Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2025 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2025

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2025:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

BANKËN SHQIPTARE TË ZHVILLIMIT

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, si dhe përcaktimin e rregullave për regjistrimin, organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.

Neni 2
Objektivi

1. Banka Shqiptare e Zhvillimit ka si objektiv kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik, social e mjedisor, në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit për ndihmën shtetërore.

2. Banka Shqiptare e Zhvillimit, në përputhje me objektivin e saj kryesor dhe në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit për ndihmën shtetërore, nxit e mbështet lehtësimin e qasjes në financë, kryesisht përmes financimit dhe mbështetjes së sipërmarrjeve në sektorët e nënfinancuar të ekonomisë, si dhe përfshirjen në sistemin financiar të publikut, që nuk i ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar.

Neni 3
Parimet

Banka Shqiptare e Zhvillimit, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, udhëhiqet nga këto parime:

a) Mbështetja e zhvillimit ekonomik e social, nëpërmjet lehtësimit të qasjes në financa dhe përmirësimit të kushteve për sektorët strategjikë të ekonomisë;
b) Promovimi i partneriteteve dhe i bashkëpunimit me institucione financiare kombëtare e ndërkombëtare për të mbështetur investimet dhe rritjen ekonomike;
c) Promovimi i interesit publik, duke mbështetur projekte me ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik e social të vendit;
ç) Qëndrueshmëria dhe ekuilibri financiar;
d) Transparenca dhe llogaridhënia, duke siguruar menaxhim të përgjegjshëm e të hapur të fondeve dhe burimeve financiare;
dh) Përputhshmëria me politikat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të
monitorimit dhe menaxhimit të riskut financiar;
e) Pavarësia operacionale dhe garantimi i vendimmarrjes së paanshme, në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore;
ë) Ndarja e qartë e aktiviteteve promovuese dhe tregtare, duke shmangur çdo
formë subvencionimi të ndërsjellë mes këtyre aktiviteteve;
f) Përputhshmëria me standardet financiare dhe ligjore, nëpërmjet ndarjes së sistemeve financiare dhe të raportimit.

Neni 4
Veprimtaria e Bankës Shqiptare të Zhvillimit

1. Banka Shqiptare e Zhvillimit ushtron veprimtaritë e mëposhtme:

a) Financimin me karakter promovues:

i. Kredidhënia për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe startup-et vendase, për të nxitur rritjen, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe zgjerimin në tregjet ndërkombëtare;
ii. Kredidhënia dhe mbështetja për eksportet e mallrave dhe shërbimeve vendase;
iii. Kredidhënia për projektet publike në nivel qendror e vendor, me përparësi për ekonominë e vendit;
iv. Kredidhënia për zhvillimin, përmirësimin e modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit, në përputhje me objektivat strategjikë kombëtarë.

b) Kredidhënien për shoqëritë tregtare vendase bazuar në kushtet e tregut dhe në parimet e konkurrencës së lirë, si veprimtari plotësuese e financimit të ofruar nga bankat tregtare.

2. Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, Banka Shqiptare e Zhvillimit:

a) jep kredi dhe kryen investime financiare, drejtpërdrejt ose në bashkëfinancim me institucione vendase ose ndërkombëtare;
b) vendos dhe pranon fonde afatshkurtra e afatgjata në dhe nga bankat tregtare apo institucionet e tjera financiare;
c) lëshon garanci dhe instrumente të tjera sigurie;
ç) investon në tituj;
d) kryen aktivitete dhe shërbime të tjera financiare të nevojshme;
dh) vepron si agjent për grante, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave.

3. Banka Shqiptare e Zhvillimit kryen, në kushte tregu dhe bazuar në parimet e konkurrencës, drejtpërdrejt ose nëpërmjet shoqërive apo degëve të saj, çdo aktivitet ndihmës, përfshirë financimin e kapitalit privat dhe mbajtjen e aksioneve në shoqëri me qëndrueshmëri financiare.

Neni 5
Emri i shoqërisë, personaliteti juridik dhe selia

1. Banka Shqiptare e Zhvillimit themelohet si person juridik në formën e një shoqërie aksionare.

2. Banka Shqiptare e Zhvillimit vepron nën emrin tregtar “Banka Shqiptare e Zhvillimit, sh.a.” dhe me emrin e shkurtuar “BZH”.

3. Selia e regjistruar e Bankës Shqiptare të Zhvillimit ndodhet në Tiranë.

4. Banka Shqiptare e Zhvillimit ka vulën e vet, e cila përmban emrin e saj të plotë, emrin e shkurtuar dhe selinë.

5. Banka Shqiptare e Zhvillimit mund të krijojë shoqëri dhe degë.

Neni 6
Aksionarët

1. Aksionari i parë i Bankës Shqiptare të Zhvillimit është shteti shqiptar. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim ministrinë përgjegjëse, që përfaqëson shtetin shqiptar në cilësinë e aksionarit.

2. Përveç shtetit shqiptar, aksionet në Bankën Shqiptare të Zhvillimit mund të zotërohen nga institucione financiare ndërkombëtare e vendase të njohura, si dhe nga entitete të tjera ndërkombëtare dhe vendase të njohura.

3. Pjesëmarrja e shtetit shqiptar nuk do të jetë më e vogël se 51% e kapitalit të regjistruar të aksioneve në çdo kohë. Aksionet e mbajtura nga shteti shqiptar për të ruajtur këtë pjesëmarrje minimale do të jenë të patransferueshme.

4. Procedurat, kriteret dhe formula e pjesëmarrjes për aksionarët e tjerë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 7
Kapitali aksionar dhe llogaritë e dedikuara

1. Kapitali fillestar i Bankës Shqiptare të Zhvillimit, i kontribuuar dhe i nënshkruar nga shteti shqiptar, është 10 000 000 000 (dhjetë miliardë) lekë.

2. Kapitali fillestar shlyhet në këste brenda një afati 4- (katër-) vjeçar, siç përcaktohet në statutin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Kësti i parë i kapitalit aksionar është 1 000 000 000 (një miliard) lekë dhe do të shlyhet brenda vitit 2026.

3. Pjesëmarrja e aksionarëve të tjerë në kapitalin aksionar të Bankës Shqiptare të Zhvillimit, përfshirë të drejtat dhe detyrimet përkatëse lidhur me nënshkrimin dhe shlyerjen e kapitalit aksionar, përcaktohet në statutin e saj.

4. Banka Shqiptare e Zhvillimit respekton standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të mjaftueshmërisë së kapitalit gjatë gjithë veprimtarisë së saj.

5. Banka Shqiptare e Zhvillimit mund të hapë, të administrojë dhe të mbajë llogari bankare në Thesarin e Shtetit, në Bankën e Shqipërisë, si dhe në banka vendase e ndërkombëtare, sipas nevojës për të mbështetur aktivitetet dhe për të arritur objektivat e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

6. Procedura për menaxhimin e llogarisë në Thesarin e Shtetit, përfshirë mundësinë e dhënies së normës së interesit dhe përllogaritjen e kësaj norme, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8
Burimet financiare

Burimet financiare të Bankës Shqiptare të Zhvillimit sigurohen nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm, si:

a) linjat e kredisë nga institucionet financiare ndërkombëtare;
b) pranimi i fondeve të kthyeshme nga publiku, veçanërisht nga publiku që nuk i ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar, në formën e produkteve të kursimit, nëpërmjet një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare, sh.a. Llojet e produkteve, karakteristikat e tyre, përfshirë kufizimet në vlerë, përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit përgjegjës për ekonominë, duke respektuar parimet e përcaktuara në këtë ligj, si dhe dispozitat e përcaktuara në ligjin që rregullon sigurimin e depozitave. Produktet e kursimit të mbledhura nga publiku garantohen me garanci shtetërore dhe përdoren për aktivitete promovuese;
c) instrumente të tjera financiare të garantuara, rast pas rasti, me garanci shtetërore, duke respektuar parimet e përcaktuara në ligjin që rregullon huamarrjen shtetërore. Emetimi i titujve të garantuar me garanci shtetërore nuk u nënshtrohet parashikimeve të ligjit që rregullon tregjet e kapitalit;
ç) burime të tjera financimi.

Neni 9
Roli i Postës Shqiptare, sh.a.

