Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Qershor 2026
P R O J E K T L I GJ
PËR
MBYLLJEN E SHOQËRIVE TREGTARE ME KAPITAL SHTETËROR NË LIKUIDIM
Në mbështetje të neneve 78, pika 1, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është mbyllja dhe çregjistrimi përfundimtar i shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim, si dhe përcaktimi i mekanizmit për trajtimin, administrimin dhe kalimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, jo më pak se 51 %, të cilat ndodhen në proces likuidimi në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, që shpallen në proces likuidimi pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, vijojnë procedurat e likuidimit sipas ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
Neni 2/1
Përkufizime
Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptime:
1. “Shoqëri tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, çdo shoqëri tregtare në të cilën shteti, drejtpërdrejt ose tërthorazi, zotëron jo më pak 51% të kapitalit dhe për të cilën është marrë vendimi për prishje dhe është hapur procedura e likuidimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. “Mbyllje e shoqërisë”, procesi i përfundimit të likuidimit, transferimit të të drejtave dhe detyrimeve, sipas këtij ligji, dhe çregjistrimit të shoqërisë nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
3. “Shoqëria shtetërore pasuese”, shoqëria tregtare shtetërore, e krijuar në zbatim të këtij ligji, e cila administron asetet dhe detyrimet e transferuara nga shoqëritë në likuidim.
4. “Detyrime të pakërkueshme”, detyrimet për të cilat, bazuar në dokumentacionin financiar dhe juridik të disponueshëm, rezulton se kreditori nuk ekziston, nuk është i identifikueshëm, ka hequr dorë nga kërkesa ose për të cilat nuk është paraqitur kërkesë për një periudhë të gjatë dhe nuk ekziston mundësi reale për ekzekutim.
5. “Detyrime të parashkruara”, detyrimet për të cilat ka kaluar afati i parashkrimit, sipas legjislacionit civil në fuqi.
6. “Transferim ligjor”, kalimi i të drejtave dhe i detyrimeve nga shoqëritë në likuidim te shoqëria shtetërore pasuese, i realizuar drejtpërdrejt, në bazë të këtij ligji.
7. “Asete”, pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, të drejtat pasurore dhe çdo interes tjetër ekonomik, në pronësi ose në administrim të shoqërive në likuidim.
KREU II
PROCEDURA E MBYLLJES SË SHOQËRIVE TREGTARE ME KAPITAL SHTETËROR NË LIKUIDIM
Neni 3
Procedura e mbylljes së shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim
1. Asambleja e Përgjithshme e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim vendos fillimin e procedurës së çregjistrimit, sipas parashikimeve të këtij ligji.
2. Të drejtat dhe detyrimet e shoqërive tregtare shtetërore në likuidim transferohen nga shoqëritë ekzistuese te shoqëria tregtare shtetërore e krijuar, në zbatim të këtij ligji.
3. Pas përfundimit të transferimit të të drejtave dhe detyrimeve, Asambleja e Përgjithshme merr vendimin për mbylljen përfundimtare të shoqërive tregtare shtetërore në likuidim, si dhe autorizon çregjistrimin e tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Neni 4
Inventarizimi
1. Shoqëritë tregtare shtetërore në likuidim, që u nënshtrohen parashikimeve të këtij ligji, kryejnë një vlerësim të plotë ekonomiko-financiar, si dhe përgatitin raportin përfundimtar të mbylljes, i cili përfshin detyrimisht:
a) listën e detyrimeve dhe kërkesave për arkëtim;
b) listën e detyrimeve dhe kërkesave për arkëtim të parashkruara;
c) listën e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme;
ç) dokumentacionin tekniko-ligjor përkatës.
2. Raporti përfundimtar i mbylljes, i parashikuar në pikën 1, të këtij neni, i përcillet shoqërisë shtetërore pasuese për administrim dhe trajtim të mëtejshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Në kuadër të procedurës së mbylljes, detyrimet debitore dhe kreditore të parashkruara, për të cilat rezulton se nuk ka pretendime, bazuar në dokumentacionin shoqërues, fshihen nga regjistrat kontabël të shoqërive tregtare shtetërore në likuidim.
Neni 5
Çregjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit
1. Pas përfundimit të transferimit të të drejtave dhe detyrimeve, shoqëritë tregtare me kapital shtetëror në likuidim çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
2. Për qëllime të çregjistrimit, në Qendrën Kombëtare të Biznesit depozitohen:
a) vendimi i Asamblesë së Përgjithshme për mbylljen përfundimtare të shoqërisë;
b) pasqyrat financiare të mbylljes së shoqërisë në likuidim.
3. Qendra Kombëtare e Biznesit kryen çregjistrimin e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.
KREU III
SHOQËRIA SHTETËRORE PASUESE
Neni 6
Krijimi i shoqërisë shtetërore pasuese
1. Për qëllime të këtij ligji dhe për administrimin, trajtimin dhe menaxhimin e aseteve e të detyrimeve të mbartura, krijohet shoqëria tregtare shtetërore “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a.
2. Aksionari i vetëm i shoqërisë është ministria përgjegjëse për ekonominë, e cila ushtron të drejtat dhe kompetencat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Organizimi, përbërja e organeve drejtuese, funksionimi dhe kompetencat e shoqërisë “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., do të përcaktohen në aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë, në zbatim të legjislacionit në fuqi.
4. Shoqëria ka për objekt të veprimtarisë:
a) administrimin e aseteve të transferuara;
b) shitjen ose privatizimin e tyre, sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim shlyerjen e kreditorëve. Për shitjen apo privatizimin e aseteve, që mund të kenë rëndësi strategjike apo mund të cenojnë sigurinë kombëtare, paraprakisht merret miratimi nga ministritë përgjegjëse;
c) arkëtimin e detyrimeve debitore;
ç) sistemimin në kontabilitet të detyrimeve debitore dhe kreditore të parashkruara ose të pakërkueshme.
5. Trajtimi dhe shlyerja e detyrimeve të transferuara kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, sipas radhës së përparësisë së përcaktuar në Kodin Civil.
6. Shoqëria e krijuar, sipas këtij neni, zëvendëson shoqëritë e mbyllura në të gjitha marrëdhëniet juridike me palët e treta, duke përfshirë të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga këto marrëdhënie.
7. Organizimi, përbërja e organeve drejtuese, funksionimi dhe kompetencat e shoqërisë “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., mënyra e financimit dhe administrimit të tij, përcaktohen në aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë, që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
8. Shoqëria ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me legjislacionin për shoqëritë tregtare dhe me aktet nënligjore në fuqi.
Neni 7
Kapitali fillestar i shoqërisë shtetërore pasuese
Kapitali fillestar për themelimin e shoqërisë tregtare shtetërore “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., mbulohet nga buxheti i shtetit. Masa e kapitalit fillestar përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 8
Efektet mbi likuidatorët dhe organet ekzistuese
1. Me vendimin e Asamblesë së Përgjithshme për mbylljen përfundimtare të shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim, sipas këtij ligji, përfundojnë automatikisht kompetencat e likuidatorëve dhe të çdo organi tjetër drejtues të shoqërive të mbyllura.
2. Veprimet dhe aktet e kryera nga likuidatorët deri në momentin e mbylljes përfundimtare konsiderohen të vlefshme, për aq kohë sa nuk bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 9
Mbrojtja e palëve të treta dhe e drejta e ankimit
1. Kreditorët dhe çdo palë e tretë, që pretendon se preket nga transferimi i të drejtave dhe detyrimeve, sipas këtij ligji, kanë të drejtë të paraqesin kërkesat ose pretendimet e tyre pranë shoqërisë shtetërore pasuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Para mbylljes përfundimtare të shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim, njoftimi për fillimin e procedurës së mbylljes publikohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me qëllim informimin e kreditorëve dhe të palëve të treta.
3. Kreditorët dhe palët e treta kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre në gjykatën kompetente për çdo veprim që cenon të drejtat e tyre si kreditorë, në përputhje me legjislacionin procedural dhe civil në fuqi.
4. Transferimi i të drejtave e i detyrimeve, sipas këtij ligji, nuk cenon të drejtat e kreditorëve dhe të palëve të treta për të kërkuar përmbushjen e detyrimeve, sipas marrëdhënieve juridike ekzistuese.
Neni 10
Mbrojtja e të drejtave të aksionarëve
1. Transferimi i të drejtave dhe i detyrimeve të shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim te shoqëria shtetërore pasuese, sipas këtij ligji, nuk cenon të drejtat pasurore të aksionarëve.
2. Pas përfundimit të procesit të likuidimit dhe shlyerjes së detyrimeve ndaj kreditorëve, çdo vlerë neto e mbetur nga asetet e shoqërisë u shpërndahet aksionarëve, në përpjesëtim me pjesëmarrjen e tyre në kapitalin e shoqërisë së likuiduar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare.
3. Aksionarët kanë të drejtë të kundërshtojnë në gjykatën kompetente çdo veprim ose vendimmarrje që cenon të drejtat dhe interesat e tyre pasurore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 11
Dorëzimi i dokumentacionit
1. Dorëzimi i dokumentacionit administrativ, financiar, ligjor dhe teknik, nga shoqëritë tregtare me kapital shtetëror në likuidim te shoqëria e re e krijuar, sipas këtij ligji, kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Dorëzimi i dokumentacionit kryhet me procesverbal, i cili nënshkruhet nga likuidatorët e shoqërive të mbyllura dhe nga administratori i shoqërisë përfituese.
3. Përgjegjësia për ruajtjen, administrimin dhe përdorimin e dokumentacionit kalon te shoqëria përfituese nga momenti i nënshkrimit të procesverbalit.
Neni 12
Përfundimi i veprimtarisë së shoqërisë shtetërore pasuese
1. Shoqëria shtetërore pasuese krijohet me kohëzgjatje të përcaktuar, deri në përfundimin e proceseve të administrimit dhe shitjes së aseteve, arkëtimit të kërkesave dhe shlyerjes së detyrimeve të transferuara, sipas këtij ligji.
2. Pas përfundimit të proceseve, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, shoqëria shtetërore pasuese i nënshtrohet procedurës së likuidimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare.
3. Pasuritë, asetet ose të drejtat pasurore, që mbeten pas përfundimit të likuidimit dhe shlyerjes së detyrimeve, u shpërndahen aksionarëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe aktin e themelimit të shoqërisë.
4. Këshilli i Ministrave përcakton procedurat e hollësishme për përfundimin e veprimtarisë dhe likuidimin e shoqërisë shtetërore pasuese.
KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 13
Aktet nënligjore
Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi, në zbatim të neneve 6, pika 7, dhe 7, të këtij ligji.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MBYLLJEN E SHOQËRIVE TREGTARE ME KAPITAL SHTETËROR NË LIKUIDIM”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.48/2014, “PËR PAGESAT E VONUARA NË DETYRIMET KONTRAKTORE DHE TREGTARE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 2, dhe 83, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.48/2014, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 2, 3, 10, 11 e 12 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. “Autoritet publik”, çdo autoritet kontraktor, siç përcaktohet në legjislacionin për prokurimin publik, pavarësisht nga objekti apo vlera e kontratës;
3. “Sipërmarrje”, çdo organizatë, e ndryshme nga një autoritet publik, që vepron në kuadër të veprimtarisë së saj të pavarur ekonomike ose profesionale, edhe kur kjo veprimtari ushtrohet nga një person i vetëm.
…
10. “Norma bazë e interesit për lekun”, norma e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjella të riblerjes (REPO dhe REPO të anasjella), e miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ose norma margjinale e interesit, që rezulton nga procedurat e ankandit me normë të ndryshueshme për këto operacione;
11. “Norma bazë e interesit për zonën “euro””, norma e interesit të operacioneve kryesore të rifinancimit, e miratuar me vendimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, ose norma margjinale e interesit, që rezulton nga procedurat e ankandit me normë të ndryshueshme për operacionet më të fundit kryesore të rifinancimit të Bankës Qendrore Evropiane;
12. “Norma bazë e interesit në monedhë të huaj”, norma e interesit të operacioneve kryesore të rifinancimit, e miratuar nga organet kompetente të bankave qendrore, që emetojnë monedhën, në të cilën është bërë pagesa, ose norma margjinale e interesit, që rezulton nga procedurat e ankandit me normë të ndryshueshme për operacionet e rifinancimit të këtyre bankave qendrore.”.
b) Pas pikës 14 shtohet pika 15, me këtë përmbajtje:
“15. “Kamatëvonesë për pagesat e vonuara”, kamatëvonesa ligjore për pagesën e vonuar ose kamatëvonesa me një normë të rënë dakord me marrëveshje ndërmjet sipërmarrjeve, në përputhje me nenin 13 të këtij ligji.”.
Neni 2
Nenet 6 dhe 7 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Neni 6
Afatet e pagesës dhe të drejtat e kreditorit në transaksionet ndërmjet sipërmarrjeve
1. Në transaksionet tregtare ndërmjet sipërmarrjeve, kreditori ka të drejtë të përfitojë kamatëvonesë pa qenë i nevojshëm dërgimi i një njoftimi apo kujtese për pagesë, nëse janë përmbushur kushtet e mëposhtme:
a) Kreditori ka përmbushur detyrimet e tij kontraktore dhe ligjore;
b) Kreditori nuk e ka marrë pagesën në afat, përveç rasteve kur debitori vërteton se nuk është përgjegjës për vonesën.
2. Përjashtimisht nga rregullat e përgjithshme të ekzekutimit të detyrimeve të parashikuara në Kodin Civil, dispozitat e këtij ligji rregullojnë në mënyrë të posaçme afatet dhe lindjen e së drejtës së kamatëvonesës për transaksionet tregtare.
3. Kur kushtet e pikës 1 të këtij neni janë përmbushur, kamatëvonesa llogaritet:
a) nga dita vijuese pas datës ose përfundimit të afatit të pagesës të përcaktuar në kontratë;
b) nëse data ose afati i pagesës nuk është përcaktuar në kontratë, me kalimin e:
i. 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së faturës ose e një kërkese ekuivalente për pagesë nga debitori;
ii. 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes në dorëzim e mallrave a shërbimeve ose e një kërkese ekuivalente për pagesë nga debitori, nëse data e marrjes së faturës është e pasigurt;
iii. 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes në dorëzim e mallrave a shërbimeve ose e një kërkese ekuivalente për pagesë nga debitori, nëse debitori e ka marrë faturën përpara marrjes në dorëzim të mallrave a shërbimeve;
iv. 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të procedurës së marrjes në dorëzim ose të kolaudimit të mallrave a shërbimeve ose e një kërkese ekuivalente për pagesë nga debitori, nëse një procedurë e tillë është e parashikuar me ligj ose në kontratë, dhe faturën debitori e ka marrë përpara ose në datën e kryerjes së këtij verifikimi.
4. Kohëzgjatja maksimale e procedurës së marrjes në dorëzim ose të kolaudimit të mallrave a shërbimeve nuk mund të kalojë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data e marrjes në dorëzim të mallrave ose shërbimeve, me përjashtim të rasteve kur palët kanë rënë dakord shprehimisht ndryshe në kontratë dhe kjo zgjatje nuk përbën një kusht të padrejtë kontraktor, sipas nenit 10 të këtij ligji.
5. Afati i pagesës i përcaktuar në kontratë ndërmjet sipërmarrjeve nuk mund të kalojë 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike, përveç rasteve kur në kontratë është rënë dakord shprehimisht ndryshe dhe me kusht që ky afat të mos jetë qartësisht i padrejtë ndaj kreditorit.
Neni 7
Afatet e pagesës në transaksionet me autoritetet publike
1. Në transaksionet tregtare, ku debitori është një autoritet publik, kreditori ka të drejtë të marrë kamatëvonesë ligjore pa qenë i nevojshëm dërgimi i një njoftimi, kur janë përmbushur kushtet e mëposhtme:
a) Kreditori ka përmbushur detyrimet e tij ligjore dhe kontraktore;
b) Kreditori nuk ka marrë shumën e detyrimit në kohë, përveç rasteve kur debitori vërteton se vonesa nuk ka ardhur për shkak të rrethanave që nuk varen prej tij.
2. Kur afati i pagesës nuk është përcaktuar në kontratë, kamatëvonesa fillon të llogaritet automatikisht pas kalimit të afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh kalendarike nga:
a) data e marrjes prej debitorit të faturës ose të një kërkesëpagese të njëvlershme;
b) data e marrjes në dorëzim të mallrave a shërbimeve, kur data e marrjes së faturës është e pasigurt ose kur debitori e merr faturën përpara mallrave ose shërbimeve;
c) data e përfundimit të procedurës së dorëzimit ose të kolaudimit, nëse kjo procedurë parashikohet me ligj ose në kontratë, dhe debitori e ka marrë faturën përpara ose në datën kur kryhet ky dorëzim ose kolaudim.
3. Afati i pagesës i përcaktuar në kontratë nuk mund të kalojë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike. Ky afat mund të zgjatet deri në një maksimum prej 60 (gjashtëdhjetë) ditësh kalendarike vetëm nëse është rënë dakord shprehimisht në kontratë.
4. Kur ligji ose kontrata parashikon një procedurë dorëzimi apo kolaudimi për verifikimin e konformitetit të mallrave a shërbimeve, kohëzgjatja e kësaj procedure nuk mund të kalojë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data e marrjes së mallrave ose shërbimeve. Çdo kusht kontraktor ose dokument tenderi, që parashikon një afat më të gjatë, është i pavlefshëm.
5. Data e marrjes së faturës nuk mund të jetë subjekt i një marrëveshjeje kontraktore ndërmjet debitorit e kreditorit. Çdo kusht kontraktor, që synon shtyrjen e datës së marrjes së faturës është i pavlefshëm.
6. Kamatëvonesa llogaritet automatikisht nga dita e nesërme e përfundimit të afateve të përcaktuara në këtë nen, pa qenë nevoja për njoftim formal apo kërkesë vënieje në vonesë, sipas rregullave të përgjithshme të Kodit Civil.”.
Neni 3
Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i nenit zëvendësohet me “Afatet e marrjes në dorëzim të mallrave ndërmjet sipërmarrjeve”;
b) Në pikën 1, fjalët “… nga e nesërmja e mbërritjes së mallit në destinacionin e përcaktuar” zëvendësohen me “… nga data e marrjes në dorëzim të mallrave ose shërbimeve”.
Neni 4
Pika 2, e nenit 16, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Në këto raste, detyrimi së bashku me kamatëvonesat ligjore dhe/ose kontraktore dhe me dëmshpërblimin për shpenzimet për rikthimin e kredisë mund të vihen në ekzekutim të detyrueshëm, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile. Gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës në gjykatë, me kusht që deri në momentin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, debia ose elemente të procedurës të mos jenë kundërshtuar nga debitori.”.
Neni 5
Dispozita kalimtare
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen vetëm për transaksionet tregtare dhe kontratat e lidhura pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Për detyrimet e autoriteteve publike ndaj sipërmarrjeve, të lindura dhe të paekzekutuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk zbatohen parashikimet e këtij ligji. Këto detyrime rregullohen sipas dispozitave të ligjit në fuqi në kohën e lindjes së tyre.
3. Detyrimi për zbatimin e afateve të përcaktuara në nenin 7 të këtij ligji fillon 6 (gjashtë) muaj pas hyrjes në fuqi të tij. Gjatë kësaj periudhe, autoritetet publike, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për financat, hartojnë planin e shlyerjes graduale të stokut të detyrimeve.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.48/2014, “PËR PAGESAT E VONUARA NË DETYRIMET KONTRAKTORE DHE TREGTARE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.48/2014, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit e relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9244, DATË 17.6.2004, “PËR MBROJTJEN E TOKËS BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar, bëhen shtesat e mëposhtme:
Neni 1
Pas pikës 11, të nenit 2, shtohen pikat 12, 13 dhe 14, me këtë përmbajtje:
“12 “Aeroponia”, teknika e kultivimit të bimëve, duke i mbajtur rrënjët e tyre të varura në hapësirë, në të cilën aplikohet periodikisht, ose pa ndërprerje, tretësirë ushqimore në formë pluhuri;
13. “Akuaponia”, një sistem i integruar bujqësie dhe akuakulture, që kombinon rritjen e organizmave ujorë, peshq ose kultura të tjera ujore, si dhe kultivimin e bimëve në një cikël të mbyllur, ku mbetjet e organizmave ujorë përdoren si lëndë ushqyese për bimët, ndërsa bimët ndihmojnë në pastrimin e ujit për organizmat ujorë.
14. “Hidroponia”, teknika e kultivimit të bimëve në tretësirë ujore, e cila mund të përfshijë substrat inorganik, si: rërë, granil, perlit, lesh guri, gur vullkanik, ose organik, si: torfë, lëvoret e drurëve, lëvoret e arrës së kokosit, kashtë orizi.”.
Neni 2
Në nenin 14 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në pikën 5 bëhen shtesat e ndryshimet, si më poshtë vijon:
i. Në shkronjat “b” dhe “c”, pas fjalës “… shpërndarjen …” shtohet “… , depozitimin …”;
ii. Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) Ndërtimi i infrastrukturës, duke përfshirë struktura dhe sisteme, që mbështesin zhvillimin e aktiviteteve të aeroponisë, akuaponisë dhe hidroponisë.”.
b) Pas pikës 5 shtohen pikat 6 e 7, me këtë përmbajtje:
“6. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret mbi përdorimin e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit agrifotovoltaik, sipas përcaktimeve të këtij neni, dhe të atij eolik në tokat bujqësore me bonitet deri në 8, procedurat për monitorimin e ushtrimit të aktivitetit, përfshirë masat për shkelje të kushteve të ushtrimit të aktivitetit, si dhe tarifën që paguajnë subjektet që tregtojnë energjinë e prodhuar në centralet e energjisë së rinovueshme agrifotovoltaike në toka bujqësore. Tarifa transferohet në programin për bujqësinë dhe zhvillimin rural për mbështetjen e bujqësisë.
7. Kriteret mbi përdorimin e tokës bujqësore për kryerjen e aktiviteteve të aeroponisë, akuaponisë dhe hidroponisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për bujqësinë.”.
Neni 3
Miratimi i akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë vendimin, në zbatim të nenit 2 të këtij ligji.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9244, DATË 17.6.2004, “PËR MBROJTJEN E TOKËS BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU