Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Qershor 2025: - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Qershor 2025:

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Qershor 2025:

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E VENDIMIT NR.2/2024 TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE, “PËR LEHTËSIMIN E TREGTISË ELEKTRONIKE””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17 të ligjit nr.43/2016 , “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R IEDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E VENDIMIT NR.2/2024 TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE, “PËR LEHTËSIMIN E TREGTISË ELEKTRONIKE”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ELISA SPIROPALI

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.64/2014, “PËR PUSHTETET DHE AUTORITETET E DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 169, pika 4, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas pikës 12, të nenit 6, shtohen pikat 12/1 dhe 12/2, me këtë përmbajtje:

“12/1. “Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura” është plani me karakter strategjik, në të cilin përcaktohen vendndodhja e zonave dhe objekteve, ku kryejnë aktivitetin e tyre ditor për punë, jetesë, stërvitje, përgatitje për operacione, përkujdesje, si dhe marrin mbështetje logjistike dhe administrative Forcat e Armatosura në territorin e Republikës së Shqipërisë.”.

12/2. “Pronat jashtë planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura” janë ato pasuri të paluajtshme shtetërore, që janë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes ose të një personi tjetër juridik, të krijuar sipas formave të parashikuara nga ligji, pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe që nuk janë pjesë të planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura.”.

Neni 2

Në titullin e nenit 7, fjala “… strategjik …” zëvendësohet me fjalët “… të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë …”.

Neni 3

Pas shkronjës “i”, të nenit 11, shtohet shkronja “j”, me këtë përmbajtje:

“j) përcakton rregullat e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera shtetërore në angazhimin e strukturave, mjeteve dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.”.

Neni 4

Në nenin 13 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Shkronja “h”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“h) emëron, liron ose shkarkon nga detyra oficerët aktivë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe oficerët me gradën “nënkolonel/kapiten i rangut të dytë” dhe “kolonel/kapiten i rangut të parë”, në Forcat e Armatosura, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me përjashtim të oficerëve me grada madhore;”.

2. Pas shkronjës “h”, të pikës 2, shtohet shkronja “h/1”, me këtë përmbajtje:

“h/1) nxjerr në rezervë apo në lirim oficerët aktivë të Forcave të Armatosura, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me përjashtim të oficerëve me grada madhore;”.

3. Shkronja “j”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“j) komandon në një detyrë tjetër oficerët aktivë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe oficerët me gradën, “nënkolonel/kapiten i rangut të dytë” dhe “kolonel/kapiten i rangut të parë”, në Forcat e Armatosura, për një periudhë kohe jo më shumë se 6 (gjashtë) muaj, me të drejtë rikomandimi, por jo më shumë se 2 (dy) herë, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me përjashtim të oficerëve me grada madhore;”.

4. Pas shkronjës “sh”, të pikës 2, shtohet shkronja “t”, me këtë përmbajtje:

“t) i propozon për miratim Presidentit të Republikës planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura.”.

5. Pika 4, e nenit 13, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Ministri i Mbrojtjes zëvendësohet nga zëvendësministri i Mbrojtjes në kryerjen e detyrave, sipas legjislacionit në fuqi.”.

Neni 5

Në nenin 15 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Pas shkronjës “m”, të pikës 9, shtohet shkronja “m/1”, me këtë përmbajtje:

“m/1) emëron, liron ose shkarkon nga detyra oficerët aktivë të Forcave të Armatosura me gradën “nëntoger/nënlejtënant”, “toger/lejtënant”, “kapiten/kapitenlejtënant” dhe “major/kapiten i rangut të tretë”, me propozimin e komandantëve të Forcave të Armatosura, të strukturave mbështetëse dhe të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm, me përjashtim të personelit oficer të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes;”.

2. Pas shkronjës “n”, të pikës 9, shtohet shkronja “n/1”, me këtë përmbajtje:

“n/1) miraton marrjen në punë me kontratë për personelin civil në funksionet ushtar/civil (U/C) dhe nënoficer/civil (N/C) të strukturave të Forcave të Armatosura, me propozimin e komandantëve të Forcave, të strukturave mbështetëse dhe të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm, me përjashtim të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të atyre që gëzojnë statusin e nëpunësit civil ose që janë në funksione oficer/civil (O/C);”.

3. Pas shkronjës “p”, të pikës 9, shtohet shkronja “p/1”, me këtë përmbajtje:

“p/1) komandon në një detyrë tjetër oficerët aktivë të Forcave të Armatosura me gradën “nëntoger/nënlejtënant”, “toger/lejtënant”, “kapiten/kapitenlejtënant” dhe “major/kapiten i rangut të tretë”, për një periudhë kohe jo më shumë se 6 (gjashtë) muaj, me të drejtë rikomandimi, por jo më shumë se 2 (dy) herë, përjashtuar personelin oficer të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes;”.

4. Shkronja “q”, e pikës 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“q) “komandon në një detyrë tjetër ushtarët aktivë, nënoficerët dhe personelin civil, me përjashtim të atyre që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, të atyre që janë në funksione oficer/civil (O/C) në strukturat e varësisë së drejtpërdrejtë dhe nga një forcë, strukturë mbështetëse në një tjetër, për një periudhë kohe jo më shumë se 6 (gjashtë) muaj, me të drejtë rikomandimi, por jo më shumë se 2 (dy) herë, me propozimin e komandantëve të Forcave, të strukturave mbështetëse dhe të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;”.

5. Shkronja “r”, e pikës 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“r) miraton kalimin në emërtesë të personelit nënoficer, ushtar dhe të personelit civil, me përjashtim të atyre që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, ose që janë në funksione oficer/civil (O/C), në Forcat e Armatosura, me propozimin e komandantëve të Forcave, strukturave mbështetëse dhe të strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;”.

6. Pika 11, e nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura zëvendësohet nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në kryerjen e detyrave, sipas legjislacionit në fuqi.”.

Neni 6

Në nenin 18 bëhen shtesat e mëposhtme:

1. Në shkronjën “ç”, të pikës 5, të nenit 18, në fund të fjalisë, pas fjalës “… oficeri …” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“ç) … si dhe merr në punë me kontratë, me miratimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, personelin civil, i cili është në funksione ushtar/civil (U/C), nënoficer/civil (N/C).”.

2. Pas shkronjës “ç”, të pikës 5, të nenit 18, shtohet shkronja “ç/1”, me këtë përmbajtje:

“ç/1) komandon në një detyrë tjetër nënoficerët aktivë, ushtarët aktivë dhe personelin civil të forcës apo të strukturës mbështetëse që drejton, me përjashtim të atyre që gëzojnë statusin e nëpunësit civil ose që janë në funksione oficer/civil (O/C), për një periudhë kohe jo më shumë se 6 (gjashtë) muaj, por jo më shumë se 2 (dy) herë.”.

Neni 7

Pas kreut III shtohet kreu III/1, me këtë përmbajtje:

“KREU III/1
KOMPETENCAT PËR HARTIMIN DHE RISHIKIMIN E PLANIT TË VENDOSJES DHE PËRHAPJES DHE ADMINISTRIMI I PRONAVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Neni 23/1
Hartimi i planit të vendosjes dhe përhapjes

1. Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura hartohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, bazuar në planin afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura.

2. Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura përmban detyrimisht emërtimin dhe vendndodhjen e strukturës, si dhe koordinatat.

3. Procedurat për hartimin dhe rishikimin e planit të vendosjes dhe përhapjes, si dhe modeli i tij, miratohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Neni 23/2
Kriteret e rishikimit të planit të vendosjes dhe përhapjes

1. Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura rishikohet periodikisht çdo 5 (pesë) vjet dhe në çdo kohë, në rastet e:

a) ndryshimeve të nevojave të Forcave të Armatosura;
b) përputhshmërisë me nevojat operacionale për mbështetjen e operacioneve dhe të plotësimit të standardeve të NATO-s;
c) investimeve me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit apo ndërtimeve, përmirësimeve të infrastrukturës publike, që prekin pjesërisht apo plotësisht një pronë brenda planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura, kur vlerësohet se ky ndryshimin nuk cenon operacionalitetin e Forcave të Armatosura.

2. Për qëllime të shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, institucioni përgjegjës për investimet e rëndësisë së veçantë kërkon rishikimin e planit të vendosjes dhe përhapjes, pasi vlerëson natyrën dhe rëndësinë e investimit.

3. Në çdo rast, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura garanton gatishmërinë operacionale të Forcave të Armatosura.

Neni 23/3
Administrimi i pronave

1. Pronat në përgjegjësi administrimi administrohen nga Ministria e Mbrojtjes ose nga një person tjetër juridik, i krijuar sipas formave të parashikuara nga ligji, pranë Ministrisë së Mbrojtjes për këtë qëllim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. Pronat brenda dhe jashtë planit të vendosjes dhe përhapjes mund të jepen për përdorim të dyfishtë, në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, për aq kohë sa nuk cenohen kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

3. Në kuptim të pikës 2, të këtij neni, termi i përdorimit të dyfishtë nga Ministria e Mbrojtjes nënkupton mundësinë për të administruar pronën shtetërore, në përgjegjësi administrimit të Ministrisë së Mbrojtjes, si në funksion të garantimit të veprimtarisë së Forcave të Armatosura, ashtu edhe në funksion të zhvillimit dhe rritjes së vlerës ekonomike të saj.

4. Kriteret dhe procedurat për dhënien e pronës në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, me qira, enfiteozë, përdorim të dyfishtë apo forma të tjera përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 8
Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe ministri i Mbrojtjes për nxjerrjen e akteve nënligjore përkatëse, në zbatim të neneve 3 dhe 7, të këtij ligji, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 9
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ELISA SPIROPALI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.64/2014, “PËR PUSHTETET DHE AUTORITETET E DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R IEDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Qershor 2025