Projektbuxheti 2027 për Ministrinë e Brendshme, prioritet pagat e Policisë dhe modernizimi i sigurisë publike
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili parashikon një fond prej rreth 40 miliardë lekësh, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026. Ky është niveli më i lartë i mbështetjes buxhetore për Ministrinë ndër vite, me fokus forcimin e sigurisë publike, rritjen e profesionalizmit të strukturave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Një nga prioritetet kryesore të projektbuxhetit është rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë. Për 8,174 punonjës me gradën Inspektor, që përbëjnë 73% të punonjësve me grada në Policinë e Shtetit, parashikohet një rritje e pagës për gradë me 20 mijë lekë në muaj. Duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë, rritja mesatare arrin në 23,600 lekë në muaj, ose 27%. Për punonjësit me gradat e tjera, rritja e pagës për gradë parashikohet në 15 mijë lekë në muaj, me një efekt mesatar që varion nga 8% deri në 17%, duke përfshirë edhe vjetërsinë.
Ministri Demo e cilësoi rritjen e pagave si një investim të drejtpërdrejtë te punonjësit e Policisë, të cilët përballen çdo ditë me rrezikun, kriminalitetin dhe emergjencat për garantimin e sigurisë së qytetarëve. Ai theksoi se një Polici më profesionale, e motivuar dhe e përgjegjshme kërkon jo vetëm pajisje e teknologji moderne, por edhe vlerësim dhe trajtim dinjitoz të punonjësve, si dhe standarde më të larta profesionale, disiplinë, integritet dhe respektim të ligjit.
Një tjetër investim strategjik në projektbuxhetin e vitit 2027 është projekti Smart City, për të cilin parashikohen rreth 2 miliardë lekë financim i huaj dhe rreth 1 miliard lekë për mbulimin e TVSH-së, krahas fondeve të tjera për mbikëqyrjen dhe kostot lokale. Investimi synon modernizimin e sigurisë publike përmes teknologjisë, duke rritur kapacitetet e Policisë së Shtetit në monitorim, parandalim dhe administrimin e situatave të sigurisë.
“Teknologjia duhet të na ndihmojë të rrisim aftësinë parandaluese, të përmirësojmë reagimin operacional dhe të përdorim më mirë burimet njerëzore. Smart City është një investim që synon t’i japë Policisë së Shtetit mjete dhe kapacitete të reja për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me efikasitet sfidave të sigurisë publike”, u shpreh ministri Demo, duke nënvizuar se modernizimi teknologjik duhet të shoqërohet me garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, veçanërisht me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë.
Projektbuxheti i vitit 2027 mbështetet në tri prioritete kryesore: investimin te burimet njerëzore dhe punonjësit që garantojnë sigurinë çdo ditë; modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, pajisjeve dhe infrastrukturës; si dhe forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
Në këtë drejtim, synohet që rritja e financimit dhe investimet në burimet njerëzore e teknologji të përkthehen në më shumë siguri për qytetarët, kapacitete më të forta institucionale dhe shërbime publike më cilësore.