Në përmbyllje të agjendës në kuadrin e tryezës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë pasdite në ceremoninë e prezantimit të librit “Përplasja e Madhe”, e shkruar nga një prej figurave të njohura të jetës politike në Kosovë, Enver Hoxhaj. Libri është një analizë politike e detajuar që flet për luftën diplomatike dhe informative të Rusisë kundër Kosovës dhe Ballkanit.
“Ky libër vjen në kohën kur rendi evropian është çarë në mes, kur raketat ruse goditën Ukrainën dhe Putini urdhëroi agresionin ushtarak kundër saj. Një libër që shpjegon përplasjen e madhe ndërmjet fuqive botërore dhe luftën e Rusisë kundër Kosovës dhe Ballkanit” – shpreh vetë autori Hoxhaj për veprën e tij.
Ndërsa, Kryeministri Rama vlerësoi se mendimet autorit janë një pasuri e jetës publike shqiptare dhe pikë referimi për kohën që po kalojmë.
“Së pari, me thënë të drejtën ndihem në siklet se gjithë ky milet këtu për një libër, është pak shqetësuese dhe sikur të ishin shqiptarët kaq të dhënë pas librave, sot do të kishim më pak pikëpyetje për të zgjidhur me njëri-tjetrin. Por duke qenë se ma ha mendja në gjithë këtë prurje ka një rol edhe prania ime dhe e Aliut, do doja t’ju thoja me shumë sinqeritet që nëse dëshironi të krijoni një ide ose të zhvilloni më tutje një ide lidhur me implikimin e Kosovës pa dëshirën tonë në gjithë këtë lëmsh ndërkombëtar, duhet ta lexoni këtë libër.
Unë kam nxjerrë disa shënime nga libri edhe i thashë Enverit, të lutem vetëm foltore mos na vendos aty në prezantim se ja vlen të jetë në një formë bashkëbisedimi, por janë disa pasazhe shumë pikante në libër që në këndvështrimin tim mund të vlejnë për të joshur disa prej jush të paktën që ta lexojnë librin.
“Papajtueshmëria e tij, e Putinit është fjala, me Kosovën nuk ka të bëjë me ndonjë keqkuptim apo mosmarrëveshje me Perëndimin, por me ambicien e tij për të jetësuar një vizion shumë polar të botës me Rusinë si hegjemone në qendër, duke luftuar rendin liberal nën udhëheqjen e SHBA-së”.
Ky është besoj unë një nga pasazhet më domethënëse të librit dhe është një nga ato pika orjentuese në këtë lëmsh të krijuar nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, ku më ka bërë përshtypje që në fillim, përmendet në mënyrë të vazhdueshme nga Putini apo Lavrov apo dhe të tjerë në Moskë, Kosova. Po ta vini re, në mënyrë të vazhdueshme përmendet, madje futet dhe Shqipëria kur bëhet fjalë për luftëtarë në Ukrainë. Del lista e të vrarëve të këtyre skalioneve ndërkombëtare në Ukrainë dhe Lavrov nuk flet për të tjerët, flet për shqiptarët dhe Kosovën, duke nxjerrë shifra të pabazuara në asnjë gjë sepse ne nuk kemi asnjë informacion për shqiptarë të Republikës së Shqipërisë të paktën, të vrarë në këtë konflikt.
Një tjetër pasazh në libër: “Lufta e tanishme ja hapi sytë politikës europiane, duke ndryshuar rrënjësisht qëndrimin për Rusinë. Humbja e saj në Ukrainë do ta ndryshojë pozitivisht situatën në Ballkan”. Me këtë pasazh mbaron një kapitull dhe këtu sigurisht do ja vlente të diskutohej më gjatë se nuk mund t’i zgjidhim të gjitha në një takim, për të vazhduar te një element tjetër që e mendoj që është i vlefshëm shumë për ne, për të kuptuar edhe gjyqin e Hashim Thaçit edhe të udhëheqësve të tjerë që në këndvështrimin tim shumë personal, është sot një arsye shumë e fortë për Perëndimin që të ndalë e të reflektojë se çfarë ka bërë me atë gjykatë dhe a është ajo gjykatë pa asnjë lidhje me dorën e Vladimir Putinit dhe të Moskës. Unë e kam si pyetje.
Enveri shkruan këtu, – Enver Hoxhaj, se me këtë emër kemi ca probleme në Shqipëri, se atë kemi pas lexuar kështu, me ja mbajt librat në dorë e me lexu është hera e parë që më ndodh mua, që pas vëllimeve të atij tjetrit.
Thotë pra se “Te putinizmi si doktrinë, vlen parimi praktik. Nuk ka rëndësi se kush e krijon një fakt, por ka rëndësi se kush e përdor dhe kush përfiton prej tij. Ai e ka keqpërdorur dhe keqinterpretuar rastin e Kosovës kudo. Jam i mendimit, – thotë autori, – se Kosova nuk paraqet ndonjë temë të rëndësisë shumë të madhe për Putinin, por këtu kam treguar sesi ai e ka përdorur Kosovën, si një antitezë ndaj Perëndimit, duke projektuar me qëllim një rivalitet me Perëndimin, ai në fakt ndërtoi një fabrikë të gënjeshtrave kundra Kosovës“.
Këtu, realisht është me rëndësi të reflektohet sepse qëllon që dhe unë, në të vërtetë Kosova për Putinin dhe për Rusinë është peng, jo në solidaritet apo për hir të Serbisë, por për një qëllim shumë më të madh që sot shfaqet me sulmin ndaj Ukrainës si një karshillëk i hapur ndaj rendit botëror aktual dhe ndaj ligjit ndërkombëtar. Më shumë sesa një herë Putini e ka përsëritur që ajo që ka bërë NATO në Kosovë është e pajustifikueshme dhe më shumë se sa një herë ai ka lënë të kuptohet që erdhi koha që ata që keni bërë ju, ta provoni tani, që po e bëj unë, që po e bëjmë ne, Rusia.
Te fabrika e gënjeshtrave, gënjeshtra më e madhe është gënjeshtra për UÇK-në. Dhe është një gënjeshtër që është projektuar me një strategji, nuk ka filluar me gjykatë. Ka filluar shumë kohë përpara dhe ka pasur qartësisht qëllimin që diskreditimin e UÇK-së ta çojë deri në pikën e pabesueshme të ngritjes të një gjykate speciale me duart e vetë Kosovës, me mbështetjen, nxitjen, presionin, detyrimin, imponimin e aleatëve perëndimorë dhe me rezultat diçka të pa ndodhur ndonjëherë në historinë e të Drejtës Ndërkombëtare, arrestimit të një Presidenti në detyrë pa akuzë dhe mbajtjen në burg të një Presidenti pa akuzë. Imagjinoni sikur cilido nga vendet që e ka mbështetur dhe e sponsorizojnë tribunalin, t’i kapë ai presidenti i tyre pa akuzë dhe t’i mbyllë brenda e t’i thotë “prit atje sa të dalë akuza”. Surpriza më e madhë që duhet t’i bëjë të reflektojnë shumë që nga miqtë tanë të paçmueshëm amerikanë te të gjithë miqtë e tjerë perëndimorë, të cilët janë autorët ose bashkëautorët e çlirimit të Kosovës, është Shtëpia e Verdhë dhe Tribunalja.
Doli një Shtëpi e Verdhë. U mbush bota me veshka dhe mëlçi që Hashim Thaçi bashkë me Kadri Veselin e të tjerët ja u hiqnin nga trupi serbëve apo dhe shqiptarëve që kishin inat dhe i shisnin në pazaret e peshkut apo të mishit në Europë. Një tmerr i pakrahasueshëm për të diskredituar totalisht një luftë çlirimtare. Mirëpo tani ka një pyetje, për të cilën për sa na takon dhe për sa më takon, ne si qeveri dhe si shumicë parlamentare në Shqipëri, shpresoj dhe gjithë pjesa tjetër e Parlamentit, do të bëjmë çmos që ta vendosim mu përballë të gjithëve, që nga Joe Biden që është dhe një mik i Kosovës te Boris Johnson, tek Olaf Scholtz dhe gjithë të tjerët me radhë, kuptohet duke përfshirë Macron dhe kë tjetër të doni ju.
