Qendra Shëndetësore Mamurras, strukturë moderne me shërbime cilësore për komunitetin

Qendra Shëndetësore e Mamurrasit është transformuar në një strukturë moderne me ambiente të rikonstruktuara plotësisht, duke ofruar tashmë shërbime shëndetësore në kushte bashkëkohore për rreth 20 mijë banorë të Njësisë Administrative Mamurras.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, vizitoi ambientet e rikonstruktuara, duke vlerësuar standardet e reja të shërbimit dhe rolin e qendrës në forcimin e kujdesit parësor.

Qendra ofron shërbime të mjekësisë familjare, konsultorin e gruas dhe të fëmijës, shërbim urgjence, si edhe laborator. Një risi e rëndësishme është përfshirja e psikologut në strukturë, i cili siguron mbështetje dhe shërbime psiko-sociale për individët dhe familjet.

Rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore Mamurras është pjesë e programit kombëtar për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore dhe ofrimin e aksesit në kujdes shëndetësor cilësor sa më pranë vendbanimit.