Qeveria miraton kompensimin e naftës për transportin publik, Karakaçi: Subvencioni nis nga muaji mars
Qeveria ka miratuar subvencionimin e naftës për operatorët e transportit publik, me një kompensim prej 50 lekësh për litër karburant për transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas. Vendimi u bë i ditur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Masa është ndërmarrë në kuadër të përballimit të efekteve të krizës së çmimeve të karburanteve, me synim lehtësimin e barrës së kostove për operatorët dhe garantimin e vijimësisë së shërbimit publik për qytetarët.
Ministri bëri të ditur se subvencioni do të nisë zbatimin nga muaji mars, periudhë kur filluan të ndiheshin efektet e rritjes së çmimeve të karburanteve.
Vendimi pason konsultimet e zhvilluara rreth një muaj më parë me shoqatat e transportit, përfaqësues të bashkive dhe institucionet përkatëse, gjatë të cilave u diskutuan problematikat e sektorit dhe nevoja për masa mbështetëse.
Sipas ministrit Karakaçi, kjo masë synon të mbështesë qëndrueshmërinë e transportit qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas, duke mbajtur shërbimin publik të përballueshëm për qytetarët.