Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Qershor 2025 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Qershor 2025

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Qershor 2025:
P R O J E K T L I GJ
 PËR
VULLNETARIZMIN
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton parimet bazë, rregullat për kryerjen e vullnetarizmit, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve e të ofruesve të vullnetarizmit, kontratën e vullnetarizmit, organet shtetërore përgjegjëse dhe mekanizmat për nxitjen, mbështetjen e mbikëqyrjen e vullnetarizmit në Republikën e Shqipërisë.
Neni 2
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim të krijojë një kuadër rregullator e institucional të favorshëm për kryerjen e vullnetarizmit dhe nxitjen e pjesëmarrjes së individëve në vullnetarizëm, zhvillimin e vlerave njerëzore dhe solidaritetin shoqëror.
Neni 3 
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për:
a) të gjitha subjektet që kryejnë, ofrojnë ose përfitojnë vullnetarizëm në Republikën e Shqipërisë;
b) vullnetarizmin afatgjatë dhe afatshkurtër.
2.   Ky ligj nuk zbatohet për:
a) kryerjen e punëve ose të shërbimeve, që janë të zakonshme në familje, shoqëri apo në marrëdhëniet e fqinjësisë;
b) dhurimin e gjakut;
c) realizimin e detyrimeve të caktuara me vendim gjykate të formës së prerë;
ç) angazhimin në një program trajnimi apo formimi profesional, përpara lidhjes së kontratës së punës;
d) përcaktimin e metodologjisë së prodhimit të statistikave zyrtare mbi vullnetarizmin;
dh) partitë politike;
e) kryerjen e punëve ose të shërbimeve nga sindikatat apo shoqatat e tjera ekonomike, profesionale dhe tregtare, që synojnë realizimin e objektivave dhe të veprimtarive në interes të anëtarësisë së tyre, në bazë të parashikimeve të statutit;
ë) angazhimin dhe trajtimin e vullnetarëve në fushën e mbrojtjes civile, që kryhet sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen civile.
Neni 4 
Përkufizime 
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Grupe të veçanta”, vullnetarë apo përfitues të vullnetarizmit, si:
a) nëna nën moshën 18 vjeç;
b) persona me aftësi të kufizuara, sipas parashikimeve të Konventës së  OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara;
c) persona nga komuniteti rom dhe egjiptian;
ç) persona që i nënshtrohen trajtimit apo kujdesit shëndetësor;
d) të mitur, sipas parashikimeve të Kodit Civil;
    dh) të mitur e të rinj në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;
e) të moshuar;
ë) viktima të dhunës në familje dhe viktima të dhunës me bazë gjinore;
f) viktima të trafikimit apo viktima të mundshme të trafikimit;
g) viktima të diskriminimit.
2. “Kohëzgjatje e vullnetarizmit”, koha në të cilën vullnetari vihet në dispozicion të ofruesit të vullnetarizmit, duke përfshirë edhe kohën e trajnimit të nevojshëm për të kryer vullnetarizmin.
3. “Ministri”/“Ministria”, ministri/ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit.
4. “Organizatë jofitimprurëse”, shoqata, fondacioni dhe qendra, që zhvillon veprimtarinë në mënyrë të pavarur e të pandikuar nga shteti, në përputhje me parashikimet e legjislacionit për organizatat jofitimprurëse dhe të ligjeve të veçanta.
5. “Person”, personi fizik, sipas parashikimeve të Kodit Civil.
6. “Program vullnetarizmi”, një grup veprimtarish apo shërbimesh, që organizohen nga ofrues të vullnetarizmit, zbatohen plotësisht apo pjesërisht nga vullnetarë dhe mbështesin realizimin e objektivave, që janë në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.
7. “Veprimtari në të mirë dhe në interes të publikut”, çdo veprimtari që mbështet e zhvillon te individi dhe shoqëria vlera shpirtërore e vlera të tjera humanitare, mbron jetën e njeriut, shëndetin e tij, siguron e realizon shërbime publike dhe sociale, ndihma dhe mbështetje në raste fatkeqësish, mbron mjedisin e zhvillon kulturën dhe edukatën ndaj tij, mbështet e zhvillon vlerat dhe traditat kulturore e historike, shkencën, arsimimin, edukimin fizik e shpirtëror, jep ndihmesë në zhvillimin e zakoneve të mira dhe të vlerave demokratike, si dhe çdo drejtim tjetër në të mirë dhe në interes të publikut.
8. “Vullnetarizëm i drejtpërdrejtë”, kryerja nga vullnetari, me iniciativën personale dhe pa organizimin e ofruesit të vullnetarizmit, të punëve ose shërbimeve vullnetare, në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.
9. “Vullnetarizëm i organizuar”, kryerja nga vullnetari, përmes organizimit të ofruesit të vullnetarizmit, të punëve ose shërbimeve vullnetare, në të mirë dhe interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.
10. “Shqetësim”, çdo sjellje e padëshiruar, kur lidhet me cilëndo nga shkaqet e përmendura në nenin 9 të këtij ligji, që ka për qëllim ose efekt cenimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues a ofendues për atë person, si dhe trajtimin më pak të favorshëm, të kryer si rezultat i kundërshtimit ose mosnënshtrimit nga ana e personit të cenuar ndaj një sjelljeje të tillë.
11. “Shqetësim seksual”, çdo sjellje e padëshiruar verbale ose joverbale, e natyrës seksuale, e cila ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësor, përçmues, poshtërues ose ofendues për të.
Neni 5
Vullnetarizmi
1. Vullnetarizëm është investimi me vullnet të lirë i kohës, i njohurive dhe i aftësive vetjake në kryerjen pa kundërshpërblim, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të organizuar, të punëve ose shërbimeve në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.
2. Vullnetarizmi organizohet në formën e vullnetarizmit afatgjatë dhe  të vullnetarizmit afatshkurtër.
3. Vullnetarizmi afatgjatë organizohet nga një ofrues vullnetarizmi me kohëzgjatje të paktën 20 (njëzet) orë në javë dhe zbatim të rregullt, për të paktën tre muaj të njëpasnjëshëm.
4. Vullnetarizmi afatshkurtër organizohet nga një ofrues vullnetarizmi me kohëzgjatje më të kufizuar se vullnetarizmi afatgjatë, por, në çdo rast, jo më të shkurtër se 1 (një) orë në javë.
5. Çdo shtetas shqiptar dhe i huaj ka të drejtë kryejë vullnetarizëm e të japë kontribut në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë pa pasur nevojë të organizohet pranë ose nëpërmjet një ofruesi vullnetarizmi.
Neni 6
Vullnetari
1. Vullnetar është çdo person, vendas ose i huaj, që, me vullnet të lirë, kryen vullnetarizëm.
2. Vullnetar është i mituri apo një person me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor, që kryen vullnetarizëm sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Neni 7
Ofruesi dhe përfituesi i vullnetarizmit
1. Ofruesi i vullnetarizmit organizon vullnetarizmin.
2. Ofruesi i vullnetarizmit është një institucion publik, një bashkësi fetare ose një organizatë jofitimprurëse.
3. Institucioni publik ofron vullnetarizëm, në përputhje me këtë ligj, ligje të veçanta apo në bazë të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
4. Ofruesi i vullnetarizmit është dhe një person juridik, vendas ose i huaj, që kryen veprimtari fitimprurëse, i cili, në ofrimin e vullnetarizmit, nuk synon fitimin dhe plotëson kushtet e përcaktuara në nenin 24 të këtij ligji.
5. Ofruesi i vullnetarizmit, i përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, angazhon vullnetarët vetëm në veprimtari, që janë në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.
6. Ofruesi i vullnetarizmit përcakton nevojën për angazhimin e vullnetarëve, natyrën dhe sasinë e punëve apo shërbimeve vullnetare të kërkuara, si dhe mënyrën e kryerjes së vullnetarizmit, bazuar në programin e vullnetarizmit.
7. Ofruesi i vullnetarizmit në programet e Bashkimit Evropian apo në programet e tjera ndërkombëtare në fushën vullnetarizmit përcaktohet në bazë të rregullimeve të këtyre programeve.
8. Përfituesi i vullnetarizmit është një person, një institucion publik, një bashkësi fetare ose një organizatë jofitimprurëse.
KREU II
PARIMET BAZË
Neni 8
Parimi i njohjes dhe i mbështetjes së vullnetarizmit
1. Vullnetarizmi njihet dhe mbështetet në Republikën e Shqipërisë si një veprimtari me vlerë të lartë shoqërore, që kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetesës, zhvillimin e personalitetit njerëzor dhe përfshirjen e individëve në ndërtimin e një shoqërie demokratike, të drejtë dhe solidare.
2. Fëmijët dhe të rinjtë, që janë pjesë e sistemit arsimor në Republikën e Shqipërisë dhe që marrin pjesë në programet e edukimit joformal të mbështetur nga shteti, mbështeten që të fitojnë njohuri mbi konceptet, vlerat dhe rëndësinë e vullnetarizmit, të kryejnë vullnetarizëm dhe të fitojnë përvojën vullnetare, si dhe të përfitojnë kualifikime të përshtatshme për vullnetarizmin, solidaritetin shoqëror dhe qytetarinë aktive.
Neni 9
Parimi i trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të vullnetarit dhe përfituesit të vullnetarizmit
1. Ofruesi i vullnetarizmit trajton çdo vullnetar në bazë të parimit të barazisë  dhe mosdiskriminimit në lidhje me racën, etninë, ngjyrën, gjuhën, shtetësinë, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, karakteristikat e seksit, jetesën me HIV/AIDS, shtatzëninë, përkatësinë prindërore,  përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen  civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicionet gjenetike, pamjen e jashtme, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë ose me çdo shkak tjetër.
2. Trajtimi i ndryshëm i vullnetarëve nuk përbën diskriminim kur parashikohet shprehimisht në këtë ligj apo ligje të tjera të posaçme.
3. Ofruesi i vullnetarizmit dhe vullnetari trajtojnë çdo person, që është përfitues i vullnetarizmit, në bazë të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit në lidhje me racën, etninë, ngjyrën, gjuhën, shtetësinë, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, karakteristikat e seksit, jetesën me HIV/AIDS, shtatzëninë, përkatësinë  prindërore,  përgjegjësinë  prindërore,  moshën,  gjendjen  familjare  ose martesore,  gjendjen  civile,  vendbanimin,  gjendjen  shëndetësore,  predispozicionet gjenetike, pamjen e jashtme, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë ose me çdo shkak tjetër.
4. Kur një person pretendon se është cenuar nga moszbatimi i parimit të trajtimit të barabartë në ushtrimin e së drejtës për kryerjen ose përfitimin e vullnetarizmit, sipas këtij ligji, ndjek procedurën e ankimit, të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi.
Neni 10
Parimi i mbrojtjes së personalitetit të vullnetarit dhe përfituesit të vullnetarizmit
Ndalohet çdo lloj shqetësimi, përfshirë dhe shqetësimin seksual, i kryer nga ofruesi i vullnetarizmit kundrejt vullnetarit ose përfituesit të vullnetarizmit, ndërmjet vullnetarëve apo ndërmjet vullnetarit e përfituesit të vullnetarizmit.
Neni 11
Parimi i mbrojtjes së të dhënave personale
Përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale të vullnetarëve dhe përfituesve të vullnetarizmit bëhet duke respektuar e garantuar të drejtat dhe liritë themelore të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 12
Parimi i ndalimit të shfrytëzimit të vullnetarit
1. Ndalohet vullnetarizmi, që synon zëvendësimin e punëve ose të shërbimeve, që kryhen në mënyrë të zakonshme nga punëmarrësit apo që kontraktohen rregullisht si shërbime të jashtme nga ofruesi i vullnetarizmit.
2. Ndalohet përdorimi dhe shfrytëzimi i vullnetarëve për qëllime fitimi.
3. Ndalohet vullnetarizmi me kohëzgjatje më të madhe se 40 (dyzet) orë në javë.
4. Ndalohet vullnetarizmi me kohëzgjatje 40 (dyzet) orë në javë dhe zbatim të rregullt, për tre muaj të njëpasnjëshëm, nëse nuk shoqërohet në vijim nga një pushim për të paktën dy muaj të njëpasnjëshëm.
5. Ndalohet vullnetarizmi me kohëzgjatje më të madhe se 10 (dhjetë) orë në ditë dhe zbatim për tre ditë të njëpasnjëshme, nëse nuk shoqërohet në vijim nga një pushim, për të paktën tre ditë të njëpasnjëshme.
Neni 13
Parimi i mbështetjes mbi vullnetin e lirë dhe ndjenjën solidare
1. Vullnetarizmi nënkupton kryerjen e punëve apo të shërbimeve vullnetare, mbështetur mbi vullnetin e lirë dhe ndjenjën solidare të vullnetarit.
2. Vullnetarizmi, që nuk mbështetet mbi vullnetin e lirë dhe të plotë të vullnetarit, nuk konsiderohet vullnetarizëm, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Neni 14
Parimi i vullnetarizmit pa përfitim material
1. Vullnetarizmi kryhet pa shpërblim monetar, pa shpërblim në natyrë apo një formë tjetër përfitimi material, përgjatë kohëzgjatjes së vullnetarizmit ose me përfundimin e tij, përveçse kur ky ligj parashikon ndryshe.
2. Vullnetarizmi që kryhet bazuar mbi premtimin ose dhënien, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të çdo lloj forme përfitimi material, nuk konsiderohet vullnetarizëm, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
3. Nuk konsiderohet përfitim material kompensimi i vullnetarit për shpenzimet e kryera dhe të dokumentuara gjatë vullnetarizmit, sipas rasteve të mëposhtme:
a) Shpenzime për sigurimin e veshjeve, mjeteve ose pajisjeve të nevojshme për ruajtjen e shëndetit të vullnetarit apo për kryerjen e vullnetarizmit;
b) Shpenzime për udhëtimin, akomodimin, ushqimin ose çdo shpenzim tjetër, të përballuar nga vullnetari gjatë kryerjes së vullnetarizmit;
c) Shpenzime për ushqimin, kujdesin dhe trajnimin e kafshëve në pronësi të vullnetarit dhe që përdoren për kryerjen e vullnetarizmit;
ç) Shpenzime për kontrollet mjekësore dhe shërbimet spitalore, kur nevojiten për kryerjen e vullnetarizmit;
d) Shpenzime për pjesëmarrjen në një program trajnimi apo edukimi të ofruar jashtë sistemit arsimor, kur lidhet me kryerjen e vullnetarizmit;
dh) Shpenzime për sigurimin e jetës e të shëndetit të vullnetarit, si dhe për sigurimin për shpërblim dëmi të shkaktuar ndaj ofruesit të vullnetarizmit ose ndaj të tretëve;
e) Rimbursim të shpenzimeve personale, përllogaritur në masën deri në                  30 % të vlerës neto të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar në kontratën e vullnetarizmit;
ë) Shpenzime për pjesëmarrjen dhe mbulimin e kostove të tjera, të parashikuar në një program të Bashkimit Evropian apo program tjetër ndërkombëtar në fushën vullnetarizmit.
KREU III 
PËRGJEGJËSITË INSTITUCIONALE
Neni 15
Kuadri institucional për mbështetjen e vullnetarizmit
Organet përgjegjëse për nxitjen, mbështetjen dhe mbikëqyrjen e vullnetarizmit, sipas këtij ligji, janë:
a) ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit;
b) institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë;
c) ministritë dhe institucionet e tjera publike.
Neni 16
Ministria përgjegjëse për nxitjen dhe mbështetjen e vullnetarizmit
1. Ministria në lidhje me nxitjen dhe mbështetjen e vullnetarizmit ushtron këto kompetenca:
a) Harton politika, programe dhe përparësi për mbështetjen dhe zhvillimin e vullnetarizmit dhe të pozitës së vullnetarëve në shoqëri;
b) Planifikon buxhetin për financimin e programeve për nxitjen dhe mbështetjen e vullnetarizmit;
c) Ndan çmimet kombëtare për vullnetarët e vitit;
ç) Harton dhe publikon studime dhe raporte mbi vullnetarizmin në vend;
d) Monitoron zbatimin e këtij ligji.
2. Ministria, në ushtrimin e kompetencave të veta, bashkëpunon me ministritë përgjegjëse për çështjet e arsimit, rinisë, sportit, mjedisit, kulturës, shëndetësisë, përfshirjes sociale, mbrojtjes civile, Këshillin Kombëtar për Shoqërinë Civile, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe organizatat e shoqërisë civile.
Neni 17
Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë
Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë ushtron këto kompetenca:
a) Mirëmban dhe administron regjistrin elektronik për vullnetarizmin;
b) Ofron shërbimet për ofruesit e vullnetarizmit dhe për vullnetarët, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
c) Financon e monitoron zbatimin e programeve për nxitjen dhe mbështetjen e vullnetarizmit, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe akteve nënligjore të tij;
ç) Përpunon dhe analizon informacion mbi vullnetarizmin, bazuar në të dhënat e regjistrit elektronik për vullnetarizmin, nga raportimet periodike të ofruesve të vullnetarizmit dhe nëpërmjet studimeve specifike apo anketimeve.
Neni 18
Ministritë dhe institucionet e tjera publike
1. Ministritë e linjës dhe institucionet e tjera publike të përcaktuara në këtë nen janë përgjegjëse për marrjen e masave për nxitjen e mbështetjen e vullnetarizmit, sipas fushës përkatëse të veprimtarisë.
2. Ministri/ministria përgjegjëse për arsimin, ndër të tjera, merr masa për:
a) rritjen e ndërgjegjësimit për këtë ligj brenda sistemit të institucioneve të arsimit parauniversitar;
b) përfshirjen në programet mësimore të koncepteve dhe vlerave mbi vullnetarizmin, krijimin e kushteve që nxënësit të kryejnë vullnetarizëm për qëllime edukative dhe të fitojnë kualifikime të përshtatshme për nivelin e zhvillimit dhe aftësive të tyre mbi vullnetarizmin, solidaritetin shoqëror dhe qytetarinë aktive.
3. Ministri/ministria përgjegjëse për rininë, ndër të tjera, merr masa për:
a) rritjen e ndërgjegjësimit për këtë ligj brenda strukturave dhe komunitetit rinor në vend;
b) përfshirjen e koncepteve, vlerave dhe kualifikimeve për vullnetarizmin, solidaritetin shoqëror dhe qytetarinë aktive në programet e edukimit joformal për të rinjtë, të mbështetura përmes fondit shtetëror për të rinjtë;
c) financimin në mënyrë të përshtatshme të veprimtarive vullnetare me të rinjtë përmes fondit shtetëror për të rinjtë.
4. Ministria përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional, ndër të tjera, merr masa për rritjen e ndërgjegjësimit për këtë ligj brenda sistemit të institucioneve që ofrojnë arsim dhe formim profesional.
5. Ministria përgjegjëse për çështjet e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, ndër të tjera, merr masa për rritjen e ndërgjegjësimit për këtë ligj brenda sistemit të kujdesit shëndetësor, kujdesit dhe përfshirjes sociale, si dhe në institucionet që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror.
6. Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, ndër të tjera, merr masa për:
a) rritjen e ndërgjegjësimit për këtë ligj brenda rrjetit të shoqërisë civile;
b) financimin në mënyrë të përshtatshme të veprimtarive vullnetare nëpërmjet fondeve shtetërore për shoqërinë civile.
7. INSTAT-i është institucioni përgjegjës për prodhimin e statistikave zyrtare të vullnetarizmit, në përputhje me legjislacionin për statistikat zyrtare. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë merr masa për furnizimin e INSTAT-it me të dhënat që disponon, në përputhje me legjislacionin në fuqi për statistikat zyrtare.
8. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndër të tjera, marrin masa për:
a) rritjen e ndërgjegjësimit për këtë ligj brenda strukturave dhe komunitetit vendor;
b) financimin dhe mbështetjen në mënyrë të përshtatshme të veprimtarive vullnetare brenda njësive të tyre vendore.
KREU IV
RREGULLAT PER KRYERJEN E VULLNETARIZMIT
Neni 19
Vullnetarizmi nga i mituri
1. Një i mitur i moshës deri në 15 vjeç kryen vullnetarizëm me natyrë sociale edukative, që ka qëllim kryesor edukimin, zhvillimin e personalitetit dhe socializimin e të miturit.
