Projektligji “Për Nëpunësin Civil”, drejt një administrate më moderne dhe meritokratike
Qeveria ka hapur për konsultim publik paketën e ndryshimeve në Ligjin Nr.152/2013, “Për Nëpunësin Civil”, të propozuar nga Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni. Projektligji, i cili vjen pas një procesi të gjatë analize me institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë, synon të modernizojë dhe rrisë efikasitetin e shërbimit civil, duke forcuar meritokracinë dhe standardet profesionale në administratë.
Ndryshimet e propozuara fokusohen në rritjen e transparencës në rekrutim, krijimin e kushteve më të favorshme për tërheqjen e profesionistëve të kualifikuar, si dhe në një sistem më të qartë dhe të qëndrueshëm të zhvillimit të karrierës për nëpunësit civilë. Një nga risitë kryesore është rritja e kufirit të rekrutimit të kandidatëve nga jashtë administratës, nga 20% në 50% të vendeve vakante brenda një viti, me synimin për të hapur administratën ndaj ekspertizës së sektorit privat dhe profesionistëve të rinj.
Projektligji parashikon gjithashtu riformatimin e strukturës së pagave, që inkurajon performancën dhe rrit motivimin, duke hequr avancimin automatik dhe duke shtuar bonusin vjetor për performancën e lartë, për një përqindje të kufizuar punonjësish. Sistemi i vlerësimit të performancës kalon në pesë nivele, me qëllim të ofrimit të një më të drejtë të punës së çdo punonjësi.
Në fushën e rekrutimit, propozohet krijimi i një modeli të unifikuar për të gjitha institucionet publike, përfshirë ato që nuk janë aktualisht pjesë e shërbimit civil. Procesi do të administrohet nga një Komision Kombëtar i Atestimit, me përfaqësim nga qeveria qendrore, qeverisja vendore dhe institucionet e pavarura. Rekrutimi në nivelin hyrës do të zhvillohet në dy faza: testim kombëtar i standardizuar, i zhvilluar nga Departamenti i Administratës Publike (DAP) për të gjithë kandidatët e interesuar dhe konkurs specifik për pozicionin, i zhvilluar nga institucioni që ka vendin vakant, nën mbikëqyrjen e DAP.
Për pozicionet e nivelit të lartë drejtues, propozohen mandate pesëvjeçare të rinovueshme për Sekretarët e Përgjithshëm dhe titullarët e institucioneve, ndërsa parashikohen mekanizma më të fortë transparence dhe kufizime të ndërhyrjeve diskrecionare në përzgjedhje.
Sipas ministres Pirdeni, forcimi i profesionalizmit dhe meritokracisë në administratën publike është thelbësor për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Projektligji është hartuar në bashkëpunim me ekspertët e Programit “BE për Mirëqeverisjen” dhe me ekspertët e OECD/SIGMA dhe do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi me të gjitha grupet e interesit duke nisur nga 31 tetori 2025. Konsultimet pritet të përfshijnë institucionet shtetërore, organizatat e shoqërisë civile, akademikë dhe ekspertë të fushës, me qëllim përgatitjen e një ligji të zbatueshëm dhe të qëndrueshëm në praktikë.