Projektbuxheti 2027, ministri Malaj: Më shumë mbështetje për pensionistët dhe familjet, mbi 2 miliardë euro investime publike
Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, me fokus rritjen e mbështetjes për pensionistët, familjet dhe kategoritë në nevojë, si dhe financimin e sektorëve prioritarë dhe investimeve publike. Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, bëri të ditur se rreth 250 milionë euro do të alokohen për dy politikat kryesore të mbështetjes së pensionistëve, ndërsa investimet publike do të tejkalojnë 2 miliardë euro.
Sipas ministrit Malaj, nga 1 janari 2027 parashikohet dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, sipas kategorive të përcaktuara, me një kosto vjetore prej 20 miliardë lekësh. Gjithashtu, indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill, nga korriku që zbatohet aktualisht, me një fond total prej 4 miliardë lekësh.
Në kuadër të politikave sociale, projektbuxheti parashikon dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre, si dhe vijimin e bonusit të bebeve përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç. Për strehimin social dhe të përballueshëm parashikohen rreth 1.3 miliardë lekë në vit, ndërsa do të vijojë kompensimi nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48 mijë lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.
Financimi për mbrojtjen sociale në vitin 2027 parashikohet të arrijë në 279.7 miliardë lekë, duke përfaqësuar rreth 30% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.
Sa u përket sektorëve prioritarë, për arsimin parashikohen 93.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8 miliardë lekësh. Financimi shtesë do të mbështesë bursat për studentët nga familjet në nevojë, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, zgjerimin e programit “Pas Shkollës” deri në orën 17:00 dhe kërkimin shkencor.
Për shëndetësinë parashikohen 87.2 miliardë lekë, ose 6 miliardë lekë më shumë, me fokus financimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore, trajtimin me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë, si dhe ndërtimin dhe rehabilitimin e 20 spitaleve.
Ministri Malaj u ndal edhe te mbështetja për punonjësit e Policisë së Shtetit, për të cilët parashikohen 3.3 miliardë lekë financim shtesë për pagat. Mbi 8500 punonjës me gradën inspektor do të përfitojnë rritje të pagës bazë me 20 mijë lekë, ndërsa për gradat e tjera shtesa do të variojë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë.
Për sektorin e drejtësisë parashikohen 27.1 miliardë lekë, ndërsa për bujqësinë 17.9 miliardë lekë, me synim zgjerimin e mbështetjes për fermerët. Projektbuxheti parashikon rreth 43,660 fermerë përfitues, vijimin e kompensimit të TVSH-së me 10% dhe rritjen e financimit për skemat e mbështetjes direkte.
Investimet publike për vitin 2027 parashikohen në nivelin 6.9% të PBB-së, ose mbi 2 miliardë euro, duke përfshirë projektet infrastrukturore, shërbimet publike dhe zhvillimin ekonomik. Për infrastrukturën dhe energjinë janë planifikuar 75.4 miliardë lekë, ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes 76.7 miliardë lekë, me shpenzimet për mbrojtjen që arrijnë në 2.35% të PBB-së.
Gjatë prezantimit, ministri Malaj bëri të ditur se ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa investimet e huaja direkte u rritën me 50.8%, duke arritur në 1.1 miliardë euro.
Në përfundim, ministri prezantoi edhe drejtimet kryesore të Paketës Fiskale 2027, e cila përfshin gjashtë projektligje dhe synon rishpërndarjen e të ardhurave, forcimin e drejtësisë fiskale dhe përmirësimin e efikasitetit të sistemit tatimor. Ndër ndryshimet e propozuara janë aplikimi i TVSH-së së reduktuar prej 6% për 54 produkte të shportës bazë, rritja e normës standarde të TVSH-së në 21%, si dhe rishikimi i tatimit mbi dividendin dhe të ardhurat nga punësimi.