Procesi i licensimit të mësuesve nuk është vendim i ri, por detyrim ligjor që prej vitit 2012
Në përgjigje të deklaratave se udhëzimi i muajit shkurt 2025 për licensimin e mësuesve ka krijuar paqartësi dhe burokraci të panevojshme për mësuesit, qeveria shqiptare sqaron se procesi i licensimit të mësuesve nuk është vendim i ri, por një detyrim ligjor që prej vitit 2012, i bazuar në kuadrin ekzistues ligjor, ku ushtrimi i profesionit të mësuesit lidhet me përmbushjen e praktikës profesionale dhe kalimin e provimit të shtetit, sipas ligjit për profesionet e rregulluara.
Ndërkohë në lidhje me akuzat se mësuesit me përvojë të gjatë detyrohen të rikthehen në procese licensimi, qartësojmë se dhënia e provimit të shtetit nuk është një pengesë, por një garanci, një instrument që vendos barazi për të gjithë ata që hyjnë në profesion, duke siguruar që çdo mësues të përmbushë të njëjtat standarde profesionale, pavarësisht kohës apo mënyrës së hyrjes në sistem.
Ky proces nuk synon të krijojë pasiguri apo të penalizojë askënd, por të ndërtojë një sistem më të drejtë dhe më të qëndrueshëm në afatgjatë.
Gjithashtu, asnjë mësues nuk po hiqet nga puna, përkundrazi, ata që nuk e kanë përmbushur ende këtë detyrim po mbështeten me komunikim dhe trajnim, në respekt të plotë të sigurisë së tyre profesionale.