Projekti i ri i asistencës, EU4LEA/Ministri Çuçi: Do të na shoqërojë në procesin e ndërlikuar të integrimit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Projekti i ri i asistencës, EU4LEA/Ministri Çuçi: Do të na shoqërojë në procesin e ndërlikuar të integrimit

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi duke folur gjatë prezantimit të projektit të ri të BE ‘Eu4LEA’ tha se ka rëndësi të veçantë jo vetëm për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin e terrorizmit por edhe procesin e integrimit në BE. EU4LEA është një projekt i financuar nga BE-ja që kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare, – veçanërisht Policia e Shtetit Shqiptar, Ministria e Brendshme, Struktura e Posaçme Antikorrupsion SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, përfshirë prokuroritë e rretheve – do të asistohen për ta afruar performancën e tyre me standardet më të mira të BE-së. Fushat kryesore të mbështetjes përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionin e nivelit të lartë, krimin mjedisor, si dhe menaxhimin e integruar të kufirit, kontrollin e trafikut rrugor dhe policimin në komunitet.

Fjala e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në ceremoninë e nisjes së projektit EU4LEA:

E nderuar Ambasadore Hohmann,
I nderuar z. Çela,
I nderuar z. Kraja,
I dashur Prefekti Rizzi,

Duke parë gjithë këtë interesim për fillimin e një projekti të ri të BE në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, mund të mendosh që në fakt është një gjë e re dhe një bashkëpunim që pritet të fillojë tashti. Por nuk është kështu. Ndoshta kjo tregon edhe njëherë tjetër që kjo e sotmja është vetëm etapa e radhës të bashkëpunimit të gjatë, të frytshëm, strategjik, që Shqipëria ka pasur me BE në fushën e sigurisë dhe drejtësisë.

Falë këtij bashkëpunimi sot ne kemi agjenci ligjzbatuese, të cilat denjësisht bashkëpunojnë me vendet anëtare, por jo vetëm, të BE si partnere të barabarta, gjë e cila vetëm disa vite më përpara, as që mendohej që të realizohej. Dhe kemi kaluar nga thjesht shkëmbimi i informacioneve midis agjencive të përbashkëta, në fazën e hetimeve të përbashkëta me vendet e BE, si një skuadër e vetme. Dhe më tej, në vitet e fundit, me operacione të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese europiane.

Ky është një hap shumë i madh, besoj unë, që mbi të gjitha bazohet mbi besimin e krijuar ndërmjet agjencive tona ligjzbatuese. E pra, ky besim, kjo aftësi për të ndërvepruar, për të qenë bashkë në aksion kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit, sigurisht që nuk do të ishte e mundur në qoftë se ne nuk do të kishim, prej shumë vitesh tashmë, një partner që na ka asistuar në forcimin e institucioneve tona, siç është BE. Prandaj sot është thjesht një konfirmim dhe konsolidim i këtij partneriteti.

Nga ana tjetër, projekti i ri i bashkëpunimit me BE që tashmë ka ndryshuar dhe brand-in, megjithëse edhe “brand-i” i kaluar vërtet ka qenë një “brand”, PAMECA, dhe kur thua PAMECA, besoj, jo në këtë sallë, por në një pjesë të madhe të shqiptarëve, dinë të përgjigjen se çfarë është, e kjo falë suksesit që ka pasur ky projekt, por tashmë me këtë “brand” të ri, “EU4LEA”, besoj se ka qenë momenti për të shënuar që ne lëvizim tashmë në një ligë tjetër dhe kjo ligë është pikërisht fillimi i aderimit të Shqipërisë në BE.

Pra, projekti në këtë etapë, merr një rëndësi tjetër të veçantë, sepse do të na shoqërojë neve në një proces shumë të rëndësishëm, të ndërlikuar, duhet ta themi, siç është procesi i negociatave me BE-në, për aderimin e Shqipërisë në BE. Këtu kapitulli 24, i kontratës sonë me BE-në, është një nga shtyllat kryesore të kësaj kontrate.

Dua ta theksoj këtu sepse ka rëndësi, pavarësisht se mund ta dini, që pa u mbyllur kapitulli 24, dhe pa ecur, pa evoluar dhe pa u ezauruar kapitulli 24, Shqipëria nuk mund të çelë dhe nuk mund të ecë me kapituj të tjerë. Kështu që kapitulli 24 merr një rëndësi shumë të veçantë në etapën që ne ndodhemi në rrugëtimin tonë drejt BE.

Unë jam shumë i kënaqur që pikërisht në këtë moment vjen edhe etapa e radhës, etapa e re e bashkëpunimit mes BE dhe Shqipërisë në asistencën që ofron për agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë. Mbi të gjitha, do na mundësojë që ne të mësojmë nga modelet më të mira, jo vetëm ato evropiane, por dhe të vendeve të cilat rishtazi kanë aderuar në BE dhe si të thuash, kanë bërë një rrugë të ngjashme me Shqipërinë vetëm pak vite më parë.

Siç thashë, PAMECA e shndërruar në EU4LEA, unë besoj se do transmetojë te EU4LEA atë eksperiencë të gjatë, të akumuluar në këtë rrugëtim në mënyrë që natyrshëm të bëhet pjesë e trupit të agjencive tona ligjzbatuese. Të jetë një pjesë e këtij organizmi, ashtu siç ka qenë PAMECA.

Ndonëse aktorët që vijnë në projekte të tilla janë të ndryshëm, ajo që mbetet e njëjtë është trupa që përthith këtë asistencë, që janë agjencitë tona ligjzbatuese. Dhe tashmë kjo trupë është shumë e familjarizuar, është e shkrirë me këta emisarë, do të thoja unë, që vijnë për të na ndihmuar, dhe për të na dhënë një dorë që ne të ecim më përpara dhe të konsolidojmë më shumë pikërisht forcimin e këtyre institucioneve. Ndaj këtu është vendi që t’ju falënderoj, Ambasadore Hohmann, në emër të qeverisë shqiptare dhe ju si përfaqësuese e BE; një falënderim të veçantë dhe të merituar për asistencën që i jepni institucioneve tona publike.

Shqipëria, thashë, që ka hyrë në një proces të pakthyeshëm, në një fazë rrugëtimi për të qenë anëtare e BE. Dhe hapja e negociatave, jo vetëm na ngarkon me një përgjegjësi të madhe, por na jep edhe mundësinë tonë për të evoluar dhe për t’u transformuar në benefit, në të mirë të progresit të Shqipërisë. Dhe besoj se të gjithë ndajmë të njëjtin opinion që sfidat kur vjen puna për fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, janë shumë komplekse. Jo vetëm brenda vendit, por i kalojnë edhe kufijtë e vendit.

Mjafton të përmendim situatën e pazakontë që po përballet sot Policia e Shtetit, por jo vetëm, edhe agjenci të tjera të qeverisë me sulmin kibernetik, për ta ilustruar këtë gjë. Nëse deri dje ka qenë lufta, do të thoja unë, klasike, e institucioneve ligjzbatuese për fenomene si krimi i organizuar, lufta kundër trafikimit, lufta kundër drogës, lufta kundër terrorizmit, e për të cilën ne, siç thashë, kemi krijuar një lloj stabiliteti për sa i takon bashkëpunimit me partnerët tanë europianë, por jo vetëm, tashmë ne po përballemi me fenomene të reja dhe me luftëra të reja, edhe për vendet më të zhvilluara, siç është lufta kibernetike.  Edhe njëherë, ky sulm na tregoi që asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm këto fenomene, e jo më një vend i vogël në zhvillim siç është Shqipëria. Unë dua të falënderoj të gjithë partnerët tanë strategjikë, duke filluar që nga, sigurisht, SHBA që na u përgjigjën menjëherë, si një përgjigje ndaj një vendi të NATO-s që është nën sulmim, por po kaq shpejt dhe në mënyrë imediate janë përgjigjur dhe vendet evropiane siç është Italia, mikja jonë më e ngushtë historike, dhe që s’na ka munguar në asnjë hap të zhvillimit edhe në këtë periudhë tranzicioni, apo edhe vende të tjera që kanë shprehur gatishmërinë për të qenë pranë nesh për të përballuar këtë sfidë. Pra, ishte pikërisht ky sulm që na tregoi edhe njëherë që të vetëm, ne nuk mund të përballojmë dhe kurrë nuk mund të kemi sukses për të përballuar luftëra kaq komplekse që gjithmonë e më tepër i kapërcejnë dhe kanë impakt ekstraterritorial, pra të përqendruara jo vetëm në një vend.

Pasojat nuk janë vetëm në një vend, siç është krimi i organizuar, trafiku i drogës, apo terrorizmi, por edhe adresimi i luftës nuk mund të jetë vetëm në dorën e një vendi. Dhe këtë gjë, ne, qeveria shqiptare, e ka plotësisht të qartë dhe është e bindur që vetëm në këtë rrugëtim, vetëm në këtë rrugë, ne mund të kemi sukses ndaj këtyre fenomeneve.

Në përfundim të fjalës sime, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dizenjuar këtë projekt, dua të inkurajoj skuadrën e EU4LEA dhe t’i konfirmoj mbështetjen e Ministrisë, por edhe timen personale, me dëshirën që ky projekt të ketë një impakt të qenësishëm në agjencitë tona ligjzbatuese dhe të jetë jo vetëm impakt i prekshëm, por edhe sa më jetëgjatë. Faleminderit!

Previous Nju Jork, Ministrja Xhaçka dhe Tileuberdi Mukhtar nënshkruajnë marrëveshjen për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Kazakistanit

Leave Your Comment