Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Shkurt 2025:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, LIDHUR ME HAPJEN E PËRFAQËSISË SË BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, LIDHUR ME HAPJEN E PËRFAQËSISË SË BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE NË SHQIPËRI
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
VENDOSI:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
REZERVAT MATERIALE TË SHTETIT
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij ligji është vendosja e bazave juridike dhe administrative për rregullimin e përbërjes, planifikimit dhe administrimit të rezervave materiale të shtetit.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për krijimin, mirorganizimin dhe miradministrimin e rezervave materiale të shtetit, në funksion të mbrojtjes së popullsisë, ekonomisë, gjësë së gjallë, pasurisë, trashëgimisë kulturore, mjedisit, si dhe dhënies së ndihmave humanitare.
Neni 3
Misioni
Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë dhe të ekonomisë, në situata të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore e fatkeqësive të tjera, veprimeve terroriste, në rast të çrregullimit të tregut, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë, trashëgimisë kulturore, mjedisin, si dhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Administrim” përfshin shpërndarjen, këmbimin, freskimin, plotësimin, ruajtjen ose mirëmbajtjen, heqjen, seleksionimin, huadhënien, blerjen, shitjen dhe çdo veprim tjetër që mund të kryhet me rezervat materiale të shtetit.
2. “Çrregullim i tregut”, prishja e theksuar e ekuilibrave të tregut, për shkak të rritjes së inflacionit, ku për përballimin e nevojave të tregut vendas, me vendim të Këshillit të Ministrave apo akt tjetër nënligjor, vendoset furnizimi apo plotësimi i nevojave me mall rezervë shteti.
3. “Dhurim”, dhurimi i rezervave materiale të shtetit vendeve të huaja në nevojë, brenda apo jashtë mekanizmit të mbrojtjes civile.
4. “Emergjencë civile” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin për mbrojtjen civile.
5. “Fatkeqësi natyrore” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin për mbrojtjen civile.
6. “Fatkeqësi të tjera” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin për mbrojtjen civile.
7. “Freskim”, zëvendësimi i rezervës materiale të shtetit për produktet, që janë në limitet e kohëruajtjes ose kur ato paraqesin rrezik zhvlerësimi cilësor.
8. “Heqje”, veprimi administrativ, që kryhet kur prona nuk mund t’i shërbejë më qëllimit, sipas këtij ligji, dhe është e domosdoshme të veprohet në përputhje me aktet nënligjore në fuqi.
9. “Infrastrukturë magazinuese” përfshin ambientet për vendosjen dhe ruajtjen e rezervave materiale të shtetit.
10. “Këmbim”, zëvendësimi i vlerës së mallit me një vlerë malli të një lloji tjetër, në cilësinë e kërkuar dhe në sasinë përkatëse, në varësi të vlerës monetare.
11. “Limit maksimal i rezervës materiale të shtetit”, sasitë e artikullit, të shprehura në njësi matëse, të cilat vlerësohen si maksimale nga pikëpamja e nevojave në Republikën e Shqipërisë.
12. “Limit minimal i artikullit të rezervës materiale të shtetit”, sasia e caktuar, e shprehur në njësi matëse, nën të cilën nuk duhet të bjerë sasia e rezervës materiale të shtetit të këtij artikulli.
13. “Mallra ndihmë humanitare” përfshijnë të gjitha ato mallra, që i jepen shtetit shqiptar si ndihmë humanitare nga shtete, donatorë dhe individë për rastet, sipas parashikimeve në nenin 2, të këtij ligji.
14. “Mallra të konfiskuara” përfshijnë mjetet e punës, lëndët e para, materialet, karburantet, produktet e gatshme, vlerat e tjera materiale dhe të gjitha sendet që kanë vlerë përdorimi për rezervën materiale të shtetit.
15. “Mallra rezervë” përfshijnë mjetet e punës, lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, vlerat e tjera materiale, që financohen nga buxheti i shtetit për të përballuar situatat e parashikuara në nenin 2, të këtij ligji.
16. “Ministri”, ministri përgjegjës për rezervat materiale të shtetit.
17. “Nomenklaturë”, tërësia e emërtimeve të mallrave ose sendeve rezervë materiale shteti.
18. “Operatorë ekonomikë”, persona juridikë, fizikë, të cilët kanë ose krijojnë marrëdhënie kontraktore me rezervat materiale të shtetit për administrimin e mallrave rezervë shteti.
19. “Plotësim”, shtimi i sasisë së rezervës materiale të shtetit deri në limitet maksimale, të përcaktuara për to.
20. “Rezervë materiale e shtetit” përfshin tërësinë e mallrave rezervë dhe aseteve, që administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit.
21. “Ruajtje apo mirëmbajtje” përfshin bashkësinë e të gjithë veprimtarisë së administratës së rezervës dhe të agjentëve ekonomikë gjatë fazave të trajtimit për rezervat materiale të shtetit.