1. Subjekti ndërmjetës për mbledhjen e fondeve të kthyeshme nga publiku, sipas këtij ligji, është entiteti i veçantë i Postës Shqiptare, sh.a. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim kushtet kryesore të marrëdhënies ndërmjet entitetit të veçantë dhe Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

2. Bazuar në kushtet kryesore të përcaktuara sipas pikës 1 të këtij neni, entiteti i veçantë i Postës Shqiptare, sh.a., dhe Banka Shqiptare e Zhvillimit nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila rregullon aspektet kryesore të funksionimit e të administrimit të fondeve të mbledhura dhe shpërndarjes së produkteve të përcaktuara në shkronjën “b”, të nenit 8, të këtij ligji. Kjo marrëveshje përcakton minimalisht:

a) procedurat operacionale për shpërndarjen dhe administrimin e produkteve financiare;
b) interesat e zbatueshëm për produktet financiare të ofruara;
c) detyrimin për informimin e transparencën ndaj publikut mbi produktet.

Neni 10
Përgjegjësia për detyrimet

Përveç sa parashikohet në shkronjat “b” dhe “c”, të nenit 8, të këtij ligji, përgjegjësia e Bankës Shqiptare të Zhvillimit për detyrimet që lidhen me aktivitetet e tjera do të jetë në përputhje me parimet e legjislacionit shqiptar, që rregullon shoqëritë tregtare.

KREU II
STRUKTURA ORGANIZATIVE

Neni 11
Organe të vendimmarrjes dhe të drejtimit

1. Organizimi dhe administrimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit siguron vendimmarrje dhe drejtim efikas. Banka Shqiptare e Zhvillimit funksionon përmes katër organeve kryesore, secili me përgjegjësi dhe role të përcaktuara për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe drejtim strategjik.

2. Organet e vendimmarrjes dhe të drejtimit janë:

a) Asambleja e Përgjithshme;
b) Këshilli Mbikëqyrës;
c) Këshilli i Administrimit;
ç) Komiteti i Kontrollit.

3. Përbërja, funksionimi dhe përgjegjësitë e këtyre organeve përcaktohen në statutin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Neni 12
Asambleja e Përgjithshme

1. Asambleja e Përgjithshme shërben si organi më i lartë vendimmarrës i Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Ajo përbëhet nga përfaqësuesit e aksionarëve dhe ka autoritetin:

a) të miratojë statutin dhe ndryshimet e tij;
b) të përcaktojë objektivat dhe qëllimet strategjike të përgjithshme;
c) të miratojë raportet vjetore dhe pasqyrat financiare;
ç) të emërojë dhe të shkarkojë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës;
d) të emërojë dhe të shkarkojë anëtarët e Komitetit të Kontrollit;
dh) të emërojë dhe të shkarkojë audituesin ligjor të jashtëm;
e) të miratojë skemën e pagave për Këshillin Mbikëqyrës dhe Komitetin e Kontrollit.

2. Kompetencat e hollësishme të përmendura në pikën 1 të këtij neni, procedurat e vendimmarrjes dhe të drejtat e votës të Asamblesë së Përgjithshme përcaktohen në statutin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Neni 13
Këshilli Mbikëqyrës

1. Këshilli Mbikëqyrës mbikëqyr drejtimin strategjik dhe administrimin e përgjithshëm të Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duke siguruar përputhshmërinë me statutin, kuadrin ligjor dhe rregullator, si dhe mbrojtjen e stabilitetit financiar dhe objektivave afatgjatë.

2. Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga një numër tek anëtarësh, të paktën 5 (pesë), por jo më shumë se 9 (nëntë), ku shumica, përfshirë kryetarin, janë të pavarur.

3. Përfaqësimi i sektorëve të ekonomisë në Këshillin Mbikëqyrës përcaktohet në statutin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

4. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës emërohen për një mandat 3- (tre-) vjeçar, me mundësi riemërimi.

5. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës ushtrojnë kompetencat e tyre me standardet më të larta etike, duke vepruar me besim të plotë, kujdes, dinjitet e përgjegjshmëri, si dhe me dedikim për detyrat e tyre.

Neni 14
Roli dhe përgjegjësitë e Këshillit Mbikëqyrës

1. Këshilli Mbikëqyrës ushtron kompetenca mbikëqyrëse dhe ka të drejtën të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për realizimin e objektivave të Bankës Shqiptare të Zhvillimit, siç janë përcaktuar në këtë ligj, përveç kompetencave që i rezervohen Asamblesë së Përgjithshme sipas këtij ligji dhe statutit.

2. Kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës përfshijnë, por nuk kufizohen në:

a) propozimin e ndryshimeve në statut për miratim nga Asambleja e Përgjithshme;
b) miratimin e strategjisë, të planit të biznesit e të produkteve kryesore;
c) miratimin e strukturës organizative të Bankës Shqiptare të Zhvillimit;
ç) miratimin e projekteve të investimeve dhe iniciativave të tjera, në përputhje me përcaktimet e statutit;
d) miratimin e politikës së menaxhimit të riskut financiar dhe likuiditetit, për të siguruar stabilitetin financiar;
dh) përcaktimin e treguesve për mbikëqyrjen e performancës;
e) emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Administrimit;
ë) përcaktimin e pagave e të shpërblimeve për anëtarët e Këshillit të Administrimit dhe administratën;
f) krijimin e komitetit të riskut dhe komiteteve të tjera të brendshme.

3. Këshilli Mbikëqyrës ushtron detyra të tjera shtesë, siç përcaktohet nga ky ligj, ligji që rregullon shoqëritë tregtare dhe statuti.

4. Kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës detajohen në statutin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Neni 15
Këshilli i Administrimit

1. Banka Shqiptare e Zhvillimit administrohet nga një Këshill Administrimi, i cili shërben si organ ekzekutiv i drejtimit.

2. Këshilli i Administrimit mund të përbëhet nga një ose më shumë administratorë dhe emërohet nga Këshilli Mbikëqyrës për një mandat deri në 3 (tre) vjet, me mundësi rinovimi. Njëri prej administratorëve do të jetë Administratori i Përgjithshëm. Emërimi bazohet në meritë dhe në përmbushjen e kritereve të përshtatshmërisë dhe të aftësisë.

3. Numri i administratorëve, procesi i emërimit dhe kushtet e angazhimit të Këshillit të Administrimit detajohen në statut.

4. Këshilli Mbikëqyrës ka autoritetin për të shkarkuar Këshillin e Administrimit në rastet e mospërmbushjes së detyrave, keqadministrimit dhe mospërputhjes me kërkesat ligjore ose në rrethana të tjera të justifikuara, siç përcaktohet në statut.

Neni 16
Roli dhe përgjegjësitë e Këshillit të Administrimit

1. Këshilli i Administrimit është përgjegjës për administrimin e përditshëm dhe operacionet e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duke përfshirë:

a) zbatimin e strategjive, të planeve të biznesit dhe politikave të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli Mbikëqyrës;
b) menaxhimin e burimeve, të financave dhe aktiviteteve operative, në përputhje me objektivat dhe kuadrin ligjor të tij;
c) përfaqësimin në marrëdhëniet me palë të treta, përfshirë autoritetet shtetërore, palët e interesuara dhe entitete të tjera;
ç) hartimin dhe dorëzimin e raporteve vjetore, pasqyrave financiare dhe vlerësimeve të performancës për Këshillin Mbikëqyrës;
d) propozimin e iniciativave të reja, projekteve të investimeve dhe politikave për miratim nga Këshilli Mbikëqyrës;
dh) miratimin e projekteve të investimeve, në përputhje me objektivat, strategjinë, planin e biznesit, sipas përcaktimeve të statutit;
e) sigurimin e përputhshmërisë me ligjet dhe rregullat përkatëse, si dhe kontrollin e brendshëm në operacione;
ë) menaxhimin e strukturave administrative të brendshme, duke përfshirë punësimin dhe mbikëqyrjen e stafit.

2. Kompetencat e Këshillit të Administrimit detajohen në statutin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Neni 17
Komiteti i Kontrollit

1. Komiteti i Kontrollit mbikëqyr raportimin financiar, kontrollet e brendshme dhe proceset e auditimit dhe përbëhet nga 3 (tre) anëtarë të emëruar nga Asambleja e Përgjithshme për një periudhë deri në 3 (tre) vjet, nga të cilët kryetari i komitetit është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, me të drejtë riemërimi.

