Protestat e ditëve të fundit, ministri Demo: Policia e Shtetit po përdor teknologjinë për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë një komunikimi nga Kryeministria me Kryeministrin Edi Rama, bëri të ditur se Policia e Shtetit po vijon punën për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës gjatë protestave të ditëve të fundit, duke shfrytëzuar teknologjinë dhe burime të ndryshme informacioni.
Ministri Demo theksoi se procesi i identifikimit mbështetet në pamjet e publikuara nga mediat, rrjetet sociale, kamerat e sigurisë së institucioneve publike dhe subjekteve private, si dhe në materialet filmike të shpërndara nga vetë pjesëmarrësit në protesta.
Sipas tij, përdorimi i teknologjisë ka mundësuar përpunimin më të shpejtë të qindra orëve filmime, duke lehtësuar identifikimin edhe të personave që kanë tentuar të fshehin identitetin përmes maskave.
“Falë teknologjisë, ne jemi duke avancuar me shpejtësi për sa i përket identifikimit të të gjithë personave të dhunshëm, të cilët kanë kryer këto akte kundër institucioneve publike dhe pronës private”, u shpreh ministri Demo.
Ai nënvizoi se Policia e Shtetit do të vijojë dokumentimin e rasteve dhe referimin e tyre në Prokurori, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë në shkatërrimin e pronës publike dhe dëmtimin e bizneseve private.
“Dua të garantoj të gjithë qytetarët që Policia e Shtetit do të punojë çdo ditë, për aq kohë sa duhet, për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata të cilët kanë shkatërruar pronën publike, të gjithë ata të cilët kanë cenuar bizneset private”, deklaroi ministri.
Në përfundim, ministri Demo theksoi se teknologjia po i mundëson Policisë së Shtetit të realizojë procesin e identifikimit me më shumë shpejtësi dhe saktësi, duke vijuar punën për dokumentimin e plotë të akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestave.