Prishtinë, Kryeministri Rama në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala
Në vijim të agjendës zyrtare në Kosovë, Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës, të mbajtur në Prishtinë. Libri trajton procesin gjyqësor në Hagë ndaj udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në aktivitetin ku ishin të pranishëm përfaqësues të jetës politike dhe akademike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Kryeministri Rama mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi se kërkesat e Prokurorisë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së janë të pajustifikuara dhe politikisht të motivuara, duke mos pasur asnjë lidhje me krime kundër njerëzimit apo terror ndaj popullsisë civile.
Kryeministri vuri në dukje dallimin thelbësor mes luftës çlirimtare të UÇK-së dhe krimeve të regjimeve përgjegjëse për spastrime etnike në rajon, duke nënvizuar se drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të barazojë agresionin me rezistencën për liri.
“Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me terrorin mbi popullsinë civile, me spastrimin etnik, me varret masive të njerëzve të pafajshëm, me shënjestrimin e fëmijëve dhe të grave nga snajperët e vendosur aty, me këtë qëllim apo me përdhunime, me vrasje, me mbytje njerëzish në lumë, asgjë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por u armatosën kundër një politike shfarosjeje.” – u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se i gjithë ky proces është pengmarrje për arsye politike. “ Nuk di të them më shumë fjalë, por di që kjo është pengmarrje për arsye politike, jo të perëndimit si i tërë, por të atyre forcave që kanë dashur të barazojnë dy gjëra që nuk barazohen dot. Dhunën etnike të një makinerie lufte tërësisht fashiste dhe luftën çlirimtare të një ushtrie që emrin e ka pasur ushtri, por në fakt ka qenë një mobilizim popullor, ku ata të cilët janë trajtuar atje në gjyq si komandatë të një force të rregullt kanë qenë udhëheqësit shpirtëror, moral dhe politik të këtij mobilizimi.” – u shpreh Kryeministri Rama.
Në përfundim, Kryeministri Rama falënderoi autorin për ftesën dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së shpresës dhe besimit se e vërteta dhe arsyeja do të mbizotërojnë në vendimmarrjen përfundimtare.