Projektbuxheti 2027 prezantohet në Komisionin e Ekonomisë, ministri Malaj: Mbi 10 miliardë euro për mbështetjen sociale dhe investimet në sektorët prioritarë
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin për vitin 2027 dhe projektligjet e Paketës Fiskale, duke u ndalur te masat për mbështetjen e qytetarëve, financimi i sektorëve prioritarë dhe investimet për zhvillimin ekonomik të vendit.
Projektbuxheti parashikon mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, nga të cilat 201.5 miliardë lekë janë planifikuar për investime në infrastrukturë, shërbime publike dhe projekte që mbështesin zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, për mbrojtjen sociale janë parashikuar 279.7 miliardë lekë, rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.
Një nga prioritetet kryesore mbetet mbështetja për pensionistët, përmes dyfishimit të bonusit mujor duke nisur nga 1 janari 2027 dhe indeksimit të pensioneve në prill. Projektbuxheti parashikon gjithashtu dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre, si dhe mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç.
Në arsim, financimi parashikohet në 93.6 miliardë lekë, me fokus rritjen e bursave për studentët në nevojë, përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe zgjerimin e programit “Pas Shkolle”, me zgjatjen e orarit deri në orën 17:00. Për shëndetësinë janë planifikuar 87.2 miliardë lekë, për furnizimin me barna dhe pajisje mjekësore, trajtimin me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë, si dhe ndërtimin dhe rehabilitimin e 20 spitaleve.
Në sektorin e rendit dhe sigurisë, projektbuxheti parashikon 36.7 miliardë lekë, përfshirë një fond shtesë prej 3.3 miliardë lekësh për rritjen e pagave të 8500 punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, financimi për Ministrinë e Mbrojtjes arrin në 76.7 miliardë lekë, për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Për bujqësinë janë parashikuar 17.9 miliardë lekë, me fokus mbështetjen e fermerëve, kompensimin e TVSH-së me 10% dhe investimet në sistemet e ujitjes dhe kullimit. Ndërkohë, 75.4 miliardë lekë do të financojnë sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, përfshirë projektet e ujësjellës-kanalizimeve, zhvillimin e porteve dhe hekurudhave, si dhe ndërtimin e akseve kryesore rrugore.
Një tjetër element i projektbuxhetit është rritja e financimit për pushtetin vendor në 114.6 miliardë lekë, ose 17% më shumë krahasuar me vitin 2026, për të mbështetur shërbimet dhe investimet në komunitete.
Gjatë prezantimit, ministri Malaj u ndal edhe te ecuria e ekonomisë, duke theksuar se në gjysmën e parë të vitit 2026 rritja ekonomike arriti në 3.6%, ndërsa investimet e huaja direkte u rritën me 50.8%, duke arritur në 1.1 miliardë euro. Për vitin 2027, të ardhurat buxhetore parashikohen në rreth 9.4 miliardë euro, ndërsa deficiti buxhetor në 2.3% të PBB-së.
Në Komision u prezantuan edhe ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, të cilat përfshijnë rishikimin e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, aplikimin e normës së reduktuar prej 6% për 54 produkte të shportës bazë, si dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburanti te taksa vjetore e automjeteve.
Sipas ministrit Malaj, projektbuxheti dhe paketa fiskale synojnë të forcojnë mbështetjen për qytetarët, të ruajnë qëndrueshmërinë e financave publike dhe të financojnë investimet e reformat në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian.