Protestat e ditëve të fundit, Ministri Demo dhe Drejtori i Policisë Hita: Thirrje për tubime paqësore, rritje pagash dhe investime në teknologji për Policinë e Shtetit
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një komunikim për mediat, në fokus të të cilit ishin situata e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestave të javëve të fundit, masat për parandalimin e dhunës, përmirësimi i trajtimit financiar të punonjësve të Policisë dhe modernizimi teknologjik i strukturave të saj.
Gjatë deklaratës, Ministri Demo theksoi se e drejta kushtetuese për protestë paqësore është e garantuar për çdo qytetar, ndërsa aktet e dhunës ndaj institucioneve, pronës publike e private dhe individëve nuk mund të tolerohen. Ai nënvizoi se Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke respektuar parimin e proporcionalitetit në çdo ndërhyrje.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Ministri, gjatë protestave të javëve të fundit janë regjistruar 347 persona të lënduar, mes tyre rreth 200 punonjës policie, 107 protestues dhe 39 kalimtarë, përfshirë edhe gazetarë. Demo bëri të ditur se shtatë punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar dhe po hetohen për veprime që dyshohet se kanë tejkaluar masën e proporcionalitetit, ndërsa Agjencia për Mbikëqyrjen Policore po shqyrton edhe raste të tjera në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Një shqetësim i veçantë i ngritur gjatë komunikimit ishte përfshirja e të miturve në protestat e dhunshme. Ministri bëri të ditur se 269 persona nën moshën 18 vjeç janë shoqëruar gjatë këtyre tubimeve, duke theksuar nevojën për një qasje ndërinstitucionale, në bashkëpunim me institucionet e arsimit, drejtësisë dhe shëndetësisë, për parandalimin e këtij fenomeni.
Në këtë kuadër, Demo iu referua edhe aktit normativ të miratuar nga Qeveria, i cili parashikon instrumente të reja ligjore dhe masa administrative për rastet e dhunës gjatë tubimeve, përfshirë përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara dhe masa të tjera ndaj individëve të përfshirë në veprime të dhunshme.
Një tjetër çështje e rëndësishme e komunikimit ishte përmirësimi i trajtimit financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2027, tashmë të dorëzuar në Kuvend.
Ministri Demo njoftoi se parashikohet një rritje prej 20 mijë lekësh të rinj për nivelin bazë të pagës dhe 15 mijë lekësh të rinj për punonjësit e tjerë të Policisë së Shtetit.
Sipas tij, kjo masë synon të vlerësojë angazhimin dhe përkushtimin e efektivëve në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe të përmirësojë kushtet ekonomike dhe profesionale të tyre.
Ministri Demo theksoi gjithashtu rëndësinë e fuqizimit teknologjik të Policisë së Shtetit, përmes investimeve në pajisje bashkëkohore dhe sisteme të reja që do të përmirësojnë kapacitetet parandaluese, hetimore dhe operacionale.
Ndër masat e paralajmëruara është vendosja e kamerave të trupit për punonjësit e Policisë, duke nisur nga strukturat në Tiranë. Përdorimi i tyre synon të rrisë transparencën, të dokumentojë ndërhyrjet policore dhe të garantojë respektimin e standardeve ligjore gjatë ushtrimit të detyrës.
Po ashtu, parashikohen investime në sisteme të reja radiokomunikimi dhe mjete digjitale për mbështetjen e hetimeve dhe identifikimin e personave të dyshuar për akte dhune.
Në përfundim, Ministri Demo riafirmoi angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit për garantimin e tubimeve paqësore, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e ligjit, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
“Rendi dhe siguria janë përgjegjësi e të gjithëve. Është edhe një përgjegjësi e shoqërisë”, theksoi Ministri Demo.