Projektbuxheti 2026: Më shumë fonde për shëndetësinë, pensionet dhe infrastrukturën
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave projektbuxhetin për vitin 2026, i cili synon të ruajë ekuilibrin mes qëndrueshmërisë fiskale dhe mbështetjes për zhvillimin social dhe ekonomik.
“Projektbuxheti 2026 parashikon shpenzime totale prej 886,7 miliardë lekësh, ose 31,9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025. Ndërkohë, të ardhurat buxhetore për vitin e ardhshëm janë planifikuar në 823,1 miliardë lekë, ose 29,6% të PBB-së, me një rritje prej 52,9 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar të këtij viti,” u shpreh Malaj.
Sektori i shëndetësisë mbetet një nga prioritetet kryesore, me shpenzime të planifikuara prej 81.2 miliardë lekësh (rreth 2.9% të PBB-së). Buxheti parashikon financimin e trajtimeve me recetë për rreth 400,000 pacientë, garantimin e barnave onkologjike në sistemin spitalor dhe vijimin e rikonstruksionit të spitaleve rajonale dhe qendrave shëndetësore. Gjithashtu, parashikohen paketa të reja shërbimesh spitalore.
Një tjetër shtyllë e projektbuxhetit është Reforma e Pensioneve, e cila nis në janar 2026 dhe do të shtrihet deri në vitin 2030. Rritja e pensioneve urbane, rurale, familjare dhe të invaliditetit pritet të ketë një efekt financiar prej 10.4 miliardë lekësh për vitin 2026, e mbuluar plotësisht nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, paga minimale do të rritet nga 40,000 në 50,000 lekë në muaj duke filluar nga 1 janari 2026, duke përfshirë rreth 308,000 të punësuar në sektorin publik dhe privat. Planifikimi afatmesëm parashikon që paga minimale të arrijë 60,000 lekë në vitin 2028 dhe 70,000 lekë deri në fund të mandatit. Parashikohen gjithashtu rritje të diferencuara dhe indeksim periodik pagash për mbi 144,000 punonjës të administratës, me një kosto totale prej 10 miliardë lekësh.
Investimet publike për vitin 2026 do të arrijnë në 179.6 miliardë lekë (6.5% e PBB-së), të përqendruara në infrastrukturë, energji të rinovueshme, digjitalizim dhe projekte të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Sipas ministrit Malaj, për vitin 2026 parashikohet rritje ekonomike prej 4%, normë papunësie 8.5% dhe inflacion i qëndrueshëm rreth 2.2%. Deficiti buxhetor pritet të ulet në 2.3% të PBB-së, ndërsa borxhi publik në 53.6%. Ai theksoi se Paketa Fiskale 2026 nuk parashikon rritje taksash, por përfshin masa lehtësuese për biznesin dhe fermerët, përfshirë kompensimin e TVSH-së për fermerët në masën 10% dhe rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me normë 5%.