2. Komiteti i Kontrollit, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, mund të ndihmohet nga ekspertë të jashtëm të zgjedhur prej tij.

Neni 18
Roli dhe përgjegjësitë e Komitetit të Kontrollit

1. Detyrat e Komitetit të Kontrollit përfshijnë:

a) kontrollin dhe mbikëqyrjen e procedurave kontabël dhe kontrolleve të brendshme të Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duke siguruar përputhshmërinë me legjislacionin dhe standardet, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre procedurave dhe kontrollin e llogarive e të regjistrave përkatës;
b) rishikimin e raporteve të kontrollit të brendshëm dhe monitorimin e adresimit të rekomandimeve, që burojnë nga këto raporte;
c) sigurimin e përputhshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, si dhe raportimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Këshillit Mbikëqyrës;
ç) propozimin për audituesin ligjor dhe realizimin e komunikimit ndërmjet tij dhe kontrollit të brendshëm;
d) dhënien e mendimeve për Këshillin Mbikëqyrës për çështjet, për të cilat është kërkuar një mendim;
dh) dhënien e rekomandimeve për veprime Këshillit Mbikëqyrës lidhur me raportet financiare dhe pasqyrat financiare.

2. Kompetencat e Komitetit të Kontrollit detajohen në statutin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.
Neni 19
Kërkesat për përshtatshmëri dhe aftësi

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, të Këshillit të Administrimit e të Komitetit të Kontrollit, siç përcaktohet në statutin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmëri dhe pastërti morale dhe të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Kanë diplomë universitare ose pasuniversitare në fushat e financës, të ekonomisë ose të drejtësisë;
b) Kanë përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare;
c) Kanë të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) vjet përvojë profesionale në fushën specifike, sipas shkronjës “a” të këtij neni, duke përfshirë të paktën 5 (pesë) vjet në pozicione drejtuese në fushat e financës, të shërbimeve këshilluese ose të zhvillimit ekonomik;
ç) Nuk janë nën hetim apo në proces gjyqësor penal dhe nuk kanë qenë të dënuar me vendim gjykate për vepra penale të lidhura me pasurinë, krimin ekonomik ose shkelje, që lidhen me shoqëritë tregtare, përfshirë skema mashtruese ose piramidale të huamarrjes, pastrim parash ose financim të terrorizmit;
d) Nuk kanë qenë të angazhuar ose të lidhur me humbje financiare të shkaktuara nga mashtrimi, paaftësia ose keqmenaxhimi në ofrimin e shërbimeve financiare apo në menaxhimin e shoqërive të tjera;
dh) Nuk mbajnë funksion drejtues në shërbimin publik apo funksion politik;
e) Plotësojnë kriteret e tjera të përcaktuara në statut.

KREU III
KONTABILITETI DHE AUDITIMI I PASQYRAVE FINANCIARE

Neni 20
Kontabiliteti dhe llogaritë vjetore

1. Banka Shqiptare e Zhvillimit mban të dhënat kontabël të tij, në përputhje me legjislacionin që rregullon auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar në Republikën e Shqipërisë.

2. Praktikat kontabël të Bankës Shqiptare të Zhvillimit udhëhiqen nga këto parime:

a) Sigurimi i transparencës dhe i saktësisë në regjistrimin e aktiviteteve ekonomike;
b) Përdorimi i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe të praktikave më të mira;
c) Përgatitja dhe dorëzimi i pasqyrave financiare vjetore, në përputhje me afatet ligjore dhe format e parashikuara;
ç) Mbajtja e një ndarjeje të qartë të llogarive, të të dhënave e të regjistrimeve financiare, si dhe të sistemeve të raportimit për aktivitetet promovuese dhe ato tregtare.

Neni 21
Auditimi i pasqyrave financiare

Pasqyrat financiare të Bankës Shqiptare të Zhvillimit auditohen në përputhje me auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor e të kontabilistit të miratuar në Republikën e Shqipërisë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Procesi i auditimit:

a) kryhet nga një auditor ligjor i pavarur ose një shoqëri audituese e licencuar;
b) siguron saktësinë, besueshmërinë dhe integritetin e raporteve financiare;
c) siguron garantimin e përputhshmërisë me kërkesat ligjore dhe rregullatore.

KREU IV
MBIKËQYRJA DHE RAPORTIMI

Neni 22
Marrëdhënia me Bankën e Shqipërisë
1. Aktiviteti i mbledhjes së produkteve të kursimit nëpërmjet një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare, sh.a., mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Entiteti i veçantë i Postës Shqiptare, sh.a., nuk është subjekt licencimi.

2. Banka Shqiptare e Zhvillimit raporton te Banka e Shqipërisë për qëllime statistikore dhe për regjistrin e kredive.

3. Banka e Shqipërisë përcakton metodologjinë e mbikëqyrjes së aktivitetit të mbledhjes së produkteve të kursimit, si dhe të raportimit statistikor.

4. Banka e Shqipërisë dhe Banka Shqiptare e Zhvillimit lidhin një marrëveshje për mënyrën e menaxhimit të llogarive që hap banka pranë saj.

Neni 23
Raportimi

1. Banka Shqiptare e Zhvillimit, nëpërmjet ministrit përgjegjës sipas këtij ligji, paraqet raport vjetor të aktivitetit në Këshillin e Ministrave.

2. Raporti vjetor sipas këtij neni i paraqitet për njohje komisionit parlamentar përgjegjës për ekonominë dhe financat.

Neni 24
Transparenca dhe publikimi i të dhënave

1. Banka Shqiptare e Zhvillimit siguron transparencë në veprimtarinë e saj, duke publikuar rregullisht të dhëna për aktivitetin financiar, performancën dhe ndikimin e saj në zhvillimin ekonomik.

2. Banka Shqiptare e Zhvillimit publikon periodikisht raporte financiare dhe statistika, në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit e raportimit financiar.

3. Informacioni për produktet e kursimit, kushtet e tyre, si dhe normat e interesit është i aksesueshëm për publikun dhe shpërndahet nëpërmjet kanaleve të përcaktuara nga Banka Shqiptare e Zhvillimit, përfshirë faqen zyrtare të saj.

4. Banka Shqiptare e Zhvillimit respekton parimin e konfidencialitetit të të dhënave të klientëve, duke siguruar mbrojtjen dhe trajtimin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

5. Këshilli Mbikëqyrës përcakton rregulla dhe procedura për transparencën dhe publikimin e të dhënave, me qëllim forcimin e besueshmërisë dhe llogaridhënies publike.

Neni 25
Kuadri ligjor i zbatueshëm

1. Dispozitat e ligjit që rregullon shoqëritë tregtare dhe të ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit në Republikën e Shqipërisë janë të zbatueshme përveç atyre që lidhen me kompetencat e organeve të vendimmarrjes e të drejtimit të Bankës Shqiptare të Zhvillimit, kontributin dhe shlyerjen e kapitalit në shoqëritë aksionare, si dhe çështjet e tjera që janë përjashtuar shprehimisht nga ky ligj.

2. Dispozitat e ligjit që rregullon huamarrjen shtetërore nuk zbatohen për garancinë shtetërore, sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të nenit 8, të këtij ligji.

3. Banka Shqiptare e Zhvillimit zbaton dispozitat e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

4. Banka Shqiptare e Zhvillimit nuk është subjekt i procedurave të falimentimit. Ky proces rregullohet me ligj të posaçëm.

KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 26
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të miratojë, brenda 9 (nëntë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktet nënligjore, në zbatim të neneve 6, pikat 1 dhe 4, 7, pika 6, dhe 9, pika 1, të këtij ligji.

2. Ngarkohen ministri përgjegjës për financat dhe ministri përgjegjës për ekonominë të miratojnë urdhrin e përbashkët, sipas shkronjës “b”, të nenit 8, të këtij ligji, brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 27
Dispozitë e fundit

Ministria, në cilësinë e aksionarit, brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ndjek procedurat e nevojshme për:

a) miratimin e statutit;
b) regjistrimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit në regjistrin tregtar;
c) sigurimin e gatishmërisë operacionale, përfshirë zgjedhjen e organeve drejtuese të Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Neni 28
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR BANKËN SHQIPTARE TË ZHVILLIMIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pikat 1 e 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2025