Projektbuxheti 2026, rritje pensionesh dhe page minimale nga 1 janari

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve projektbuxhetin për vitin 2026, i cili përbën një hap të rëndësishëm në zbatimin e Programit të Qeverisë 2025-2029, me synim afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Totali i shpenzimeve për vitin 2026 vlerësohet në 886.8 miliardë lekë, ose 31.9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025. Investimet publike do të mbeten mesatarisht në nivelin 6.5% të PBB-së gjatë periudhës 2026-2028, të përqendruara në projektet strategjike për infrastrukturën, energjinë e rinovueshme, digjitalizimin e sistemeve dhe forcimin e kapitalit njerëzor, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.

Projektbuxheti 2026 mbështetet mbi katër shtylla themelore: rritjen e qëndrueshme ekonomike, konsolidimin fiskal, rritjen e mirëqenies sociale dhe përshpejtimin e integrimit evropian. Një nga elementet kryesore të tij është reforma e pensioneve, e cila nis zbatimin më 1 janar 2026. Përveç indeksimit vjetor, parashikohet rritje graduale mujore e pensioneve, me objektivin që pensioni urban të arrijë në 40 mijë lekë, pensioni urban i pjesshëm në 22 mijë lekë, pensioni rural në 14.8 mijë lekë, pensioni familjar në 18 mijë lekë dhe pensioni i invaliditetit në 30 mijë lekë. Sipas ministrit Malaj, kjo rritje e planifikuar për tre vitet e ardhshme nuk është vetëm një masë sociale, por vjen në kuadër të konsolidimit ekonomik.

Në fushën e pagave, projektbuxheti parashikon rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, me synimin që të arrijë në 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe në 70 mijë lekë në fund të mandatit, me qëllim garantimin e dinjitetit të punonjësve dhe afrimin me standardet e rajonit. “Indeksimi i pagave do të bëhet një herë në dy vite, ndërsa sektorët e mbështetur dhe kategori të tjera do të përfitojnë paga më të larta. Kostoja totale e rritjes së pagës minimale dhe e indeksimit llogaritet në 10 miliardë lekë, duke ndikuar mbi 144 mijë punonjës të nivelit qendror dhe vendor,” shtoi Malaj.

Sipas ministrit, projektbuxheti 2026 reflekton angazhimin e qeverisë për financa publike të qëndrueshme, zhvillim ekonomik afatgjatë dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve.