Programi i shërbimeve të integruara dhe sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë, fryt i partneritetit publik, privat, i ka dhënë fund njëherë e përgjithmonë, në Shqipëri trashëgimisë së autoklavave të amortizuara dhe instrumentave kirurgjikalë që shkaktonin përhapjen e infeksioneve spitalore dhe infeksioneve post-operatore tej normave të lejuara, dhe cenonin sigurinë e jetës së pacientëve.
Që prej vitit 2016, Programi i sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë, si shërbim i integruar është shtrirë në 29 spitale në shkallë vendi, duke garantuar një standard të ri shërbimi në spitalet publike.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte sot në sot në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, në një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, ku ri-investimi i instrumenteve të rinj pritet kryhet në vitin e 7-të të këtij partneritetit, pra këtë vit.
“Sot inspektojmë një prej 17 centraleve, impianteve të investuara në kuadër të partneritetit publik privat për shërbimin e integruar të gjithë setit të instrumenteve, të investimit për sterilizimin, autoklavat, gjithë setet njëpërdorimshme, dezinfektimin e sallës, pra 5 procese, të cilat kryhen në mënyrë të njëtrajtshme në 17 centralet dhe subcentralet e investuara në spitalet tona rajonale, universitare dhe bashkiake ku tashmë në vitin e 7 presim dhe një ri-investim në të gjithë strukturën dhe rrjetin e investimeve, kemi mundësuar që të kemi ndërhyrje operatore të sigurta për çdo pacient që i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale.” – shpjegoi Ministrja Manastirliu.
Kryeministri u takua dhe bisedoi me mjekë të stafit spitalor, shumë prej të cilëve kanë ushtruar profesionin e kirurgut në kohën kur gjithçka sterilizohej vetëm me një autoklavë, ndërsa sot gjithçka kryhet me një sistem zinxhir sterilizimi.
“Përdorimi i kësaj teknologjie të re ka ulur infeksionet dytësore, ato që kanë qenë një problem shumë i madh për këdo për pacientin, por edhe për mjekun, kanë ulur ditëqëndrimin në spital, si dhe kanë ulur koston e përdorimit të antibiotikëve.” – dëshmon nja nga mjeket më të vjetra me një përvojë 40 vjeçare në këtë spital, teksa shprehet se “mjeket e rinj që fillojnë punë tani nuk besojnë që ne kemi punuar me këto. Sot është çdo gjë elektronike.”
Në bisedën me mjekët, Kryeministri theksoi se pavarësisht hetimit për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, kjo nuk e cenon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë.
“Unë desha të vija më shumë për të shfrytëzuar këtë moment ku është bërë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës edhe të kompanisë përkatëse, midis përfitimit të madh që ka patur sistemi dhe çfarëdo qoftë, individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine po themi, që është çështja e tyre me drejtësinë, por ndërkohë një nga gjërat që janë shumë evidente sot, vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital, ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimit total që është bërë për këtë proces, dhe gjithë kostoja e përgjithshme që është parashikuar për procesin sot që flasim.” – u shpreh kryeministri, teksa theksoi ndër të tjera se qëllimi i gjithë këtij procesi të ndërmarrë është pajisja e mjekëve me instrumentet e teknologjisë më moderne, duke lehtësuar dhe ngritur në një nivel më të lartë punën e tyre. “Unë kisha dhe një qëllim tjetër, se i thashë Ogertës që të përcjellim dhe një mesazh për të gjithë ju se kur ndodhi në fillim ajo që u lajmëruan masat e sigurisë për atë grupin që ka bërë procesin, kam marrë disa mesazhe, por më shumë sesa pak mesazhe nga mjekë, që edhe ndonjë as nuk e njihja, se ishin të gjithë të shqetësuar se mos sekuestrohet dhe mos bllokohet kjo gjë dhe ku do shkojmë, dhe kjo nuk është fare pjesë e kësaj gjëje dhe nuk ka shanse sepse qëllimi jonë i përbashkët dhe arsyeja që e kemi bërë këtë, ka qenë që t’ju japim, ju në dorë instrumentet e klasit më të lartë sot dhe janë të klasit më të lartë sot; nuk ka qenë që hajde të bëjmë këtë dhe pastaj ju kapni ça të kapni. Kush sheh me këtë rast ‘’kapni ça të kapni’’, ka tjetër drejtim, atje ku e dimë. Ne jemi për këtë drejtim dhe kjo jo vetëm është e garantuar por duhet edhe të përsosim duke qëndruar vazhdimisht në nivelin më të lartë sepse ndërkohë edhe bota i përsos këtë gjëra.” – u shpreh ai.