Projektligj i ri për familjet kujdestare: garantohet kujdesi familjar për fëmijët pa mbështetje prindërore

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, një nismë e re ligjore që vendos për herë të parë sistemin e familjeve kujdestare për fëmijët pa kujdes prindëror ose në rrezik për ta humbur atë. Ligji synon të sigurojë mjedise familjare të sigurta dhe mbështetëse për fëmijët, duke garantuar respektimin e interesit më të lartë të tyre.

Projektligji, i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përbën një hap të rëndësishëm në reformën e deinstitucionalizimit dhe në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Evropian. Ai pritet të modernizojë të gjithë sistemin e kujdesit për fëmijët që nuk mund të rriten me prindërit e tyre, duke vendosur standarde të reja për kujdestarinë profesionale.

MSHMS thekson se nisma siguron që asnjë fëmijë të mos mbetet pa kujdes familjar, ndërsa modeli i ri synon të krijojë një mjedis gjithëpërfshirës, përkrahës dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e tyre, në përputhje me praktikat bashkëkohore evropiane.