22. “Seleksionim”, përzgjedhja e sendeve (mallrave rezervë shteti) dhe ndarja e tyre nisur nga vetitë, gjendja fizike dhe funksionaliteti.
23. “Strukturë e posaçme”, strukturë jo e përhershme, që krijohet për menaxhimin e situatave të gjendjes së luftës e të akteve të ndryshme terroriste, si dhe të gjendjes së jashtëzakonshme.
24. “Shpërndarje”, dhënia falas ose transferimi pa pagesë i rezervave materiale të shtetit.
25. “Zëvendësim”, zëvendësimi i vlerës së mallit me një vlerë të mallit të të njëjtit lloj, të barabartë në cilësi, përkatësisht në sasi.
KREU II
PËRBËRJA, PLANIFIKIMI DHE ADMINISTRIMI I REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT
Neni 5
Përbërja
Rezervat materiale të shtetit përbëhen nga:
a) mallrat rezervë, që financohen nga buxheti i shtetit;
b) mallrat, që vijnë si ndihmë humanitare;
c) mallrat, që kalojnë në pronësi të shtetit nga kundërvajtjet administrative dhe kryerja e veprave penale, që kanë vlerë përdorimi për rezervën materiale të shtetit;
ç) asetet që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë e që administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit.
Neni 6
Planifikimi
1. Planifikimi i rezervave materiale të shtetit bëhet nëpërmjet Planit Strategjik Afatmesëm të Rezervave Materiale të Shtetit dhe programit vjetor të rezervave materiale të shtetit.
2. Plani Strategjik Afatmesëm i Rezervave Materiale të Shtetit është dokumenti bazë i planifikimit dhe i zhvillimit të rezervave materiale të shtetit.
3. Plani Strategjik Afatmesëm i Rezervave Materiale të Shtetit përmban:
a) vendvendosjen;
b) infrastrukturën magazinuese dhe sistemin e sigurisë;
c) nomenklaturën e rezervave materiale të shtetit;
ç) sasinë minimale të mallrave, sipas llojit, e cila duhet të jetë gjithnjë gjendje për nevoja të furnizimit në raste të situatave të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore apo fatkeqësive të tjera, veprimeve terroriste;
d) sasinë maksimale të mallrave, sipas llojit, e cila vlerësohet si maksimale nga pikëpamja e nevojave në Republikën e Shqipërisë, në raste të situatave të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore apo fatkeqësive të tjera, veprimeve terroriste;
dh) plotësimin e nomenklaturës së rezervave materiale të shtetit;
e) shpërndarjen territoriale të rezervave materiale të shtetit;
ë) burimin e mjeteve financiare dhe shpërndarjen e tyre sipas destinacionit;
f) koston për ruajtjen e mallit rezervë shteti nga operatorët ekonomikë;
g) plotësimin e infrastrukturës magazinuese dhe sigurisë;
gj) medikamentet dhe pajisjet mjekësore;
h) furnizimin;
i) zëvendësimin;
j) freskimin;
k) përdorimin;
l) shpërndarjen;
ll) mirëmbajtjen;
m) shitjen;
n) këmbimin;
nj) dhurimin.
4. Programi vjetor për rezervat materiale të shtetit është veprimtaria teknike e planifikuar dhe hartohet në përputhje me Planin Afatmesëm Strategjik, në të cilin përcaktohet mënyra e zbatimit të elementeve përbërëse të Planit Afatmesëm Strategjik për vitin përkatës.
5. Plani Strategjik Afatmesëm i Rezervave Materiale të Shtetit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe rishikohet çdo 3 vjet.
6. Programi vjetor për rezervat materiale të shtetit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për rezervat materiale të shtetit.
7. Plani Strategjik Afatmesëm i Rezervave Materiale të Shtetit dhe programi vjetor për rezervat materiale trajtohen sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar.
Neni 7
Përdorimi
Rezervat materiale të shtetit përdoren për nevoja të furnizimit në raste:
a) të gjendjes së luftës dhe akteve terroriste;
b) të gjendjes së jashtëzakonshme;
c) të fatkeqësive natyrore, fatkeqësive të tjera, emergjencave civile, si pasojë e këtyre të dyjave, si dhe të çrregullimit të tregut;
ç) të dhënies së ndihmave humanitare të shteteve tjera të dëmtuara, sipas normave të së drejtës ndërkombëtare ose akteve të tjera nënligjore.
Neni 8
Shpërndarja
1. Shpërndarja e mallrave rezervë materiale të shtetit bëhet në rastet:
a) e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 7, të këtij ligji, gjatë së cilës Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit zbaton vendimet e dhëna nga strukturat e posaçme për menaxhimin e situatës;
b) e përcaktuara në shkronjën “c”, të nenit 7, të këtij ligji, gjatë së cilës Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit zbaton vendimet e dhëna nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile;
c) e përcaktuara në shkronjën “ç”, të nenit 7, të këtij ligji, gjatë së cilës Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit zbaton legjislacionin në fuqi për ndihmat humanitare ose akteve të tjera nënligjore për këtë qëllim.
