Progres Raporti, Çuçi: Të mos merremi me retorikën politike, por me kontratën që kemi me BE si vend me negociata të hapura për anëtarësim
Duke folur në Kuvend për Progres Raportin e BE, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se ky diskutim tashmë bëhet në një kontekst të ri pasi vendi ynë ka një raport tjetër me Bashkimin Europian pas hapjes së negociatave. Duke iu referuar Kapitullit 24, që merret me çështje të rendit dhe sigurisë, Çuçi theksoi se deri më tani kemi rreth 52% përafrim me acquis të BE-së. Ai solli në vëmendje takimin bilateral në Bruksel para disa ditësh, ku Shqipëria mori vlerësime inkurajuese për punën e bërë. Ministri i Brendshëm solli në vëmendje disa nga arritjet në fushën e sigurisë.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në seancë plenare:
E nderuar drejtuese e seancës,
Të nderuar kolegë,
Sot në fakt diskutojmë një dokument të rëndësishëm, jo vetëm politik, se kuptohet që është një dokument politik, sepse merret drejtpërdrejt me qeverisjen, por edhe një dokument qeverisës që ne e kemi përditë në tryezat tona, si anëtar të qeverisë. Me thënë të drejtën, ky diskutim është në një moment krejt ndryshe nga ç‘kemi diskutuar raporte të tjera të progresit. Raportet e tjera të progresit kanë qenë për një vend, i cili tentonte vazhdimisht të çelte negociatat, të fillonte procesin e screening dhe priste që të ishte në paradhomën e BE.
Ky raport, këtë radhë, në fakt, është për një vend, i cili e ka kapërcyer këtë fazë; jemi në një fazë shumë të avancuar me BE, dhe pa diskutim që nga sot, ne nuk duhet të merremi me retorikën politike, shpesh herë boshe që prodhon apo që prodhojnë këto lloj raportesh, por duhet të merremi me kontratën konkrete, duhet të merremi me kontratën Shqipëri-BE. Besoj se edhe ju, me kënaqësi, e keni pritur çeljen e procesit të screening të kapitujve BE-Shqipëri. Ky është një lajm që duhet duartrokitur dhe duhet të gëzohemi të gjithë, pavarësisht nëse jemi në opozitë apo mazhorancë.
Duke e ditur dhe peshuar mirë rëndësinë që ka fillimi këtij procesi dhe duke qenë se kapitulli i parë që ne fillojmë të negociojmë me BE apo të bëjmë atë që quhet proces screening, është kapitulli 24 dhe që ka të bëjë me sigurinë, ku unë jam edhe ministër i Brendshëm aktualisht, e vlerësova maksimalisht këtë moment, edhe si moment politik, për të shkuar personalisht në çeljen e këtij procesi, siç është procesi i ‘screening’. Isha javës që kaloi dhe po ju them që zyrtarisht filluam të marrim në mënyrë të hollësishme, në detaje, të gjithë legjislacionin, kuadrin rregullator që ka Shqipëria, për t’u përputhur me atë të BE.
Të nderuar kolegë,
Dua t’ju them që nga kolegët e BE, kemi marrë pa diskutim, vlerësime në këtë proces. E para, njëherë, ne e kemi marrë shumë seriozisht, sepse vetëm për kapitullin 24, kam angazhuar 17 institucione kontribuuese me 117 anëtarë. Vetëm seancat e para, 3 ditët e para të negocimit, na kanë kushtuar rreth 40 prezantime, për 40 çështje të ndryshme, ballë për ballë, drejtpërdrejt, me institucionet e BE. Ky është progresi, kjo është gjëja që ne duhet të shohim. Dhe sot e tutje ne me këto duhet të merremi. Të mos merremi kot me retorikë boshe.
Më kënaqësi po ju them që me vlerësimin e parë që kemi bërë, janë rreth 52%, pra është përafrimi i legjislacionit shqiptar në fushën e sigurisë me ‘aquis’ të BE. Pra, për kapitullin 24 kemi, në ditën e parë që fillojmë negociatat, 52 të përmbushura. Kjo ka ardhur si rezultat i një pune kolosale që kemi të bërë të gjithë bashkë, që kanë bërë të gjitha qeveritë, pa diskutim këtu, për të arritur në këtë pikë dhe për të shënuar dhe një rrugëtim të fundit.
Për t’u ndalur shkurtimisht në disa aspekte që i përmend dhe vetë Raporti i Progresit, dua t’ju them dhe t’ju lidhe me faktet që kemi sot në tavolinë, vis-a-vis, të gjithë vëzhgimeve dhe të gjithë rekomandimeve që vijnë nga BE. Pa diskutim, lufta kundër krimit të organizuar është nga më të rëndësishmet, dhe një nga problemet madhore për qeverinë shqiptare, ku jemi të angazhuar, fillimisht në drejtim të ndryshimeve legjislative dhe organizative ambicioze, duke arritur rezultate shumë domethënëse në këtë drejtim.
Mjafton të shohim historikun, atë që quhet track record, për të parë se ka një rritje të ndjeshme, si në raport me referimet pranë prokurorisë, për grupe të strukturuara kriminale, por edhe në rritjen e dënimeve të formës së prerë. Këtu të ndalemi te faktet; në 2021, janë dërguar 41 raste të reja në prokurori, 14 akt-akuza për një grup të strukturuar kriminal, kundrejt, shumë më pak seç ishte dy vite më parë, dhe 19 raste janë mbyllur me 75 persona me dënime të formës së prerë në nivel Apeli.
Jua them këto fakte, sepse kjo është gjuha që ne flasim sot me partnerët tanë të BE. Sepse kjo është mënyra se si ne do të negociojmë me institucionet e BE. Por edhe për krimet e rënda, një fakt tjetër, vetëm në 2021, janë referuar 3913 raste të reja në prokurori; po të krahasuar me 2838 të 2020-ës. Kjo rritje vjen më së shumti si pasojë e rritjes së referimeve të rasteve të trafikut të drogës; 3078 referime janë vetëm për trafikun e drogës.
Vlen për t’u përmendur se strukturat e Policisë së Shtetit, kanë rritur nivelin e përdorimit të teknikave speciale të hetimit, dhe këto janë fjalë që vijnë nga institucionet e BE. Dhe janë rritur hetimet proaktive duke u rreshtuar gjithashtu krah partnerëve europianë, si të ishim një vend anëtar, në dhjetëra skuadra të përbashkëta hetimore apo operacionale aktive për momentin.
Me shumë objektivitet ka vënë re grupi negociator që ka vënë në dispozicion BE, kur thotë që Shqipëria ka bërë hapa edhe në luftën për sigurinë kibernetike, duke marrë parasysh edhe sulmin e fundit. Dhe bashkërisht kemi vlerësuar edhe planin e veprimit, të fundit, për deri në vitin 2025, dhe vetë raport progresi i referohet në fakt periudhës përpara sulmeve kibernetike, dhe në diskutimet që kemi bërë javës që kaloi, pra që është pas sulmeve kibernetike, është vënë re pozitivisht ky progres.
Nuk dua të ndalem te të gjitha në fakt, sepse janë për çdo aspekt që lidhet me kapitullin 24, por ajo që dua t’ju them, është ajo që shpreha që në fillim, se nga sot e tutje nuk do të flasim thjesht me raporte progresi që vijnë për një vend që është larg aspiratës për në BE, por do të flasim për një vend që shumë shpejt do të bëhet anëtar i BE. Dhe mënyra se si flasim, është të flasim me kapitujt konkretë, me paragrafët konkretë, me të gjithë raportet që vijnë nga grupet e përbashkëta të ekspertëve të BE me Shqipërinë.
Besoj se Shqipëria është ndër vendet, dhe kjo nuk është një gjë që e them unë si ministër i Brendshëm, por sigurisht me kënaqësi e them këtë gjë, por jo se e them si ministër i Brendshëm, por e tha në fund të 3-ditëshit, mbasi depozituam dhe raportuam 40 prezantime nga institucionet ligjzbatuese, që është në pararojë të të gjithë vendeve, në fazën ku ndodhemi tani, pra në çeljen e procesit të screening për legjislacionin e BE me Shqipërinë. Faleminderit.