Qeveria në monitorim të përditshëm të çmimeve të karburanteve, paralajmërohet rikthimi i Bordit të Transparencës në rast abuzimesh

Qeveria shqiptare po monitoron në baza ditore çmimet e karburanteve dhe produkteve ushqimore, ndërsa paralajmëron ndërhyrje të menjëhershme në rast të abuzimeve në treg, në kushtet e rritjes globale të çmimeve si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.

Gjatë një takimi me furnizuesit e naftës, Kryeministri Edi Rama dhe anëtarë të kabinetit qeveritar theksuan se deri tani nuk janë konstatuar ndërprerje në furnizim dhe as rritje të pajustifikuara të çmimeve në tregun vendas. Sipas të dhënave zyrtare, ndonëse bursat ndërkombëtare kanë shënuar luhatje të forta, me çmime që janë rritur nga rreth 700 në 1200 dollarë, një luhatje prej rreth 40%, në Shqipëri rritja është kufizuar në intervalin 10-15%.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se rezervat ligjore të karburanteve janë të garantuara dhe furnizimi vijon normalisht, falë kontratave afatgjata të operatorëve. Ajo theksoi se fokusi kryesor mbetet parandalimi i abuzimeve, jo vetëm në tregun e hidrokarbureve, por edhe në atë të produkteve bazë ushqimore, për të cilat po monitorohet rreth 70% e shportës.

Sipas saj, një grup i përbashkët nga disa institucione monitoron çdo ditë çmimet e zhdoganimit, të cilat përbëhen nga çmimi i bursës, taksat dhe TVSH-ja, si dhe çmimet e shitjes me pakicë; duke mbajtur një marzh fitimi të kontrolluar, me qëllim që rritja e çmimeve ndërkombëtare të mos reflektohet në rritje të fitimeve të kompanive. Ibrahimaj shtoi se aktualisht nuk ka kushte për ndërhyrje në nivelin e taksimit, por kjo mundësi mbetet e hapur në varësi të zhvillimeve.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se Task Forca e përbashkët mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe asaj të Tatimeve, e ngritur për monitorimin e tregut, është e shtrirë në të gjithë vendin dhe nuk ka evidentuar deri tani rritje të pajustifikuara të çmimeve apo marzheve të fitimit nga tregtarët me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve. Ai paralajmëroi se monitorimi do të vijojë pa afat dhe se në rast konstatimi të abuzimeve, qeveria do të rikthejë Bordin e Transparencës për përcaktimin e çmimeve.

Ndërkohë, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, konfirmoi se nuk ka pasur abuzime me çmimet e naftës dhe se situata e furnizimit mbetet e qëndrueshme, pavarësisht zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare. Ai bëri të ditur se qeveria pritet të miratojë së shpejti një projektligj të ri për rezervat e sigurisë hidrokarbure, i cili parashikon krijimin e një agjencie shtetërore dhe garantimin e një rezerve minimale 90-ditore, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Autoritetet theksojnë se monitorimi i tregut dhe koordinimi ndërinstitucional do të vijojnë, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend.