Fjala për media e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Ministri Balla: Në Republikën e Shqipërisë, Prefekti është një institucion tepër i rëndësishëm, pikë së pari ai përfaqëson Këshillin e Ministrave në nivel vendor dhe si i tillë na duhet ta ngremë rolin e Prefektit në pritshmërinë e kësaj qeverie për një rol sa më të rëndësishëm, jo vetëm koordinues me pushtetin vendor, por edhe me të gjitha institucionet e tjera vendore. Një rol udhëheqës sa i përket të gjitha strategjive tona në nivel vendor. Mos harroni asnjëherë se Prefekti është drejtuesi i pothuajse të gjitha Task Forcave që ne zhvillojmë në kuadër të proceseve tona qeverisëse në nivel vendor.
Gjithashtu, dua të ndaj me ju se po krijojmë edhe Këshillat Vendore të Sigurisë Publike, për të koordinuar më së miri të gjitha agjencitë ligjzbatuese që lidhen me sigurinë publike në çdo komunitet përgjatë zbatimit të paketës të sigurisë në shkolla. U kemi besuar Prefektëve rolin drejtues në këtë proces dhe na ka rezultuar të jetë një rol efikas, por gjithashtu kemi identifikuar edhe disa ndryshime që lidhen me do të thosha unë, nevojën e rregullimit dhe të përcaktimit më qartë të vendimeve të Këshillave Bashkiak apo të akteve të tjera të Njësive të Qeverisjes Vendore, të cilat kalojnë përmes filtrit ligjor të Prefektit, për ta reduktuar këtë numër në mënyrë që të lehtësojmë procesin e qeverisjes vendore, por pa harruar asnjëherë rolin shumë të rëndësishëm që ka Prefekti në këtë kontroll.
Kështu që në këtë aspekt këto do të ishin disa prej çështjeve kryesore që mund të ndajmë në këtë proces të parë. Kujtojmë që është një ndryshim në ligj. Do të kemi mundësi që gjatë diskutimit në Kuvend që bashkë me deputetë, por dhe përfaqësues të tjerë ta diskutojmë më gjerë këtë nisëm ligjore. Dua të informoj publikun se kemi marr si referencë eksperiencat më të mira të rolit të Prefektit, kryesisht modeli francez, ai italian apo dhe rumun dhe besoj që pas miratimit të këtij ligji do të kemi një institucion Prefekti shumë më efektiv në procesin e ndërlidhjes mes qeverisë qendrore, qeverisë vendore dhe mbi të gjitha të organizimit më të mirë të punës në nivel vendor të agjencive shtetërore.
Pyetje: Me ligjin e ri, Prefektit i jepni kompetencë që mund të kërkojë shkarkimin e kryetarit të Bashkisë?
Ministri Balla: Ka qenë një informacion i rremë lidhur me këtë qasje. Qeveria ka të drejtën e rasteve të propozimit të shkarkimit dhe në ligjin “Për qeverisjen vendore” përcaktohet qartë si zhvillohet ky proces dhe që vendimin përfundimtar e jep Gjykata Kushtetuese. Pra nuk ka një lajm lidhur me këtë pretendim të ngritur në media dhe nuk është e shkruar në ligj, nuk është e vërtetë.
Pyetje: Çfarë kompetencash i shtoni Prefektit dhe a ka përplasje kjo me Kryetarin e Bashkisë?
Ministri Balla: Nuk ka asnjë përplasje të kompetencave të Prefektit dhe Kryetarit të Bashkisë. Prefekti është përfaqësuesi vendor i Këshillit të Ministrave. Ajo që për mua sot ka më shumë rëndësi, sa i përket rolit të Prefektit, është drejtimi i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, i cili bën bashkë të gjitha agjencitë për të garantuar sa më shumë siguri publike në çdo komunitet. Unë ju thashë nga zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla në territor, kemi kuptuar sa e rëndësishme është koordinimi i të gjitha agjencive ligjzbatuese në funksion të rritjes së cilësisë së sigurisë publike. Kemi qenë e mbetemi të qartë me publikun, Shqipëria kampione e Ballkanit jo vetëm në turizëm, por edhe në çdo fushë tjetër përfshirë sigurinë publike nuk është më një ëndërr, por një realitet për të cilën punojmë ta realizojmë çdo ditë.
Pyetje: Duke qenë se PS sot do të mbledhë Asamblenë, pak ditë pasi e ka mbledhur më 11 shkurt, por do të jenë edhe drejtuesit e qarqeve, siç jeni edhe ju në qarkun e Fierit. A mund të na shpjegoni diçka më shumë, pse këto mbledhje në një hark kohor shumë të shpejtë? A priten zhvillime të reja në PS? Cili është fokusi i takimit të sotëm?
Ministri Balla: Për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje duhet të prisni orën 17:30, por mund t’ju them thjesht dhe vetëm një fjali që PS-ja është e vetmja parti politike në këtë vend që ka institucione të brendshme funksionale dhe natyrshëm që të gjitha këto institucione, strategji dhe ky organizim është diçka e ADN-së së brendshme të PS-së. Kështu që mos u habisni që ne të mblidhemi çdo ditë, natyrshëm, jashtë orarit zyrtar të punës. Këtu në godinën e kryeministrit do të doja t’iu përgjigjesha pyetjeve që lidhen me punën tonë të përditshme si anëtarë të kabinetit, të qeverisë shqiptare. Faleminderit.