Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi Konferencën e Decentralizimit dhe Performancës Financiare të Qeverisjes Vendore, ku u prezantua Raporti Mbi Statusin e Vështirësive Financiare të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore/Bashki.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Ministri i Brendshëm, Bledi Cuçi, drejtuesit e njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe përfaqësues nga komuniteti ndërkombëtar.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se zbatimi i reformës administrative territoriale ka sjellë përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e mirëqeverisjes në komunitet, ashtu sikurse ka sjellë rritje të të ardhurave dhe investimeve publike në çdo bashki. E shoqëruar me ligjin e financave vendore, reforma ka sjellë rritje të autonomisë fiskale për njësitë vendore.
Që nga viti 2015 e deri në vitin 2021, të ardhurat e pushtetit vendor janë rritur me rreth 2.3 herë, ndërkohë që shpenzimet, ku përfshihen edhe investimet, janë rritur me rreth 60 %. Nga 2.1 % të GDP-së që ishin përpara reformës, sot ato janë 3.3 % të GDP-së, ndërkohë që transferta e pakushtëzuar është rritur me 40 % në vitet të fundit.
Ndonëse detyrimet e prapambetura të njësive të vetëqeverisjes vendore janë ulur në vlerën e 6.5 miliardë lekë në vitin 2021, nga 12.1 miliardë lekë në vitin 2015, Ministrja theksoi faktin se kjo nuk është një shifër për të cilën duhet të kënaqemi.
“Ne jemi të vetëdijshëm që një pjesë e detyrimeve të prapambetura janë që përpara zbatimit të reformës administrative territoriale. Por është përgjegjësi e çdo administratori që të vërë në fokus performancën financiare dhe reduktimin e këtyre detyrimeve të prapambetura”, tha Ministrja.
Raporti i hartuar nga MFE mbi Vështirësitë Financiare të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore i kategorizon bashkitë në disa kategori, në bazë të nivelit të detyrimeve të prapambetura në krahasim me shpenzimet e planifikuara. Sipas kësaj performance të matur, 44 bashki janë pa probleme financiare; 10 bashki janë me probleme financiare; 7 bashki janë në vështirësi financiare.
Ministrja kërkoi nga secila bashki, që në varësi në kategorisë ku bën pjesë, të paraqesë brenda datës 15 korrik pranë MFE planin e masave për daljen nga situata e vështirësisë financiare në të cilën ndodhet. Për kategorinë e bashkive me vështirësi serioze financiare, ky plan do të hartohet nga MFE dhe do të duhet të miratohet nga këshillat bashkitë.
Nëse raporti do të analizonte situatën financiare të njësive në bazë të buxhetit faktit të tyre, situata do të ishte më e përkeqësuar.
Në këtë drejtim, Ministrja Ibrahimaj Informoi se do të propozohen disa ndryshime ligjore, në mënyrë që në raportin e ardhshëm analiza të bëhet mbi buxhetin faktin dhe jo mbi shpenzimet e planifikuara.
Një tjetër ndryshim që do të propozohet, sipas Ministres, ka të bëjë me fondet e trashëguara për çdo bashki, duke qenë se janë më të larta se detyrimet e prapambetura.
“Në vitin 2021 këto fonde ishin 20 miliardë lekë, ndërkohë që detyrimet e prapambetura janë rreth 6.5 miliardë lekë. Ne do të propozojmë që një pjesë e këtyre fondeve të shkojë për të paguar detyrimet e prapambetura”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj shprehu angazhimin e saj për të bashkëpunuar me njësitë e vetëqeverisjes vendore në mënyrë që ato të përmirësojnë situatën e tyre financiare dhe që të mundësohet dixhitalizimi i shërbimeve edhe në nivel lokal.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në drejtim të dixhitalizimit të bashkive, në ofrimin e shërbimeve dhe në mbledhjen e taksave. Pjesë e procesit të automatizimit të shërbimeve do të jenë edhe taksat lokale, për të cilat do të propozohet një sistem i unifikuar për bashkitë, siç duhet të jetë i unifikuar dhe sistemi i ofrimit të shërbimeve online. Gjatë vitit të ardhshëm ne do të punojmë në mënyrë që sistemi AFMIS të ndërlidhet dhe me njësitë lokale, në mënyrë që të kemi një dixhitalizim të gjithë operacioneve financiare. Dua t’ju inkurajoj që të vijoni me dixhitalizimit. Dua të inkurajoj bashkitë pilot për taksën e pasurisë dhe implementimin e sistemit të taksës së pasurisë. Dua t’ju ofroj angazhimin maksimal të MFE me qëllim që ne edhe kësaj sfide t’ia dalim me sukses”, u shpreh Ministrja.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
I nderuar z. Kryeministër,
I nderuar Ministër,
Të nderuar kryetarë bashkish,
Të nderuar pjesëmarrës nga komuniteti ndërkombëtar,
Unë dua ta filloj fjalën time për të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë gjithë këtyre viteve, që prej fillimit të reformës administrative territoriale për modernizimin e qeverisjes vendore dhe kryesisht ato që kanë kontribuar në reformimin e financave vendore. Një kontribut shumë të madh ka dhënë qeveria zvicerane përmes projekteve të saj, e cila ka asistuar Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e qeverisjes vendore, me qëllim arritjen e këtij objektivi të përbashkët.
Decentralizimi është një proces që objektiv kryesor ka përmirësimin e cilësisë së jetës të gjithë qytetarëve. Ai kërkon vullnet dhe angazhim nga qeveria qendrore dhe nga ajo vendore. Ky angazhim është treguar në këto vite dhe do të vijojë edhe me strategjinë e re të decentralizimit, me rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve, të cilat duhet të ofrohen online dhe në nivelin e shërbimeve që ofrohen nga qeveria qendrore. Kjo kërkon një përgjegjshmëri të lartë si nga ana jonë, ashtu edhe nga ana juaj.
Reforma administrative territoriale sigurisht që ka një përmirësim të shërbimeve publike, ka sjellë mirëqeverisje në komunitet dhe rritje të bashkëqeverisjes në komunitet, ka sjellë rritje të eficencës dhe si rezultat ka sjellë rritje të të ardhurave dhe të investimeve publike në çdo bashki.
Ajo është shoqëruar me ligjin e financave vendore, i cili tregon për një rritje të decentralizimit fiskal, për rritje të autonomisë fiskale për njësitë vendore, të stabilitetit financiar dhe për rregulla të sakta për menaxhimin e financave vendore.
Gjithashtu, transparenca dhe llogaridhënia kanë sjellë një rritje të përgjegjshmërisë së bashkive ndaj kryerjes së funksioneve të tyre.
Më konkretisht të ardhurat, që nga viti 2015 e deri në vitin 2021, por edhe ato të planifikuara për vitin 2022, janë rritur me rreth 2.3 herë ndërkohë që shpenzimet, ku bëjnë pjesë dhe investimet, janë rritur me rreth 60 %. Në total, nga 2.1 % të GDP-së që përbënin përpara reformës, sot ato përbëjnë 3.3 % të GDP-së.
Të ardhurat vendore janë rritur në bazë të gjerë, si ato të transferuara nga pushteti qendror, ashtu edhe ato të mbledhura nga vetë bashkitë.
E megjithatë, unë dua të ndalem te disa taksa të cilat nuk e kanë pasur performancën e duhur.
Ne prej kohësh kemi biseduar për taksën e pasurisë, e cila këtë vit fillon me një proces krejtësisht ndryshe. Për këtë vit taksa e pasurisë është duke u pilotuar në 9 bashki dhe është shumë i rëndësishëm angazhimi juaj në pilotimin e sistemit të mbledhjes së kësaj takse, pasi është nga ato taksa e cila nuk ka pasur një performancë aq të mirë sa të tjerat.
Ne e fillojmë pilotimin me 9 bashki. Jemi duke punuar për të hartuar një ligj të ri për taksën e pasurisë, i cili pritet të diskutohet gjatë gjysmës së dytë të vitit, por siç eksperienca në të gjithë vitet e kaluara na ka treguar, pa sisteme të forta elektronike dhe të qëndrueshme nuk arrihet reformë në procese të tilla të mbledhjes së taksave.
Transferta e pakushtëzuar ka pasur rritje të ndjeshme. Është rritur me 40 % gjatë viteve të fundit dhe ligji i taksave vendore ka kushtëzuar këtë rritje, duke kushtëzuar transfertën me 1 % të GDP-së. Fatmirësisht GDP ka ardhur në rritje në gjithë këto vite dhe kjo ka sjellë në 40 % më shumë transfertë për të gjitha bashkitë.
Sa i përket performancës fiskale të njësive vendore, nëse do të shohim historikun e detyrimeve të prapambetura, në vitin 2015 vlera totale e detyrimeve të prapambetura ishte 12.1 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2021 kjo vlerë është 6.5 miliardë lekë.
E megjithatë, kjo nuk është një shifër për të cilën duhet të kënaqemi. Ne jemi të vetëdijshëm që një pjesë e detyrimeve të prapambetura janë që përpara zbatimit të reformës administrative territorial. Por është përgjegjësi e çdo administrator që të vërë në fokus performancën financiare dhe reduktimin e këtyre detyrimeve të prapambetura.
Ne do prezantojmë se sa janë këto detyrime të prapambetura në krahasim me shpenzimet dhe fondet që transferohen çdo vit për bashkitë dhe aty do të kuptohet se një punë më e mirë është për tu bërë nga ana juaj.
Ligji i financave vendore përcakton detyrimin për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, por edhe për njësitë e qeverisjes vendore, hartimin e një raporti të vështirësive financiare.
Për herë të parë këtë vit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar këtë raport, të cilin e keni përpara jush, ku bashkitë ndahen në 5 kategori të ndryshme.
Kategoria e parë janë bashkitë pa problem financiare;
Kategoria e dytë janë bashkitë me probleme financiare, të cilat detyrimet e prapambetura i kanë në nivelin deri në 15 % të shpenzimeve të planifikuara;
Kategoria e tretë janë bashkitë me vështirësi financiare, të cilat i kanë detyrimet e prapambetura mbi nivelin 25 % të shpenzimeve të planifikuara;
Kategoria e katërt janë bashkitë me vështirësi serioze financiare të cilat detyrimet e prapambetura i kanë mbi 80 % të shpenzimeve të planifikuara;
Kategoria e pestë janë bashkitë me paaftësi paguese, të cilat detyrimet e prapambetura i kanë mbi 100 % të shpenzimeve të planifikuara.
Fatmirësisht asnjë bashki nuk ndodhet në kategorinë e fundit, po ky raport dhe ajo që do ju prezantohet sot vendos detyrime qoftë për bashkitë, qoftë për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Në varësi të kategorizimit të secilës prej bashkive, secili prej jush që bie në ato kategori duhet që brenda datës 15 korrik të dorëzojë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë një plan të detajuar për masat që do të marrë bashkia në kuadër të daljes nga situata e vështirësisë financiare, në bazë të rëndesës së saj.
Për kategorinë e bashkive me vështirësi serioze financiare, ky plan do të hartohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe do të duhet të miratohet nga këshillat tuaj bashkitë dhe do të duhet të kushtëzohet në buxhet brenda datës 30 korrik.
Në hartën që ju shikoni duket qartë se që nga viti 2020 e deri në vitin 2021, ne kemi pasur një përmirësim të performancës së njësive të qeverisjes vendore në të gjithë vendin.
Megjithatë, ka bashki që kanë pasur performancë pozitive, si bashkitë Këlcyrë, Vlorë, Poliçan, Korçë, Kurbin dhe Tepelenë, të cilat e kanë reduktuar me 10 % performancën e tyre financiare, duke dalë në situatë pa probleme financiare. Por, ka edhe bashki si ajo e Vorës dhe Poliçanit, të cilat ndonëse kanë përmirësuar performancën e tyre, vijojnë të mbeten në zonën me vështirësi financiare.
Nga ana tjetër ka edhe bashki të tjera që e kanë reduktuar nga 5 deri në 10 % performancën financiare, pra kanë pasur një progres. Janë bashkia Durrës, Kukës, Pogradec dhe Himarë që kanë pasur progres në drejtim të përmirësimit të financave të tyre publike.
Megjithatë, janë tre bashki të cilat kanë përkeqësuar situatën e tyre financiare gjatë vitit 2021.
Është bashkia Cërrik, e cila në vitin 2020 i ka pasur 17.52 % detyrimet e prapambetura ndaj shpenzimeve, ndërkohë që në vitin 2021 i ka 41.18 %.
Bashkia Belsh që nga 29.68 % në vitin 2020 ka kaluar në 61.43 % në vitin 2021.
Gjithashtu, bashkia Malësi e Madhe, ku nga një situatë në vitin 2020, kur ka qenë një bashki ka probleme financiare, ka kaluar në nivelin e 51.83 % të detyrimeve të prapambetura.
Sigurisht që ka nga ato bashki që janë dhe vazhdojnë të kenë performancë shumë të mirë të menaxhimit të financave të tyre publike.
Dua të përmend këtu bashkitë Gjirokastër, Patos, Këlcyrë, Shkodër dhe Korçë, të cilat kanë një stok nën 1 % të detyrimeve të prapambetura ndaj shpenzimeve të tyre.
Gjithashtu, dua të përgëzoj bashkinë Elbasan dhe bashkinë Tiranë, të cilat ndonëse janë bashkitë të mëdha, e kanë stokun e detyrimeve të prapambetura nën 5 % të shpenzimeve të tyre, me gjithë kompleksitetin që këto dy bashki kanë në menaxhimin e tyre.
Dua të ndalem te planet dhe ajo çfarë vjen në vijim.
Sipas kësaj performance të matur:
44 bashki janë pa probleme financiare;
10 bashki janë me probleme financiare, të cilat do të duhen që brenda datës 15 korrik të dorëzojnë pranë MFE një plan të përmirësimit të situatës financiare, i cili do të jetë i miratuar nga këshilli bashkia dhe të vijë për zbatim në MFE;
7 bashki janë në vështirësi financiare. Janë bashkitë Roskovec, Poliçan, Cërrik, Malësi e Madhe, Vorë, Belsh dhe Kavajë, të cilat do të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë planin e tyre. Plani do të hartohet më pas nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mbi bazën e planit të dorëzuar nga këto bashki, dhe brenda datës 30 korrik ky plan duhet të kalojë për miratim në këshillin bashkiak dhe të vijë përsëri në MFE për tu zbatuar në thesar.
Dua të theksoj se situata do të ishte ndryshe nëse ne analizën nuk do ta bënim me buxhetin e planifikuara, por me buxhetin faktik. Situata është e përkeqësuar, nëse analiza do të bëhet mbi buxhetin faktit.
Në bazë të analizës mbi buxhetin faktik, ne kemi 35 bashki nga 44 të cilat janë pa probleme financiare; kemi 14 bashki nga 10 bashki të cilat do të rezultonin me probleme financiare; kemi 10 nga 7 bashki me vështirësi financiare, ndërkohë që na shfaqet dhe një kategori e re, ajo e vështirësive financiare serioze. Në këtë kategori janë bashkia Vorë dhe bashkia Kavajë. Unë dua të nxis kryetarët e këtyre bashkive, pasi janë dy bashki me potencial të lartë. Në rastin e Kavajës, gjatë sezonit turistik ka një potencial të lartë të mbledhjes së të ardhurave dhe të eficencës, ndërkohë që bashkia Vorë ndodhet pranë Tiranës, pranë aeroportit dhe ka një potencial të lartë ekonomik dhe duhet të punojë më shumë për të rritur performancën financiare.
Brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kemi nxjerrë disa mësime nga hartimi i këtij raporti dhe kjo analizë.
I pari ka të bëjë me atë që sapo u prezantua. Ne gjatë këtij viti do të propozojmë një ndryshim ligjor, i cili do të na hapë rrugën që këtë analizë ta bëjmë mbi buxhetin faktik dhe jo më mbi buxhetin e planifikuara, pasi ju e dini shumë mirë dhe shifrat e tregojnë se fakti dhe plani jo gjithmonë janë krah për krah me njëri-tjetrin.
Nga ana tjetër, ne do të propozojmë, duke qenë se fondet e trashëguara për çdo bashki janë të larta në krahasim me detyrimet e prapambetura. Në vitin 2021 këto fonde ishin 20 miliardë lekë, ndërkohë që detyrimet e prapambetura janë rreth 6 miliardë lekë, ne do të propozojmë që një pjesë e këtyre fondeve të shkojë për të paguar detyrimet e prapambetura.
Është dhe një element tjetër të cilin unë deri tani nuk e kam përmendur. Janë disa bashki të cilat kanë nënhua të dhëna nga buxheti i shtetit. Pra kanë kredi të dhëna nga buxheti i shtetit për qëllim të investimeve të tyre apo për qëllim të mbulimit të disa shpenzimeve të tyre. Këto bashki do të duhet që të fillojnë të paguajnë nënhuatë dhe ne gjatë këtij viti do të propozojmë një ndryshim ligjor me qëllim kushtëzimin e fondeve të trashëguara me pagesën e këtyre nënhuave.
Nga ana tjetër, ne do të mbetemi të angazhuar të punojmë bashkërisht, në mënyrë që vitin e ardhshëm analiza të mos jetë e tillë dhe mundësisht të kemi pjesën më të madhe të bashkive pa vështirësi financiare.
Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në drejtim të dixhitalizimit të bashkive, në ofrimin e shërbimeve dhe në mbledhjen e taksave. Pjesë e procesit të automatizimit të shërbimeve do të jenë edhe taksat lokale, për të cilat do të propozohet një sistem i unifikuar për bashkitë, siç duhet të jetë i unifikuar dhe sistemi i ofrimit të shërbimeve online.
Nga ana tjetër, gjatë vitit të ardhshëm ne do të punojmë në mënyrë që sistemi AFMIS të ndërlidhet dhe me njësitë lokale, në mënyrë që të kemi një dixhitalizim të gjithë operacioneve financiare.
Unë dua edhe njëherë t’ju inkurajoj që të vijoni me dixhitalizimin. Dua të inkurajoj bashkitë pilot për taksën e pasurisë dhe implementimin e sistemit të taksës së pasurisë që të vijojnë ta bëjnë atë. Dua t’ju ofroj angazhimin maksimal të MFE me qëllim që ne edhe kësaj sfide t’ia dalim me sukses.
Faleminderit.