’i bërë qejfin arabëve”, ndërkohë që siç e patë, nga studimi i kompanisë, faza e parë, që është faza që bën zëvendësimin e portit, është 390 milionw euro, një shifër absolutisht e arsyeshme, ku 46 % të vlerës së investimit do ta kontribuojë qeveria e Shqipërisë, dhe 54% presim të jetë kontribut i kompanisë që do të fitojë garën ndërkombëtare.
Dhe ndërkohë besoj që, ju ra në sy atyre që na ndjekin dhe nëse s’ju ra në sy, po ua çoj unë në sy, Eriku kishte një “fjalë të pistë” në prezantim, PPP, pra edhe në këtë rast do të zhvillojmë një proces në Partneritet Publik Privat.
Sepse PPP-të nuk janë akte kriminale, nuk janë as formula korruptive, por janë formula ekonomike të cilat kur natyrisht bëhen me transparencë dhe bëhen duke parë interesin e publikut, funksionojnë në favor të publikut. Kur bëhen si ajo formula e skanerave të hyrjes dhe daljes së kamionëve nga gjithë pikat e Shqipërisë, atëherë bëjnë që publiku të paguajë kusure që nuk i ka.
Thënë kjo, të gjithë të ftuarve këtu nga vendet tona partnere dhe mike natyrisht sepse gara do të jetë e hapur, por dihet se kush nuk mund të hyjë në këtë garë, ne këtu presim kompani nga vendet mike dhe partnere, për këtë arsye e shikojmë me shumë kënaqësi këtu praninë e përfaqësuesit më të lartë të qeverisë holandeze, ambasadorit holandez, ambasadorit italian, ambasadorit japonez, ashtu sikundër përfaqësuesit të ambasadës, zëvendës/ambasadorit të SHBA,-së dhe po ashtu ambasadorit britanik, ne do të mirëpresim me krahëhapur dhe do të ofrojmë të gjithë informacionin, do të garantojmë transparencë të plotë për të gjitha kompanitë që do të vijnë nga BE, nga Mbretëria e Bashkuar, nga Turqia, nga Lindja e Mesme dhe natyrisht nga SHBA.
Kjo është sfera e operacionit të kompanive sepse duhet që të keni parasysh këtu, që porti ka edhe një dimension tjetër, për të cilin ne po punojmë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me NATO-n, ka pjesën ushtarake që është tjetër gjë nga pjesa që do të nisë punën dhe për këtë arsye, natyrisht që na duhet që cilado kompani që do të marrë përsipër operimin e portit, jo vetëm t’i ketë të gjitha standardet dhe të përmbushë të gjitha kriteret më të sofistikuara ndërkombëtare, por dhe të jetë kompani që vjen nga një vend jo-hostil ndaj Aleancës Euroatlantike.
Për të vazhduar edhe pak, dua të shtoj se më në fund, edhe ne bëjmë atë që vende të tjera e kanë bërë më parë, kthejmë në një aset me vlerë të lartë ekonomike për vendin portin e vjetër, duke larguar nga qyteti, duke larguar nga zemra e qytetit, mallrat, qymyrin, çimenton, kromin, zhurmën, ndryshkun, ndotjen dhe duke i dhënë zemrës së qytetit një zhvillim fantastik.
Një zhvillim fantastik, i cili do të ketë një impakt llogaritur midis 1.2 deri në 1.8% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar në vit dhe i cili në dekadën e parë do t’i sjellë ekonomisë sonë rreth 8 miliardë euro.
Ndërkohë që për impaktin e portit të ri tregtar, i patë shifrat impresionuese që i solli këto Eriku, nga kompania Royal Haskoning dhe le ta themi deri në fund që holandezët janë më të mirët për t’i bërë këto punë sepse janë edhe më kurnacët që njeh Evropa dhe falë edhe kurnacërisë së tyre, kanë edhe statusin e tregtarëve më të suksesshëm që kemi sot në Evropë.
Jam i bindur që miku im Mark Rutte, edhe pse nuk do ta pranojë me zë, do të buzëqeshë dhe do ta pranojë pa zë këtë që thashë, sepse e pranon në fakt dhe ndërkohë do të jetë shumë i lumtur që ne të mirëpresim edhe kompani nga Holanda, siç do të presim edhe kompani nga Belgjika, nga Italia, nga Mbretëria e Bashkuar dhe me radhë për të hyrë në garën e Portit të Durrësit.
E tha pak ministrja në hyrje, që në janar do të zhvillohet një forum transparent, me praninë e tregtarëve holandezë këtu dhe me praninë e autoriteteve tona për t’iu shpjeguar kompanive, të gjithë projektin, për të marrë të gjitha pyetjet dhe për të marrë të gjitha sugjerimet e tyre, në mënyrë që dokumenti I garës ndërkombëtare të jetë një dokument tërësisht iu hapur dhe tërësisht mikpritës për të gjithë kompanisë që duan të përfshihen në këtë projekt, që është projekti më i rëndësishëm i të ardhmes portuale të Evropës. Pse? Sepse në Evropë çfarë ishte për t’u bërë.
Ky është një port me një rëndësi të madhe strategjike për ekonominë dhe për sigurinë. Të mos harrojmë që porti ka pranë edhe një zonë ekonomike prej rreth 60 hektarësh që ka interesin e vet nga pikëpamja e gjithë proceseve të përpunimit dhe të vendosjes së investimeve, e kështu me radhë.
Kështu që nëse Mbretëria e Bashkuar na bën ndonjë propozim për të krijuar së bashku ndonjë situatë që mund të mos i pëlqejë Bashkimit Europian, por mund të jetë e rëndësishme për të dyja palët, ne mund të “Brexit-ojmë” një zonë të Porto Romanos, të vendosim flamurin anglez e të vendosim gjykata angleze që të vendosë për të gjitha konfliktet që mund të jetë midis aktorëve aty dhe shtetit shqiptar, siç është bërë në Dubai.
Jemi të hapur për të gjitha dhe ku ta gjejmë që të fusim edhe më shumë, një çik në sherr Anglinë me Bashkimin Europian dhe që anglezët ta kuptojnë që shqiptarët janë gjëja më e mirë që mund tu ndodhë atyre dhe janë gjëja më e mirë që po u ndodh sot e gjithë ditën, pavarësisht se janë disa që e duan Anglinë kaq shumë sa shkojnë me varka, ndërkohë që një deputet britanik të bën dhe një pyetje fantastike në një “hearing” me ambasadorin tonë dhe i thotë, “po mirë, këta që vijnë me varka dhe paguajnë mijëra paund, pse nuk vijnë me WizzAir me 28 euro?” Dhe pyetja ishte kaq shokuese sa dhe ambasadori jonë nuk dinte me çfarë të thoshte.
Përgjigja është shumë e thjeshtë: “sepse me WizzAir nuk i lë njeri të futen ndërkohë që kanalin e çajnë pa pyetur njeri”, por kjo nuk do të thotë aspak që ne jemi dakord me këtë, përkundrazi, së bashku me kryeministrin e Britanisë së Madhe kemi pasur një bisedë shumë produktive dhe kemi rënë dakord që të krijojmë një skuadër të përbashkët, më në fund, propozimi im i vjetër, por u desh që të fitoja 3 mandate që të fillonin të më dëgjonin tamam këta partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që ta godasim pa mëshirë këtë pjesë.
E rëndësishme në bisedë është që edhe kryeministri britanik shprehu një interes shumë të madh për përfshirjen e Britanisë në zhvillimet e vendit dhe sigurisht edhe në këtë investim. Kështu që gara është e hapur, jo sot, por nga janari.
Ju lutem të gjithëve të përgatiten mirë dhe të mos na ndërhyjë askush sepse aty do fitojë vetëm më i miri dhe nuk ka asnjë shans që të ndryshojmë fituesin sepse nuk na lenë tregtarët holandezë, që punojnë për ne në këtë rast.
Shumë faleminderit!