2. Përveç rasteve të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit vlerëson dhe shpërndan mallra rezervë shteti, me kërkesë të kryetarit të bashkisë në situatat e emergjencave civile vendore dhe prefektit të qarkut në situatat e emergjenca civile rajonale, ku përcaktohet lloji i fatkeqësisë, përmbledhja e situatës emergjente aktuale, duke shprehur dhe pamundësinë e pushtetit lokal në mbështetjen e popullsisë, si dhe listën e nevojave për mbështetje.
3. Shpërndarja e mallrave rezervë materiale të shtetit bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm.
Neni 9
Financimi
1. Fondet për krijimin, plotësimin dhe administrimin e rezervave materiale të shtetit përballohen nga buxheti i shtetit.
2. Burimet e financimit të rezervave materiale të shtetit përbëhen nga:
a) buxheti i shtetit;
b) donacione të ndryshme;
c) burime të tjera të ligjshme.
Neni 10
Shitja
1. Mallrat rezervë shteti shiten në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankandin publik, në rast të:
a) pamundësisë së freskimit të tyre me institucionet publike apo me operatorët ekonomikë;
b) tejkalimit të gjendjes maksimale dhe pamundësisë së freskimit të tyre.
2. Të ardhurat që krijohen nga shitja e mallrave rezervë mbeten në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, me destinacion përdorimi për plotësimin e sasive të artikujve të shitur.
Neni 11
Ruajtja e limitit minimal
1. Kur nuk vendoset ndryshe, shpërndarja, freskimi, këmbimi, zëvendësimi ose shitja e mallrave rezervë bëhen duke ruajtur limitin minimal të tyre.
2. Për mallrat “ndihmë humanitare” nuk përcaktohet limiti minimal. Ato administrohen dhe përdoren si mallrat rezervë.
Neni 12
Marrja në dorëzim
1. Mënyra e marrjes në dorëzim të mallrave nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit rregullohet me udhëzim të Këshillit të Ministrave.
2. Rezerva materiale e shtetit nuk merr në dorëzim mallra:
a) të skaduara apo me afat përdorimi, jo më pak se 6 muaj para afatit të skadimit;
b) pa vlerë përdorimi për rezervën materiale të shtetit.
Neni 13
Blerja e rezervave materiale të shtetit
Blerja e rezervave materiale të shtetit, sipas planifikimeve buxhetore të bëra në programin vjetor, siguron plotësimin e nevojave të rezervës materiale të shtetit për:
a) infrastrukturën magazinuese dhe sigurisë;
b) mjetet logjistike dhe karburantet;
c) mallrat ushqimore rezervë shteti;
ç) mallrat industriale rezervë shteti.
Neni 14
Freskimi i mallrave rezervë
1. Freskimi i mallrave rezervë bëhet nëpërmjet këmbimit apo zëvendësimit me institucione që financohen nga buxheti i shtetit apo operatorët ekonomikë, që kanë kontrata të ngjashme furnizimi për këto mallra.
2. Kur freskimi nëpërmjet këmbimit apo zëvendësimit nuk realizohet me institucione që financohen nga buxheti i shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit siguron freskimin e mallrave rezervë me operatorët ekonomikë, sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik, duke ruajtur cilësinë e mallrave.
Neni 15
Seleksionimi
Seleksionimi i artikullit rezervë materiale të shtetit bëhet vetëm në rastet e avarisë së pakthyeshme ekologjike, të shkaktuara nga forcat madhore, të rrezikimit të jetës apo të shëndetit, si dhe për mbrojtjen nga zhvlerësimi i menjëhershëm i sasive të rezervës materiale të shtetit. Seleksionimi mund të bëhet edhe për materialet e përdorura apo të dëmtuara në situatat e parashikuara në nenin 3, të këtij ligji.
Neni 16
Magazinimi, ruajtja dhe mirëmbajtja e mallrave
1. Magazinimi afatgjatë i produkteve kryhet në njësitë rajonale vartëse.
2. Për mallrat e rezervave materiale të shtetit, në rast pamundësie magazinimi në njësitë rajonale vartëse apo nevoje për mirëmbajtje të mallrave, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit lidh kontrata për ofrimin e shërbimit të magazinimit me operatorët ekonomikë, të cilët plotësojnë kushtet teknike të nevojshme dhe të domosdoshme për të siguruar pandryshueshmërinë e gjendjes cilësore të mallrave rezervë materiale të shtetit, sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.
KREU III
DREJTORIA E PËRGJITHSHME E REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT
Neni 17
Organizimi dhe funksionimi
1. Rezervat materiale të shtetit administrohen nga ministri përgjegjës për rezervat materiale të shtetit nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit (në vijim DPRMSH), në mënyrat dhe kushtet që përcaktohen nga ky ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit është person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për rezervat materiale të shtetit, me seli në Tiranë.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit organizohet në dy nivele: në atë qendror dhe rajonal.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit ushtron këto përgjegjësi funksionale:
a) Zbaton politikën e Këshillit të Ministrave në fushën e rezervave materiale të shtetit;
b) Zbaton drejtimet strategjike dhe objektivat e përcaktuar nga ministria përgjegjëse për rezervat materiale të shtetit;
c) Bashkëpunon me organizatat homologe ndërkombëtare dhe organizmat ndërkombëtarë, në kuadër të zgjidhjes efektive të problemeve në fushën e rezervave materiale të shtetit, si dhe veprimtari të tjera për plotësimin e detyrave, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, në zbatim të tij, si dhe në normat e së drejtës ndërkombëtare;
ç) Lidh marrëveshje me organizatat homologe ndërkombëtare dhe organizmat ndërkombëtarë për rezervat materiale të shtetit.
5. Organizimi dhe funksionimi i DPRMSH-së, si dhe detyrat e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
6. Struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
7. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit përgjigjet për drejtimin dhe kontrollin e veprimtarisë administrative të degëve të saj rajonale.
8. Nëpunësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, në nivel qendror dhe rajonal, gëzojnë statusin e nëpunësit civil.
9. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë të DPRMSH-së, në nivel qendror dhe rajonal, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
10. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të DPRMSH-së, në nivel qendror dhe rajonal, miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit.
Neni 18
Drejtori i Përgjithshëm
1. Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit është autoriteti më i lartë administrativ i DPRMSH-së dhe përgjigjet drejtpërdrejt para ministrit për realizimin e politikave dhe të objektivave të përcaktuar.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit është nëpunës civil dhe emërohet, lirohet nga detyra, sipas legjislacionit për shërbimin civil.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit ka këto detyra:
a) Organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit;
b) Përfaqëson Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit;
c) Emëron dhe liron nga detyra punonjësit administrativë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit dhe të degëve rajonale, në varësi të saj;
ç) Menaxhon dhe është përgjegjës për buxhetin;
d) Nxjerr urdhra e udhëzime për veprimtarinë e strukturave të saj, në nivel qendror dhe rajonal, në fushën e rezervave materiale të shtetit;
dh) Bashkërendon veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit me organet qendrore dhe organet e tjera shtetërore në fushën e rezervave materiale të shtetit;
e) Siguron vendvendosjen e rezervave materiale të shtetit;
ë) Siguron krijimin dhe administrimin e rezervave materiale të shtetit, në përputhje me qëllimin dhe kërkesat e këtij ligji;
f) Kryen detyra të tjera, në zbatim të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi.
4. Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit informon periodikisht ministrin përgjegjës për rezervat materiale të shtetit, Këshillin e Ministrave dhe, kur i kërkohet, Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për gjendjen e mallrave rezervë materiale të shtetit.
Neni 19
Bashkëpunimi
Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit bashkëpunon me ministritë, institucionet qendrore, personat fizikë dhe juridikë, në funksion të ushtrimit të detyrave e të funksioneve të saj.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 20
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të pikës 5, të nenit 6, të pikës 1, të nenit 12, dhe të pikës 5, të nenit 17.
2. Ngarkohet Kryeministri, që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin nënligjor, në zbatim të pikës 6, të nenit 17.
3. Ngarkohet ministri përgjegjës për rezervat materiale të shtetit, që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të pikës 6, të nenit 6, dhe të pikës 10, të nenit 17.
4. Aktet nënligjore, të nxjerra deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk bien në kundërshtim me të, do të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve nënligjore, në zbatim të këtij ligji.
Neni 21
Shfuqizime
Ligji nr.9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 22
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR REZERVAT MATERIALE TË SHTETIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për rezervat materiale të shtetit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT, “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN PËR THEMELIMIN E ZYRËS EVROPIANE TË KOMUNIKACIONEVE (ECO), HAGË, MË 23 QERSHOR 1993, TË NDRYSHUAR NË KOPENHAGË, MË 9 PRILL 2002”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO) Hagë, më 23 qershor 1993, të ndryshuar në Kopenhagë, më 9 prill 2002”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN PËR THEMELIMIN E ZYRËS EVROPIANE TË KOMUNIKACIONEVE (ECO), HAGË, MË 23 QERSHOR 1993, TË NDRYSHUAR NË KOPENHAGË, MË 9 PRILL 2002
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO), Hagë, më 23 qershor 1993, të ndryshuar në Kopenhagë, më 9 prill 2002, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI