Projektbuxheti 2027, ministri Gonxhja: Rritet financimi për turizmin, kulturën dhe sportin, katërfishohen investimet në trashëgiminë kulturore

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë në dispozicion një buxhet prej 7.65 miliardë lekësh për vitin 2027, me një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2026. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se 2.74 miliardë lekë do të orientohen drejt investimeve publike, me synim mbrojtjen dhe rijetëzimin e trashëgimisë kulturore, krijimin e hapësirave të reja për artin, zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit dhe zgjerimin e mundësive për të rinjtë.

Një nga rritjet më të rëndësishme parashikohet në programin “Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë”, financimi i të cilit arrin në 2.08 miliardë lekë, ose 80% më shumë se në vitin 2026. Nga kjo shumë, 1.11 miliardë lekë do të përdoren për investime, duke katërfishuar fondin për restaurimin, konservimin dhe rijetëzimin e pasurive kulturore. Ndërhyrjet do të shtrihen në të gjithë vendin, me synim ruajtjen e vlerave historike dhe forcimin e potencialit turistik të zonave.

Ndër projektet kryesore për vitin 2027 përfshihen nisja e transformimit të Muzeut Historik Kombëtar, ndërhyrjet në kalatë e Gjirokastrës, Beratit dhe Krujës, si dhe vijimi i punimeve në Amfiteatrin Romak të Durrësit. Paralelisht, do të nisë një program për shpëtimin dhe restaurimin e rreth 30 banesave monument kulture në Gjirokastër, Berat dhe Shkodër, duke synuar mbrojtjen e ndërtesave historike të rrezikuara nga degradimi dhe ruajtjen e identitetit arkitekturor të këtyre qyteteve.

Në kuadër të Rrjetit Kombëtar të Muzeve, parashikohen ndërhyrje në 10 objekte prioritare, përfshirë restaurimin e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, modernizimin e Muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë dhe krijimin e Muzeut të Artit Bizantin në Gjirokastër. Në Parkun Arkeologjik Bylis-Klos pritet të inaugurohet gjatë vitit 2027 edhe Qendra Multifunksionale, pjesë e një projekti me financim prej 6.2 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, e cila do të krijojë hapësira të reja për njohjen dhe promovimin e trashëgimisë arkeologjike.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe rijetëzimit të kullave tradicionale të veriut, përmes një programi që ndërthur ruajtjen e arkitekturës historike me zhvillimin e turizmit malor dhe sipërmarrjes lokale. Në bashkëpunim me GIZ, janë inventarizuar 650 kulla në Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës, ndërsa janë hartuar projekte restaurimi për 28 prej tyre. Për promovimin e kësaj trashëgimie dhe mbështetjen e aktiviteteve lokale parashikohet edhe një skemë grantesh prej 30 milionë lekësh.

Për programin “Arti dhe Kultura” janë parashikuar 3.37 miliardë lekë, nga të cilat 1.5 miliardë lekë për investime publike. Prioritet do të jetë përfundimi i Galerisë Kombëtare të Arteve, ku hapësirat e ekspozimit do të dyfishohen dhe ato të ruajtjes e digjitalizimit do të trefishohen, si dhe përfundimi i Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave. Gjatë vitit 2027 parashikohet gjithashtu rikthimi në funksion i shtatë kinemave publike në Elbasan, Fier, Himarë, Korçë, Pogradec, Shijak dhe Vlorë, duke zgjeruar mundësitë për aktivitete artistike dhe kulturore pranë komuniteteve. Për Teatrin Kombëtar synohet përmbyllja e fazës së parë të punimeve, ndërsa faza e dytë, që përfshin pajisjen dhe funksionalizimin e godinës, mund të nisë në tremujorin e fundit të vitit 2027.

Mbështetja për krijimtarinë artistike do të rritet, me një fond prej 495.9 milionë lekësh për projektet artistike, 21.7% më shumë se në vitin 2026. Ndërkohë, financimi që u vihet në dispozicion institucioneve kulturore në fillim të vitit parashikohet të kalojë 200 milionë lekë, duke u krijuar më shumë mundësi për planifikimin e veprimtarive, realizimin e prodhimeve të reja artistike dhe zgjerimin e programacionit për publikun.

Një tjetër drejtim është pasurimi i koleksioneve publike me vepra të rëndësishme artistike, përfshirë nismat për blerjen e koleksionit të fotografit Gjon Mili për Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, veprave nga koleksioni i Salvador Dalí-t dhe krijimeve të artistëve shqiptarë. Në vitin 2027, kjo politikë synohet të mbështetet përmes reformës së Fondit Kombëtar për Artin, të parashikuar në projektligjin e ri, me qëllim krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm financimi për krijimtarinë dhe pasurimin e koleksioneve publike, duke përfshirë edhe përdorimin deri në 10% të kursimeve nga procedurat e prokurimit publik, sipas përcaktimeve ligjore.

Në sektorin e turizmit, për të cilin parashikohen 848.5 milionë lekë, financimi do të mbështesë promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë, zhvillimin e produkteve të reja turistike, përmirësimin e menaxhimit të destinacioneve dhe transformimin digjital të shërbimeve. Synimi është zgjerimi i ofertës turistike përtej destinacioneve tradicionale bregdetare, duke nxitur turizmin kulturor, malor, rural dhe natyror, si dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për komunitetet lokale.

Një nga risitë e vitit 2027 do të jetë zhvillimi i platformës kombëtare eVisitor, e cila do të mundësojë regjistrimin elektronik në kohë reale të vizitorëve në strukturat akomoduese. Paralelisht, parashikohet krijimi i një aplikacioni kombëtar turistik, ku vizitorët do të mund të informohen për destinacionet, guidat, shtigjet dhe aktivitetet kulturore, si dhe zhvillimi i sistemit të biletarisë elektronike për muzetë, parqet arkeologjike dhe sitet e trashëgimisë kulturore. Promovimi ndërkombëtar do të vijojë edhe përmes pjesëmarrjes në panaire të rëndësishme turistike, si World Travel Market në Londër dhe ITB Berlin.

Në mbështetje të rinisë, 50 milionë lekë do të financojnë shtatë projekte për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rinore në Himarë, Bulqizë, Selenicë, Divjakë, Cërrik, Shijak dhe Vau i Dejës. Investimet do të përfshijnë rikonstruksionin e qendrave ekzistuese, krijimin e hapësirave multifunksionale dhe zhvillimin e bibliotekave rinore, me synim ofrimin e mjediseve ku të rinjtë mund të mësojnë, të zhvillojnë aftësi, të ndërmarrin iniciativa dhe të përfshihen në jetën e komunitetit. Mbështetja do të vijojë edhe përmes programeve të aftësimit dhe pjesëmarrjes, si RinCamp 2027, Shkolla Dimërore për Punonjësit Rinorë dhe nismat EU4Youth e Garancia Rinore.

Projektbuxheti parashikon gjithashtu forcimin e kapaciteteve njerëzore në institucionet e kulturës, me 70 pozicione të reja pune gjatë vitit 2027. Në total, gjatë periudhës 2026-2027, numri i punonjësve në këtë sektor pritet të rritet me 106, ose rreth 9%, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe duke forcuar shërbimet kulturore për publikun. Për 93 punonjës të restaurimit janë propozuar shtesa page mujore prej 15 mijë lekësh për 62 restauratorë dhe 20 mijë lekësh për 31 punëtorë restaurimi, në njohje të kushteve të veçanta dhe përgjegjësive të punës së tyre. Ndërkohë, Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” parashikohet t’i shtohen pesë pozicione të reja pune.

Krahas investimeve, do të vijojnë edhe masat për forcimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, përmes ngritjes së një strukture të posaçme inspektimi për parandalimin dhe ndëshkimin e ndërhyrjeve të paligjshme në monumente dhe site arkeologjike. Programet kulturore do të përfshijnë gjithashtu “Javën e Muzeve”, pjesëmarrjen në Bienalen e Arkitekturës në Venecia dhe në Panairin Mesdhetar të Turizmit Arkeologjik në Paestum, si dhe mbështetjen e artizanatit dhe trashëgimisë jomateriale.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ministri Gonxhja, sitet e trashëgimisë kulturore pritën mbi 1.5 milionë vizitorë në vitin 2025, rreth 4.7 herë më shumë se në vitin 2013. Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, këto site regjistruan mbi 1.32 milionë vizitorë dhe gjeneruan mbi 528 milionë lekë të ardhura. Këta tregues pasqyrojnë interesin në rritje për trashëgiminë kulturore dhe potencialin e saj për zhvillimin e turizmit dhe ekonomive lokale.