Qeveria miraton Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin 2026, nga 1 korriku nis indeksimi i pensioneve dhe rritet mbështetja sociale e shëndetësore

Qeveria ka miratuar Aktin Normativ për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2026. Sipas Ministrit të Financave, Petrit Malaj, ndryshimet janë bërë të mundura falë ecurisë pozitive të ekonomisë gjatë pesë muajve të parë të vitit dhe synojnë forcimin e mbështetjes sociale, rritjen e investimeve në shëndetësi, përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe zgjerimin e mbështetjes financiare për bizneset.

Një nga masat kryesore është indeksimi i pensioneve, i cili nis më 1 korrik 2026, me një fond shtesë prej 872 milionë lekësh. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuar, me një financim shtesë prej 750 milionë lekësh, nga i cili do të përfitojnë 10.720 fëmijë. Vendimi hyn në fuqi më 1 korrik 2026. Po ashtu, shteti do të mbulojë pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar prej rreth 2 miliardë lekësh.

Në sektorin e shëndetësisë do të alokohen 1.5 miliardë lekë shtesë për blerjen e barnave onkologjike dhe përmirësimin e shërbimeve spitalore. Akti Normativ parashikon gjithashtu rritjen e pagave për mjekët dhe personelin e urgjencës mjekësore, si dhe fonde shtesë për pagesën e orëve shtesë të punës për 1.250 punonjës të shërbimit zjarrfikës.

Për sektorin e mbrojtjes janë parashikuar 10.3 miliardë lekë shtesë, duke e çuar financimin në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas ministrit Malaj, ky financim do të mundësojë përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s, si dhe modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura.

Ndryshimet në buxhet përfshijnë edhe zgjerimin e garancisë sovrane për biznesin. Fondi i saj rritet nga 3 miliardë në 5 miliardë lekë, ndërsa përfituesit do të jenë jo vetëm fermerët, por edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.