Pyetja është kjo, si shpjegohet që një tribunal i ngritur si rezultat fundor i një raporti që mori bekimin e Këshillit të Europës, me gjithë akuzat që kishin në qëndër këtë shtëpinë e verdhë, kanë nxjerrë një akt-akuzë që nuk ka asnjë lidhje as me shtëpinë e verdhë, as me organe, as me jo organe dhe asgjë tjetër.
Ccfarë lidhje ka midis Dick Marty-t, jo si person se nuk kam asnjë respekt për atë person dhe më vjen keq që më duhet t’ia zë emrin, por midis asaj që ai përfaqëson si prodhim, ccfarë lidhje ka me faktin që edhe sot që flasim, kur Shqipëria në Këshillin e Sigurimit ngre çështjen e llogaridhënies ndërkombëtare, Rusia kundërvihet me trafikun e organeve dhe me Dick Martyn?
Si shpjegohet që përralla e trafikut të organeve është një përrallë që përdoret nga rusët edhe në raste të tjera? Ka dalë edhe në luftën me Ukrainën çështja e trafikut të organeve nga ana e segmenteve të caktuara të forcave ushtarake ukrainase në dëm të popullsisë ruse.
Unë nuk jam aspak njeri i dhënë pas teorive të konspiracionit dhe nuk kam absolutisht asnjë qëllim këtu që të kthej një teori konspirative në një demarsh shtetëror, por janë gjëra shumë të rënda këto në kontekstin e luftës së sotme dhe sa na takon ne si shqiptarë mendoj që për ta merituar, ne të paktën ne që flasim shqip dhe kemi privilegjin e mikrofonave dhe kamerave, për ta merituar ne këtë, duhet të mos e pranojmë absolutisht më këtë farsë me Hashim Thaçin, me Kadri Veselin, me Rexhep Selimin, me Jakup Krasniqin dhe me ushtrinë shqiptare të Kosovës. Le të bëjë gjyq patjetër, le të bëjnë gjyq me fakte dhe me prova, ne nuk kemi punë me këtë pjesë, por ne kemi punë me gjithë korpusin politik që i dha jetë kësaj gjykate.
Ne jemi shumë të vegjël për t’i kërkuar SHBA-ve të reflektojnë, por për hir të vërtetës, Shtëpia e Bardhë duhet të reflektojë për këtë ccështje dhe presidenti i SHBA-ve duhet të njihet me këtë ccështje dhe duhet ta udhëheqë këtë reflektim të madh sepse këtu nuk është e pamundur që gjithë ky komunitet vendesh të ketë rënë në një grackë të ngritur nga Rusia. Edhe në mos qoftë një grackë e ngritur nga Rusia në një plan të qartë dhe të ndjekur hap pas hapi, që ka shumë mundësi, edhe në mos qoftë kjo, e gjithë mënyra se si është ndërtuar kjo, sot i shërben Rusisë, nuk i shërben Perëndimit, nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben drejtësisë, nuk i shërben as viktimave të luftës.
Po kaloj tek Kina që të mos ju lodh më me këtë pjesë dhe të mos na mërziten këta ambasadorët që keni këtu në Prishtinë. Po kaloj tek Kina sepse është shumë e rëndësishme në konktekstin e përpjekjes sonë që ta mbajmë luftën larg nga rajoni, unë të paktën personalisht, në këtë pikë e ndaj plotësisht me Aliun.
Aliu është në pozicion më të favorshëm sepse i ka kapur armët njëherë, unë nuk kam kapur armë asnjëherë dhe unë mund të dyshohem dhe për frikacak dhe për tradhëtar.
Aliu nuk besoj se mund të dyshohet as për frikacak, as për tradhëtar, kështu që në këtë rast, kur e thotë Aliu besoj se është plotësisht e mirëkuptueshme që mirë është ta mbajmë luftën larg nga kjo zonë.
Zakonisht luftën e duan më shumë ata që nuk e kanë provuar asnjëherë. Unë hyj tek ata që nuk e kanë provuar dhe nuk duan ta provojnë. Është e rëndësishme ta kuptojmë dhe Kinën në këtë mes dhe Enveri na e jep këtë indikacion.
“Kur flas për zonat e influencës, nuk mendoj se Kina do pushtojë territore apo do t’i shndërrojë demokracitë e brishta ballkanike në sisteme dhe shtete autoritare. Duhet theksuar se synimi kinez nuk është të godasë direkt, në parim, demokracinë liberale në Ballkan”.
Unë jam shumë dakord me këtë, por nga ana tjetër, unë mendoj që pozicioni ynë, dhe kur them i ynë në këtë rast dhe i Shqipërisë dhe i Kosovës, është korrekt por ne na vlen si reflektim.
Në fund, ka një pjesë që na vlen shumë që “Krahas luftës në Ukrainë, Rusia dëshiron që të zhvendosë në Ballkan valën e dytë të përplasjes me Perëndimin me qëllimin që ta destabilizojë rajonin dhe nga këtu, përmes oborrit të pasëm europian edhe BE. Një zhvendosje e mundshme gjeopolitike rajonale e Rusisë përballë Perëndimit nuk do kishte për pasojë një luftë konvencionale si në Europën Lindore, por një fazë intensive të luftës hibride”, dhe kalon disa faqe dhe vjen në fund fare “Sa më shumë të zgjasë lufta në Ukrainë”, dhe ky është thelbi, në këndvështrimin tim për reflektim për ne para se t’i fryjmë zjarreve të luftrave që mund të jenë imagjinare, por që kur nuk e pret mund të kthehen në reale dhe pastaj kostot nuk i paguajnë ata që i ngjisin por i paguajnë të tjerë që, me thënë të drejtën, nuk i meritojnë fare.
“Sa më shumë të zgjasë lufta në Ukrainë, Shqipëria dhe Kosova do jenë caqet e luftës hibride ruse të cilën rusët do ta zhvillojnë, jo vetën në nivel rajonal, por edhe europian dhe global. Lufta hibride ruse ka filluar dhe është zhvilluar kundër Kosovës paralelisht me cclirimin dhe pavarësimin e saj. Vazhdon edhe sot ndaj nuk kemi arsye pse të mendojmë se do pushojnë në të ardhmen”. “Nuk jam as idealist”, thotë Enveri, “As optimist se Rusia do ndryshojë kursin e saj, por si realist shoh zgjedhje të vështira në të ardhmen me një rënie strategjike të Rusisë”.
Me këto shënime, unë po e mbyll këtë ndërhyrje timen, duke thënë që të më falin të gjithë ata që nuk e ndajnë me mua këtë bindje, por ne duhet të bëjmë çmos që të mbajmë çdo mundësi konflikti larg nga ky rajon. Ne nuk kemi asnjë interes për Serbia të radikalizohet dhe ne duhet të bëjmë çmos që në këtë situatë, ku Serbia është midis dy zjarreve, nga një anë presioni shumë i madh i Rusisë, i cili lidhet edhe me mundësinë shumë të madhe që Rusia ka për ta shtrënguar Serbinë për shkak se e furnizon me gaz, e furnizon me naftë, e furnizon me shumëçka dhe presion të madh të Perëndimit nga ana tjetër mbi Serbinë, presion që Serbia e ndjen jashtëzakonisht shumë, të shtyjmë sa më shumë në drejtimin e një kuptimi të drejtë të asaj që ne duhet të presim nga Serbia. Kush pret nga Serbia që të hidhet në flakë për Perëndimin, nuk e kupton fare se çfarë vjen nga kjo. Serbia nuk mund të hidhet në flakë për perëndimin sepse nuk ka asnjë mundësi ta bëjë këtë, duke qenë e përbërë nga një popull ku 80% mendojnë që Vladimir Putin ka të drejtë, por nga ana tjetër, besoj që është shumë e qartë, Serbia mund të qëndrojë në një distancë të mjaftueshme nga Rusia që flaka e kësaj lufte të mos vijë këtu. Në këtë pikë ne mund të bëjmë tonën.
Ky është dhe thelbi i “tradhtisë” time që të jemi të qartë. “Tradhti” për të cilën unë nuk jam pishman. Me keqardhje për të gjithë ata që janë më patriotë se unë, unë nuk jam pishman për këtë. Unë mendoj që ne kemi vuajtur boll dhe kur them ne, nuk them unë, se në radhë të parë këtu në Kosovë, Kosova ka vuajtur boll nga lufta, nga sakatime, nga flakë, nga shkatërrime e nuk ka nevojë më të shkojë në atë drejtim, përveç se nëse e detyrojnë natyrisht. Nëse e detyrojnë Kosovën, detyrojnë edhe Shqipërinë dhe patjetër që ne jemi një, por për sa kohë nuk na detyrojnë, ne nuk kemi pse i shkojmë asaj rruge fare. Nuk kemi lidhje me atë rrugë, kjo është bindja ime.
E falenderoj shumë Enverin për këtë libër dhe më vjen shumë mirë që përveç ndihmës që libri jep për të kuptuar më mirë Rusinë e për të parë pak më larg se sa e përditshmja në konceptin e kësaj marrëdhënieje, ku ne jemi shumë të vegjël, por çuditërisht dhe fatkeqësisht gjithë ky lëmsh është i lidhur me ne, sepse Kosova është kapur si një peng këtu për ta përdorur në funksion të një qëllimi që nuk ka të bëjë fare drejtpërdrejtë me Kosovën, atëherë ne duhet të jemi shumë të qartë e të vetëdijshëm e përpos gjithë këtyre faleminderit shumë që Enveri bashkë me librin u bë sebep për të pasur kaq shumë njerëz në këtë sallë e për të folur për një temë që përndryshe mbetet si të thuash pezull, se ose do flasësh nëpër studio me analistë që zakonisht shkojnë nëpër studio pasi i kanë kryer gjithë analizat dhe nuk duan më të dëgjojnë fare për të dhëna të tjera, ose do flasësh nëpër konferenca shtypi, nëpër intervista, ose do shkruash dhe të gjitha këto janë shumë më pak se sa mundësia që të jep një sallë e tillë, kështu që shumë faleminderit, me respekt dhe faleminderit të gjithëve!
Mbase ja vlen në fund të them se ne po përgatisim një rezolutë. Unë përgjithësisht i kam bezdi këto rezolutat sepse ne mblidhemi në këto kuvendet tona edhe merremi me gjithë botën me rezoluta dhe kujtojmë se po merret njeri me rezolutat tona, por në këtë rast rezoluta që ne do të bëjmë lidhur me raportin e Dick Marty-t, me Këshillin e Evropës, lidhur me gjyqin ndaj UÇK- së, ai është gjyq ndaj UÇK s ‘është fare gjyq ndaj personave. Edhe ajo akt-akuza po ta shikoni është një gjë që aty është me e marrë gjithë Kosovën me e fut në burg. Eshte një hap i parë për të paralajmëruar hapin e dytë, qe do të jetë ne shtator në Strasburg, ku do të shkojmë, do shkoj dhe unë personalisht për ta ngritur çështjen atje në Këshillin e Evropës dhe për t’i kërkuar Këshillit të Europës që në një mënyrë ose në një tjetër të distancohet nga Dick Marty se nuk ka asnjë provë, janë bërë të gjitha hetimet e mundshme dhe të imagjinueshme dhe nuk është gjetur as shtëpi e verdhë dhe asnjë gjurmë e asnjë shënjë e asnjë lidhje mes gjithe organeve të trupit dhe organeve të UÇK-së.