Qeveria miraton vendimin për ngritjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile, Peleshi: Financim 30 milion euro për logjistikën në emergjenca - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Qeveria miraton vendimin për ngritjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile, Peleshi: Financim 30 milion euro për logjistikën në emergjenca

Qeveria miratoi sot, marrëveshjen ndërqeveritare me Republikën e Italisë për ngritjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi në përfundim të mbledhjes se ky është një angazhim i Italisë që në Konferencën e Donatorëve pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, që premtoi të mbështesë sistemin e Mbrojtjes Civile të Shjqipërisë me një financim në formë huaje prej 30 milion eurosh.

“Kredia parashikon mbështetjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile, që nuk i përket një institucioni. Drejtohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nën Ministrinë e Mbrojtjes, por është i shtrirë në të gjithë territorin dhe të gjitha nivelet, duke filluar nga niveli lokal, bashkitë, prefekturat. Pothuajse i gjithë sistemi preket pozitivisht pra merr financim nga kjo kredi 30 milion euro”, – sqaroi ministri i Mbrojtjes, sipas të cilit marrëveshja do të kalojë në Parlament për ratifikim dhe më pas do të jetë aktive.

Sipas ministrit Peleshi plani parashikon ndërtimin e një qendre të mirëpajisur me teknologji të standardeve të BE në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile: “Paralel më të në të gjitha prefekturat dhe në katër qendrat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile në territor do të ndërtohen sallat operacionale të pajisura dhe të lidhura me njëra-tjetrën me rrjet duke qenë ndërvepruese. Pranë qendrave të Mbrojtjes Civile do të ndërtohen edhe struktura operacionale të kërkim-shpëtimit shoqëruar edhe me pajisje, por dhe trajnim. Pra do ketë edhe shtrirje territoriale në katër qendra nëpër Shqipëri, por dhe të gjitha pajisjet në rastet e fatkeqësive natyrore. Për të gjitha bashkitë, strukturat zjarrfikëse në rang kombëtar parashikohet blerja e automjeteve zjarrfikës dhe automjeteve të tjera si dhe gjithë logjistika për përmbytjet dhe kërkim-shpëtimin në përgjithësi”, – tha Peleshi.

Pjesë e këtij financimi është edhe blerja e dy mjeteve ajrore specifike për luftën kundër zjarreve.
“Gjithashtu do të ngrihet një kamp trajnimi për zjarrfikësit dhe të gjitha strukturat operacionale që duhet të trajnohen duke përfshirë dhe vullnetarë, Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura. Kjo qendër trajnimi do jetë e pajisur edhe me laboratorë simulimi, pra le të themi me këtë financim e ngremë në një nivel të lartë gjithë Sistemin e Mbrojtjes Civile. Shpresoj ta kalojmë sa më shpejt në parlament. Tashmë është bërë traditë që për marrëveshjet ndërkombëtare votohet në unison dhe nuk ka dyshime se së shpejti kjo marrëveshje do miratohet dhe aktivizohet menjëherë”, – tha Peleshi.
I pyetur edhe nga media, pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes foli edhe për diskutimet me komandantin Suprem të NATO në Evropë për ndërtimin e një baze ushtarake në një pjesë të portit të ri tregtar të Porto Romanos. Peleshi tha se kjo mund të ndërtohet sipas modelit të Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë.

“Një nga pikat e diskutimit ka qenë mundësia e mbështetjes nga NATO të portit ushtarak pranë portit të ri të Porto Romanos. Ky është lajm i rëndësishëm për Shqipërinë. Siç e ka thënë komandanti suprem i NATO para një viti, kur ishte këtu në Shqipëri, Durrësi si nyje hyrëse për në Ballkanin Perëndimor dhe në krahun lindor të NATO-s është i rëndësishëm për NATO-n. Ajo që po i ofrojmë ne NATO-s është që kjo hyrje të jetë sipas standardeve të NATO. Ne jemi duke u konsultuar me NATO sipas dizajnit të NATO-s. Krahas konsultimeve ne po punojmë edhe për financimin. Ka disa opsione për financimin, ka një burokraci që nuk shmanget dot, por ka hyrë në diskutim nga strukturat e NATO edhe kjo mënyrë financimi. Kemi një model të ngjashëm që është Baza e Kuçovës. Po ecën me ritme të shpejta. Ka qenë një pikë diskutimi, një investim shtesë për të ndërtuar qendrën e kontrollit të trafikut ajror aty, në Kuçovë, që mund të kushtojë rreth 20 mijë euro të tjera. Shpresoj që të miratohet. Por mbi atë model mund të ecim me Porto Romanon”, – sqaroi ministri Peleshi

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2022