Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Tetor 2026
P R O J E K T L I GJ
PËR
KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E FONDIT KOMBËTAR PËR ARTIN
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
1. Ky ligj rregullon krijimin, organizimin, funksionimin dhe administrimin financiar të Fondit Kombëtar për Artin, si fond financiar publik, si dhe procedurat për blerjen, administrimin, ruajtjen, ekspozimin dhe regjistrimin e veprave të artit, artefakteve, koleksioneve dhe objekteve të tjera me vlerë artistike, historike e kulturore me interes publik.
2. Fondi Kombëtar për Artin administrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, legjislacionin për menaxhimin financiar dhe kontrollin, si dhe aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 2
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Artefakt”, çdo objekt me vlerë historike, arkeologjike, etnografike, artistike, dokumentare ose kulturore;
2. “Fondi”, Fondi Kombëtar për Artin, i krijuar me këtë ligj, si fond financiar publik, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë;
3. “Koleksion”, një tërësi e organizuar dhe e identifikueshme veprash arti, artefaktesh ose objektesh të tjera me vlerë artistike, historike, arkeologjike, etnografike, shkencore ose dokumentare, të mbledhura në mënyrë sistematike mbi bazën e një kriteri të përbashkët dhe që, si njësi e vetme, paraqet vlerë kulturore, studimore ose ekspozuese;
4. “Kursimet financiare nga prokurimet publike”, fondet e pashpenzuara, të krijuara nga diferenca ndërmjet fondit limit të miratuar në dokumentet e prokurimit publik dhe vlerës përfundimtare kontraktore, të konstatuara pas nënshkrimit të kontratës dhe verifikimit nga ministria përgjegjëse për financat;
5. “Vepër arti”, çdo krijim origjinal, i realizuar nga një autor në fushën e arteve pamore, figurative, dekorative, digjitale ose në forma të tjera të shprehjes artistike, që përmban vlerë estetike, kulturore, historike ose konceptuale dhe mbrohet sipas legjislacionit në fuqi për të drejtën e autorit.
Neni 3
Statusi juridik i Fondit
1. Fondi është fond financiar publik.
2. Fondi nuk ka personalitet juridik.
3. Fondi shërben për financimin e blerjes, administrimit, ruajtjes dhe ekspozimit të veprave të artit, artefakteve, koleksioneve dhe objekteve të tjera me vlerë artistike, historike e kulturore me interes publik.
4. Fondi përfaqësohet dhe administrohet nga ministria përgjegjëse për kulturën, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe menaxhimin financiar e kontrollin.
5. Fondet e Fondit planifikohen, miratohen, zbatohen, monitorohen e raportohen në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.
Neni 4
Qëllimi
Qëllimi i Fondit është pasurimi, mbrojtja dhe promovimi i vlerave artistike e kulturore kombëtare, nëpërmjet krijimit të një fondi financiar publik për blerjen e veprave të artit, artefakteve, koleksioneve dhe objekteve të tjera me vlerë historike e kulturore, me interes publik, të cilat nuk financohen ose nuk mbulohen nga fondet ekzistuese publike, me synim:
a) pasurimin e koleksioneve publike kombëtare;
b) mbrojtjen, rikthimin e ruajtjen në vend të veprave me rëndësi historike e kulturore;
c) nxitjen dhe mbështetjen e krijimtarisë artistike vendase dhe ndërkombëtare;
ç) sigurimin, ruajtjen dhe transmetimin e trashëgimisë artistike për brezat e ardhshëm;
d) vendosjen dhe ekspozimin e veprave të blera në hapësira publike dhe institucione publike, me qëllim rritjen e aksesit të publikut.
Neni 5
Fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet nga ministria përgjegjëse për kulturën, ministria përgjegjëse për financat, institucionet publike kulturore, si dhe çdo strukturë tjetër publike e përfshirë në procesin e blerjes, administrimit, ruajtjes ose ekspozimit të veprave të financuara nga Fondi.
Neni 6
Subjektet e ligjit
1. Subjektet e këtij ligji janë:
a) individët, personat fizikë dhe juridikë, vendas e të huaj, nga të cilët blihen ose përfitohen vepra arti, artefakte dhe objekte të tjera me vlerë historike, artistike dhe kulturore, në përputhje me këtë ligj;
b) ministria përgjegjëse për kulturën;
c) ministria përgjegjëse për financat;
ç) institucionet publike përfituese;
d) strukturat administrative të ngarkuara me zbatimin e Fondit.
2. Galeria Kombëtare e Arteve, në cilësinë e institucionit teknik e profesional, jep opinion të specializuar për vlerësimin artistik dhe mbështet proceset e përzgjedhjes, blerjes, administrimit dhe ekspozimit të veprave të artit në kuadër të Fondit.
3. Kompetencat për administrimin, vendimmarrjen dhe mbështetjen teknike të Fondit ndahen ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të parashikuara në këtë nen, funksionet dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për kulturën.
Neni 7
Parime të përgjithshme
1. Fondi funksionon mbi parimet e ligjshmërisë, transparencës, interesit publik, llogaridhënies, proporcionalitetit, eficiencës në përdorimin e fondeve publike dhe miradministrimit të fondeve publike.
2. Ndalohet financimi i dyfishtë publik për të njëjtin qëllim, objekt ose shpenzim.
3. Fondi funksionon mbi parimin e neutralitetit fiskal, duke u financuar vetëm nga kursimet e krijuara nga procedurat e prokurimit publik, pa cenuar balancat buxhetore dhe pa krijuar shpenzime të reja buxhetore.
4. Për shkak të natyrës së veçantë dhe unike të veprave të artit, procedurat e blerjes së tyre rregullohen sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, përmes një procedure të posaçme përzgjedhjeje dhe vendimmarrjeje kolegjiale, duke garantuar transparencë, konkurrencë të kufizuar sipas natyrës së tregut, llogaridhënie dhe kontroll financiar të plotë.
KREU II
ORGANIZIMI DHE ADMINISTRIMI I FONDIT
Neni 8
Administrimi i Fondit
1. Fondi administrohet brenda strukturës buxhetore të ministrisë përgjegjëse për kulturën. Përgjegjësitë e titullarit, nëpunësit autorizues dhe nëpunësit zbatues ushtrohen sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe për menaxhimin financiar e kontrollin.
2. Strukturat përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për kulturën zbatojnë administrimin buxhetor, kontabël dhe raportimin financiar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për financat publike në vend.
3. Planifikimi dhe zbatimi i fondit kryhen në kuadër të programeve buxhetore të ministrisë përgjegjëse për kulturën, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor.
Neni 9
Komisioni i blerjes së veprave të artit
1. Blerja e veprave të artit, artefakteve, koleksioneve dhe objekteve të tjera me vlerë artistike, historike e kulturore realizohet nga një komision kolegjial, i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për kulturën.
2. Komisioni përbëhet nga jo më pak se 3 dhe jo më shumë se 7 anëtarë, të përzgjedhur nga ekspertë vendas e të huaj, me përvojë në fushën e arteve pamore, historisë së artit, muzeologjisë, trashëgimisë kulturore, restaurimit, vlerësimit të tregut të artit ose në fusha të tjera, që lidhen me objektin e propozuar për blerje.
3. Vendimet e komisionit janë të arsyetuara, të dokumentuara dhe bëhen publike sipas rregullave të transparencës.
4. Rregullat për përbërjen, kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve, përfshirjen e ekspertëve të huaj, funksionimin dhe procedurat e vendimmarrjes së Komisionit dhe të sekretariatit teknik miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Komisioni asistohet nga sekretariati teknik, i cili përgatit dokumentacionin administrativ, ia përcjell atë strukturës përgjegjëse për blerjen dhe likuidimin financiar, si dhe bashkëpunon me institucionin përgjegjës, i cili administron Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore.
6. Dokumentacioni administrativ e financiar ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 10
Blerja e veprave
1. Blerja e veprave të artit, artefakteve, koleksioneve dhe objekteve të tjera me vlerë artistike, historike e kulturore realizohet sipas një procedure të veçantë, në ankande kombëtare ose ndërkombëtare, ose përmes negociimit të drejtpërdrejtë me pronarin e ligjshëm të objektit.
2. Nuk mund të blihet një objekt kur:
a) pronësia ose prejardhja e tij nuk provohet;
b) ekzistojnë dyshime të arsyeshme për autenticitetin ose qarkullimin e ligjshëm civil të tij;
c) objekti rezulton i vjedhur, i trafikuar, i humbur ose objekt i një mosmarrëveshjeje pronësie;
ç) shitësi nuk jep garancitë e nevojshme kontraktore për pronësinë, autenticitetin dhe mungesën e barrëve;
d) blerja bie ndesh me legjislacionin kombëtar ose ndërkombëtar të zbatueshëm.
3. Rregullat e hollësishme për procedurën e blerjes, dokumentacionin, kriteret dhe mënyrën e vlerësimit e të përzgjedhjes së objekteve, zhvillimin e ankandeve, miratimin e shpenzimeve, kontraktimin, pagesën, marrjen në dorëzim dhe regjistrimin e objekteve, si dhe çdo aspekt tjetër të nevojshëm për zbatimin e këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 11
Pronësia dhe administrimi i veprave
1. Veprat e blera sipas këtij ligji bëhen pronë publike shtetërore dhe regjistrohen në inventarin përkatës publik dhe, kur është rasti, në regjistrat përkatës të pasurive kulturore, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Caktimi i institucionit publik përfitues bëhet me vendim të ministrit përgjegjës për kulturën, duke marrë në konsideratë natyrën e veprës, interesin publik, kushtet e administrimit e të ruajtjes së saj, si dhe kontributin e institucionit publik, nga i cili janë krijuar kursimet financiare të përdorura për blerjen e veprës.
3. Administrimi, ruajtja, restaurimi, sigurimi fizik dhe ekspozimi i tyre realizohen nga institucionet publike përfituese, duke përfshirë vendosjen e tyre në hapësira publike dhe institucione publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4. Rregullat për shpërndarjen, vendosjen në hapësira publike dhe administrimin, ruajtjen, transferimin dhe ekspozimin e veprave të blera përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU III
FINANCIMI I FONDIT
Neni 12
Burimet financiare
1. Financimi nga buxheti i shtetit i Fondit sigurohet nga kursimet e krijuara nga procedurat e prokurimit publik të institucioneve të administratës shtetërore, të verifikuara e të certifikuara nga ministria përgjegjëse për financat si të disponueshme për rishpërndarje në vitin buxhetor përkatës. Në këto kursime buxhetore nuk përfshihen kursimet e krijuara nga procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik.
2. Shuma e përgjithshme e alokuar për Fondin gjatë një viti buxhetor nuk mund të tejkalojë 10 për qind të vlerës së kursimeve të prokurimeve publike të verifikuara e të certifikuara si të disponueshme nga ministria përgjegjëse për financat. Shuma konkrete vjetore e financimit të Fondit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit përgjegjës për kulturën, në përputhje me ligjin vjetor të buxhetit dhe legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor.
3. Kursimet buxhetore konsiderohen përfundimtare pas përfundimit të procedurës së prokurimit dhe nënshkrimit të kontratës përkatëse.
4. Kursimet financiare përfshijnë edhe ato të krijuara nga procedurat e prokurimit të përqendruar, të zhvilluara nga organi qendror blerës.
5. Fondi nuk financohet nga burime të tjera të buxhetit të shtetit, përfshirë transfertat buxhetore, fondet rezervë, fondet e kontingjencës apo burime të tjera buxhetore.
6. Fondi mund të financohet gjithashtu nga donacione, sponsorizime dhe grante nga Bashkimi Evropian, organizata ndërkombëtare dhe partnerë strategjikë kulturorë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 13
Mekanizmi i kalimit të fondeve
1. Institucionet e administratës shtetërore raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë ministrisë përgjegjëse për financat kursimet financiare të krijuara nga procedurat e prokurimit publik.
2. Ministria përgjegjëse për financat verifikon dhe certifikon kursimet financiare të raportuara nga institucionet e administratës shtetërore.
3. Ministria përgjegjëse për financat konsolidon kursimet e raportuara dhe përllogarit shumën përkatëse, e cila alokohet për Fondin, nëpërmjet ligjit vjetor të buxhetit.
4. Shuma e miratuar për Fondin në ligjin vjetor të buxhetit regjistrohet dhe vihet në dispozicion të ministrisë përgjegjëse për kulturën, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor.
5. Kur alokimi i propozuar kërkon ndryshimin e ligjit vjetor të buxhetit, vënia në dispozicion e fondeve kryhet pas hyrjes në fuqi të ndryshimit përkatës.
6. Procedurat e raportimit, konsolidimit dhe transferimit të fondeve përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
7. Fondet buxhetore të pashpenzuara në përfundim të vitit buxhetor trajtohen e raportohen sipas rregullave të mbylljes së buxhetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 14
Kursimet nga procedurat e prokurimit të përqendruar
1. Në rastet kur procedurat e prokurimit publik zhvillohen nga organi qendror blerës, kursimet financiare përcaktohen si diferenca ndërmjet fondit limit të miratuar dhe vlerës përfundimtare kontraktore.
2. Kursimet e krijuara nga procedurat e prokurimit të përqendruar verifikohen, certifikohen e konsolidohen nga ministria përgjegjëse për financat.
3. Këto kursime përfshihen në vlerën totale vjetore të kursimeve financiare nga prokurimet publike dhe merren në konsideratë për përllogaritjen e shumës deri në 10% që alokohet për Fondin, sipas nenit 12, të këtij ligji.
Neni 15
Donacionet, sponsorizimet dhe grantet
1. Ministria përgjegjëse për kulturën, për nevojat e Fondit, mund të pranojë donacione, sponsorizime dhe grante nga subjekte publike ose private, vendase ose të huaja, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Donacionet, sponsorizimet dhe grantet:
a) administrohen veçmas nga fondet e tjera të Fondit dhe nuk krijojnë detyrime financiare për buxhetin e shtetit;
b) përdoren vetëm për qëllimet, për të cilat janë dhënë dhe në përputhje me këtë ligj;
c) nuk mund të kushtëzohen në mënyrë që të cenojnë interesin publik, transparencën, barazinë në përfitim apo pavarësinë e vendimmarrjes ose integritetin e procesit të blerjes.
3. Administrimi financiar, përdorimi dhe raportimi i donacioneve, sponsorizimeve dhe granteve realizohet në përputhje me rregullat e kontabilitetit publik dhe legjislacionin për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
4. Donacionet, sponsorizimet dhe grantet raportohen veçmas në raportimin financiar vjetor të Fondit dhe i nënshtrohen kontrollit të brendshëm financiar publik dhe auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Neni 16
Balancimi financiar i Fondit
1. Fondet e Fondit balancohen çdo vit në përputhje me rregullat e balancimit buxhetor të përcaktuara në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor.
2. Fondet e pashpenzuara në fund të vitit buxhetor nuk mbarten në vitin pasardhës, përveç rasteve kur legjislacioni në fuqi ose marrëveshjet e financimit parashikojnë ndryshe.
3. Fondi buxhetor i Fondit Kombëtar për Artin çelet nga ministria përgjegjëse për financat menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit vjetor të buxhetit, sipas shumës së miratuar në të, dhe vihet në dispozicion të ministrisë përgjegjëse për kulturën për përdorim, në përputhje me këtë ligj.
Neni 17
Konsolidimi dhe raportimi financiar
1. Fondi konsolidohet në llogaritë e qeverisjes së përgjithshme, në përputhje me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe kuadrin rregullator në fuqi për kontabilitetin dhe raportimin financiar publik.
2. Fondet e Fondit dhe fondet e përfituara nga sponsorizimet, donacionet dhe grantet administrohen e raportohen veçmas, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Donacionet, sponsorizimet dhe grantet pasqyrohen veçmas për qëllime transparence, monitorimi dhe kontrolli në raportimin financiar të Fondit.
4. Raportimi financiar i Fondit, përfshirë përdorimin e fondeve nga donacionet, sponsorizimet dhe grantet, përbën pjesë përbërëse të raportimit vjetor të buxhetit të shtetit.
Neni 18
Mbyllja e fondit
1. Fondi mund të mbyllet vetëm me ligj.
2. Në rast mbylljeje, të gjitha fondet e pashpenzuara, aktivet, si dhe detyrimet financiare të Fondit, transferohen e trajtohen sipas legjislacionit për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe konsolidohen në buxhetin e shtetit.
3. Procedurat e mbylljes financiare, inventarizimi i aktiveve dhe likuidimi i detyrimeve kryhen në përputhje me rregullat e kontabilitetit publik dhe legjislacionin për menaxhimin financiar e kontrollin.