2. Një i mitur i moshës mbi 15 vjeç kryen punë ose shërbime vullnetare, që janë të përshtatshme për moshën, nivelin e zhvillimit dhe aftësitë e tij fizike, mendore, shoqërore dhe morale, si dhe nuk paraqesin rrezik për sigurinë, shëndetin, mirëqenien dhe zhvillimin tërësor e nuk cenojnë edukimin e të miturit.
3. Kushtet, kriteret dhe rregullat e parashikuara për punësimin dhe mbrojtjen e punëmarrësit të mitur në legjislacionin në fuqi për marrëdhëniet e punës do të zbatohen edhe në kryerjen e vullnetarizmit nga të miturit dhe mbrojtjen e vullnetarit të mitur.
4. Vullnetari i mitur kryen vullnetarizëm dhe lidh kontratë vullnetarizmi vetëm me pëlqimin me shkrim të prindit ose të kujdestarit ligjor.
5. Vullnetari i mitur e ndërpret vullnetarizmin në çdo kohë pa nevojën e pëlqimit me shkrim, por duke vënë në dijeni prindin ose kujdestarin ligjor.
6. Vullnetari i mitur kryen vullnetarizëm jashtë Republikës së Shqipërisë vetëm me pëlqimin e prindit ose të kujdestarit ligjor dhe i shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose personi i caktuar nga ofruesi i vullnetarizmit.
7. Vullnetari i mitur, sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij neni, nuk përfshihet në vullnetarizëm afatgjatë.
8. Ofruesi i vullnetarizmit, për vullnetarizmin e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, është:
a) një institucion arsimor;
b) një institucion publik;
c) një organizatë jofitimprurëse, që organizon vullnetarizëm për qëllime edukimi, me miratimin ose në bashkëpunim me institucionin shtetëror përgjegjës apo institucionin arsimor.
Neni 20
Vullnetarizmi nga personat që u përkasin grupeve të veçanta
1. Ofruesi i vullnetarizmit duhet t’i kushtojë vëmendje krijimit të kushteve për angazhimin si vullnetarë të personave që i përkasin grupeve të veçanta, me qëllim zhvillimin e personalitetit, fuqizimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
2. Ofruesi i vullnetarizmit siguron mbështetje, aksesueshmëri, trajtim të barabartë dhe mbikëqyrje të përshtatshme gjatë vullnetarizmit për vullnetarët që i përkasin grupeve të veçanta.
3. Vullnetari, i cili është me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor/intelektual, kryen vullnetarizëm, bazuar në parimin e autonomisë, pavarësisë dhe vendimmarrjes së mbështetur, duke gëzuar të drejtën e ndërprerjes së vullnetarizmit në çdo kohë.
Neni 21
Vullnetarizmi me përfitues personat që u përkasin grupeve të veçanta
1. Ofruesi vullnetarizmit duhet t’i kushtojë vëmendje përzgjedhjes, trajnimit dhe mbikëqyrjes së vullnetarëve që angazhohen në një program vullnetarizmi me përfitues personat që i përkasin grupeve të veçanta.
2. Ndalohet angazhimi si vullnetarë në një program vullnetarizmi me përfitues personat, që u përkasin grupeve të veçanta, i personave, si më poshtë vijon:
a) Persona me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor ose çrregullime të shëndetit mendor, të cilët janë subjekt i trajtimit dhe/ose shtrimit të pavullnetshëm, personat që kanë detyrimin për ndjekjen e programeve të rehabilitimit psikosocial të varësisë, personat që kanë detyrimin për pjesëmarrje në programet e aftësimit prindëror ose ndaj të cilit është vendosur një nga masat e mbrojtjes ndaj dhunës në familje, sipas legjislacionit në fuqi;
b) Personat, ndaj të cilëve zbatohet një masë e ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale, kur këto lidhen me vullnetarizmin, në përputhje me legjislacionin penal në fuqi;
c) Personat, që janë në procedim penal ose janë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale kundër jetës, shëndetit, krimeve seksuale, lirisë së personit, kundër moralit dhe dinjitetit ose kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, në përputhje me legjislacionin penal në fuqi;
   ç) Personat, të cilët janë gjetur në shkelje të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit me vendim gjykate të formës së prerë apo vendim të organit publik kompetent, që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi.
3. Në rastin e kryerjes së vullnetarizmit, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 26, të ligjit, ofruesi i vullnetarizmit siguron mbikëqyrjen e vazhdueshme profesionale të vullnetarit, si dhe që vullnetari nuk vendoset në kontakt të  pambikëqyrur me përfituesin e vullnetarizmit, përgjatë kohëzgjatjes së vullnetarizmit.
4. Në rastin e kryerjes së vullnetarizmit, sipas përcaktimit të pikës 3, të nenit 26, të ligjit, ofruesi i vullnetarizmit siguron mbikëqyrjen e vazhdueshme profesionale të vullnetarit, si dhe që vullnetari nuk vendoset në kontakt të pambikëqyrur me përfituesin e vullnetarizmit derisa të sigurojë dokumentacionin, që vërteton se nuk ndodhemi në rastet e ndalimit, të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.
Neni 22
Vullnetarizmi nga shtetasi i huaj
1. Vullnetari, i cili nuk është shtetas shqiptar, kryen vullnetarizëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me këtë ligj, legjislacionin kombëtar në fuqi dhe aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
2. Qëndrimi i vullnetarit të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë rregullohet sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për të huajt.
3. Vullnetari i huaj në moshë të mitur gëzon në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat e parashikuara në këtë ligj për vullnetarët e mitur.
Neni 23
Shtetasi shqiptar që kryen vullnetarizëm jashtë vendit
Shtetasi shqiptar kryen vullnetarizëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me aktet ndërkombëtare dhe rregullat e përcaktuara në legjislacionin e vendit ku kryhet vullnetarizmi.
Neni 24
Rregullat për organizimin e vullnetarizmit nga personi juridik fitimprurës
1. Ofruesi i vullnetarizmit, sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 7, të këtij ligji, organizon vullnetarizëm me plotësimin e kushteve, si vijon:
a) Vullnetarizmi organizohet në të mirë dhe në interes të publikut ose personave të tjerë nëpërmjet veprimtarive, që janë të ndryshme nga fusha e aktivitetit të tij;
b) Nuk krijohet fitim nga vullnetarizmi;
c) Vullnetarizmi nuk zëvendëson punën ose shërbimet që kryhen në mënyrë të zakonshme nga punëmarrësit ose që kontraktohen rregullisht si shërbime të jashtme prej tij.
2. Ofruesi i vullnetarizmit, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, duhet të marrë miratimin nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë përpara zbatimit të një programi vullnetarizmi.
3. Kërkesa drejtuar institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë dhe dokumentacioni shoqërues depozitohen on-line nëpërmjet platformës qeveritare e-Albania.
4. Rregullat, dokumentacioni, afatet dhe procedurat e detajuara për plotësimin, dorëzimin dhe shqyrtimin kërkesës, sipas përcaktimeve të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
KREU V
KONTRATA E VULLNETARIZMIT
Neni 25
Kontrata e vullnetarizmit
1. Kontrata e vullnetarizmit përcakton të drejtat e detyrimet e vullnetarit dhe ofruesit të vullnetarizmit, si dhe kushtet e kriteret e nevojshme për kryerjen e punëve apo të shërbimeve vullnetare.
2. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet vullnetarit dhe ofruesit të vullnetarizmit, në rastet kur:
a) vullnetarizmi është afatgjatë;
b) vullnetari është i mitur, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 19, të ligjit;
c) vullnetari është person i huaj ose person pa shtetësi;
ç) vullnetari është person me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor;
d) vullnetari është shtetas shqiptar, që kryen vullnetarizëm jashtë vendit dhe ofruesi i vullnetarizmit e ka selinë në Republikën e Shqipërisë;
dh) përfituesi i vullnetarizmit u përket grupeve të veçanta, sipas përcaktimit të pikës 1, të nenit 4, të ligjit;
e) kërkohet shprehimisht nga ofruesi i vullnetarizmit ose vullnetari.
Neni 26
Përmbajtja e kontratës
1. Kontrata e vullnetarizmit përmban:
a) identitetin, vendbanimin ose vendqëndrimin e vullnetarit apo të prindit/përfaqësuesit ligjor të vullnetarit të mitur;
b) numrin personal të identifikimit të vullnetarit ose të prindit/përfaqësuesit ligjor të vullnetarit të mitur;
c) identitetin dhe adresën e ofruesit të vullnetarizmit;
ç) numrin personal të identifikimit të ofruesit të vullnetarizmit;
d) identitetin dhe adresën e përfituesit të vullnetarizmit;
dh) datën e fillimit, kohëzgjatjen javore dhe vendin e kryerjes së vullnetarizmit;
e) përshkrimin e vullnetarizmit që do të kryhet;
ë) të drejtat dhe detyrimet e palëve;
f) shkaqet dhe mënyrën e zgjidhjes së kontratës;
g) të dhënat për shpenzimet e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit dhe mënyrën e mbulimit apo kompensimit të tyre.
2. Në rastin e vullnetarizmit afatshkurtër, kur përfituesi i vullnetarizmit u përket grupeve të veçanta, kontratës së vullnetarizmit i bashkëngjitet dhe deklarimi me shkrim i vullnetarit, që nuk ndodhet në rastet e ndalimit, të përcaktuara në pikën 2, të nenit 21, të ligjit.
3. Në rastin e vullnetarizmit afatgjatë, kur përfituesi i vullnetarizmit u përket grupeve të veçanta, kontratës së vullnetarizmit i bashkëngjiten dëshmitë dhe vërtetimet përkatëse nga organet publike kompetente, që vërtetojnë se vullnetari nuk ndodhet në rastet e ndalimit, të përcaktuara në pikën 2, të                nenit 21, të ligjit. Vullnetari mbledh dokumentacionin provues për llogari të ofruesit të vullnetarizmit.
4. Përjashtimisht, për personat e huaj dhe personat pa shtetësi, që nuk janë të pajisur me numër personal identifikimi, nuk zbatohen shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni. Në këto raste, në përmbajtjen e kontratës pasqyrohen të dhënat e përcaktuara në dokumentin e lëshuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt.
5. Kontrata e vullnetarizmit përmban dhe elemente të tjera, për të cilat palët bien dakord.
Neni 27
Efektet e kontratës
Me lidhjen e kontratës së vullnetarizmit, të drejtat që kanë lindur nga papunësia dhe nga skemat e sigurimeve shoqërore nuk humbasin.
Neni 28
Përfundimi i kontratës
 Kontrata e vullnetarizmit përfundon në rastet kur:
a) mbaron periudha për të cilën është lidhur kontrata;
b) vërtetohet fakti i pamundësisë së vullnetarit për të kryer vullnetarizëm, për shkak të arsyeve objektive, si:
i. gjendja shëndetësore, e provuar me dokumentacion përkatës;
ii. rrethana familjare ose personale, që pengojnë realizimin e veprimtarisë vullnetare.
c) vërtetohen ndalimet e përcaktuara në pikën 2, të nenit 21, të ligjit;
ç) palët bien dakord për përfundimin e saj;
d) kontrata zgjidhet në mënyrë të njëanshme;
dh) ndërpritet vullnetarizmi, sipas parashikimeve të neneve 19, pika 5, dhe 20, pika 3, të ligjit.
Neni 29
Zgjidhja në mënyrë të njëanshme e kontratës
1. Vullnetari ose ofruesi i vullnetarizmit zgjidhin në çdo kohë, në mënyrë të njëanshme, kontratën e vullnetarizmit, për shkaqe të justifikuara.
2. Ofruesi i vullnetarizmit zgjidh kontratën para afatit të mbarimit të saj, kur:
a) nuk ka më nevojë për vullnetarizëm;
b) nuk është në gjendje të sigurojë kushtet e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit;
c) vërteton që vullnetari nuk përmbush detyrimet e kontratës.
3. Vullnetari zgjidh kontratën para mbarimit të afatit të saj, kur:
a) nuk është më i aftë për të kryer vullnetarizmin, objekt kontrate;
b) nuk ka më vullnet për të kryer vullnetarizmin, objekt kontrate;
c) ofruesi i vullnetarizmit nuk përmbush detyrimet e kontratës.
4. Zgjidhja e njëanshme e kontratës, në çdo rast, bëhet me shkrim. Pala, e cila kërkon zgjidhjen e kontratës, i dërgon njoftimin palës tjetër, të paktën 5                 (pesë) ditë përpara datës së kërkuar për zgjidhjen e kontratës.
Neni 30
Kryerja e vullnetarizmit pa lidhjen e kontratës
1. Vullnetarizmi afatshkurtër, kur kryhet pa lidhjen e kontratës së vullnetarizmit, do të bazohet në rregulloren e brendshme të ofruesit të vullnetarizmit, që përcakton mënyrën e angazhimit dhe të trajtimit të vullnetarëve, dhe në programin e vullnetarizmit. Në këtë rast, vullnetari nënshkruan një deklaratë, ku shpreh vullnetin për të kryer vullnetarizëm, në përputhje me kushtet dhe rregullat e përcaktuara nga ofruesi i vullnetarizmit, me rregulloren e brendshme të tij dhe programin e vullnetarizmit. Deklarata përmban një detyrim të posaçëm për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave personale, me të cilat vullnetari bie në kontakt gjatë vullnetarizmit.
2. Deklarata e nënshkruar shërben për të provuar ekzistencën e marrëdhënies së vullnetarizmit, në rastin e vullnetarizmit që kryhet pa lidhjen e kontratës.
3. Ofruesi i vullnetarizmit dhe vullnetari, në kryerjen e vullnetarizmit sipas këtij neni, duhet të respektojnë parashikimet e ligjit, që janë të zbatueshme për vullnetarizmin afatshkurtër dhe, në çdo rast, nuk duhet të shkelin parimet bazë të këtij ligji.
KREU VI
TË DREJTAT DHE DETYRIMET E VULLNETARËVE
DHE TË OFRUESIT TË VULLNETARIZMIT
Neni 31
Të drejtat e vullnetarit
1. Vullnetari ka të drejtë:
a) të njihet me përshkrimin e vullnetarizmit që do të kryejë;
b) të informohet për kushtet e punës dhe rreziqet që lidhen me punën që do të kryejë;
c) të kërkojë marrjen e masave të sigurisë teknike gjatë kryerjes së punës;
ç) të informohet nga ofruesi i vullnetarizmit për rregullat e përgjithshme të punës dhe rregullat e etikës së vullnetarit;
d) të trajnohet, nëse është e nevojshme, në përputhje me natyrën e punës që do të kryejë;
dh) të përfitojë pushime ditore në kohëzgjatjen e vullnetarizmit në rast se ka shkaqe të arsyeshme dhe të provueshme, si sëmundje etj.;
e) të përfitojë pushime midis orëve të kryerjes së vullnetarizmit, në varësi të llojit të vullnetarizmit që kryen;
ë) të kërkojë mbrojtjen e të dhënave personale;
f) çdo të drejtë tjetër të përcaktuar në këtë ligj ose në kontratën e vullnetarizmit.
2. Koha e mungesës së justifikuar, e përcaktuar në shkronjën “dh”, të pikës 1, të këtij neni, llogaritet në kohëzgjatjen e kontratës së vullnetarizmit dhe nuk përbën arsye për humbjen e të drejtave të vullnetarit të përcaktuara në këtë kontratë.
3. Vullnetari ka të drejtë të mos zbatojë udhëzimet e ofruesit të vullnetarizmit, nëse:
a) udhëzimet përbëjnë rrezik real për jetën, shëndetin e integritetin fizik, si dhe i cenojnë moralin përfituesit të vullnetarizmit ose një personi të tretë;
b) udhëzimet janë në shkelje të legjislacionit në fuqi ose të përcaktimeve të kontratës së vullnetarizmit.
Neni 32
Detyrimet e vullnetarit
Vullnetari ka këto detyrime:
a) Të kryejë vullnetarizmin, në përputhje me kontratën e vullnetarizmit;
b) Të ofrojë shërbimin personalisht dhe drejtpërdrejt, në përputhje me standardet dhe etikën profesionale, kur ofrimi i shërbimeve kërkon aftësitë profesionale;
c) Të marrë pjesë në trajnime për të përmirësuar cilësinë e punës;
ç) Të respektojë integritetin, misionin dhe objektivat e ofruesit të vullnetarizmit;
d) Të ruajë konfidencialitetin e të dhënave, me të cilin njihet për shkak të natyrës së punës që kryen;
dh) Të informojë me shkrim ofruesin e vullnetarizmit për çdo rrezik ose dëm real që mund t’i vijë atij vetë, ofruesit apo palëve të treta, të cilin e konstaton gjatë kryerjes së vullnetarizmit;
e) Të informojë paraprakisht ofruesin e vullnetarizmit, në rast sëmundjeje ose gjendjeje tjetër, që e pengon atë në kryerjen e vullnetarizmit.
Neni 33
Të drejtat e ofruesit të vullnetarizmit
Ofruesi i vullnetarizmit ka të drejtë:
a) të kërkojë kryerjen e vullnetarizmit, në përputhje me kontratën e vullnetarizmit dhe rregulloren e brendshme;
b) të kërkojë ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave, me të cilat vullnetari njihet gjatë ushtrimit të vullnetarizmit;
c) të informohet në kohë nga vullnetari për çdo rrezik apo dëm real që mund t’i shkaktohet vetë vullnetarit, ofruesit të vullnetarizmit apo palëve të treta, të cilin vullnetari e konstaton gjatë kryerjes së vullnetarizmit;
ç)  çdo të drejtë tjetër të përcaktuar në këtë ligj ose në kontratën e vullnetarizmit.
Neni 34
Detyrimet e ofruesit të vullnetarizmit
Ofruesi i vullnetarizmit ka këto detyrime:
a) Të ofrojë vullnetarizmin, në bazë të kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, në kontratën e vullnetarizmit dhe rregulloren e brendshme;
b) Të sigurojë kushtet dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit;
c) Të lëshojë certifikatën për vullnetarizmin e kryer nga vullnetari, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
ç) Të ruajë konfidencialitetin e të dhënave personale të vullnetarit dhe përfituesit të vullnetarizmit;
d) T’i sigurojë vullnetarit kompensimin e shpenzimeve të nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 14, të këtij ligji, dhe përcaktimeve të kontratës së vullnetarizmit, në rastin kur nuk plotëson detyrimet e përcaktuara në shkronjën “b”, të këtij neni;
dh) Të mbajë e të plotësojë regjistrin e vullnetarëve dhe të bëjë deklarimet për vullnetarizmin, sipas përcaktimeve të ligjit;
e) Çdo përgjegjësi tjetër të përcaktuar në këtë ligj ose në kontratën e vullnetarizmit.
Neni 35
Sigurimi i shëndetit për vullnetarin
1. Ofruesi i vullnetarizmit detyrohet të sigurojë vullnetarin në rast të aksidenteve apo të sëmundjeve profesionale përgjatë gjithë periudhës së vullnetarizmit, kur:
a) vullnetarizmi është afatgjatë;
b) përcaktohet në kontratën e lidhur për vullnetarizmin, në rastin e vullnetarizmit afatshkurtër.
2. Vullnetari përjashtohet nga detyrimi për pagesën e kontributeve të detyrueshme për sigurimet shoqërore, përveç pagesës së kontributit për sigurimin ndaj aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale, sipas përcaktimeve të këtij neni.
3. Kontributi për sigurimin e vullnetarit ndaj aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale llogaritet mbi pagën minimale të miratuar në shkallë vendi, në masën e përcaktuar për këtë lloj kontributi në legjislacionin në fuqi për sigurimet shoqërore.
4. Deklarimi dhe pagesa e këtij kontributi bëhet nga ofruesi i vullnetarizmit, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore.
5. Ofruesi i vullnetarizmit ka të drejtë të kompensohet për pagesën e kryer për sigurimin e detyrueshëm ndaj aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale për vullnetarin, në përputhje me rregullat, procedurat dhe afatet e miratuara me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe të ministrit përgjegjës për financat.
6. Ofruesi i vullnetarizmit dhe vullnetari, kur bien dakord, zgjerojnë gamën e sigurimit për vullnetarët, nëpërmjet lidhjes nga ofruesi i vullnetarizmit i një kontrate sigurimi me shoqërinë e sigurimit.
Neni 36
Shpërblimi për dëmet
1. Vullnetari përgjigjet ndaj ofruesit të vullnetarizmit, nëse shkakton dëm me dashje gjatë kryerjes së vullnetarizmit.
2. Vullnetari përgjigjet ndaj një pale të tretë ose përfituesit të vullnetarizmit, nëse shkakton dëm me dashje gjatë kryerjes së vullnetarizmit, përveç rasteve kur vullnetari ka vepruar në mirëbesim, sipas udhëzimeve të ofruesit të vullnetarizmit.
3. Vullnetari shkarkohet nga përgjegjësia për dëmin e shkaktuar gjatë kryerjes së vullnetarizmit, në rast se ka informuar ofruesin e vullnetarizmit, sipas përcaktimeve të shkronjës “dh”, të nenit 32, të këtij ligji.
4. Ofruesi i vullnetarizmit përgjigjet për dëmet e shkaktuara ndaj vullnetarit, gjatë ose në lidhje me kryerjen e vullnetarizmit, kur detyrimet kanë ardhur si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve të tij.
5. Kërkimi i dëmit, në çdo rast, bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi për kërkimin e dëmit.
Neni 37
Kodi i Etikës së Vullnetarit
1. Kodi i Etikës së Vullnetarit përcakton rregullat e pranueshme të sjelljes për ofruesin e vullnetarizmit, vullnetarin dhe përfituesin e vullnetarizmit, në përputhje me parimet bazë të vullnetarizmit, të përcaktuara në këtë ligj.
2. Kodi i Etikës së Vullnetarit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
Neni 38
Certifikata e vullnetarizmit
1. Ofruesi i vullnetarizmit përgatit dhe pajis vullnetarin me certifikatën e vullnetarizmit, në përfundim të programit të vullnetarizmit.
2. Në rastin e vullnetarizmit afatshkurtër, certifikata e vullnetarizmit lëshohet vetëm me kërkesë të vullnetarit.
3. Certifikata e vullnetarizmit përmban të dhënat personale të vullnetarit, periudhën e vullnetarizmit, një përshkrim të shkurtër të punës apo të shërbimeve vullnetare, fushën e vullnetarizmit dhe trajnimet.
4. Certifikata e vullnetarizmit përmban nënshkrimin e personit përgjegjës dhe vulën e ofruesit të vullnetarizmit, e cila garanton vërtetësinë e të dhënave të pasqyruara.
5. Ofruesi i vullnetarizmit, me kërkesë të vullnetarit, në rastin e vullnetarizmit afatgjatë, ose në marrëveshje me vullnetarin, në rastin e vullnetarizmit afatshkurtër, i bashkëngjit certifikatës së vullnetarizmit edhe dëshminë mbi aftësitë dhe kompetencat e fituara nga vullnetari gjatë vullnetarizmit.
6. Formati standard i certifikatës së vullnetarizmit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
KREU VII
NXITJA DHE MBËSHTETJA E VULLNETARIZMIT
Neni 39
Programet e nxitjes dhe të mbështetjes së vullnetarizmit
1. Nxitja dhe mbështetja e veprimtarive vullnetare dhe pjesëmarrjes së individëve në vullnetarizëm realizohet përmes programeve, si më poshtë vijon:
a) Çmimet kombëtare për vullnetarët e vitit;
b) Financimi i programeve të vullnetarizmit;
c) Platforma elektronike e vullnetarizmit.
2. Fondet e buxhetit të shtetit për financimin e programeve të nxitjes dhe të mbështetjes së vullnetarizmit përcaktohen çdo vit në buxhetin vjetor të shtetit për ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit.
Neni 40
Çmimet kombëtare për vullnetarët e vitit
1. Çmimet kombëtare për vullnetarët e vitit janë vlerësimi më i lartë që bëhet çdo vit për kontributet e dhëna për veprimtarinë vullnetare dhe promovimin e vullnetarizmit në Republikën e Shqipërisë.
2. Procedurat dhe kriteret për ndarjen e çmimeve, kategoritë e çmimeve dhe masa e shpërblimit financiar miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
Neni 41
Financimi i programeve të vullnetarizmit
1. Ofruesit e vullnetarizmit, të përcaktuar në pikën 2, të nenit 7, të këtij ligji, mund të mbështeten në kryerjen e veprimtarive vullnetare nëpërmjet subvencionimit, në përqindje të caktuar, të shpenzimeve për kryerjen e programit të vullnetarizmit, ku përfshihen:
a) shpenzimet për trajtimin e vullnetarëve, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 14, të këtij ligji;
b) shpenzimet për mbikëqyrjen e vullnetarëve;
c) shpenzimet për menaxhimin e programit të vullnetarizmit.
2. Procedurat, kriteret dhe rregullat për përzgjedhjen, financimin dhe monitorimin e ofruesve të vullnetarizmit të mbështetur sipas përcaktimeve të këtij neni miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
3. Fushat e përparësisë për mbështetjen e programeve të vullnetarizmit, bazuar në vlerësimin e objektivave të politikave publike dhe të të dhënave të grumbulluara mbi vullnetarizmin në vend miratohen çdo vit me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
Neni 42
Platforma elektronike e vullnetarizmit
1. Platforma elektronike e vullnetarizmit ngrihet si një hapësirë e dedikuar interaktive në portalin zyrtar të punësimit dhe të aftësive, me qëllim promovimin e vullnetarizmit dhe të mundësive për vullnetarizëm, duke realizuar, ndër të tjera, ndërlidhjen mes ofrueseve të vullnetarizmit dhe vullnetarëve.
2. Platforma elektronike e vullnetarizmit administrohet e mirëmbahet nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
KREU VIII
REGJISTRIMI DHE MONITORIMI I VULLNETARIZMIT
Neni 43
Regjistri Elektronik për Vullnetarizmin dhe Regjistri i Vullnetarizmit
1. Regjistri Elektronik për Vullnetarizmin ngrihet dhe integrohet në bazën e të dhënave të sistemit të shërbimeve të punësimit, me qëllim grumbullimin e informacionit të përditësuar mbi vullnetarizmin në vend dhe për ofrimin e shërbimeve publike për vullnetarët, ofruesit e vullnetarizmit dhe subjektet e tjera, sipas këtij ligji dhe legjislacionit të posaçëm.
2. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë grumbullon e administron të dhënat për vullnetarizmin, në përputhje me legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Regjistri i vullnetarizmit mbahet e plotësohet nga ofruesi i vullnetarizmit dhe përmban të dhënat për vullnetarizmin afatgjatë dhe vullnetarizmin afatshkurtër. Regjistri plotësohet nga dita e fillimit deri në ditën e përfundimit të programit të vullnetarizmit.
4. Ofruesi i vullnetarizmit raporton vullnetarizmin e kryer përmes ngarkimit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit, si dhe të dhënave të regjistrit të vullnetarizmit, përcaktuar në pikën 3 të këtij neni.
5. Përmbajtja dhe rregullat e plotësimit të Regjistrit të Vullnetarizmit dhe rregullat afatet dhe procedurat e raportimit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit nga ofruesit e vullnetarizmit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
Neni 44
Libreza e vullnetarit
1. Libreza e vullnetarit është dokumenti me vulë elektronike, që lëshohet nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për vullnetarin e përmban të dhënat për vullnetarizmin e kryer.
2. Libreza e vullnetarit lëshohet me numër unik, të papërsëritshëm për çdo vullnetar me shtetësi shqiptare, vullnetar të huaj ose person pa shtetësi, që kryen vullnetarizëm në Republikën e Shqipërisë.
3. Libreza e vullnetarit plotësohet për vullnetarin:
a) që merr pjesë në vullnetarizëm afatgjatë;
b) që merr pjesë në vullnetarizëm afatshkurtër, me kohëzgjatje të paktën 20 orë në javë dhe zbatim të rregullt, për të paktën një muaj, dhe përcaktohet në kontratën e vullnetarizmit.
4. Libreza e vullnetarit lëshohet nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë pas raportimit të parë të ofruesit të vullnetarizmit dhe përditësohet në bazë të të dhënave, që raportohen në mënyrë periodike, në Regjistrin Elektronik për Vullnetarizmin.
5. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, me kërkesë të vullnetarit e pas vlerësimit të dokumentacionit provues, bën plotësimin në Regjistrin Elektronik për Vullnetarizmin me të dhënat për vullnetarizmin e kryer jashtë Shqipërisë, për efekt të përditësimit të librezës së vullnetarit.
6. Libreza e vullnetarit shërben për vërtetimin e përvojës vullnetare, ku koha e shpenzuar në vullnetarizëm përllogaritet dhe njihet si përvojë pune vetëm për efekt të procedurave të rekrutimit të punëmarrësve nga çdo punëdhënës në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kriteret e përcaktuara për pozicionin e punës.
7. Forma dhe përmbajtja e librezës së vullnetarit miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
Neni 45
Informacioni për vullnetarizmin
1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë përpunon e analizon informacion për vullnetarizmin, bazuar në të dhënat periodike të raportuara nga ofruesit e vullnetarizmit, në Regjistrin Elektronik për Vullnetarizmin, nëpërmjet kryerjes së hulumtimeve periodike dhe studimeve specifike për matjen e kontributit vullnetar në zhvillimin e mirëqenien e shoqërisë dhe duke u mbështetur në statistikat zyrtare të prodhuara për vullnetarizmin.
2. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë i siguron INSTAT-it të dhënat administrative dhe të dhënat e tjera të mbledhura për vullnetarizmin, bazuar në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet institucioneve.
Neni 46
Inspektimi
1. Inspektorati, që mbulon çështjet e punës, siguron kontrollin për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj, aktet nënligjore të tij dhe kontratat e vullnetarizmit.
2. Nëse gjatë një procedure inspektimi konstatohen shkelje të kërkesave ligjore, do të zbatohen sanksionet e parashikuara në ligjin për inspektimin e punës.
3. Nëse ofruesi i vullnetarizmit nuk merr masa për zbatimin në mënyrë të plotë të kërkesave ligjore brenda afatit të përcaktuar në aktin e inspektimit, ndaj tij aplikohen gjobat, sipas rasteve të parashikuara në nenin 47 të këtij ligji.
4. Të ardhurat e grumbulluara nga gjobat derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
5. Inspektorati i punës, kur konstaton shkelje të dispozitave të këtij ligji për shfrytëzimin e vullnetarëve për çështje fitimi, njofton administratën tatimore për të kryer kontrollin e për të vlerësuar masën e përftimit të paligjshëm, sipas procedurave dhe afateve të parashikuara në legjislacionin për inspektimin.
Neni 47
Kundërvajtjet administrative
1. Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenet 21, pikat 3 dhe 4, 24, pika 2, të, 25, pika 2, 26, pikat 2 dhe 3, 30, pika 1, 35, pika 1, e 43, pika 4, nga ofruesit e vullnetarizmit, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) – 40 000 (dyzet mijë) lekë.
2. Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenet 12 e 19 nga ofruesi i vullnetarizmit, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 30 000 (tridhjetë                                           mijë) – 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe, sipas rastit, me konfiskimin e fitimit.
KREU IX
DISPOZITA KALIMTARE 
DHE TË FUNDIT
Neni 48
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Kneniëshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 24, pika 4, 37, pika 2, 40, pika 2, 41, pika 2, dhe 43, pika 5.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet e punësimit që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 38, pika 6, 41, pika 3, dhe 44, pika 7.
3. Ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet e punësimit dhe ministri përgjegjës për financat, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë aktin nënligjor në zbatim të pikës 5, të nenit 35.
Neni 49
Shfuqizime
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr.45/2016, “Për vullnetarizmin”, shfuqizohet.
Neni 50
Dispozitë kalimtare
Aktet nënligjore të miratuara në zbatim të ligjit nr.45/2016, “Për vullnetarizmin”, mbeten në fuqi dhe do të zbatohen deri në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 51
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR VULLNETARIZMIN”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për vullnetarizmin”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
      
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN SHTESË TË KONVENTËS  PËR KONTRATËN E TRANSPORTIT RRUGOR NDËRKOMBËTAR TË MALLRAVE (CMR), NË LIDHJE ME FATURËN ELEKTRONIKE TË NGARKESËS, BËRË NË GJENEVË, NË DATËN 20.2.2008”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin shtesë të Konventës për Kontratën e Transportit Rrugor Ndërkombëtar të Mallrave (CMR), në lidhje me faturën elektronike të ngarkesës, bërë në Gjenevë, në datën 20.2.2008”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T LI GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN SHTESË TË KONVENTËS PËR KONTRATËN E TRANSPORTIT RRUGOR NDËRKOMBËTAR TË MALLRAVE (CMR), NË LIDHJE ME FATURËN ELEKTRONIKE TË NGARKESËS, BËRË NË GJENEVË, NË DATËN 20.2.2008”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin shtesë të Konventës për Kontratën e Transportit Ndërkombëtar Rrugor të Mallrave (CMR), në lidhje me faturën elektronike të ngarkesës, bërë në Gjenevë, në datën 20.2.2008” sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
Previous Shkup, Maqedoni e Veriut, Takimi i Liderëve të Ballkanit Perëndimor “Stabilitet, Unitet, e Ardhme”