U lançua sot Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, i cili shënon një moment të rëndësishëm për sistemin arsimor të vendit, teksa çel një kapitull i ri në përpjekjen e qeverisë për rritjen e vazhdueshme profesionale të mësuesve. Programi do të jetë një mozaik metodash moderne të mësimdhënies, përmes të cilit do të synohet të fuqizohet më shumë komuniteti i mësuesve, në funksion të përmirësimit të eksperiencës të mësimdhënies dhe përgatitjen më të mirë të nxënësve për t’u përballur me sfidat akademike dhe ato profesionale.
Në takimin e zgjeruar me mësues nga shkolla të ndryshme të vendit, si dhe drejtues të institucione arsimore, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu bëri të ditur se me nisjen e programit, brenda këtij viti do të trajnohen 4 mijë mësues të arsimit fillor dhe mësues të lëndëve bazë, matematikës, gjuhës, si dhe teknologjisë së informacionit. Po ashtu, brenda vitit 2025 do të trajnohen mbi 16 mijë mësues për metodat efektive të mësimdhënies.
Ndërsa, Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se “Do të bëjmë të pamundurën, që në këtë fazë të rrisim mbështetjen e gjithanshme për shkollën dhe për mësuesin”.
* * *
Përshëndetje të gjithëve! Ky është një moment i rëndësishëm sepse përcakton nisjen e një faze të re të reformimit të sistemit të arsimit dhe vë në qendër të vëmendjes mësuesin si forcën e pazëvendësueshme të të gjithë sistemit dhe si një autoritet që duhet mbështetur më shumë, duhet motivuar më shumë dhe duhet afirmuar më shumë në komunitetin tonë.
Arsyeja pse ne e shikojmë të domosdoshme hapjen e kësaj faze të re është në radhë të parë sepse siç ju jeni më të vetëdijshëm se të gjithë, pasi ju jetoni përditë me çfarë sjell koha në klasë përmes fëmijëve, të cilët janë çdo vit e më sfidues, për arsye të të gjithë mjedisit ku jetojnë dhe të furtunës së teknologjisë që ka përfshirë të madh e të vogël, për faktin që sot sfida e shpejtësisë së kohës po bëhet e atillë që po merr përmasa realisht sa të frikshme aq edhe frymëzuese.
Nevoja për t’u adaptuar me kohën jo shumë vite më parë por edhe 10 vite më parë kur ne kemi filluar këtë punë të përbashkët ka qenë shumë më e përballueshme sesa është sot. Sot nevoja për tu adaptuar është gati e papërballueshme sepse prurja e jashtëzakonshme e informacionit dhe zgjerimi i pabesueshëm i kanaleve të informacionit ku teknologjia po merr gjithmonë e më shumë një rol të jashtëzakonshëm janë të tilla që realisht vënë në pikëpyetje shumë nga gjërat që ne i kemi marrë të palëvizshme dhe nga ana tjetër, na vënë ne të gjithëve përpara sfidës së madhe që të ruajmë disa themele dhe disa ekuilibra të cilët janë të kërcënuar më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër.
Ju e dini më mirë se kushdo tjetër sepse një pjesë e madhe e juaja janë edhe prindër dhe e kalojnë gjithë ditën e tyre mes fëmijëve në shtëpi dhe fëmijëve në shkollë, se çfarë lloj ngarkese të madhe psikologjike dhe se çfarë lloj kërkese për energji të brendshme ka sjellë kjo kohë, por në të gjitha rastet, kjo kohë nuk e ka vënë në pikëpyetje rolin e mësuesit, nuk e vënë në pikëpyetje nevojën e mësuesit. Përkundrazi, e ka vënë gjithmonë e më shumë në pah domosdoshmërinë që të fuqizojmë sa të mundemi mësuesin dhe t’i japim mësuesve sa të mundemi forcë, motivim dhe aftësi për tu përballur me atë që koha e sjell përpara sistemit arsimor në pamjen e fëmijëve të vegjël që më shumë duken të pa administrueshëm për shkak të kontaktit që kanë me teknologjinë dhe patjetër edhe për shkak të gjithë transformimit që kontakti me teknologjinë po i bën marrëdhënieve mes njerëzve që po i bëjnë komunikimit dhe po i bën dhe vetë standardeve të vendosura në të shkuarën nga prindërit tanë, nga gjyshërit tanë e kështu me radhë.
Për të mos u zgjatur shumë me këtë aspekt, dua të them që ne do të bëjmë gjithçka mundemi dhe madje do bëjmë të pamundurën që në këtë fazë të rrisim mbështetjen e gjithanshme për shkollën dhe për mësuesin.
Është, nga ana tjetër, një kohë në të cilën, siç edhe ju me siguri e keni vënë re, ka filluar një luftë, një luftë pa armë, por një luftë shumë e egër për kapitalin njerëzor. Edhe vendet më të zhvilluara, të cilat sot po përballen me fenomenin e pandalshëm të plakjes dhe që janë në krye të trenit të Europës, janë investuar dhe po investohen dhe do të investohen çdo vit e më shumë për të marrë kapital njerëzor nga të tjerët ku të munden dhe sa të munden, pa mëshirë, pa asnjë mëshirë. Natyrisht që fuqia tërheqëse e tyre për kapitalin tonë njerëzor dhe kapitalin njerëzor të vendeve si i yni mbetet shumë sfiduese për të gjithë ne. Oferta e tyre është shumë më e fortë sesa oferta jonë, por ne nuk mundet dot të mos reagojmë në një mënyrë jo tradicionale për të mbrojtur sa të mundemi kapitalin tonë njerëzor dhe për të fuqizuar sa të mundemi cilësinë e kapitalit tonë njerëzor këtu në vendin tonë sepse përndryshe, në një kohë jo shumë të largët, mund të gjendemi përpara një situate të pamundur.
Shqipëria është sot në një tjetër nivel. Shqipëria sot ka një portë të re të hapur të të ardhmes së saj në aspektin ekonomik dhe reflektim i këtij fakti janë edhe rritjet domethënëse të pagave, të cilat do të vazhdojnë, por në ndërkohë që ne jemi sot në kushtet që mund ta vëmë shumë më tepër se dje potencialin tonë, potencialin e vendit tonë në dispozicion të ekonomisë dhe familjeve shqiptare, përballemi me nevojën që çlirimi i këtij potenciali vë përpara të gjithëve ne nevojën për kapital njerëzor, nevojën për njerëz të kualifikuar, nevojën për forca pune në të gjitha nivelet dhe patjetër që ky nuk është një moment ku ka vetëm një zgjidhje. Ky është një moment që kërkon shumë zgjidhje në të gjitha drejtimet, jo vetëm në arsim, por në të gjitha drejtimet, por ama, fokusi tek arsimi është jetik sepse fatmirësisht nuk jemi më në kohën që ishim jo përpara 100 vitesh, por deri përpara jo shumë vitesh kur mësuesit ishin tërësisht të braktisur dhe tërësisht të pambrojtur. Nuk jemi në kohën kur vendi i secilit dhe secilit prej jush këtu përcaktohej nga partia, përcaktohej nga lidhjet politike, përcaktohej nga arbitrariteti i ryshfetit, tarafit e kështu me radhë. Sot jemi në një kohë tjetër kur çdo mësuese dhe çdo mësues e ka vendin e garantuar falë aftësisë së vetë dhe askush nuk e lëviz dot nga vendi për asnjë arsye tjetër që nuk është ngushtësisht e lidhur me profesionin, por ama ky është themeli më fillestar. Kjo nuk mjafton! Ashtu sikundër, nuk mjafton as thjeshtë dhe vetëm rritja e pagave. Pagat së shpejti brenda pak muajsh për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton dhe prandaj ne na duhet të reformojmë sistemin. Për shembull mekanizimin e asaj rritjes çdo 5 vjet të pagës si rezultat i rritjes së vjetërsisë në punë, ne duhet ta reformojmë komplet.
Nga ana tjetër, ne duhet të bëjmë të mundur dhe të gjejmë rrugën që përveç pagës uniforme, pra garancisë bazë për të gjithë, të ketë nivele të ndryshme pagash sipas meritës, sipas kontributit dhe sipas kualifikimeve. Për këtë ama na duhet një sistem i besueshëm kualifikimesh. Na duhet një sistem i besueshëm trajnimesh, na duhet një sistem i besueshëm kreditesh dhe ministrja e përmendi portofolin digjital i cili ka filluar strukturoret, por janë një sërë elementesh të tjerë që duhen vënë në vijë.
Ajo që unë mund t’ju them është se ne besojmë që mund t’ia dalim kësaj sfide. Është shumë e madhe, është shumë e fortë, por besojmë që ne mund t’ia dalim kësaj sfide nëse edhe e gjithë trupa drejtuese e sistemit arsimor dhe këtu flas për të gjithë drejtuesit nga ata në qendër deri tek ata në çdo shkollë dhe në çdo kopsht dhe pastaj e gjithë trupa e mësuesve dhe edukatorëve vihet në dispozicion të kësaj sfide duke kuptuar se çfarë peshe të jashtëzakonshme ka sot misioni i mësuesit. Sot misioni i mësuesit nuk është më ai që ishte. Disa nxënës shumë të mirë, disa më pak të mirë dhe disa nxënës jo të mirë. Sot misioni i mësuesit është një Shqipëri që rritet e tëra së bashku ashtu siç duhet nesër apo një Shqipëri që pavarësisht potencialit mund të ndalojë së rrituri sepse nuk do ketë në dispozicion kapacitetet e nevojshme, qoftë në numër, qoftë në cilësi dhe për këtë arsye unë besoj që është domethënëse aleanca që kemi me partneret që sot këtu janë të ftuar, Banka Botërore, për herë të parë Banka Botërore, duke kuptuar këtë shqetësim të madh, duke kuptuar këtë nevojë të jashtëzakonshme dhe këtë sfidë gati-gati alarmante ka bërë një ndryshim strategjik në portofolin e saj duke i vendosur një pjesë të konsiderueshme të portofolit në dispozicion arsimit dhe faktikisht digjitalizimit dhe falë mbështetjes së Bankës, ne këtë vit do të kemi disa qindra laboratorë të tjerë “smart” nëpër shkolla për ta vazhduar këtë proces.
Kemi Bashkimin Europian këtu, ambasadori foli dhe Bashkimi Europian sot duke kuptuar këtë nevojë, duke kuptuar këtë shqetësim të madh, ka ndryshuar qasjen dhe për herë të parë në historinë e vet ka vendosur për një vend i cili nuk është vend anëtar i bashkimit Europian, por është në procesin e negociatave, instrumente të rinj financiar, të cilët deri dje mund t’i gëzonin vetëm vendet e Bashkimit Europian, por jo vetëm instrumente financiar, por edhe ajo që tha ambasadori futja e universiteteve tona në aleancën europiane të universiteteve që u bë e mundur në Samitin këtu në Tiranë. Ishte një hap shumë domethënës sepse deri në atë moment vetëm vendet e BE e kishin këtë mundësi.
Tani me planin e ri të rritjes ekonomike që ka bërë Komisioni Europian për vendet tona, falë në radhë të parë nxitjes së madhe dhe përpjekjes dhe këmbënguljes së madhe që ne kemi bërë, që Shqipëria ka bërë duke kërkuar që të shikohet ndryshe ky proces, ne do të kemi mundësi të vëmë më shumë financa në dispozicion në zhvillim të rritjes ekonomike dhe do të fokusohemi patjetër tek arsimi që edhe pse nuk është si sektorët e tjerë që ta japin shpejt atë që ti investon, por arsimi e jep në mënyrë shumë më graduale, është më strategjiku dhe më i rëndësishmi ndër të gjithë sektorët sepse është sektori ku garantohet si do jetë e ardhmja.
Pa diskutim ADF-në e kemi partner të rëndësishëm. Shpresoj që ADF-ja e cila ka bërë me ne disa partneritete me sukses të padiskutueshëm, të marrë shembull nga qeveria shqiptare dhe ta hapë pak më shumë portofolin se kanë. Kanë akoma më shumë në atë portofolin e tyre dhe kam besim që duke parë që qeveria shqiptare po bën ekstra sforco për të adresuar nevojën që njerëzit tanë këtu në këtë vend, që të kenë paga gjithmonë e më dinjitoze dhe në një moment të caktuar të mos kenë më asnjë diskutim mes veti që të rrimë këtu të punojmë për vendin apo të ikim, se pavarësisht se pagat kur i shikon në pamje të parë duken me një diferencë shumë të madhe, por kur shkon pak më thellë sesa pjesë të pagës mësuesi këtu ia lë shtetit dhe sa pjesë të pagës mësuesi andej ia lë shtetit, atëherë fillon ndryshon ekuacioni. Dhe unë gjithmonë fus dhe një element tjetër në fund fare të gjithë llogarive, fus kafen.
Të shkosh të punosh për një pagë më të lartë në Gjermani dhe të pish atë farë kafeje që është si lëng gështenjash dhe ta pish vetëm dhe për ta pirë të marrësh rrugën dhe të paguash 5 euro biletën për të shkuar deri atje, ndërkohe që këtu kafen mund ta pish në diell, madje dhe në ditë pune, është një llogari që duhet bërë dhe përtej shakasë që në këtë rast është më shumë se gjysma e së vërtetës, i rikthehem fjalisë për të thënë që ADF-ja dhe sidomos shqiptarët e ADF-së që janë këtu me siguri herët ose vonë, po un shpresoj më mirë herët se vonë se ne na duhet tani kjo mbështetje, do ta zgjerojnë pak portofolin tyre, që megjithatë ka dhënë shumë rezultate deri tani dhe falë bashkëpunimit me ADF ne kemi dhe Programin e Shkollës së Drejtorëve që vazhdon.
Dua të mos harroj, se s’mund të harrohet UNICEF, i cili ka një qasje shumë më aktive sesa më parë dhe patjetër Fondacioni për Shqipërinë e Hapur, i shoqërisë së hapur, ose e thënë copë Sorosi, që vazhdon ndihmon edhe pse jo si më parë për hir të së vërtetës. Ka pas ndihmuar shumë më tepër Sorosi në kohën kur ishin në pushtet ata që sot e mallkojnë, ndërsa sot më pak, por sidoqoftë strategjikisht në mënyrë të qëndrueshme dhe te arsyeshme.
S’dua të zgjatem më shumë. Ju siguroj që ky nuk është një moment si gjithë të tjerët dhe ky program i ri nën lidershipin e Ogertës, nuk është një program si gjithë të tjerët. Ky është një moment historik ku çfarë shohim ne sot në përfytyrimin e së ardhmes, çfarë kuptojmë ne sot nga gjërat që duhen bërë tani për nesër dhe si i bëjmë ne sot ato gjëra, vendos si do të jetë Shqipëria dhe si do të jetë jeta e gjeneratave të tjera kur ne të kalojmë stafetën sepse nëse deri dje, një vit i humbur kishte një peshë të caktuar, sot një vit i humbur ka një peshë qindra fish më të rëndë për të ardhmen sesa ç’kishte deri dje. Nëse deri dje ora kishte një vlerë të caktuar, sot ora ka një vlerë njëqindfish më të lartë se ç ‘kishte deri dje. Dhe nëse deri dje thuhej shprehja ‘’s’ka kohë për të humbur”, “punën e sotme mos e lër për nesër’’, sot puna e mëngjesit nuk duhet lënë për në darkë pasi çdo moment që kalon pa bërë atë që duhet, e zgjeron në mënyrë të frikshme distancën me këdo tjetër që vrapon dhe në një botë që është e lidhur siç është lidhur bota e sotme, që është një botë që është bërë si një fshat ku çfarë ndodh në një anë të fshatit merret vesh nga ana e fshatit tjetër brenda pak minutash, ndërsa sot çfarë ndodh mbrapa diellit merret vesh çfarë ndodh brenda pak sekondash, ne duhet të vrapojmë, pa u lodhur dhe për këtë vrapi juaj është më i rëndësishmi.
Kështu që ne do të bëjmë gjithçka mundemi që ju të vraponi më shpejt dhe të mos lodheni duke vrapuar, por të ndiheni mirë dhe të ndiheni të vlerësuar dhe të ndiheni të rëndësishëm ashtu siç në të vërtetë është mësuesi dhe është mësuesja, qysh nga dita e parë e historisë njerëzore, por sidomos sot, kur në duart tuaja është më shumë se asnjëherë tjetër fati i të gjithë fëmijëve tanë; kur në duart tuaja është më shumë se asnjëherë tjetër e ardhmja; kur në duart tuaja sot nuk janë fëmijë si ata që ishin deri dje, por janë fëmijë që kur iu thua ‘’ulu e shkruaj’’, është sikur i çon për dënim dhe kur iu thua ‘’ulu lexo’’, është sikur i çon për pushkatim. Ose e kundërta, merreni si të doni.
Faleminderit shumë! Suksese dhe juve ju shkon më shumë se çdo kategorie tjetër sot ajo fjala “rrofshi ju”, se po na latë ju, ne të tjerët s’kemi më asnjë arsye për të besuar se Shqipëria do të rrojë ashtu siç e meriton. Faleminderit!