KREU IV
TRANSPARENCA DHE KONTROLLI
Neni 19
Transparenca
1. Ministria përgjegjëse për kulturën publikon çdo vit listën e veprave të blera të regjistruara në inventarin publik, vlerat financiare përkatëse dhe raportin e përdorimit të Fondit.
2. Informacioni publikohet në format të hapur e të aksesueshëm për publikun, në përputhje me legjislacionin për të drejtën e informimit.
Neni 20
Shmangia e konfliktit të interesave
1. Anëtarët e komisioneve dhe të strukturave zbatuese zbatojnë legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
2. Asnjë anëtar i Komisionit apo i strukturave zbatuese nuk merr pjesë në shqyrtimin, vlerësimin ose vendimmarrjen për përzgjedhje, ku ai vetë, familjarët e tij ose subjektet, me të cilat ka lidhje interesi, përfitojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi.
Neni 21
Kontrolli dhe auditimi
Fondi i nënshtrohet auditimit të brendshëm, kontrollit të brendshëm financiar publik dhe auditimit të jashtëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 22
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 6, pika 3, 9, pika 4, 10, pika 3, e 11, pika 4, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për financat, që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë udhëzimin e parashikuar në pikën 6, të nenit 13, të këtij ligji.
Neni 23
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E FONDIT KOMBËTAR PËR ARTIN”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E INSTITUCIONIT PUBLIK TË ARSIMIT TË MESËM TË LARTË “LICEU FRANCEZ I KORÇËS”
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i kuadrit ligjor për ngritjen, funksionimin dhe administrimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës” (në vijim Liceu), i orientuar në fushën e të nxënit shkencë dhe inovacion, që ushtron veprimtarinë në qytetin e Korçës.
Neni 2
Qëllimi i ligjit
Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë një qasje rajonale e ndërkombëtare, duke zhvilluar partneritete arsimore, kulturore dhe shkencore franko-shqiptare, të promovojë dialogun ndërkulturor dhe vlerat e frankofonisë, si dhe të nxisë bashkëpunimin me institucione arsimore dhe kulturore shqiptare e franceze nëpërmjet programeve edukative, artistike dhe shkëmbimeve kulturore ndërkombëtare.
KREU II
DREJTIMI, ORGANIZIMI, BURIMET NJERËZORE
Neni 3
Parimet kryesore të funksionimit
Liceu funksionon sipas parimeve të:
a) respektimit të rendit juridik të Republikës së Shqipërisë;
b) barazisë dhe mosdiskriminimit;
c) garantimit të cilësisë dhe standardeve shkollore;
ç) autonomisë pedagogjike;
d) transparencës dhe llogaridhënies;
dh) bashkëpunimit ndërkombëtar;
e) mbrojtjes së të drejtave të nxënësve.
Neni 4
Organizimi
1. Liceu është person juridik publik, i cili gëzon autonomi administrative e financiare, për administrimin e fondeve të institucionit brenda kufijve të buxhetit vjetor të miratuar, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi.
2. Vula e institucionit të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës” prodhohet, mirëmbahet dhe administrohet, sipas akteve rregullatore të brendshme të institucionit arsimor.
3. Organet dhe autoritetet drejtuese të Liceut janë, si më poshtë vijon:
a) Këshilli administrativ;
b) Këshilli i institucionit;
c) Drejtori i Liceut.
Neni 5
Këshilli administrativ
1. Këshilli administrativ është organi vendimmarrës i Liceut, i cili garanton autonominë e institucionit, zbatimin e parimeve të ligjshmërisë, përgjegjësisë, mbikëqyrjes, paanësisë, objektivitetit dhe transparencës.
2. Këshilli administrativ kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin në Republikën e Shqipërisë ose përfaqësuesi i autorizuar prej tij dhe kanë në përbërje, si më poshtë vijon:
a) Një përfaqësues të Ambasadës Franceze në Shqipëri;
b) Një përfaqësues të caktuar nga autoritetet franceze përgjegjëse për arsimin;
c) Një ekspert financiar të caktuar nga ministria përgjegjëse për arsimin në Republikën e Shqipërisë;
ç) Një ekspert në fushën e arsimit parauniversitar të caktuar nga ministria përgjegjëse për arsimin në Republikën e Shqipërisë.
3. Këshilli administrativ ka këto kompetenca:
a) Mbikëqyr funksionimin e përgjithshëm të institucionit;
b) I propozon ministrit përgjegjës për arsimin në Republikën e Shqipërisë strukturën, organikën e Liceut dhe planin afatmesëm të zhvillimit të tij;
c) Emëron drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e Liceut, sipas propozimeve përkatëse të ministrisë franceze për arsimin dhe ministrisë shqiptare përgjegjëse për arsimin;
ç) Autorizon drejtorin e institucionit për nënshkrimin e marrëveshjeve dhe kontratave me palë të treta, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) Përcakton orientimet kryesore pedagogjike;
dh) Propozon projektbuxhetin vjetor të Liceut, i cili i paraqitet ministrisë përgjegjëse për arsimin për t’u përfshirë në projektbuxhetin e saj;
e) Miraton aktet e brendshme rregullatore;
ë) Ka kompetencën e përcaktimit të pagave dhe/ose trajtimeve të tjera financiare të të punësuarve të Liceut.
4. Veprimtaria e këshillit administrativ kryhet pa shpërblim.
5. Drejtori i institucionit nuk është anëtar i këshillit administrativ, por mund të ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e tij.
Neni 6
Këshilli i institucionit
1. Këshilli i institucionit është organ këshillimor për këshillin administrativ dhe drejtorin e institucionit dhe siguron dialogun e bashkërendimin pedagogjik, për sa i takon organizimit të jetës shkollore, projekteve edukative, kushteve të punës e të përdorimit të hapësirave, si dhe aktiviteteve jashtëshkollore.
2. Këshilli i institucionit drejtohet nga drejtori i Liceut dhe përbëhet nga:
a) dy përfaqësues të caktuar nga ministria përgjegjëse për arsimin në Republikën e Shqipërisë;
b) dy përfaqësues të caktuar nga Ambasada e Francës në Republikën e Shqipërisë;
c) një përfaqësues i caktuar nga Bashkia e Korçës;
ç) zëvendësdrejtori i Liceut;
d) një përfaqësues i mësuesve të kurrikulës franceze;
dh) një përfaqësues i mësuesve të kurrikulës shqiptare;
e) një përfaqësues i personelit jomësimor;
ë) dy përfaqësues të prindërve/personave që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore;
f) tre përfaqësues të nxënësve (për çdo nivel: i dhjetë, i njëmbëdhjetë, i dymbëdhjetë).
3. Mënyra e përzgjedhjes së përfaqësuesve, të përcaktuar në shkronjat “d”, “dh”, “e”, “ë” dhe “f”, të pikës 2, të këtij neni, detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit të institucionit përcaktohen në rregulloren e brendshme të institucionit, miratuar nga këshilli administrativ.
Neni 7
Drejtori
1. Drejtori i Liceut propozohet nga ministria franceze përgjegjëse për arsimin, në kuadër të bashkëpunimit arsimor, ndërmjet Republikës së Francës dhe Republikës së Shqipërisë.
2. Drejtori është përfaqësuesi ligjor i institucionit për çështjet e mësimdhënies e protokollare dhe ka këto detyra:
a) Përfaqëson institucionin në marrëdhënie arsimore dhe protokollare me të tretët;
b) Nënshkruan në emër të institucionit marrëveshjet dhe kontratat, pas marrjes së autorizimit nga këshilli administrativ;
c) I propozon këshillit administrativ projektbuxhetin;
ç) Autorizon kryerjen e veprimeve financiare të institucionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) Miraton kriteret e punësimit të personelit dhe nënshkruan kontratat e punës me të;
dh) Koordinon veprimtarinë arsimore të institucionit dhe siguron zbatimin e kurrikulës;
e) Siguron koordinimin ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe franceze, duke garantuar përputhshmërinë e programeve mësimore me programet e miratuara nga ministria shqiptare përgjegjëse për arsimin dhe ministria franceze përgjegjëse për arsimin;
ë) Mund të delegojë kompetencat e tij te zëvendësdrejtori/ët, në rast të pamundësisë fizike/ ligjore ose mungesës së përkohshme.
Neni 8
Zëvendësdrejtori
1. Zëvendësdrejtori i Liceut propozohet nga ministria përgjegjëse për arsimin në Republikën e Shqipërisë dhe plotëson kriteret e kualifikimit, sipas legjislacionit që rregullon sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, i cili mbështet drejtorin e institucionit në çështjet pedagogjike të Liceut, zbatimin e kurrikulës, mësimdhënien dhe vlerësimet e nxënësve.
2. Detyrat e zëvendësdrejtorit përcaktohen në rregulloren e brendshme të Liceut.
KREU III
KURRIKULA DHE MËSIMDHËNIA
Neni 9
Gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi
Procesi mësimor në Lice zhvillohet në gjuhët shqip, frëngjisht dhe anglisht.
Neni 10
Kurrikula
1. Mësimdhënia bazohet në një bashkërendim koherent të kurrikulave kombëtare franceze dhe shqiptare, të miratuara nga autoritetet arsimore përgjegjëse përkatëse, duke respektuar plotësisht integritetin përkatës të secilit shtet.
2. Kurrikula përfshin kërkesat pedagogjike, kompetencat dhe standardet arsimore të të dyja sistemeve arsimore, me qëllim që t’u mundësojë nxënësve marrjen e dy diplomave të përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, Baccalauréat Francez dhe matura shtetërore shqiptare.
3. Kurrikula e zbatuar për lëndët e zhvilluara në gjuhën frënge mbikëqyret nga ministria franceze përgjegjëse për arsimin, ndërsa për lëndët që zhvillohen në gjuhët shqip dhe anglisht mbikëqyret nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Shqipërisë.
4. Modalitetet e harmonizimit, ndjekjes dhe vlerësimit të programeve mësimore përcaktohen nëpërmjet protokolleve të bashkëpunimit midis autoriteteve arsimore franceze dhe shqiptare.
Neni 11
Dokumentet shkollore
1. Në përfundim të çdo viti shkollor, nxënësit pajisen me dëftesat përkatëse të përfundimit të klasës, të lëshuara sipas legjislacionit shqiptar dhe atij francez. Dëftesa lëshohet nga drejtori i Liceut.
2. Lëndët e maturës shtetërore shqiptare dhe asaj franceze përcaktohen në legjislacionet përkatëse të të dyja shteteve. Për provimet e detyruara dhe me zgjedhje të maturës shtetërore shqiptare, nxënësve u njihen vlerësimet e kryera në maturën shtetërore franceze, me përjashtim të lëndës gjuhë shqipe dhe letërsi, provim i cili është i detyrueshëm.
3. Nxënësi që përfundon me sukses klasën e dymbëdhjetë dhe rezulton kalues në provimet e maturës shtetërore shqiptare dhe asaj franceze, pajiset me diplomën e maturës shtetërore shqiptare dhe me diplomën e maturës shtetërore franceze, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse për organizimin dhe realizimin e provimeve të maturës shtetërore.
4. Formati dhe përmbajtja e dëftesës së klasës dhe diplomës së maturës shtetërore është sipas përcaktimit të legjislacionit shqiptar dhe francez në fuqi për dokumentet shkollore.
Neni 12
Pranimi dhe regjistrimi i nxënësve
1. Nxënësit, të cilët aplikojnë për t’u regjistruar në Lice, duhet të kenë përfunduar arsimin bazë dhe të kenë njohuri të gjuhës frënge, sipas nivelit të kërkuar në rregulloren e institucionit.
2. Për regjistrimin e nxënësit që ka përfunduar arsimin bazë në Republikën e Shqipërisë përfaqësuesi ligjor aplikon në portalin “e-Albania”, ndërsa për regjistrimin e nxënësit që ka përfunduar arsimin bazë jashtë vendit, përfaqësuesi ligjor aplikon në adresën zyrtare të institucionit, duke ngarkuar dëftesën e njëvlershme të arsimit bazë.
Neni 13
Punonjësit mësimorë dhe jomësimorë të Liceut
1. Rekrutimi i punonjësve mësimorë dhe jomësimorë të Liceut bëhet në përputhje me organikën dhe strukturën e miratuar nga ministri përgjegjës për arsimin në Republikën e Shqipërisë, pas propozimit të këshillit administrativ.
2. Procedurat e punësimit për punonjësit shqiptarë kryhen në bazë të Kodit të Punës, ndërsa procedurat për punësimin e punonjësve të huaj kryhen në përputhje me Kodin e Punës për punësimin e shtetasit të huaj dhe sipas procedurave të brendshme të miratuara nga institucioni.
Neni 14
Statusi i personelit mësimor të huaj
1. Personeli mësimor i huaj, i rekrutuar nga autoritetet kompetente të shtetit të huaj për të ushtruar funksione mësimore në institucionin arsimor, të themeluar sipas këtij ligji, gëzon të drejtën e qëndrimit dhe ushtrimit të profesionit në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt.
2. Personeli i përmendur në pikën 1, të këtij neni, gëzon trajtim të barabartë me punonjësit shqiptarë në lidhje me:
a) kushtet e punës dhe sigurinë në punë;
b) kohëzgjatjen e punës dhe pushimet;
c) mbrojtjen nga diskriminimi;
ç) mbrojtjen nga zgjidhja e padrejtë e marrëdhënies së punës;
d) aksesin në mbrojtje gjyqësore dhe administrative.
3. Marrëdhëniet e punës rregullohen sipas kontratës përkatëse dhe legjislacionit shqiptar në fuqi, përveç rasteve kur marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, parashikojnë ndryshe. Personeli arsimor i huaj përfiton nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore sipas legjislacionit shqiptar ose në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për sigurimet shoqërore të lidhura ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit përkatës.
4. Të ardhurat e personelit arsimor të huaj tatohen në bazë të përcaktimeve të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës të Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Franceze, për shmangien e taksimit të dyfishtë për tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin e për parandalimin e evazionit fiskal, si dhe legjislacionit përkatës tatimor.
5. Në regjimin doganor:
a) personeli arsimor i huaj, në rast transferimi të vendbanimit në Republikën e Shqipërisë, përfiton nga përjashtimi nga detyrimet doganore për mallrat personale dhe sendet e përdorimit familjar, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi;
b) pajisjet profesionale dhe materialet pedagogjike, të destinuara për përdorim në institucionin arsimor, mund të përfitojnë nga regjimi i lejimit të përkohshëm ose nga lehtësime doganore, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi;
c) përjashtimet ose lehtësimet doganore, të parashikuara në këtë nen, zbatohen vetëm për mallra të natyrës jotregtare dhe në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
KREU IV
BURIMET FINANCIARE DHE MATERIALE
Neni 15
Financimi
1. Këshilli administrativ është përgjegjës për administrimin e fondeve të institucionit, brenda kufijve të buxhetit vjetor të miratuar, dhe raporton periodikisht mbi ekzekutimin e tij pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, sipas afateve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
2. Burimet e financimit përfshijnë:
a) fonde nga buxheti i shtetit, të përcaktuara çdo vit sipas programit buxhetor afatmesëm, të miratuar për Ministrinë e Arsimit, dhe sipas metodologjisë së financimit për Liceun, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) të ardhura nga tarifat e shkollimit për shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të propozuara nga këshilli administrativ dhe të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, të cilat përdoren ekskluzivisht për shpenzimet e stafit mësimor e administrativ me shtetësi të huaj, dhe për shpenzime specifike të programit arsimor dhe raportohen çdo vit pranë Ministrisë së Arsimit;
c) kontribute financiare ose materiale të institucioneve vendase ose të huaja;
ç) të ardhura nga burime të tjera të ligjshme.
3. Administrimi dhe përdorimi i fondeve publike, të ardhurave vetjake dhe kontributeve ndërkombëtare kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin, si dhe me standardet e transparencës dhe llogaridhënies.
4. Veprimtaria financiare e Liceut i nënshtrohet auditimit dhe kontrollit administrativ e financiar nga autoritetet kompetente, përfshirë institucionet përgjegjëse për arsimin dhe financat publike, sipas legjislacionit në fuqi.
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 16
Konstituimi i këshillave drejtues dhe dispozita kalimtare
1. Këshilli administrativ ngrihet dhe realizon ushtrimin e funksioneve dhe të kompetencave brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Këshilli i institucionit ngrihet dhe realizon ushtrimin e funksioneve dhe të kompetencave brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
3. Për rregulla që nuk përcaktohen me këtë ligj, institucioni zbaton legjislacionin për arsimin parauniversitar.
Neni 17
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 9 (nëntë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 15, të këtij ligji.
2. Ngarkohet Këshilli administrativ, që, brenda 8 (tetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet e brendshme rregullatore të Liceut.
Neni 18
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E INSTITUCIONIT PUBLIK TË ARSIMIT TË MESËM TË LARTË “LICEU FRANCEZ I KORÇËS””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA