Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Korrik 2025: - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Korrik 2025:

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PRANIMIN E NDRYSHIMEVE TË STATUTIT TË ROMËS PËR GJYKATËN NDËRKOMBËTARE PENALE, PËR KRIMIN E AGRESIONIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.8984, DATË 23.12.2002”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit, ratifikuar me ligjin nr.8984, datë 23.12.2002”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R YE M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

PRANIMIN E NDRYSHIMEVE TË STATUTIT TË ROMËS PËR GJYKATËN NDËRKOMBËTARE PENALE, PËR KRIMIN E AGRESIONIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.8984, DATË, 23.12.2002

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit, bërë në Kampala, më 11 qershor 2010, ratifikuar me ligjin nr.8984, datë 23.12.2002, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.80/2021, “PËR REGJISTRIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.80/2021, “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:

Neni 1

Kudo në përmbajtjen e ligjit:

a) emërtimi “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë” zëvendësohet me “Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, sipas kuptimit të fjalisë;
b) fjala “fillestar” zëvendësohet me fjalët “për herë të parë”.

Neni 2

Në nenin 3, pikat 10 dhe 11, në nenin 6, pika 1, në nenin 10, në nenin 11, pika 1, titullin e seksionit IV, në nenin 33, pika 2, si dhe në nenin 35, pika 1, fjalët “regjistrim tjetër” zëvendësohen me “regjistrim i ndryshimeve të të dhënave”, sipas kuptimit të fjalisë.

Neni 3

Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj përcakton procedurat e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, sipas legjislacionit në fuqi, që përcakton rregullat për themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, si dhe rregullat për mbajtjen e regjistrit të tyre.”.

Neni 4

Pika 9, e nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. “Regjistrimi për herë të parë” është regjistrimi i organizatave jofitimprurëse pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me qëllim fitimin e personalitetit juridik.”.

Neni 5

Titulli i seksionit II, të kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Regjistrimi i organizatave jofitimprurëse, rregullat e emërimit, personat e autorizuar dhe forma e akteve shoqëruese”.

Neni 6

Neni 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 8
Regjistrimi i organizatës jofitimprurëse

Kërkesa për regjistrimin për herë të parë, si dhe kërkesa për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave paraqitet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse.”.

Neni 7

Titulli i nenit 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Regjistrimi i ndryshimeve të të dhënave”.

Neni 8

Neni 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 25
Vendimmarrja e gjyqtarit

Vendimi për regjistrimin për herë të parë të organizatave jofitimprurëse ose për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave, si dhe vendimi për çregjistrimin e tyre merret nga një gjyqtar i seksionit tregtar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj.”.

Neni 9

Neni 26 shfuqizohet.

Neni 10

Titulli i nenit 30 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Përjashtimi i gjyqtarit”.

Neni 11

Pika 5, e nenit 33, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Kundër vendimit të gjyqtarit për mospranimin e kërkesës për regjistrimin për herë të parë të organizatave jofitimprurëse ose kërkesës për ndryshimin e të dhënave mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga njoftimi i vendimit.”.

Neni 12

Neni 34 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 34
Përmbajtja e vendimit të regjistrimit

Vendimi i gjyqtarit për regjistrimin për herë të parë të organizatave jofitimprurëse ose për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave duhet të përmbajë në mënyrë të plotë çështjet, që duhet të pasqyrohen në regjistrin elektronik.”.

Neni 13

Në pikën 1, të nenit 39, fjalët “…, brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj për regjistrimin fillestar, …” hiqen.

Neni 14

Pas pikës 1, të nenit 49, shtohen pikat 1/1, 1/2 dhe 1/3, me këtë përmbajtje:

“1/1. Deklarimi në regjistrin elektronik i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.

1/2. Moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.

1/3. Vendimi i gjyqtarit për dënimin me gjobë ankimohet drejtpërdrejt në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.”.

Neni 15
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.80/2021, “PËR REGJISTRIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.80/2021, “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.155/2020, “PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 3 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:

“4/1 “Shkarkime GES” janë çlirimet e gazeve me efekt serrë (GES) nga burimet e instalimit, që kryejnë aktivitetet e përfshira në shtojcën II, pjesa A; nga operatori i avionit, sipas përcaktimeve të shtojcës II, pjesa B; nga anija që kryen një veprimtari transporti detar dhe çliron GES-et e përfshira në shtojcën II, pjesa C, ose nga subjekti i rregulluar që kryen veprimtarinë e përmendur në shtojcën II, pjesa D.”.

2. Pika 12 shfuqizohet.

3. Pika 34 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“34. IGJEO” është Instituti i Gjeoshkencave.”.

4. Pas pikës 37 shtohen pikat 38, 39, 40, 41, 42, 43 dhe 44, me këtë përmbajtje:

“38. “Efektet në aviacion të palidhura me shkarkimin e CO2” janë efektet në klimë nga çlirimi i oksideve të azotit (NOx), i grimcave të blozës dhe i oksideve të squfurit gjatë djegies së karburantit dhe efektet nga avujt e ujit, duke përfshirë vijat e kondensimit (contrail) nga një avion që kryen një veprimtari aviacioni, të rradhitur në shtojcën II, pjesa B.

39. “MRVA” është sistemi i Bashkimit Evropian, që parashikon detyrimet e monitorimit, raportimit, verifikimit dhe të akreditimit në lidhje me shkarkimet e gazeve me efekt serrë për disa veprimtari specifike, që ngrihet në përputhje me direktivën 2003/87/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 13 tetor 2003, “Për krijimin e një skeme për tregtinë e lejeve për shkarkimet e gazeve me efekt serrë brenda Komunitetit dhe që ndryshon direktivën e Këshillit 96/61/KE”.

40. “Lëndë djegëse”, për qëllimin e këtij ligji, është çdo produkt energjetik, që përfshihet në listën e shtojcës II, pjesa D, të këtij ligji, që tregtohet dhe përdoret për djegie në sektorët e ngrohjes së ndërtesave, transportit rrugor, industrisë energjetike, industrisë së prodhimit dhe të ndërtimit, sipas specifikimeve teknike dhe përjashtimeve, të përcaktuara në shtojcën II, pjesa D, të këtij ligji.

41. “Porti i zbarkimit” është porti, ku një anije ndalon për të ngarkuar ose për të shkarkuar ngarkesë, për të ngjitur apo për të zbritur pasagjerë ose porti, ku një mjet lundrues në det të hapur (offshore) ndalon për të ndërruar ekuipazhin. Nuk përfshihen ndalesat që kanë si qëllim të vetëm furnizimin me karburant, marrjen e furnizimeve të tjera, ndërrimin e ekuipazhit të një anijeje, të ndryshme nga ajo në det të hapur, hyrjen në dok ose riparimin e anijes dhe/ose të pajisjeve të saj, ndalesat në port kur mjeti ka nevojë për ndihmë ose është në rrezik, transferimet nga anija në anije të kryera jashtë porteve, ndalesat, me qëllimin e vetëm për t’u strehuar nga moti i pafavorshëm ose që bëhet i domosdoshëm për kryerjen e aktivitetit të kërkim-shpëtimit dhe ndalesat e anijeve të kontejnerëve në një port fqinj transporti kontejnerësh.

42. “Subjekti i rregulluar”, për qëllim të këtij ligji, është:

a) shoqëria e tregtimit me shumicë e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, sipas përkufizimit të ligjit nr.8450, datë 24.12.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, që ushtron veprimtarinë e tregtimit me shumicë të produkteve të mëposhtme, kur përdoren si lëndë djegëse, në kuptim të shtojcës II, pjesa D, të këtij ligji:

i. Naftë bruto;
ii. Gaz natyror;
iii. Gazi i lëngshëm;
iv. Benzinë automjetesh;
v. Nënprodukte të tjera, të lëngshme, si benzol, toluol, ksilol, solven, white spirit;
vi. Gazoil (diezel);
vii. Vajgur ndriçues;
viii. Kerozene;
ix. Lëndë djegëse për përdorim termik civil dhe/ose industrial;
x. Vajra;
xi. Solarë;
xii. Bitum (asfalt);
xiii. Mazut.

b) çdo person fizik ose juridik, që ushtron veprimtarinë e tregtimit me shumicë të produkteve të tjera, që konsiderohen dhe përdoren si lëndë djegëse, në kuptim të shtojcës II, pjesa D, të këtij ligji.

43. “Shoqëri transporti detar”, për qëllim të këtij ligji, janë subjektet detare, sipas nenit 3, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të të punësuarve.

44. “Lëndë djegëse alternative” do të thotë lëndë djegëse ose burime energjie që shërbejnë, të paktën pjesërisht, si zëvendësim për burimet e naftës fosile në energjinë e përdorur për transport dhe që kanë potencialin të kontribuojnë në dekarbonizimin e tij dhe të përmirësojnë performancën mjedisore të sektorit të transportit, duke përfshirë:

a) lëndë djegëse për automjete, trena, anije ose avionë me emetim zero të llojit:

i. energji elektrike;
ii. hidrogjen;
iii. amoniak.

b) lëndë djegëse të rinovueshme dhe konkretisht:

i. karburante të biomasës, duke përfshirë biogazin dhe biokarburante, të përcaktuara në ligjin nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, si dhe në legjislacionin në fuqi për prodhimin, tregtimin, transportin e biokarburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse;
ii. lëndë djegëse sintetike dhe parafinike, duke përfshirë amoniakun, të prodhuara nga energjia e rinovueshme.

c) lëndë djegëse alternative jo të rinovueshme dhe karburante fosile kalimtare dhe konkretisht:

i. Gaz natyror në formë të gaztë (gaz natyror i kompresuar (GNK)) dhe në formë të lëngëzuar (gaz natyror i lëngëzuar (GNL)), e përcaktuar në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar;
ii. Gaz nafte i lëngëzuar (LPG), që përbëhet nga hidrokarbure të lehta parafinike, të cilat rrjedhin nga proceset e rafinerisë, nga stabilizimi i naftës bruto dhe impiantet e përpunimit të gazit natyror, të përbëra kryesisht nga propani dhe butani ose kombinimi i të dyjave, që mund të përfshijnë edhe propilenin, butilenin, izopropilenin dhe izobutilenin;
iii. Lëndë djegëse sintetike dhe parafinike të prodhuara nga energji jo e rinovueshme.”.

Neni 2

Neni 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 5
Strategjia dhe planet kombëtare për ndryshimet klimatike

1. Kuadri i përgjithshëm kombëtar për ndryshimet klimatike përbëhet nga dokumentet e mëposhtme:

a) Strategjia Kombëtare Afatgjatë për Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin me Emetim të Ulët, që përmban politikat e përgjithshme kombëtare për ndryshimet klimatike dhe ka si pjesë përbërëse të saj planin e veprimit afatgjatë për zhvillimin me emetim të ulët, që është në përputhje me objektivin e neutralitetit klimatik të Komunitetit të Energjisë, ku përcaktohen masat kombëtare për reduktimin e shkarkimeve të GES-eve dhe shtimin e përthithësve të GES-eve në sektorët përkatës;
b) Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP), që krijon kuadrin për një proces të vazhdueshëm të përshtatjes në vend. NAP-i përcakton objektivat për përshtatjen, nxit integrimin e përshtatjes në politikat sektoriale të ministrive të linjës, përcakton masat prioritare dhe organizon përgjegjësitë e mekanizmat e bashkëpunimit, brenda proceseve të përshtatjes;
c) Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, i cili përmban elementet e parashikuara në pikën 3, të nenit 14, të këtij ligji.

2. Strategjia Kombëtare Afatgjatë për Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin me Emetim të Ulët dhe pjesët përbërëse të saj, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, përfshijnë çështjet nga lista joshteruese e shtojcës III/A, që i bashkëlidhet këtij ligji.

3. Ministria nëpërmjet grupit ndërministror të punës në fushën e ndryshimeve klimatike monitoron dhe vlerëson çdo 2 vjet progresin për zbatimin e Strategjisë Kombëtare Afatgjatë për Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin me Emetim të Ulët dhe të Planit Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP) dhe harton raportin, që përmban:

a) vlerësimin e progresit në reduktimin e shkarkimeve dhe të përthithjes nga rezervuarët e GES-eve, në raport me kontributin kombëtar të përcaktuar (NDC);
b) vlerësimin e progresit në zbatimin e planit të veprimit afatgjatë për zhvillimin me emetim të ulët;
c) vlerësimin e zbatimit të Planit Kombëtar për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike, që përfshin:

i. gjetjet e reja dhe vulnerabilitetin për ndryshimet klimatike;
ii. aktivitetet e kryera gjatë procesit të NAP-it;
iii. progresin dhe vështirësitë në integrimin e përshtatjes në sektorët e tjerë;
iv. progresin dhe vështirësitë në arritjen e objektivave e të indikatorëve;
v. rekomandimet për masat në të ardhmen.

4. Ministria, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për energjinë, nëpërmjet grupit ndërministror të punës në fushën e ndryshimeve klimatike, monitoron dhe vlerëson çdo 2 vjet progresin për zbatimin e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës. Për këtë qëllim, ministritë hartojnë raportin kombëtar të monitorimit të progresit të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës, sipas procedurave të parashikuara nga mekanizmi qeverisës, i përcaktuar në pikën 2, të nenit 14, të këtij ligji.

5. Strategjitë dhe planet kombëtare për ndryshimet klimatike rishikohen sipas afateve, të përcaktuara, si më poshtë vijon:

a) Strategjia Kombëtare Afatgjatë për Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin me Emetim të Ulët rishikohet të paktën çdo 10 vjet;
b) Plani i veprimit afatgjatë për zhvillimin me emetim të ulët dhe Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP) rishikohen të paktën çdo 5 vjet;
c) Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën rishikohet çdo 10 vjet, në përputhje me mekanizmin qeverisës, që parashikohet në pikën 2, të nenit 14, të këtij ligji. Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën rishikohet gjithashtu, në çdo rast, kur ka mospërputhje me arritjen e objektivave kombëtarë të miratuar apo kur synohet tejkalimi i tyre.

6. Strategjia Kombëtare Afatgjatë për Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin me Emetim të Ulët dhe plani i veprimit afatgjatë për zhvillimin me emetim të ulët, si pjesë përbërëse të saj, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.

7. Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP) miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.

8. Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën miratohet në përputhje me parashikimet e pikës 4, të nenit 14, të këtij ligji.”.

Neni 3

Pas nenit 7 shtohet neni 7/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 7/1
Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike

1. Ministria, vetë ose në bashkërendim me ministritë e sektorëve, të ndikuar nga ndryshimet klimatike, sipas rastit, harton politikat dhe kuadrin ligjor që sigurojnë rritjen e aftësive të përshtatjes, forcimin e qëndrueshmërisë, zvogëlimin e cenueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, duke garantuar mbrojtjen e jetës, mjeteve të jetesës dhe të ekosistemeve.

2. Politikat dhe kuadri ligjor, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përmbajnë masat e nevojshme për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke përfshirë:

a) masat për zgjerimin e njohurive shkencore dhe fuqizimin e kërkimit shkencor për klimën;
b) masat për mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave për ndryshimet klimatike;
c) masat për krijimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për rreziqet, që vijnë nga ndryshimet klimatike;
ç) masat për përmirësimin e eficiencës dhe qëndrueshmërisë së veprimeve të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike;
d) masat për ngritjen dhe fuqizimin e institucioneve kompetente për realizimin e veprimtarisë së përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike;
dh) vënien në dispozicion të fondeve të posaçme për realizimin e masave të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.”.

Neni 4

Në kreun III bëhen këto ndryshime:

1. Seksioni I ndryshohet, si më poshtë vijon:

“SEKSIONI I
SISTEMI I MONITORIMIT, RAPORTIMIT, VERIFIKIMIT DHE AKREDITIMIT (MRVA) NË LIDHJE ME SHKARKIMET GES

Neni 8

Monitorimi dhe raportimi i shkarkimeve GES nga operatori i instalimit, nga subjekti i rregulluar dhe verifikimi

1. Operatori i instalimit monitoron shkarkimet GES nga instalimi gjatë një viti kalendarik. Subjekti i rregulluar monitoron shkarkimet GES, që përkojnë me sasinë e lëndëve djegëse të hedhura për konsum gjatë një viti kalendarik. Monitorimi kryhet në përputhje me planin e monitorimit, të miratuar nga AKM-ja.

2. Operatori i instalimit dhe subjekti i rregulluar hartojnë raportin e të dhënave të monitorimit të shkarkimeve të GES-eve të vitit paraardhës dhe e dorëzojnë, jo më vonë se muaji janar i çdo viti, te verifikuesi i akredituar.

3. Verifikuesi i akredituar verifikon nëse raporti është në përputhje me planin e monitorimit dhe me kriteret e procedurat e monitorimit, harton raportin e verifikimit dhe ia dorëzon atë operatorit të instalimit dhe subjektit të rregulluar, sipas rastit.

4. Operatori i instalimit, brenda muajit mars të çdo viti, dhe subjekti i rregulluar, brenda muajit prill të çdo viti, dorëzojnë pranë AKM-së raportin e të dhënave të monitorimit të shkarkimeve të GES-eve të vitit paraardhës, së bashku me raportin e verifikimit, të hartuar nga verifikuesi i akredituar.

5. Personat fizikë dhe juridikë, që gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare blejnë nga subjekti i rregulluar lëndët djegëse për përdorim në sektorët e përcaktuar në shtojcën II, pjesa D, të këtij ligji, kanë detyrimin të raportojnë menjëherë te subjekti i rregulluar të gjitha informacionet e kërkuara prej tij për destinacionin e këtyre lëndëve djegëse, për t’i mundësuar subjektit të rregulluar përmbushjen e detyrimeve të monitorimit dhe raportimit të shkarkimeve GES, sipas këtij neni. Detyrimi për raportim kryhet në respektim të parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe në respektim të parimit të ruajtjes së sekretit tregtar, sipas legjislacionit për pronësinë industriale. Subjekti i rregulluar ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit për gjobat e marra për mospërmbushjen e detyrimeve të raportimit, sipas këtij neni, në rast se mospërmbushja është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së raportimit të informacioneve nga personat fizikë dhe juridikë, që furnizohen prej tij me lëndë djegëse, sipas kësaj pike.

6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit dhe, sipas rastit, të ministrit përgjegjës për akreditimin në Republikën e Shqipërisë, miraton rregulloret për kushtet, kriteret dhe procedurat e monitorimit, raportimit dhe verifikimit të shkarkimeve të GES-eve nga operatori i instalimit dhe subjekti i rregulluar dhe i akreditimit të verifikuesve, që përmbajnë:

a) kushtet, kriteret dhe procedurat për miratimin e përditësimin e planit të monitorimit;
b) kushtet, kriteret dhe procedurat e hartimit të raportit të të dhënave të monitorimit të shkarkimeve të GES-eve;
c) kushtet, kriteret dhe procedurat e verifikimit dhe hartimit të raportit të verifikimit nga verifikuesi i akredituar;
ç) kushtet, kriteret dhe procedurat e akreditimit të verifikuesit të akredituar;
d) kushtet e posaçme, procedurën e shqyrtimit dhe vendimmarrjes, procedurën e përditësimit, shfuqizimit dhe tarifën e aplikimit të autorizimit për shkarkimet GES;
dh) kompetencat e AKM-së në lidhje me raportimin e të dhënave të monitorimit të shkarkimeve të GES-eve nga operatori i instalimit dhe subjekti i rregulluar dhe verifikimin nga verifikuesi i akredituar.

Neni 9
Autorizimi për shkarkimet e GES nga instalimi dhe subjekti i rregulluar

1. Operatori i instalimit pajiset me autorizimin për shkarkimet e GES-eve për ushtrimin e aktiviteteve, të parashikuara në shtojcën II, pjesa A, të këtij ligji, kur çliron GES-et e përcaktuara në këtë shtojcë. Autorizimi për shkarkimet e GES-eve mbulon një ose disa instalime që operohen në të njëjtin vend nga i njëjti operator.

2. Subjekti i rregulluar pajiset me autorizimin për shkarkimet e GES-eve për ushtrimin e aktiviteteve, të parashikuara në shtojcën II, pjesa D, të këtij ligji.

3. Ministri lëshon autorizimin për shkarkimet GES nga operatori i instalimit dhe nga subjekti i rregulluar me paraqitjen prej tyre të planit të monitorimit të shkarkimeve GES, të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

4. Autorizimi për shkarkimet e GES-eve nga operatori i instalimit përmban të paktën elementet, si më poshtë vijon:

a) Emrin dhe adresën e operatorit;
b) Një përshkrim të aktiviteteve dhe shkarkimeve nga instalimi;
c) Planin e monitorimit, të miratuar nga AKM-ja.
ç) Detyrimet për raportimin e shkarkimeve GES nga operatori i instalimit.

5. Autorizimi për shkarkimet e GES-eve nga subjekti i rregulluar përmban të paktën elementet, si më poshtë në vijon:

a) Emrin dhe adresën e subjektit të rregulluar;
b) Një përshkrim të mënyrës së hedhjes për konsum nga subjekti i rregulluar të lëndëve djegëse për përdorim në sektorët, e përcaktuar në shtojcën II, pjesa D, të këtij ligji;
c) Një listë të lëndëve djegëse, që subjekti i rregulluar hedh për konsum në sektorët e përcaktuar në shtojcën II, pjesa D, të këtij ligji;
ç) Planin e monitorimit, të miratuar nga AKM-ja;
d) Detyrimet për raportimin e GES-eve nga subjekti i rregulluar.

6. Ministri, me propozimin e strukturës përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit, shfuqizon autorizimin e shkarkimeve të GES-eve dhe vendos pezullimin e aktivitetit që shkarkon GES-e, në një nga rastet kur:

a) operatori i instalimit dhe subjekti i rregulluar nuk përmbushin detyrimet e monitorimit e të raportimit;
b) operatori i instalimit dhe subjekti i rregulluar nuk përmbushin detyrimin e parashikuar në nenin 10, të këtij ligji.

Neni 10
Ndryshime të instalimit dhe aktivitetit të subjektit të rregulluar

1. Operatori i instalimit informon menjëherë AKM-në për çdo ndryshim, që planifikon të kryejë në natyrën apo funksionimin e instalimit ose çdo zgjerim apo reduktim të rëndësishëm të kapacitetit të vet, që mund të kërkojë përditësimin e planit të monitorimit ose të autorizimit të shkarkimeve GES. Konsiderohet ndryshim i rëndësishëm i kapacitetit një ndryshim në funksionim, që arrin pragun e kapacitetit prodhues, ose sasinë e prodhimit të një instalimi të përfshirë në shtojcën II, pjesa A, të këtij ligji.

2. Subjekti i rregulluar informon menjëherë AKM-në për çdo ndryshim të planifikuar në natyrën e aktivitetit ose të lëndëve djegëse që nxjerr për konsum, të cilat mund të kërkojnë përditësimin e planit të monitorimit ose të autorizimit të shkarkimeve GES.

3. Përditësimi i planit të monitorimit dhe të autorizimit të shkarkimeve GES, në rastet e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, kryhet sipas përcaktimeve të akteve nënligjore, të parashikuara në shkronjat “a” dhe “d”, të pikës 6, të nenit 8, të këtij ligji.

Neni 11
Detyrimet MRVA të operatorit të avionit

1. Çdo operator avioni, që sipas legjislacionit në fuqi për transportin ajror konsiderohet transportues ajror shqiptar, që kryen aktivitete aviacioni të përfshira në shtojcën II, pjesa B, të këtij ligji, dhe shkarkon GES-e, ka detyrimin e monitorimit dhe të raportimit të shkarkimeve të GES-eve për fluturimet që nisen nga apo arrijnë në një aeroport që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë ose midis aeroporteve në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Operatori i avionit harton planin e monitorimit të shkarkimeve të GES-eve dhe e paraqet atë për miratim pranë AKM-së.

3. Operatori i avionit monitoron dhe raporton shkarkimet GES gjatë një viti kalendarik, nëpërmjet raportit të të dhënave të monitorimit të shkarkimeve GES, dhe e dorëzon atë te verifikuesi i akredituar, jo më vonë se muaji janar i çdo viti.

4. Verifikuesi i akredituar verifikon nëse raporti është në përputhje me planin e monitorimit dhe me kriteret e procedurat e monitorimit dhe harton raportin e verifikimit.

5. Raporti i të dhënave të monitorimit të shkarkimeve GES të operatorit të avionit, i verifikuar sipas pikës 4, më sipër, dorëzohet pranë AKM-së, brenda muajit mars të çdo viti.

6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, dhe, sipas rastit, të ministrit përgjegjës për aviacionin civil dhe për akreditimin në Republikën e Shqipërisë, miraton rregulloren për kushtet, kriteret dhe procedurat e monitorimit, raportimit dhe verifikimit të shkarkimeve të GES-eve nga operatori i avionit dhe akreditimit të verifikuesve, që përmban:

a) kushtet, kriteret dhe procedurën për miratimin e planit të monitorimit;.
b) kushtet, kriteret dhe procedurat për monitorimin dhe hartimin e raportit të të dhënave të monitorimit të shkarkimeve të GES-eve;
c) kushtet, kriteret dhe procedurat e verifikimit dhe hartimit të raportit të verifikimit nga verifikuesi i akredituar;
ç) kushtet, kriteret dhe procedurat e akreditimit të verifikuesit të akredituar;
d) kompetencat e AKM-së në lidhje me raportimin e të dhënave të monitorimit të shkarkimeve të GES-eve nga operatori i avionit dhe verifikimin nga verifikuesi i akredituar.

7. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin dhe të ministrit përgjegjës për transportin, miraton kushtet dhe procedurat e raportimit për efektet në aviacion, të palidhura me shkarkimin e CO2.

Neni 12
Detyrimet MRVA të shoqërisë së transportit detar

1. Çdo shoqëri e transportit detar, për anijet që mbajnë flamurin shqiptar, ka detyrimin e monitorimit dhe të raportimit të shkarkimeve të GES-eve nga anijet e përfshira në shtojcën II, pjesa C, të këtij ligji, që transportojnë mallra apo pasagjerë për qëllime tregtare, nga porti i fundit i zbarkimit në një port zbarkimi të vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë, ose nga një port zbarkimi, i vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në portin e ardhshëm të zbarkimit, si dhe midis porteve të zbarkimit, që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Shoqëria e transportit detar harton planin e monitorimit të shkarkimeve të GES-eve, që verifikohet nga verifikuesi i akredituar dhe miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.

3. Shoqëria e transportit detar raporton shkarkimet e GES-eve nëpërmjet raportit të të dhënave të monitorimit të shkarkimeve GES, që hartohet nga shoqëria e transportit detar dhe dorëzohet te verifikuesi i akredituar, jo më vonë se muaji janar i çdo viti.

4. Verifikuesi i akredituar verifikon raportin e të dhënave të monitorimit të shkarkimeve GES të shoqërisë së transportit detar. Raporti i verifikuar i të dhënave të monitorimit të shkarkimeve GES të shoqërisë së transportit detar dorëzohet pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare, brenda muajit mars të çdo viti.

5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, dhe, sipas rastit, të ministrit përgjegjës për transportin detar dhe për akreditimin në Republikën e Shqipërisë, miraton rregulloret për kushtet, kriteret dhe procedurat e monitorimit, raportimit dhe verifikimit të shkarkimeve të GES-eve nga shoqëria e transportit detar dhe akreditimit të verifikuesve, që përmban:

a) kushtet, kriteret dhe procedurën për miratimin e planit të monitorimit nga shoqëria e transportit detar dhe për verifikimin nga verifikuesi i akredituar;
b) kushtet, kriteret e procedurat për monitorimin dhe hartimin e raportit të të dhënave të monitorimit të shkarkimeve GES;
c) kushtet, kriteret e procedurat e verifikimit dhe hartimit të raportit të verifikimit nga verifikuesi i akredituar;
ç) kushtet, kriteret dhe procedurat e akreditimit të verifikuesit të akredituar;
d) kompetencat e Drejtorisë së Transportit Detar në lidhje me raportimin e të dhënave të monitorimit të shkarkimeve të GES-eve nga shoqëria e transportit detar dhe verifikimin nga verifikuesi i akredituar.

Neni 12/1
Akreditimi i verifikuesit

1. Çdo person juridik, që ushtron në territorin e Republikës së Shqipërisë funksionin e verifikuesit, të parashikuar në këtë ligj, akreditohet sipas ligjit nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

2. Çdo person juridik, i regjistruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, që ushtron funksionin e verifikuesit, sipas këtij ligji, akreditohet nga një organizëm akreditues i huaj, vetëm në rastet kur plotësohen kushtet e parashikuara në nenin 8, të ligjit nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Çdo person juridik, i akredituar si verifikues nga një organizëm kombëtar akreditimi i një vendi tjetër, ushtron funksionin e verifikuesit në territorin e Republikës së Shqipërisë, kur përmbush kushtet e parashikuara në nenin 13, të ligjit nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Kushtet, kriteret, procedurat dhe fushat specifike për akreditimin e verifikuesit përcaktohen në rregulloret e miratuara, në zbatim të nenit 8, pika 6, shkronja “ç”, të nenit 11, pika 6, shkronja “ç”, dhe të nenit 12, pika 5, shkronja “ç”, të këtij ligji, që hartohen në përputhje me parimet e ligjit nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.

2. Seksioni II shfuqizohet.

3. Pas nenit 14 shtohen nenet 14/1, 14/2 dhe 14/3, me këtë përmbajtje:

Neni 14/1
Planet vendore për energjinë dhe klimën dhe përshtatjen

1. Duke nisur nga viti 2027, njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë planet vendore për energjinë, klimën dhe përshtatjen.

2. Planet vendore për energjinë, klimën dhe përshtatjen hartohen për një periudhë 10-vjeçare dhe janë në përputhje me objektivat kombëtarë, të përcaktuara në strategjitë dhe planet në fushën e energjisë dhe ndryshimeve klimatike.

3. Plani vendor për energjinë, klimën dhe përshtatjen miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak dhe rishikohet çdo 5 vjet ose në çdo kohë që vlerësohet e nevojshme nga njësia e qeverisjes vendore.

4. Para miratimit nga Këshilli Bashkiak, projektplanet vendore për energjinë, klimën dhe përshtatjen konsultohen me ministritë e linjës sipas fushës së përgjegjësisë, si dhe me përfaqësues të grupeve të interesit dhe përfaqësues të shoqërisë civile për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me objektivat kombëtarë, të përcaktuar në strategjitë dhe planet në fushën e energjisë dhe ndryshimeve klimatike.

