Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Shtator 2026
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.64/2012, “PËR PESHKIMIN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Përkufizime
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. “Anije peshkimi” është një anije peshkuese ose çdo anije tjetër e përdorur për shfrytëzimin tregtar të burimeve biologjike detare, duke përfshirë anijet ndihmëse, anijet e përpunimit të peshkut, anijet e angazhuara në operacione transbordimi, rimorkiatorët, anijet mbështetëse dhe anijet transportuese të pajisura për transportin e produkteve të peshkimit, duke përjashtuar anijet kontejnerë dhe anijet e përdorura ekskluzivisht për akuakulturë.”.
2. Pas pikës 2/1 shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
“2. Anije peshkuese” është një anije e pajisur ose e përdorur për zënien tregtare të burimeve biologjike detare.”.
3. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. “Autorizim peshkimi” do të thotë një autorizim i lëshuar nga ministri për një anije peshkimi, kur është e nevojshme, përveç lejes së saj të peshkimit, i cili i jep asaj të drejtën të kryejë aktivitete specifike peshkimi gjatë një periudhe të caktuar në një zonë të caktuar ose për një peshkim të caktuar në kushte specifike.”.
4. Pas pikës 17 shtohet pika 17/1, me këtë përmbajtje:
“17/1. “Fuqia e certifikuar e motorit” është fuqia maksimale e vazhdueshme e motorit, e cila mund të arrihet në aksin e daljes së motorit sipas certifikatës së lëshuar nga shoqëria klasifikuese që vepron në emër të administratës detare.”.
5. Pas pikës 27 shtohet pika 27/1, me këtë përmbajtje:
“27/1. “Kryqi i Shën Andreas” është një vegël që përdor një veprim të ngjashëm me gërshërën për të mbledhur nga fundi i detit molusqet dyguaskore Pinna nobilis ose koralin e kuq.”.
6. Pika 30 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“30. “Leje peshkimi” është një akt administrativ që i jep mbajtësit të saj të drejtën, siç përcaktohet nga legjislacioni për lejet dhe licencat dhe në këtë ligj, për të përdorur një kapacitet të caktuar peshkimi për shfrytëzimin tregtar të burimeve biologjike detare.”.
7. Pas pikës 52 shtohet pika 52/1, me këtë përmbajtje:
“52/1. “Operacion peshkimi” është çdo aktivitet që lidhet me kërkimin e peshqve, vendosjen, tërheqjen dhe rikuperimin e pajisjeve aktive të peshkimit, vendosjen, zhytjen, tërheqjen ose rivendosjen e pajisjeve pasive të peshkimit dhe heqjen e çdo zënieje nga pajisjet dhe rrjetat që e përmban atë ose nga një kosh transporti në koshat e mbarështimit dhe të majmërisë.”.
8. Pas pikës 71 shtohet pika 71/1, me këtë përmbajtje:
“71/1. “Pushkë nënujore” është një armë dore, e cila funksionon me ajër të kompresuar ose e mekanizuar që lëshon një shtizë gjatë aktivitetit të peshkimit nënujor.”.
9. Pika 75 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“75. “Qendra e Monitorimit të Peshkimit (QMP)” është një strukturë operacionale e pajisur me infrastrukturë hardware-ike dhe software-ike, e projektuar për të mundësuar marrjen automatike, përpunimin, analizën, kontrollin, monitorimin dhe transmetimin elektronik të të dhënave në mbështetje të menaxhimit dhe kontrollit të aktiviteteve të peshkimit.”.
10. Pas pikës 75 shtohen pikat 75/1 dhe 75/2, me këtë përmbajtje:
“75/1. “Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD)” është një strukturë ndërinstitucionale bashkërenduese që ka detyrë organizimin, planizimin dhe drejtimin e operacioneve detare, në të gjithë hapësirën detare, në përputhje me legjislacionin detar vendas e ndërkombëtar.
75/2. “Sistemi i monitorimit elektronik në distancë i aktiviteteve të peshkimit”, në vijim “REM”, nënkupton një sistem të përbërë nga pajisje audiovizuale, sensorë dhe mjete të tjera teknike, i instaluar në bord të anijeve të peshkimit për regjistrimin, mbledhjen, transmetimin dhe verifikimin e operacioneve të peshkimit dhe të dhënave përkatëse.”.
11. Pas pikës 84 shtohet pika 84/1, me këtë përmbajtje:
“84/1. “Sistemi i monitorimit të anijeve”, në vijim “VMS”, nënkupton një sistem satelitor të instaluar në bord të anijeve të peshkimit, i cili mundëson mbledhjen dhe transmetimin automatik, në intervale të rregullta, të të dhënave mbi pozicionin, kursin dhe shpejtësinë e anijes tek autoritetet kompetente për qëllime monitorimi, kontrolli dhe mbikëqyrjeje.”.
12. Pas pikës 93 shtohet pika 93/1, me këtë përmbajtje:
“93/1. “Të dhëna të pozicionit të anijes” janë të dhënat mbi identifikimin e anijes së peshkimit, pozicionin gjeografik, datën, kohën, kursin dhe shpejtësinë, të transmetuara nga pajisjet gjurmuese në bord të mjeteve të peshkimit drejt Qendrës së Monitorimit të Peshkimit (QMP).”.
13. Pas pikës 105 shtohet pika 105/1, me këtë përmbajtje:
“105/1. “Vëzhgues kontrolli” është një person i autorizuar nga ministria për të vëzhguar zbatimin e rregullave të politikës kombëtare të peshkimit.”.
Neni 2
Pas shkronjës “e”, të pikës 3, të nenit 16, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Çdo lloj mjeti goditës/fishek, me përjashtim të atyre që përdoren për të vrarë tonin në kosha, si dhe të fuzhnjëve të dorës dhe pushkëve nënujore që përdoren në peshkimin çlodhës-argëtues pa përdorimin e bombolës së oksigjenit, nga agimi deri në perëndim.”.
Neni 3
Në nenin 19 bëhen këto shtesa:
1. Pas shkronjës “k”, të pikës 3, shtohen shkronjat “l” dhe “ll”, me këtë përmbajtje:
“l. Mbi masat teknike për konservimin e resurseve detare dhe mbrojtjen e ekosistemeve detare.
ll. Për përcaktimin e një regjimi kontrolli për të garantuar respektimin e rregullave të politikave menaxhuese në peshkim.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Në zbatim të dispozitave të këtij ligji, ministri miraton me urdhër plane veprimi kombëtare në sektorin e peshkimit.”.
Neni 4
Në nenin 30 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Leja e peshkimit tregtar lëshohet, rinovohet, menaxhohet dhe tërhiqet përkohësisht ose përfundimisht në përputhje të plotë me procedurat e përcaktuara në këtë ligj. Leja e peshkimit tregtar përfshihet në kategorinë III.5. A.1. të shtojcës së ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.”.
2. Pas pikës 11 shtohen pikat 11/1, 11/2, 11/3, 11/4 dhe 11/5, me këtë përmbajtje:
“11/1. Ministria tërheq përgjithmonë lejen e peshkimit të një anijeje peshkuese e cila është subjekt i një mase për rregullimin e kapacitetit të peshkimit bazuar në nënndarjen “iv”, të shkronjës “d”, të pikës 2, të nenit 23, të këtij ligji.
11/2. Kërkesa për pajisje me leje të peshkimit tregtar shqyrtohet nga Komisioni i Përhershëm i Shqyrtimit të Lejeve të Peshkimit.
11/3. Komisioni i Përhershëm i Shqyrtimit të Lejeve të Peshkimit miratohet me urdhër të ministrit dhe përbëhet nga 5 anëtarë, me përfaqësues nga stafi i drejtorisë përgjegjëse për peshkimin ose strukturat e saj të varësisë dhe një jurist.
11/4. Komisioni i Përhershëm i Shqyrtimit të Lejeve të Peshkimit kryen funksionet, si më poshtë vijon:
a) Shqyrton kërkesat e ardhura, në përputhje me legjislacionin në fuqi për lejet dhe licencat, kriteret e parashikuara në në këtë ligj, si dhe në aktet nënligjore në fushën e peshkimit.
b) Verifikon plotësimin e kritereve ligjore, teknike dhe administrative nga subjektet aplikuese, duke vlerësuar dokumentacionin e paraqitur për secilën kërkesë.
c) Merr vendime mbi kërkesat e shqyrtuara me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
ç) Siguron që procesi i shqyrtimit dhe vendimmarrjes të zhvillohet brenda afateve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
d) Evidenton dhe dokumenton vendimmarrjen e Komisionit në procesverbalet dhe dokumentacionin përkatës administrativ.
dh) Bashkëpunon dhe kërkon informacion mbi dokumentacionin e dorëzuar nga subjektet aplikuese dhe institucionet e tjera, sipas rastit.
11/5. Masa e shpërblimit të anëtareve të komisionit është, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për shpërblimet e anëtarëve të këshillit, bordeve komisioneve të përhershme.”.
Neni 5
Pas nenit 34/1 shtohet neni 34/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 34/2
Peshkimi pa mjete lundruese
1. Peshkimi pa mjete lundruese ushtrohet, në përputhje me politikën e peshkimit, të përcaktuar në nenin 23 të këtij ligji.
2. Ministria siguron që:
a) të vendoset një sistem lejimi ose regjistrimi për personat fizikë dhe juridikë që ushtrojnë këtë aktivitet;
b) sasitë e specieve, stoqeve ose grupeve të stoqeve të peshkuara të regjistrohen dhe që këto të dhëna të transmetohen në mënyrë elektronike në QMP.
3. Përmbajta e informacionit që regjistrohet, sipas pikës 2, të këtij neni, përcaktohet me urdhër të ministrit.”.
Neni 6
Pika 1, e nenit 37, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ndalohen peshkimi, mbajtja në bord, transitimi në barkë dhe anije, zbarkimi i qëllimtë dhe hedhja në treg ose për konsum, në çdo periudhë, zonë e me çfarëdo lloj mjeti a pajisjeje i këtyre organizmave ujorë:
a) korani i lumit – salmo letnica lumi;
b) koralet (Corallium spp.);
c) trofta – salmo trutta magrostigma; salmo marmoratus, si dhe salmo salar dhe Salmo trutta, të zëna me rrjeta tërheqëse në një distancë më të madhe se 6 milje detare në zonat ICES 1, 2 dhe 4-10;
ç) blinjtë-acipenser sturio; acipenser naccarii;
d) peshkaqenët dhe rajat – cetorhinus maximus, carcharodon carcharias, Squatina squatina, hexanchus griseus, rostroraja alba, gjinia pristidae (Anoxypristis cuspidata, pristis clavata, pristis pectinata, pristis pristis, pristis zijsron), Etmopterus pusillus, familja rhinobatidae, alopiidae; carcharhinidae; sphyrnidae; lamnidae, raja (dipturus) nidarosiensis, raja alba, leucoraja circularis;
dh)lopa e detit – gjinia mobula (Mobula mobular, Mobula rochebrunei, mobula japonica, mobula thurstoni, mobula eregoodootenkee, mobula munkiana, mobula tarapacana, mobula kuhlii dhe mobula hypostoma);
e) gurëshpuesi (dateri) – lithophaga lithophaga;
ë) sfungjerët (spongidae);
f) gjitarët e detit (balenat, delfinët dhe fokat);
g) breshkat e detit (Carretta carretta, chelonia mydas dhe dermochelys coreacea);
gj) breshkat e ujit të ëmbël (Emys orbicularis, mauremys caspica);
h) zogjtë detarë;
i) molusqe bivalvore – pinna nobilis, pholas dactylus;
j) iriq deti – centrostephanus longispinus;
k) Mantat – manta alfred dhe manta birostris.”.
Neni 7
Neni 67 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 67
Autoriteti përgjegjës për monitorimin e aktivitetit të peshkimit, sforcos së peshkimit dhe akuakulturës është QMP-ja dhe Inspektorati që mbulon fushën e peshkimit.”.
Neni 8
Pas nenit 67 shtohet neni 67/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 67/1
Qendra e Monitorimit të Peshkimit
1. Pranë institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës ngrihet dhe funksionon Qendra e Monitorimi të Peshkimit, e cila monitoron veprimtaritë e peshkimit dhe sforcon e peshkimit. QMP-ja monitoron anijet e peshkimit që mbajnë flamurin shqiptar, pavarësisht ujërave në të cilat ato zhvillojnë veprimtarinë ose portit ku ndodhen, si dhe anijet e peshkimit që mbajnë flamurin e shteteve të tjera, të autorizuara të kryejnë veprimtari peshkimi në ujërat nën sovranitetin ose juridiksionin shqiptar.
2. Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës është autoriteti kompetent, përgjegjës për funksionimin e QMP-së, dhe merr masat e duhura për të siguruar që QMP-ja të ketë burimet e duhura të personelit dhe të jetë e pajisur me pajisje kompjuterike dhe software-ike që mundësojnë përpunimin automatik të të dhënave, analizën, kontrollin, transmetimin elektronik të të dhënave dhe monitorimin e të dhënave shtatë ditë në javë dhe 24 orë në ditë. QMP-ja parashikon procedura rezervë dhe rikuperimi në rast të dështimit të sistemit.
3. QNOD-ja koordinon drejtimin e veprimtarive të kontrollit të zbatimit të legjislacionit të peshkimit nga anijet e peshkimit që mbajnë flamurin shqiptar, pavarësisht ujërave në të cilat ato zhvillojnë veprimtarinë ose portit ku ndodhen, si dhe anijet e peshkimit që mbajnë flamurin e shteteve të tjera, të autorizuara të kryejnë veprimtari peshkimi në ujërat nën sovranitetin ose juridiksionin shqiptar.
4. Rregullat mbi detyrat dhe procedurat e punës të QMP-së përcaktohen me urdhër të miratuar nga ministri përgjegjës për peshkimin.”.
Neni 9
Neni 69 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 69
Autorizimi për peshkim
1. Një anije peshkuese me flamur shqiptar autorizohet të kryejë veprimtari të veçanta peshkimi vetëm për aq sa ato tregohen në një autorizim të vlefshëm peshkimi kur peshkimi ose zonat e peshkimit ku autorizohen aktivitetet i nënshtrohen:
a) një regjimi sforcoje peshkimi;
b) një plani shumëvjeçar;
c) një zone të kufizuar peshkimi;
ç) peshkimit për qëllime shkencore.
d) detyrimit për të përdorur një sistem të monitorimit elektronik në distancë (REM), duke përfshirë televizion me qark të mbyllur (CCTV-në).
2. Nuk lëshohet autorizim peshkimi për një anije peshkuese nëse anija nuk zotëron një leje peshkimi, të marrë në përputhje me nenin 30, të këtij ligji, ose nëse leja e saj e peshkimit është pezulluar ose tërhequr. Autorizimi i peshkimit për një anije peshkuese tërhiqet automatikisht nëse leja e peshkimit e lëshuar për anijen në fjalë është tërhequr përgjithmonë dhe pezullohet nëse leja e peshkimit është pezulluar përkohësisht.
3. Me përjashtim të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, ministria mund të heqë detyrimin e pajisjes me autorizim peshkimi për anijet peshkuese shqiptare me gjatësi totale më të vogël se 10 metra të cilat zhvillojnë aktivitet peshkimi në një ose në të dyja zonat e mëposhtme:
a) Në ujërat territoriale shqiptare;
b) Në ujërat territoriale të një shteti tjetër i cili përjashton anijet e veta nga detyrimi i autorizimit dhe që zhvillojnë të njëjtin aktivitet peshkimi.
4. Anijet e peshkimit, të ndryshme nga anijet peshkuese, mund të përfshihen në aktivitete peshkimi, me përjashtim të zënies së peshkut, vetëm nëse janë të pajisura me autorizim nga ministri.”.
Neni 10
Neni 72 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 72
Sistemi i monitorimit të anijeve
1. Ministria përdor sisteme monitorimi të anijeve të peshkimit për të monitoruar në mënyrë efektive pozicionin dhe lëvizjet e anijeve të peshkimit që mbajnë flamurin shqiptar, kudo që ato ndodhen, si edhe të anijeve të peshkimit që gjenden në ujërat territoriale shqiptare. Ministria mbledh dhe analizon të dhënat mbi pozicionin e anijeve të peshkimit dhe siguron kontrollin e tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike.
2. Në bordin e çdo anijeje peshkimi shqiptare instalohet një pajisje lokalizimi plotësisht funksionale që mundëson lokalizimin dhe identifikimin automatik të saj nga sistemi i monitorimit të anijeve të peshkimit, përmes transmetimit automatik, në intervale të rregullta, të të dhënave mbi pozicionin e tij. Sistemet e monitorimit të anijeve i lejojnë gjithashtu, QMP-së, sipas nenit 67/1 të këtij ligji, t’i kërkojë një anijeje peshkimi të transmetojë të dhëna në çdo kohë. Transmetimi i të dhënave të pozicionit të anijes dhe kërkesa për transmetimin e të dhënave duhet të bëhet nëpërmjet lidhjes satelitore ose, kur është e mundur, nëpërmjet një rrjeti tokësor celular ose një teknologjie tjetër ekuivalente.
3. Si përjashtim i pikës 2 të këtij neni, anijet e peshkimit me gjatësi të përgjithshme më të vogël se 12 metra mund të mbajnë në bord një pajisje që nuk është e nevojshme të instalohet në bord dhe që lejon që anija të lokalizohet dhe të identifikohet automatikisht, ndërsa është në det, duke regjistruar dhe transmetuar të dhënat e pozicionit të anijes në intervale të rregullta përmes një lidhjeje satelitore ose çdo rrjeti tjetër.
4. Sistemi i monitorimit të anijeve duhet t’i lejojë QMP-së, sipas nenit 67/1 të këtij ligji, të përcaktojë pozicionin e anijes së peshkimit nëpërmjet një lidhjeje satelitore ose, kur është e mundur, çdo rrjeti tjetër. Në rast se pajisja e përmendur në këtë pikë nuk mund të lidhet me një rrjet komunikimi, të dhënat e pozicionit të anijes duhet të regjistrohen gjatë asaj periudhe kohore dhe duhet të transmetohen automatikisht sapo anija të ketë mundësinë e lidhjes me një rrjet të tillë. Lidhja me rrjetin duhet të rivendoset jo më vonë se hyrja në një port ose vend zbarkimi.
5. Si përjashtim i pikës 2, të këtij neni, anijet e peshkimit me gjatësi totale më të vogël se 9 metra përjashtohen nga detyrimi për t’u pajisur me një sistem monitorimi të anijeve, deri më 1 janar 2030, nëse këto anije:
a) operojnë ekskluzivisht:
i. në ujërat nën sovranitetin ose juridiksionin shqiptar, deri në gjashtë milje detare nga vijat bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial dhe përdorin vetëm pajisje pasive; ose
ii. në ujërat brenda vijave bazë të bregdetit;
b) nuk kalojnë kurrë më shumë se 24 orë në det nga koha e nisjes nga porti deri në kthim në port;
c) nuk i nënshtrohen kufizimeve të zbatueshme në asnjë zonë të kufizuar peshkimi në të cilën operojnë.
6. QMP-ja ia transferon automatikisht të dhënat për anijen shqiptare QMP-së përkatëse të shtetit tjetër, ku ndodhet anija shqiptare, në rastet kur anijet shqiptare të peshkimit janë në ujërat e një shteti tjetër.
7. QMP-ja ia transferon të dhënat e sistemit të monitorimit të anijes së peshkimit, në rastet kur ajo operon në ujërat e një vendi të tretë apo në det të hapur, i cili menaxhohet nga një organizatë ndërkombëtare, vendit të tretë apo organizatës ndërkombëtare, atëherë kur rregullat e tyre e kërkojnë këtë transferim.
8. Mënyra dhe koha kur ky sistem bëhet funksional përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
9. Një anije peshkimi me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 15 metra duhet të pajiset dhe të mbajë në funksion një sistem automatik identifikimi (AIS), i cili plotëson standardet e performancës, të hartuara nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO).
10. Si përjashtim i pikës 9 të këtij neni, kapiteni i një anijeje peshkimi mund ta çaktivizojë AIS-in në rrethana të jashtëzakonshme, kur kapiteni konsideron se siguria ose mbrojtja e ekuipazhit është në rrezik të menjëhershëm. Kur AIS-i çaktivizohet sipas kësaj pike, kapiteni duhet ta raportojë këtë veprim dhe arsyen e këtij veprimi te QMP-ja dhe QNOD-ja dhe, kur është e nevojshme, edhe tek autoritetet kompetente të shtetit bregdetar. Kur situata e mësipërme ka kaluar, kapiteni duhet të ndezë AIS-in, sapo të zhduket burimi i rrezikut.
11. Ministria përdor të dhënat e sistemit të identifikimit automatik, kur të dhëna të tilla janë të disponueshme për qëllime të kryqëzimit me të dhënat e tjera.
12. Ministria siguron që asnjë anije peshkimi, subjekt i pikave 2 dhe 9 të këtij neni, të mos zhvillojë aktivitet peshkimi pa qenë e pajisur me pajisjen përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik.”.
Neni 11
Pas nenit 72 shtohet neni 72/1, me këtë përmbajtje.
“Neni 72/1
Sistemi i monitorimit elektronik në distancë (REM)
1. Ministria siguron monitorimin dhe kontrollin e aktiviteteve të peshkimit përmes sistemeve të monitorimit elektronik në distancë (REM).
2. Për qëllime të monitorimit dhe kontrollit të detyrimit për zbarkim, ministria siguron që anijet peshkuese shqiptare, me gjatësi totale 18 metra ose më shumë, dhe që paraqesin rrezik të lartë të mosrespektimit të detyrimit për zbarkim, të kenë të instaluar në bord një sistem funksional REM. Sistemi REM duhet të jetë në gjendje të monitorojë dhe të kontrollojë në mënyrë efektive respektimin e detyrimit për zbarkim, të përfshijë CCTV dhe mund të përfshijë instrumente dhe/ose pajisje të tjera. Kapiteni siguron që të dhënat nga sistemi REM të jenë të disponueshme për QMP-në dhe Inspektoratin e peshkimit. Inspektorati i peshkimit ka qasje të barabartë në këto të dhëna, duke respektuar rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Ministria mund të përcaktojë që segmente të caktuara të flotës së anijeve peshkuese shqiptare, me gjatësi totale më të vogël se 18 metra, të kenë në bord një sistem REM funksional, bazuar në rrezikun e mosrespektimit të detyrimit për zbarkim.
4. Përdorimi i sistemit REM në mënyrë vullnetare nga anijet, të cilat nuk e kanë detyrimin e instalimit të këtij sistemi, sipas përcaktimeve të pikave 2 dhe 3, të këtij neni, mund të mbështetet nga masat e ndërhyrjes strukturore, të përcaktuara në kreun IV të këtij ligji.
5. Me urdhër të ministrit përcaktohen:
a) segmentet e flotës së anijeve peshkuese, për të cilat zbatohet detyrimi për të pasur të instaluar në bord sistemin REM, bazuar në vlerësimin e rrezikut të mosrespektimit të detyrimit për zbarkim;
b) rregulla të detajuara mbi kërkesat, specifikimet teknike, instalimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemit REM dhe periudhën gjatë së cilës sistemi REM duhet të funksionojë, duke marrë parasysh zhvillimet më të fundit teknologjike dhe shkencore;
c) rregulla të detajuara mbi ruajtjen, shkëmbimin dhe qasjen në të dhënat nga sistemi REM, duke respektuar nenin 97, të këtij ligji.”.
Neni 12
Neni 74 ndryshohet, si më poshtë vijon:
Neni 74
Plotësimi i librit të anijes
1. Kapitenët e anijeve peshkuese mbajnë një libër peshkimi elektronik me qëllim regjistrimin aktiviteteve të peshkimit.
2. Hapësira e lejuar e tolerancës në vlerësimet e regjistruara në librin e peshkimit me sasitë e zbarkuara ose të verifikuara nga një inspektim, për sasinë në kilogramë të peshkut të mbajtur në bord, është 10 për qind për të gjitha llojet. Për speciet e mbajtura në bord, sasia e të cilave nuk i kalon 100 kg në ekuivalentin e peshës së gjallë, hapësira e autorizuar e tolerancës është i barabartë me 20% për secilën specie.
3. Përmbajtja, mënyra e mbajtjes dhe funksionimit të librit të anijes së peshkimit përcaktohen me urdhër të ministrit.”.
Neni 13
Neni 75 shfuqizohet.
Neni 14
Neni 77 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 77
Transmetimi elektronik i librit të anijes
1. Kapitenët e anijeve peshkuese transmetojnë elektronikisht informacionin e librit të anijes në QMP:
a) të paktën një herë në ditë;
b) pas operacionit të fundit të peshkimit dhe para hyrjes në port ose në një vend zbarkimi.
2. Si përjashtim të pikës 1 të këtij neni, kapitenët e anijeve peshkuese, me një gjatësi të përgjithshme më të vogël se 12 metra, transmetojnë elektronikisht informacionin e librit të anijes te QMP-ja pas përfundimit të operacionit të fundit të peshkimit dhe para fillimit të zbarkimit.
3. Me kërkesë të QMP-së dhe inspektoratit të peshkimit, kapitenët e anijeve peshkuese, gjatë një inspektimi duhet të regjistrojnë elektronikisht dhe t’i transmetojnë QMP-së informacionin e librit të anijes. Nëse anija nuk është brenda rrezes së një rrjeti komunikimi, informacioni duhet të transmetohet sapo anija të hyjë në rrezen e një rrjeti komunikimi.”.
Neni 15
Nenet 78 dhe 79 shfuqizohen.
Neni 16
Neni 80 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 80
Lajmërimi paraprak
Pa cenuar rregullat specifike të parashikuara në planet shumëvjeçare, kapitenët e anijeve të peshkimit, me gjatësi të përgjithshme 12 metra ose më shumë, duhet t’i paraqesin me mjete elektronike QNOD-së, Inspektoratit që mbulon fushën e peshkimit dhe QMP-së të paktën katër orë para kohës së parashikuar të mbërritjes në një port ose vend zbarkimi shqiptar informacionin e mëposhtëm:
a) Numrin unik të identifikimit të udhëtimit të peshkimit dhe, në rastin e anijeve të tjera përveç anijeve peshkuese, numrin/numrat unikë të identifikimit të udhëtimit të peshkimit që lidhen me zëniet;
b) Numrin NFR ose, kur ky numër nuk është i disponueshëm, një numër tjetër identifikimi të anijes dhe emrin e anijes së peshkimit;
c) Portin ose vendin e zbarkimit të destinacionit dhe qëllimet e ndalimit, si zbarkim, transbordim ose qasjae në shërbime;
ç) Datat e udhëtimit të peshkimit;
d) Datën dhe orën e parashikuar të mbërritjes në port ose vend zbarkimi;
dh)Kodin alfa-3 i FAO-s për secilën specie dhe zonat gjeografike përkatëse në të cilat janë kryer zëniet;
e) Sasitë e secilës specie, të regjistruara në librin e anijes së peshkimit, duke përfshirë, si një hyrje të veçantë, ato nën madhësinë minimale të referencës së ruajtjes, që zbatohet;
ë) Sasitë e secilës specie, që do të zbarkohet ose do të transbordohet, duke përfshirë, si një shënim të veçantë, ato që janë nën madhësinë minimale të referencës së ruajtjes që zbatohet.”.
Neni 17
Neni 82 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 82
Deklarata e zbarkimit
1. Kapitenët ose pronarët e anijeve të peshkimit plotësojnë deklaratën elektronike të zbarkimit dhe e transmetojnë atë në QMP brenda 24 orëve pas përfundimit të operacioneve të zbarkimit.
2. Me urdhër të ministrit miratohet rregullorja, ku përcaktohen:
a) informacioni që përmban deklarata e zbarkimit;
b) rregullat e hollësishme mbi përjashtimet në lidhje me dorëzimin e deklaratës së zbarkimit;
c) rregullat që zbatohen në rast të dështimit teknik ose dështimit të komunikimit ose mosfunksionimit të sistemeve elektronike të regjistrimit dhe raportimit për të dhënat e deklaratës së zbarkimit;
ç) masat që merren në rast të mosmarrjes së të dhënave të deklaratës së zbarkimit;
d) rregullat mbi aksesin në të dhënat e deklaratës së zbarkimit dhe masat që merren në rast të dështimit të aksesit në të dhëna.”.
Neni 18
Në nenet 84, 86, pika 2, 91 dhe 104, shkurtesa “QNOD” zëvendësohet me “QMP”.
Neni 19
Neni 85 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 85
1. Ndalohet transbordimi në det pa një autorizim paraprak të ministrisë dhe jashtë kushteve të përcaktuara prej saj për subjektin që zotëron anijen e peshkimit.
2. Kapitenët e anijeve të peshkimit, që marrin pjesë në një operacion transbordimi, plotësojnë deklaratën elektronike për transbordimin dhe e transmetojnë atë në QMP brenda 24 orëve nga përfundimi i operacionit të transbordimit.
3. Me urdhër të ministrit miratohet rregullorja ku përcaktohen:
a) informacioni që përmban deklarata e transbordimit;
b) rregullat e hollësishme mbi përjashtimet në lidhje me dorëzimin e deklaratës së transbordimit;
c) rregullat që zbatohen në rast të dështimit teknik ose dështimit të komunikimit ose mosfunksionimit të sistemeve elektronike të regjistrimit dhe raportimit për të dhënat e deklaratës së transbordimit;
ç) masat që merren në rast të mosmarrjes së të dhënave të deklaratës së transbordimit;
d) rregullat mbi aksesin në të dhënat e deklaratës së zbarkimit dhe masat që merren në rast të dështimit të aksesit në të dhëna.”.
Neni 20
Pas pikës 2, të nenit 86, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Ministria regjistron të gjitha të dhënat që lidhen me zëniet dhe sforcon e peshkimit dhe, në veçanti, të dhënat e parashikuara në pikën 4, të nenit 47, si dhe në nenet 34/2, 74, 82, 85, 114 e 116, të këtij ligji, dhe ruan origjinalet e këtyre të dhënave për një periudhë jo më pak se tre vjetësh.”.
Neni 21
Në pikat 1/1, 2 dhe 11, të nenit 30, dhe në pikën 1, të nenit 69, togfjalëshi “… anije peshkimi …” zëvendësohet me “… anije peshkuese …”.
Neni 22
Pas pikës 5, të nenit 93, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Rregullat dhe formati i dërgimit në ministri të planeve të punës dhe raporteve vjetore mbi grumbullimin e të dhënave për sektorin e peshkimit dhe akuakulturës përcaktohen me udhëzim ministri.”.
