Qeveria miraton tre akte për identitetin digjital, investimet e huaja dhe mbështetjen për biznesin
Këshilli i Ministrave ka miratuar tre akte të rëndësishme të propozuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se projektligji për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital synon të rrisë sigurinë ligjore dhe mbrojtjen e të dhënave. Ligji bashkon kuadrin ekzistues për identifikimin dhe nënshkrimin elektronik dhe krijon bazën për ndërtimin e portofolit të identitetit digjital, duke synuar kalimin gradual të administratës drejt një modeli pa dokumente fizike (“paperless”) në një periudhë afatmesme.
Një tjetër vendim i miratuar lidhet me rregulloren për shqyrtimin e investimeve të huaja në sektorët kritikë të ekonomisë. Sipas ministres, ky akt përmbyll piketat e kapitullit 30. Nëpërmjet një bordi ndërministror të drejtuar nga Ministria e Ekonomisë, do të shqyrtohen investimet nga vende jo anëtare të BE-së, fillimisht në sektorët e medias dhe mbrojtjes, si dhe më pas në sektorë të tjerë të ndjeshëm të ekonomisë.
Gjithashtu, qeveria miratoi një fond prej 100 milionë euro në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Fondi do të administrohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe synon të nxisë zhvillimin dhe rritjen e sipërmarrjeve në vend.