Qeveria miraton rritjen e shpërblimeve për sportistët elitarë dhe trajnerët

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që parashikon rritje të shpërblimeve për sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre, me efekt që nis nga muaji prill 2026.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, pas mbledhjes së qeverisë deklaroi se ndryshimet synojnë krijimin e një skeme më të drejtë dhe motivuese për shpërblimet për sportet me disa disiplina, duke rritur mbështetjen për arritjet në arenën ndërkombëtare.

Vendimi sjell ndryshime në disa drejtime kryesore, duke përfshirë rritjen me 75% të mbështetjes për sportet jo olimpike dhe rritjen me 25% të shpërblimeve për trajnerët e sportistëve elitarë. Po ashtu, trajtimi ushqimor ditor për sportistët rritet me 43%, duke kaluar nga 3,500 lekë në 5,000 lekë në ditë.

Skema e re parashikon edhe rritje të diferencuara sipas disiplinave dhe rezultateve. Për stile të veçanta rritja arrin deri në 65%, ndërsa për rezultatet përfundimtare në gara të caktuara deri në 100%. Në rastet e rezultateve më të larta, shpërblimi total mund të arrijë deri në 230%.

Ndryshimet prekin gjithashtu edhe garat ndërkombëtare. Për disa kategori rezultatesh në kampionatet evropiane parashikohet rritje deri në 200%, ndërsa për kategori të tjera rritja varion nga 50% në 100%. Për Lojërat Olimpike dhe kampionatet botërore është parashikuar dyfishim i shpërblimeve, ndërsa rritje do të ketë edhe për garat mesdhetare dhe ato ballkanike.

Sipas ministrit Gonxhja, vendimi synon të përmirësojë kushtet për sportistët dhe të nxisë arritjen e rezultateve më të larta, duke kontribuar edhe në promovimin e imazhit të Shqipërisë në sportin ndërkombëtar.