Ministrja Manastirliu parashtron prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Manastirliu parashtron prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, parashtroi prioritetet strategjike për të rritur cilësinë në arsim dhe mbështetjen për sportin, gjatë një takimi të zhvilluar sot me stafin e strukturave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Ministrja Manastirliu u ndal tek promovimi i arsimit profesional dhe profilizimi dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve, si një nga objektivat kryesore për t’iu përgjigjur ekonomisë dhe zhvillimeve të kohës.

“Do të përqëndrohemi tek arsimi profesional, si lidhja më efektive me tregun e punës, duke i’u përgjigjur zhvillimit ekonomik. Një tjetër drejtim i punës së përbashkët do të jetë objektivi për profilizimin e universiteteve, bazuar në zhvillimin rajonal dhe ekonomik, ridizenjimi i kurrikulës universitare, në përputhje me kërkesat e tregut të sektorit publik dhe privat”,- tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, teksa e vuri theksin tek bashkëpunimi me universitetet prestigjioze ndërkombëtare, si dhe hapja e degëve të tyre në bashkëpunim me universitetet tona.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli për mbështetjen nëpërmjet rritjes së pagave dhe edukimin në vazhdim për të gjithë mësuesit.

“Do të rrisim rolin dhe figurën e mësuesit dhe do t’i mbështesim me edukimin në vazhdim dhe rritjen e pagave. Rritja e pagave do të jetë një prioritet absolut”, – u shpreh Manastirliu.

Gjatë takimit me stafin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrja Manastirliu theksoi se do të standardizohet infrastruktura didaktike në rrjetin shkollor në çdo cep të vendit, për t’iu përgjigjur kohës dhe teknologjisë. Gjatë prezantimit të prioriteteve, Ministrja Manastirliu u ndal tek zgjerimi i platformave interaktive përmes digjitalizimi dhe inovaconit apo edhe inteligjencës artificiale. Në fokus të veçantë Ministrja Manastirliu vendosi tek mbështetja për sportin, për çdo disiplinë, si dhe promovimi i kampionateve sportive në shkolla. Ministrja e Arsimit dhe Sportit lajmëroi nisjen e një turi të gjerë konsultimesh me mësues, nxënës dhe prindër në shkollat e vendit, si një platformë lëvizëse dialogu, për të përfshirë në bashkëbisedime të hapura trinomin prindër-mësues-nxënës, në funksion të përmirësimit të sistemit arsimor në vend.

Fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu:

Përshëndetje të gjithëve!

Dëshiroja të bëja një takim së bashku me të gjithë ju, për të parashtruar prioritetet e punës sonë të përbashkët, në këtë moment kaq të rëndësishëm.

Me shumë prej jush jemi takuar, kemi diskutuar, shkëmbyer ide, por dua ta shfrytëzoj këtë moment dhe këtë rast për t’ju parë në sy dhe për t’ju thënë se cila është pritshmëria për secilin nga ju dhe ajo përmblidhet në 3 fjalë: Punë, punë dhe vetëm punë.

Ju e dini më mirë se unë, që arsimi është një sektor sa i rëndësishëm, delikat, aq i bukur, por me një sensitivitet të jashtëzakonshëm.

Në botën e arsimit, shkencës dhe sportit, ne nuk jemi thjesht rolet dhe titujt që mbajmë, jemi shumë më shumë se kaq, jemi një forcë kolektive që ndan një vizion, vizionin për një arsim cilësor, gjithpërfshirës dhe që përgatit brezin e ri me kompetencat dhe aftësistë e duhura, për jetën dhe shoqërinë, për një sistem arsimor që i shërben çdo fëmijë, çdo nxënësi pa dallim, për t’u formuar në rradhë të parë si qytetar i mirë dhe për të shpalosur potencialin më të lartë.

Padyshim që do të ketë sfida rrugës, që nga përmirësimet e infrastrukturës shkollore që duhet të adresohen, fuqizimi i mësuesve dhe rritje të kualifikimit të tyre, përmirësim në vazhdim të kurrikulave shkollore edhe jashtëshkollore, mbështetje për kë ka më shumë nevojë për të ecur përpara në rrugën e dijes, që ne duhet t’u ofrojmë.

Por e dimë mire që ka një shans përpara çdo sfide dhe jam e sigurt se, ato që në fillim do të na duken pengesa, shumë shpejt ne do t’i kthejmë në pedana për të shkuar më tej. Do të doja shumë që askush prej jush, të mos e shohë veten thjesht si një zyrtar, apo një drejtues, që në një moment të caktuar ka për detyrë të bëjë punën e vet, apo një burokrat që qarkullon shkresa, bën udhëzime, ndjek procedura, por, si njerëz, nga mendja, ritmi dhe cilësia e punëve të secilit, merr formë ditë pas dite e ardhmja!

Ndaj, përmbushja e pritshmërive që kanë prindërit në radhë të parë, studentët, nxënësit është një sfidë për të cilën ne duhet të jemi të vetdijshëm çdo ditë.

Unë jam e vetëdijshme që shumë punë të mira janë bërë dhe ka patur plot rezultate për të cilat duhet të jemi krenarë, ashtu sikurse e dimë mirë se plot të tilla ne duhet të çojmë përpara. Që nga rritja e aksesit dhe cilësisë në arsimin parashkollor, arsimin fillor e të mesëm, cilësinë e mësimdhënies, rritjen e rolit dhe figurës së mësuesit dhe mbështetjen e vazhdueshme të tyre përmes trajnimit, edukimit në vazhdim, rritjes së pagave të profesionistëve, modernizimit të programeve shkollore, standardizimi i infrastrukturës didaktike në rrjetin shkollor për t’iu përgjigjur kohës dhe teknologjisë. Dhe në fakt dua të ndalem këtu, tek infrastruktura didaktike në çdo shkollë, në çdo cep të vendit, ne duhet të sigurojmë që fëmijët tanë, nxënësit, të kenë të njëjtat kushte, të njëjtat mjete shkollore, të njëjtën mënyrë dhe metodologji të mësuari, në mënyrë që arritjet e tyre të jenë sa më të larta.

Do të vijojmë të zgjerojmë programet ekstrakurrikulare të artit dhe sportit, si pjesë e pandarë në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve. Zbulimi i talenteve dhe mbështetja e tyre do të jetë në fokusin tonë, promovimi i arsimit profesional si lidhja efektive me tregun e punës duke ju përgjigjur zhvillimeve të ekonomisë do të jetë gjithashtu një prioritet i yni.

Një tjetër drejtim i punës së përbashkët do të jetë objektivi  për profilizimin e universiteteve, duke u bazuar në zhvillimin rajonal dhe ekonomik dhe më shumë rëndësi ne do t’i japim ridizenjimit të kurrikulës universitare në përputhje me kërkesat e tregut, të sektorit publik dhe privat.

Ndërkombëtarizimi i universiteteve, vijimi i bashkëpunimit me universitetet prestigjoze, hapja e degëve të tyre në Shqipëri, bashkëpunimi me universitetet tona dhe gjithashtu programet dyfishe do të jenë një prioritet në punën tonë të përbashkët.

Incentivimi i studentëve për zgjedhjen e programeve prioritare, për të ringjallur degët, industritë që sot i kërkon tregu, që sot kërkohet edhe më shumë sesa të vijojmë ende me trashëgiminë e programeve dhe gjithashtu me kurrikulat që nuk sjellin dot përfitimet që ne duam të kemi, si për të zhvilluar ekonominë dhe për fuqizuar dhe për të patur mundësinë e krijimit e profesionistëve të së ardhmes.

Mbështetja e universiteteve për kërkimin shkencor do të vazhdojë të rritet. Rritja e sinergjisë me sektorin jopublik gjithashtu zgjerimi i platformave interaktive përmes programeve të digjitalizimit dhe inovacionit apo inteligjencës artificiale, do të jetë në fokus të punës sonë.

Krijimi i rrjeteve të profesionistëve dhe nga diaspora duke u mbështetur edhe në programet që Bashkimi Europian sot ka, do të jenë prioritet i punës sonë.

Po kaq fokus do të kemi në mbështetjen e sportit për çdo disiplinë, edukimi përmes sportit dhe kujdesi ndaj shëndetit do të vijojë të mbetet në fokusin tone. Promovimi i kampionateve sportive në shkolla gjithashtu do të vijojë dhe do të zgjerohet.

Por nga ana tjetër, kemi nevojë të kominikojmë më shumë, kemi nevojë të dëgjojmë më shumë, atë trinom të rëndësishëm që të gjithë ne e dimë që është pjesë e punës tonë të pandarë, për të marrë vendimet e duhura dhe për të marrë vendimet e drejta dhe ky trinom është mësuesi, nxënësi, prindi. Ndaj, nga nesër me kolegë ndër ju, do të nisim një seri takimesh dhe dëgjesash për të shkëmbyer eksperienca dhe ide për punën e bërë, por mbi të gjitha për ato punë që ne duhet t’i adresojmë menjëherë.

Do të ulemi së bashku me mësues, nxënës, edukatorë, prindër, pedagogë, për të dëgjuar kërkesat, sugjerimet, shqetësimet e tyre për t’u përmirësuar në vazhdim. Nuk do të jetë thjesht një tur dëgjese, apo takimesh, por në fakt do të jetë një platformë lëvizëse dialogu, një mundësi më shumë për t’u përfshirë në bashkëbisedimet e hapura, për të rrahur mendime, për të marrë këshilla, për të shprehur ëndrra dhe aspirata, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të arsimit në Shqipëri dhe paralelisht për të reflektuar në politikat dhe programet tona.

Dera jonë, dera ime personalisht, do të jetë e hapur për të gjithë, për nxënësit, mësuesit, prindërit, pedagogët. Me të gjithë ju punonjës dhe profesionistë të MAS do jemi në dispozicion të qytetarëve, por duhet të kemi mobilizimin 100%, angazhimin 100%, për të punuar edhe më me shumë ritëm, edhe me më shumë cilësi edhe me më shumë vendosmëri.

Eksperienca më ka mësuar që fokusi tek objektivi është e vetmja mënyrë për të ndarë punën nga fjalët. Ndaj, dua t’ju uroj suksese në vazhdim dhe me krahë të lehta të gjithve!

Faleminderit!

 

Previous Ministrja Denaj me fermerët në Malësinë e Madhe: Mbështetje zhvillimit të potencialit në veri të vendit