5. Plani vendor për energjinë, klimën dhe përshtatjen dhe raporti i progresit për zbatimin e tij hartohen në përputhje me formatin, kërkesat dhe elementet, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për energjinë, jo më vonë se 12 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 14/2
Zhvillimi i infrastrukturës së lëndëve djegëse alternative

1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për transportin, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton rregullat për zhvillimin e infrastrukturës së lëndëve djegëse alternative, me qëllim reduktimin e emetimeve të CO₂ dhe ndikimin mjedisor të sektorit të transportit, duke përfshirë:

a) përcaktimin e objektivave kombëtarë, të detyrueshëm për zhvillimin e infrastrukturës së mjaftueshme të lëndëve djegëse alternative për automjetet rrugore, trenat, anijet dhe avionët në gjendje të palëvizshme;
b) përcaktimin e specifikimeve teknike për infrastrukturën e lëndëve djegëse alternative;
c) përcaktimin e specifikimeve dhe kërkesave të përbashkëta teknike për informacionin për përdoruesit e automjeteve, ofrimin e të dhënave në lidhje me pikat e karikimit dhe shpërndarjes së karburanteve alternative dhe mënyrat e pagesës;
ç) përcaktimin e elementeve dhe përmbajtjes së raportit vjetor për zhvillimin e infrastrukturës së lëndëve djegëse alternative.

2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për transportin, brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton dokumentin strategjik për politikat kombëtare për zhvillimin e tregut në lidhje me lëndët djegëse alternative në sektorin e transportit dhe vendosjen e infrastrukturës përkatëse.

Neni 14/3
Shkarkimet nga automjetet e reja

1. Automjetet e reja për pasagjerë, automjetet e reja të lehta tregtare dhe automjetet e rënda vendosen në treg vetëm nëse janë në përputhje me kërkesat e performancës së emetimeve të CO2, të specifikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, sipas pikës 2, të këtij neni.

2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për transportin, miraton rregullat e detajuara të performancës së shkarkimeve të CO2 nga automjetet e reja për pasagjerë, automjetet e reja të lehta tregtare dhe automjetet e rënda, të cilat përfshijnë:

a) monitorimin dhe raportimin e të dhënave për regjistrimin e automjeteve të reja për pasagjerë për vlerësimin e reduktimit të shkarkimeve të CO2 nga automjetet e lehta tregtare;
b) monitorimin dhe raportimin e shkarkimeve të CO2 nga automjetet e reja për pasagjerë dhe nga automjetet e reja të lehta tregtare.

3. Automjetet e reja për pasagjerë dhe automjetet e reja të lehta tregtare mund të shiten ose të jepen me qira vetëm nëse janë të shoqëruara me informacionin e duhur për konsumatorin për ekonominë e karburantit dhe emetimet e CO2.

4. Masat për sigurimin e informacionit për konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 gjatë marketingut të automjeteve të reja, sipas pikës 3, të këtij neni, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për transportin.”.

4. Në seksionin IV bëhen këto ndryshime:

a) Numri dhe titulli i seksionit IV shfuqizohen.
b) Neni 15 shfuqizohet.

Neni 5

Në nenin 33 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Pika 4, e nenit 33, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Autoriteti Kombëtar i Përcaktuar (NDA) është ministri ose zëvendësministri, i deleguar me urdhër të ministrit.”

2. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Ministria, institucionet e varësisë, sipas rastit, dhe ministritë e sektorëve të ndikuar nga ndryshimet klimatike mbështesin me ekspertizë teknike Autoritetin Kombëtar të Përcaktuar (NDA) gjatë ushtrimit të funksioneve të tij. Ministri përcakton me udhëzim procedurën dhe formën e organizimit e të bashkërendimit të punës midis NDA-së dhe organeve mbështetëse.”.

Neni 6

Nënparagrafët e pikës 1, të nenit 34, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“a) zhvillimi i aktiviteteve nga operatori i instalimit dhe nga subjekti i rregulluar, pa u pajisur me autorizimin për shkarkimet e GES-eve, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në nenin 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 2 000 000 (dy milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë, që rritet në masën 2 për qind të vlerës së gjobës çdo ditë, deri në korrigjimin e mospërmbushjes;
b) zhvillimi i aktiviteteve nga operatori i avionit dhe shoqëria e transportit detar, pa planin e monitorimit të miratuar nga institucionet kompetente, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në nenet 11 dhe 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 2 000 000 (dy milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë, që rritet në masën 2 për qind të vlerës së gjobës çdo ditë, deri në korrigjimin e mospërmbushjes;
c) mospërmbushja e detyrimeve të raportimit të shkarkimeve GES nga operatori i instalimit, subjekti i rregulluar, operatori i avionit dhe shoqëria e transportit detar, në kundërshtim me kërkesat e neneve 8, 11 dhe 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 2 000 000 (dy milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë, që rritet në masën 2 për qind të vlerës së gjobës çdo ditë, deri në korrigjimin e mospërmbushjes;
ç) mosnjoftimi në AKM nga operatori i instalimit dhe nga subjekti i rregulluar, i ndryshimeve të parashikuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 10, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën, nga 2 000 000 (dy milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë, që rritet në masën 2 për qind të vlerës së gjobës çdo ditë, deri në korrigjimin e mospërmbushjes.”.

Neni 7

Në nenin 35 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:

1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Detar i përcjell AKM-së vendimet, planin e monitorimit dhe raportin e të dhënave të monitorimit të shkarkimeve të GES-eve të shoqërisë së transportit detar.”.

2. Pika 5, e nenit 35, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Nivelet e shkarkimeve vjetore GES nga subjektet që depozitojnë pranë autoriteteve kompetente raportet e të dhënave të monitorimit të GES-eve, në përputhje me nenet 8, 11 dhe 12, të këtij ligji, bëhen menjëherë të disponueshme për publikun dhe përditësohen rregullisht, duke siguruar akses për të gjithë, në përputhje me vendimin nr.16, datë 4.1.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion mjedisor”.”.

Neni 8

Neni 36 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 36
Raportimi

1. AKM-ja përgatit raportin për zbatimin e kërkesave për monitorimin, raportimin, verifikimin e shkarkimeve të GES-eve, sipas kërkesave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të tij, çdo vit, pas fillimit të efekteve të detyrimeve të operatorëve, sipas parashikimeve të nenit 38/1, të këtij ligji, dhe ia vendos në dispozicion ministrisë përgjegjëse për mjedisin.

2. Formati dhe përmbajtja e raportit, të parashikuar në këtë nen, miratohet me urdhër të ministrit.”.

Neni 9

Në nenin 37 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që në zbatim të neneve 5, pikat 6, 7 dhe 8; 7, pika 5; 8, pika 6; 11, pikat 6 e 7; 12, pika 5; 14, pika 2; 14/1, pika 5; 18, pika 4; 19, pika 2; 21, pika 1, dhe 32, pika 5, të miratojë aktet nënligjore.”.

2. Pika 3 shfuqizohet.

Neni 10

Pas nenit 38 shtohet neni 38/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 38/1
Fillimi i efekteve

1. Detyrimi i operatorit të instalimit për pajisjen me autorizimin për shkarkimet GES, sipas pikave 1 dhe 3, të nenit 9, të këtij ligji, i fillon efektet menjëherë pas miratimit të akteve nënligjore, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 37, të këtij ligji. Në çdo rast, autorizimet e shkarkimeve GES për të gjithë operatorët e instalimeve, subjekt i këtij ligji, do të lëshohen jo më vonë se data 31 dhjetor 2026.

2. Detyrimi i operatorit të avionit për hartimin e planit të monitorimit për shkarkimet GES dhe paraqitjen e tij për miratim nga AKM-ja, sipas pikës 2, të nenit 11, të këtij ligji, fillon menjëherë pas miratimit të akteve nënligjore, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 37, të këtij ligji. Në çdo rast, procedura e miratimit të planit të monitorimit për të gjithë operatorët e avionit, subjekt i këtij ligji, do të kryhet jo më vonë se data 31 dhjetor 2026.

3. Detyrimi i subjektit të rregulluar për pajisjen me autorizimin për shkarkimet GES, sipas pikave 2 dhe 3, të nenit 9, të këtij ligji, fillon menjëherë pas miratimit të akteve nënligjore, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 37, të këtij ligji. Në çdo rast, autorizimet e shkarkimeve GES për të gjitha subjektet e rregulluara, që i nënshtrohen këtij ligji, do të lëshohen jo më vonë se data 31 dhjetor 2027.

4. Detyrimi i shoqërisë së transportit detar për hartimin e planit të monitorimit për shkarkimet GES dhe paraqitjen e tij për miratim nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, sipas pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, fillon menjëherë pas miratimit të akteve nënligjore, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 37, të këtij ligji. Në çdo rast, procedura e miratimit të planit të monitorimit për të gjitha shoqëritë e transportit detar, subjekt i këtij ligji, do të kryhet jo më vonë se data 31 dhjetor 2027.

5. Detyrimet e operatorit të instalimit dhe operatorit të avionit për monitorimin dhe raportimin e shkarkimeve të GES, sipas pikave 1-4, të nenit 8, dhe të pikave 3-5, të nenit 11, të këtij ligji, menjëherë pas pajisjes me autorizimin për shkarkimet GES dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 1 janar 2027.

6. Detyrimet e subjektit të rregulluar dhe shoqërisë së transportit detar për monitorimin dhe raportimin e shkarkimeve të GES, sipas pikave 1-4, të nenit 8 dhe të pikave 3-4, të nenit 12, të këtij ligji, fillojnë më 1 janar 2028.

7. Detyrimi për monitorimin dhe vlerësimin e progresit për zbatimin e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës, sipas pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji, fillon nga data 15 mars 2027.

8. Detyrimi për rishikimin e Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën sipas shkronjës “c”, të pikës 5, të nenit 5, të këtij ligji, fillon nga data 1 janar 2028.

9. Detyrimi i AKM-së për hartimin e raportit mbi zbatimin e kërkesave për monitorimin, raportimin, verifikimin e shkarkimeve të GES-eve, sipas nenit 36, të këtij ligji, fillon një vit pas fillimit të efekteve të detyrimit të operatorit të instalimit, sipas pikës 1, të nenit 38/1, të këtij ligji.

Neni 11

Në shtojcat e ligjit bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Shtojca II, pjesa A, zëvendësohet nga shtojca II, pjesa A, që i bashkëlidhet këtij ligji.

2. Shtojca II, pjesa B, zëvendësohet nga shtojca II, pjesa B, që i bashkëlidhet këtij ligji.

3. Shtohen shtojcat II, pjesa C dhe shtojca II, pjesa D, që i bashkëlidhen këtij ligji.

4. Shtojca III-A zëvendësohet nga shtojcën III-A, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 12
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.155/2020, “PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE””

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Korrik 2025