Qeveria miraton rregulla të reja për etiketimin e pajisjeve energjetike

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa akte të propozuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përfshirë vendosjen e rregullave të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në energji.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se akti synon të unifikojë kuadrin ekzistues, duke zëvendësuar rregullimin e fragmentuar të deritanishëm për etiketimin e pajisjeve elektrike. Sipas tij, bëhet fjalë për produktet që klasifikohen sipas standardeve të Bashkimit Evropian, ku kategoria A përfaqëson nivelin më të ulët të konsumit energjetik.

Vendimi përfshin rreth 17 rregulla dhe një listë të detajuar të produkteve që do t’i nënshtrohen detyrimit të etiketimit, në përputhje me standardet e BE-së. Ky mekanizëm synon t’u ofrojë konsumatorëve informacion të plotë dhe të integruar mbi ndikimin energjetik të produkteve, duke i orientuar drejt zgjedhjeve më efikase dhe duke nxitur uljen e konsumit të energjisë elektrike.

Ministri theksoi se ky akt është pjesë e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe njëkohësisht përfshihet në Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili parashikon edhe mbështetje financiare për zbatimin e masave përkatëse.

Në të njëjtën mbledhje, qeveria miratoi edhe një listë shpronësimesh që synojnë vijueshmërinë e investimeve strategjike në infrastrukturë dhe energji. Këto përfshijnë krijimin e kushteve për ndërtimin e nënstacionit 400 kilovolt në Fier, avancimin e punimeve në Korridorin VIII, si dhe zhvillimin e projektit të portit të ri të Porto Romanos, në bashkëpunim me Autoritetin Portual Durrës.