Ndërsa kanë mbetur edhe 85 ditë nga Euro 2024, Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë Karlfried Bergner u takuan sot me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka nënshkruar ndërkohë një marrëveshje bashkëpunimi me Policinë Federale Gjermane lidhur me kontributin që Shqipëria do të japë për mbarëvajtjen e eventit më të madh sportiv europian të këtij viti.
Ministri Balla falënderoi Qeverinë Gjermane për mbështetjen e vazhdueshme edhe në kuadër të ndihmës për Policinë (me fokus të veçantë RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë, Policia Kufitare etj.) dhe iu kërkoi drejtuesve të Policisë së Shtetit të marrin përgjegjësitë për angazhimet e përbashkëta edhe në kuadër të Euro 2024.
Ambasadori Bergner dhe Ministri Balla konfirmuan se shtetasit shqiptarë janë tifozët e tretë në renditje, pas atyre gjermanë dhe anglezë, për numrin e biletave të blera gjatë 51 ndeshjeve të këtij turneu futbollistik.
Ministri nuk nguroi t’i thotë Ambasadorit gjerman se Gjermania duhet të ndihet me fat që nuk është në një grup me Shqipërinë. Në përfundim të këtij takimi Ministri dhe Ambasadori gjerman panë nga afër edhe mjetet, pajisjet dhe veshjet speciale të dhuruara nga Qeveria gjermane për RENEA, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Policinë kufitare etj.
Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla:
Z. Ambasador Bergner
Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit,
Gjermania mbetet mbështetësi kryesor i Shqipërisë në shumë programe zhvillimi. Gjatë 33 viteve të fundit Gjermania ka mbështetur Shqipërinë në projekte që shkojnë në mbi 1.2 miliard euro në fusha të rëndësishme të ekonomisë së vendit, të zhvillimit. Por, sikurse jemi sot në këtë ceremoni domethënëse, edhe në fushën e mbështetjes së Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, përfshirë këtu edhe hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, ku RFGJ, përmes ekspertëve të saj na ka dhënë një mbështetje të vyer.
Gjej rastin ta theksoj asistencën për Policinë e Shtetit duke nënvizuar po ashtu vlerësimet që Ambasadori dha, për disa prej pjesëve përbërëse të Policisë së Shtetit, ku theksohet mbështetja e merituar ndaj forcës sonë elitë, RENEA, për FNSH, të cilat janë tashmë pjesë e Forcës Kombëtare të Sigurisë. Kjo tregon një besim të Policisë Federale Gjermane te Policia e Shtetit.
Forca jonë RENEA ka mësuar shumë nga eksperienca dhe praktikat e forcës suaj elitë GSG-9 dhe shpesh herë, kur flas me drejtuesin tonë të RENEA-s, Altinin, nuk ndodh asnjëherë që pjesë e bisedës sonë të mos jetë GSG-9, për shkak të trajnimeve të përbashkëta, që do të kemi përsëri edhe këtë vit.
Unë kam ndjekur nga afër edhe trajnimin e fundit që bëmë për Forcën e Sigurisë Kombëtare me ekspertë të Policisë Federale Gjermane, pikërisht për të marrë praktikat më të mira dhe standardet më të mira të qasjes që Policia e Shtetit duhet të ketë në raste të zhvillimit të aktiviteteve të mëdha sportive, apo edhe të grumbullimeve të tjera, qofshin të ligjshme ose të paligjshme.
Sikurse e tha Drejtori i Përgjithshëm numri i qytetarëve gjermanë që vizitojnë Shqipërinë për qëllime turistike është në rritje të vazhdueshme. Edhe gjatë vitit 2024 ne do të kemi një numër të rritur të turistëve gjermanë që do të shijojnë natyrën e bukur shqiptare, do të shijojnë në brigjet shqiptare dhe ushqimin e shijshëm shqiptar, por Shqipëria tashmë është certifikuar edhe si një destinacion turistik me një siguri mbresëlënëse.
Nuk kemi pasur gjatë vitit të kaluar, jo sa i përket vizitorëve gjermanë, por asnjë incident të rëndë që lidhet me 10 milion plus që kanë vizituar Shqipërinë. Kjo është një meritë, së pari e mikpritjes së popullit shqiptar, i cili e ka në ADN e vet këtë qasje; por s’duhet të harrojmë asnjëherë dhe punën e punonjësve të Policisë së Shtetit, të të gjitha departamenteve, të cilët në fakt kryejnë edhe misione të cilët nuk janë të përfshira në objektin e punës së Policisë së Shtetit, sikurse është p.sh. gjetja e qytetarëve të huaj, turistëve të huaj apo vendas, të cilët humbin rrugën në shtigjet pa fund të natyrës shqiptare.
Policia e Shtetit do të vazhdojë ta bëjë këtë detyrë duke u koordinuar edhe me agjencitë dhe institucionet e tjera përgjegjëse për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Përfitoj nga ky moment të nënvizoj rëndësinë që ka mbarëvajtja e kampionatit europian Euro 2024 në RFGJ. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e masave organizative të sigurisë. Drejtues të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë në takimet dhe konferencat që janë zhvilluar, që nga viti i kaluar, sa i përket procesit të organizimit të këtij eventi të madh botëror, jo vetëm europian.
Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane e kemi nënshkruar edhe dokumentin e angazhimeve tona në këtë kuadër. Përfitoj nga rasti meqë këtu kam drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, t’iu kujtoj që na duhet të bëjmë një punë intensive përmes të gjitha shërbimeve, të kontrollit të pasagjerit, të drejtorisë sonë të marrëdhënieve me jashtë dhe me Interpol e EUROPOL, për të parandaluar çdo lloj forme të ngjarjeve kriminale, duke luftuar edhe fenomenin e falsifikimit të biletave të eventeve sportive, duke shkëmbyer informacion me palën gjermane, edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese të vendeve të tjera europiane.
Dhe, sikurse e kemi shprehur në memorandum, jemi të gatshëm të kontribuojmë, nëse do të kërkohet nga ana juaj, edhe me një dislokim të nevojshëm të forcave tona, qoftë të RENEA-s, Forcës së Sigurisë Kombëtare, nëse do të vlerësohet nga ana juaj. Por Gjermania ka një eksperiencë të gjatë në organizimin e këtyre aktiviteteve të mëdha.
Unë jam tifoz me Shqipërinë, por pas Shqipërisë jam me Gjermaninë. Por këtë vit jeni me fat që nuk ratë në grup me Shqipërinë. Pastaj, nëse do vazhdojmë përpara, ju bëhuni me Shqipërinë; nëse ju do të vazhdoni më shumë se ne, neve do bëhemi me Gjermaninë.
Sa i përket operacioneve të përbashkëta, janë të shumta operacionet që kemi bërë. Kam ndjekur edhe gjatë viteve të kaluara operacionet ose puna e përbashkët në ekipet “Anti-skifter” dhe operacione të tjera. Por fakti që ju sot jeni këtu, do ta quaja, në komandën drejtues të Policisë së Shtetit, është një certifikim i mëtejshëm i besimit që qeveria gjermane, policia gjermane, ka te Policia e Shtetit. Dhe këtë asistencë të vyer që ju vazhdoni ta jepni ndaj Policisë së Shtetit, unë dua t’iu kujtoj drejtuesve të Policisë së Shtetit që për ju është një përgjegjësi e madhe!
Fakti që jemi në një moment të vështirë në Europë pas 24 shkurtit 2022, kur të gjitha vendet, përfshirë edhe ne, jemi të angazhuar në mbështetjen e domosdoshme që do t’i japim Ukrainës dhe popullit të saj, dhe në këtë aspekt Gjermania mbetet mbështetësi kryesor i Ukrainës në Europë, dhe vazhdon t’i qëndroje besnike angazhimeve ose le të themi, mbështetjes që ka ndaj Policisë shqiptare, për ne tregon shumë.
Kështu që e mbyll duke u kërkuar të gjithë drejtuesve të Policisë së Shtetit nga Drejtori i Përgjithshëm, të gjithë departamentet që ne do ta marrim këtë mbështetje të RFGJ, të qeverisë gjermane, të policisë gjermane, si një shtesë të përgjegjësisë sonë për të pasur sa më shumë rezultate.