Neni 23
Pas pikës 4, të nenit 102, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Si përjashtim nga pika 4, e këtij neni, anijet peshkuese, të cilat deri në datën 31.12.2025, rezultojnë me fuqi motorike që tejkalon fuqinë e autorizuar të motorit të përcaktuar në lejen e peshkimit, mund të korrigjojnë fuqinë e tyre motorike brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ky korrigjim kryhet:
a) bazuar në regjistrat e Drejtorisë së Përgjithshme Detare, të cilët përcaktojnë vitin kur është bërë zëvendësimi i motorit;
b) kundrejt pagesës së diferencës së taksës vjetore për ushtrimin e veprimtarisë së peshkimit për periudhën nga viti i zëvendësimit të motorit deri më 31.12.2027.”.
Neni 24
Ne shkronjën “b”, të nenit 106, pas shkurtesës “QNOD-në” shtohen fjalët “… dhe QMP-në …”.
Neni 25
Pika 4, e nenit 113, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Peshimi kryhet nga një operator, që është blerës i regjistruar, një ankand i regjistruar, një organizatë prodhuesish ose çdo person tjetër fizik ose juridik, përfshirë kapitenin, i njohur nga ministria për të kryer aktivitete peshimi. Operatori, që kryen peshimin, është përgjegjës për saktësinë e peshimit. Operatorët që peshojnë produktet e peshkimit duhet të plotësojnë një regjistër peshimi për çdo zbarkim dhe e ruajnë atë për një periudhë prej tre vitesh.”.
Neni 26
Neni 117 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Nenin 117
Shkeljet e rënda
1. Në kuptim të këtij ligji, shkelje të rënda janë shkeljet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni ose/dhe ato të klasifikuara si të tilla sipas pikës 3 të këtij neni.
2. Përbën një shkelje të rëndë:
a) peshkimi pa licencë, autorizim ose leje të vlefshme, të lëshuar nga shteti shqiptar, nga shteti flamur ose shteti përkatës bregdetar;
b) falsifikimi dhe/ose fshehja e shenjave, identitetit ose regjistrimit të një anijeje peshkimi;
c) fshehja, manipulimi ose hedhja e provave që lidhen me një hetim;
ç) pengimi i punës së zyrtarëve ose vëzhguesve, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre;
d) transbordimi pa autorizimin e kërkuar ose kur një transbordim i tillë është i ndaluar;
dh)kryerja e operacioneve të transferimit ose vendosjes në kosha, në shkelje të rregullave të ICCAT;
e) transbordimi nga ose drejt një anijeje tjetër, kryerja e operacioneve të transferimit, pjesëmarrja në operacione të përbashkëta peshkimi ose mbështetja dhe furnizimi i anijeve të listuara në listën e anijeve IUU të Republikës së Shqipërisë, të BE-së ose të një organizate rajonale të menaxhimit të peshkimit;
ë) pjesëmarrja në operimin, menaxhimin, pronësinë, përfshirë si pronar përfitues, ose ofrimi i shërbimeve logjistike, sigurimeve dhe financiare për operatorët e lidhur me një anije të listuar në listën e anijeve IUU të Shqipërisë, BE-së ose të një organizate rajonale të menaxhimit të peshkimit;
f) kryerja e aktiviteteve të peshkimit në kundërshtim me rregullat e zbatueshme në një zonë të kufizuar peshkimi;
g) peshkimi, kapja, mbajtja në bord, transbordimi, zbarkimi, ruajtja, shitja, ekspozimi ose ofrimi për shitje i specieve për të cilat këto aktivitete janë të ndaluara;
gj) kryerja e aktiviteteve të peshkimit për specie të kufizuara me kuota zënieje, pa kuotë ose kur kuota është ezauruar, ose për specie të ndaluara për shkak të moratoriumit, ndalimit të përkohshëm ose sezonit të mbyllur, përveç zënieve aksidentale;
h) menaxhimi, pronësia ose ushtrimi i aktivitetit të peshkimit me një anije peshkimi pa kombësi dhe, për rrjedhojë, një anije pa shtetësi, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare;
i) përdorimi i pajisjeve ose metodave të ndaluara të peshkimit;
j) falsifikimi i dokumenteve, informacionit ose të dhënave, të shkruara në letër ose të ruajtura në formë elektronike, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij;
k) manipulimi i motorit ose pajisjes së monitorimit të fuqisë së motorit me qëllim rritjen e fuqisë përtej kufirit të lejuar sipas certifikatës së motorit;
l) kryerja e aktiviteteve të peshkimit, duke përdorur punë të detyruar, siç përcaktohet në Konventën nr.29 të ILO-s mbi Punën e Detyruar.”.
Neni 27
Pas pikës 3, të nenit 118, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Rregulla të detajuara për procedurat e inspektimit për parandalimin, reduktimin dhe eliminimin e peshkimit të paligjshëm, të paraportuar e të parregulluar dhe skema e certifikimit të zënieve në peshkim miratohen me udhëzim të ministrit.”.
Neni 28
Pika 4, e nenit 125, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Monitoruesit janë pjesë e strukturës së ministrisë ose të institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakultures dhe mbledhin informacione apo statistika, sipas kërkesave të drejtorisë së peshkimit dhe në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian dhe Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun, sipas specifikimeve të nenit 93, të këtij ligji dhe mund:
a) të hipin në bordin e çdo anijeje peshkimi me qëllim të mbledhjes së informacionit të peshkimit;
b) të intervistojnë dhe të marrin informacione të tilla nga pronarët, kapitenët dhe peshkatarët e anijeve të peshkimit shqiptare të regjistruara.”.
Neni 29
Në pikën 1, të nenit 128, bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në shkronjën “v”, togfjalëshi “… sipas pikës 8/1 …” zëvendësohet me “… sipas pikës 9 …”.
2. Pas shkronjës “v” shtohen shkronjat “v/1” dhe “v/2”, me këtë përmbajtje:
“v/1. Mosinstalimi, dëmtimi, manipulimi, shuarja ose nxjerrja jashtë përdorimit për një periudhë të caktuar kohe i pajisjeve, sipas nenit 72/1, të këtij ligji, dënohet me gjobë, si më poshtë vijon:
i. Mosinstalimi në masën 200 000 lekë;
ii. Dëmtimi, manipulimi, shuarja ose nxjerrja jashtë përdorimit për një periudhë të caktuar kohe në masën 500 000 lekë.
v/2. Mosrespektimi i detyrimeve sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 85, të këtij ligji, dënohet me gjobë, si më poshtë vijon:
i. Transbordimi në det pa një autorizim paraprak, në masën 100 000 lekë;
ii. Mosplotësimi i deklaratës së transbordimit dhe/ose mosdërgimit të saj në QMP sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj, në masën 50 000 lekë.”.
3. Shkronja “ee” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ee) Përdorimi i veglave jo të autorizuara ose në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, në shkelje të shkronjës “j”, të nenit 117, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën nga 100 000 lekë deri në b500 000 lekë, si dhe shoqërohet me sekuestrimin e këtyre veglave të peshkimit.”.
Neni 30
Në nenin 130 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Kur numri total i pikëve është i barabartë ose tejkalon 18 pikë, leja e peshkimit dhe/ose e drejta për të komanduar një anije peshkimi si kapiten pezullohet automatikisht për një periudhë të paktën prej dy muajsh.
Në rast përsëritjeje, masa e pezullimit është, si më poshtë vijon:
a) Katër muaj, kur pezullimi ndodh për herë të dytë dhe numri i pikëve është i barabartë ose tejkalon 36 pikë;
b) Tetë muaj, kur pezullimi ndodh për herë të tretë dhe numri i pikëve është i barabartë ose tejkalon 54 pikë;
c) Një vit, kur pezullimi ndodh për herë të katërt dhe numri i pikëve është i barabartë ose tejkalon 72 pikë.
Në rast se pezullimi ndodh për herë të pestë dhe numri i pikëve është i barabartë ose tejkalon 90 pikë, leja e peshkimit dhe e drejta për të komanduar një anije peshkimi si kapiten do të tërhiqen përfundimisht dhe anija e peshkimit nuk do të përdoret për shfrytëzim tregtar të burimeve biologjike detare.”.
2. Pika 7 shfuqizohet.
Neni 31
Neni 132 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni132
Komisioni për Shqyrtimin e Ankimimeve
1. Për shqyrtimin e ankesave për lejet e peshkimit, ministri ngre Komisionin për Shqyrtimin e Ankimimeve, i cili përbëhet nga 5 anëtarë, përfaqësues nga stafi i drejtorisë përgjegjëse për peshkimin ose strukturat e saj të varësisë dhe të paktën një jurist.
2. Komisioni për Shqyrtimin e Ankimimeve kryen funksionet, si më poshtë vijon:
a) Shqyrton ankesat për lejet e peshkimit;
b) Verifikon përputhshmërinë e vendimeve të ankimuara me legjislacionin në fuqi;
c) Kërkon dokumentacion ose informacion shtesë, kur është e nevojshme;
ç) Dëgjon ankuesin;
d) Vendos për pranimin ose rrëzimin e ankesës;
dh)Propozon lënien në fuqi të vendimit ose shfuqizimin e vendimit të ankimuar;
e) Njofton ankuesin për vendimin e marrë.
3. Masa e shpërblimit të anëtarëve të komisionit përcaktohet, sipas legjislacionit në fuqi për shpërblimet e anëtarëve të këshillit, bordeve e komisioneve të përhershme.”.
Neni 32
Në nenin 135, pas pikës 2/1 shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/2. Ngarkohet ministri përgjegjës për peshkimin për miratimin e akteve nënligjore në zbatim të pikës 4, të nenit 19; të pikës 11/2, të nenit 30; të pikës 3, të nenit 34/2; të pikës 4, të nenit 52; të pikës 4, të nenit 67/1; të pikës 5, të nenit 72/1; të pikës 3, të nenit 74; të pikës 2, të nenit 82; të pikës 3, të nenit 85; të pikës 6, të nenit 93; dhe të pikës 4, të nenit 118, brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.”.
Neni 33
Dispozita kalimtare
1. Sistemi i monitorimi të anijeve të peshkimit, i përcaktuar në pikën 1, të nenit 72, instalohet:
a) brenda 31 dhjetorit 2027 në anijet me gjatësi të përgjithshme të barabartë dhe më të madhe se 9 metra deri në gjatësinë 11.99 metra;
b) brenda 1 janarit 2030 për anijet me gjatësi të përgjithshme nën 9 metra.
2. Sistemi i monitorimit elektronik në distancë (REM) instalohet në bordin e anijeve të peshkimit me gjatësi të barabarte dhe më të madhe se 18 metra brenda 1 janarit 2030.
3. Kërkesat dhe procedurat administrative, që preken nga ky vendim, zbatohen pas implementimit të sistemit elektronik që preket nga këto procedura.
Neni 34
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.64/2012, “PËR PESHKIMIN”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2024, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR RINOVIMIN E KONVIKTEVE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI, SIPAS PARIMIT TË EFICIENCËS SË ENERGJISË V””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2024, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri, sipas parimit të eficiencës së energjisë V””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit e relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2024, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR RINOVIMIN E KONVIKTEVE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI, SIPAS PARIMIT TË EFICIENCËS SË ENERGJISË V”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2024, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri, sipas parimit të eficiencës së energjisë V”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2023, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR KLIMËN NË SHQIPËRI – PROGRAM I HAPUR PËR EFICIENCËN E ENERGJISË DHE DIGJITALIZIMIN E SEKTORIT TË ENERGJISË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2023, për projektin “Programi për klimën në Shqipëri – program i hapur për eficiencën e energjisë dhe digjitalizimin e sektorit të energjisë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2023, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR KLIMËN NË SHQIPËRI – PROGRAM I HAPUR PËR EFICIENCËN E ENERGJISË DHE DIGJITALIZIMIN E SEKTORIT TË ENERGJISË”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2023, për projektin “Programi për klimën në Shqipëri – program i hapur për eficiencën e energjisë dhe digjitalizimin e sektorit të energjisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2024, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR KLIMËN NË SHQIPËRI II-PROGRAM I HAPUR MBI EFICIENCËN E ENERGJISË DHE DIGJITALIZIMIN E SEKTORIT TË ENERGJISË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2024, për projektin “Programi për klimën në Shqipëri II-program i hapur mbi eficiencën e energjisë dhe digjitalizimin e sektorit të energjisë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2024, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR KLIMËN NË SHQIPËRI II-PROGRAM I HAPUR MBI EFICIENCËN E ENERGJISË DHE DIGJITALIZIMIN E SEKTORIT TË ENERGJISË”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2024, për projektin “Programi për klimën në Shqipëri II-program i hapur mbi eficiencën e energjisë dhe digjitalizimin e sektorit të energjisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10431, DATË 9.6.2011, “PËR MBROJTJEN E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 19 bëhen shtesat e mëposhtme:
1. Pas shkronjës “b”, të pikës 1, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) restaurimin e elementeve të natyrës.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Masat përkatëse për restaurimin e natyrës, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.”.
Neni 2
Pas nenit 55 shtohet neni 55/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 55/1
Certifikimi i largimit të karbonit
1. Ministria u jep certifikatën e largimit të karbonit, si një shenjë dalluese dhe njohjeje, personave fizikë e juridikë, të cilët, gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre dhe prodhimit të produkteve, largojnë, mbledhin e depozitojnë karbonin në produkte, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin, miraton kriteret, procedurën dhe kërkesat për pajisjen me certifikatën e largimit të karbonit, mënyrën e dhënies, përdorimit dhe vlefshmërisë së saj, përbërjen dhe funksionimin e komisionit për lëshimin e certifikatës, mënyrën e aplikimit e të procedurës për dhënien e certifikatës, të referuar në pikën 1, të këtij neni.”.
Neni 3
Në kreun X bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i seksionit 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“INSTITUCIONET PËRGJEGJËSE”.
2. Pas nenit 58 shtohet neni 58/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 58/1
Ministria përgjegjëse për mjedisin
Ministria përgjegjëse për mjedisin është organ qendror politikëbërës e koordinues në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ka, por pa u kufizuar në to, këto detyra:
a) Zbaton parimet bazë të zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji për secilin nga përbërësit e mjedisit dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet publike dhe publikun;
b) Harton e paraqet për miratim, pranë Këshillit të Ministrave, strategjitë dhe planet mjedisore kombëtare për secilin nga përbërësit e mjedisit;
c) Lëshon lejet, licencat dhe autorizimet e nevojshme në fushën e mjedisit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për lejet, licencat e autorizimet dhe ligjet specifike sektoriale në fushën e mjedisit;
ç) Mbështet financiarisht projektet, që ndihmojnë zhvillimin e fushës së mjedisit.”.
3. Shkronja “g”, e pikës 1, të nenit 60, shfuqizohet.
4. Titulli i seksionit 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“MBËSHTETJA FINANCIARE PËR PROJEKTET NË FUSHËN E MJEDISIT”.
5. Neni 67 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 67
Fondi kombëtar i mjedisit
1. Fondi kombëtar i mjedisit krijohet në formën e një fondi financiar publik, që mbështet politikën kombëtare të mbrojtjes së mjedisit.
2. Burimet e financimit të fondit kombëtar të mjedisit janë:
a) buxheti i shtetit;
b) financime vendase apo të huaja për këtë qëllim.
3. Fondi kombëtar i mjedisit krijohet pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin dhe administrohet sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Mbështetja financiare e dhënë nëpërmjet fondit kombëtar të mjedisit, sipas këtij ligji, jepet në formën e granteve, subvencioneve ose instrumenteve të tjera të mbështetjes financiare për realizimin e projekteve dhe veprimtarive në fushën e mjedisit.”.
Neni 4
Pas nenit 67 shtohen nenet 67/1, 67/2 dhe 67/3, me këtë përmbajtje:
“Neni 67/1
Financimi i projekteve dhe i veprimtarive në fushën e mjedisit
1. Ministria përgjegjëse për mjedisin financon nga fondi kombëtar i miratuar çdo vit:
a) projekte të paraqitura nga organizata jofitimprurëse dhe individë, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre fushën e mjedisit;
b) projekte dhe veprimtari në fushën e mjedisit e që kanë një buxhet, që arrin mbi 50% të fondit vjetor për projekte;
c) projekte dhe veprimtari të ideuara e të propozuara nga vetë ministria përgjegjëse për mjedisin, si dhe agjencitë e varësisë në fushën e mjedisit.
2. Për realizimin e projekteve dhe të veprimtarive në fushën e mjedisit, skema e financimit mbulon deri në 100% të kostove të miratuara të projektit.
3. Procedurat e kriteret që ndiqen për financimin e projekteve, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 67/2
Miratimi i projekteve dhe i veprimtarive në fushën e mjedisit nga ministria përgjegjëse për mjedisin
1. Miratimi i projekteve dhe i veprimtarive në fushën e mjedisit bëhet nga ministri përgjegjës për mjedisin, me propozimin e komisionit të përbërë nga 5 nëpunës të administratës publike të nivelit të lartë e të mesëm, drejtues të strukturave përgjegjëse, që mbulojnë fushën e mjedisit në ministrinë përgjegjëse për mjedisin, të cilët përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin.
2. Kriteret dhe afatet në lidhje me kërkesëpropozimet për mbështetje financiare, të parashikuara në shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 67/1, të këtij ligji, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për mjedisin.
Neni 67/3
Kompetencat e komisionit të përzgjedhjes së projekteve
1. Komisioni ka këto kompetenca:
a) Përzgjedh dhe klasifikon projektet, bazuar në parimet e mbrojtjes, të ruajtjes e të zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit;
b) Harton dhe i propozon ministrit përgjegjës për mjedisin veprimtari e projekte në fushën e mjedisit, në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 67/1, të këtij ligji.
2. Mënyra e funksionimit të komisionit përcaktohet në rregulloren e miratuar nga ministri përgjegjës për mjedisin.”.
Neni 5
Në nenin 71 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Pas fjalës “… neneve …” shtohen fjalët “… 19, pika 3, …”;
b) Pas fjalëve “… 55, pika 6 …”, shtohen “… 55/1, pika 2, …”;
c) Fjalët “… 67, pika 2, …” zëvendësohen me “… 67, pika 3, 67/1, pika 3 …”.
2. Në pikën 2, fjalët “… të nenit 50, pika 4, …” zëvendësohen me “… të neneve 50, pika 4, 67/2, pika 2, e 67/3, pika 2 …”.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, ndërsa efektet financiare të tij fillojnë nga data 1 janar 2027.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10431, DATË 9.6.2011, “PËR MBROJTJEN E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81 e 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA