U nënshkrua sot një marrëveshje historike për shërbimin shëndetësor shqiptar, e posaçërisht për QSUNT dhe Universitetin e Mjekësisë, që do të hyjnë në një partneritet strategjik me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita– Salute San Raffaele”, për t’u kthyer në pjesë integrale të eksperiencës e praktikës së tyre, duke u bërë ofrues të një niveli europian kujdesi dhe edukimi mjekësor.
I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, e zhvilluar nëmjediset e QSUNT ishte edhe Kryeministri Rama , i cili tha se që ky është një moment historik për shëndetësinë tonë dhe ambicia në perspektivë është kthimi i kësaj qendre spitalore në pikën e referimit për të gjithë Ballkanin dhe në një qendër ekselencë mes qendrave të ekselencës në Europë.
* * *
E lash fjalën e shkruar duke marrë parasysh edhe diellin që pjesa këtej ka përballë dhe do përpiqem të flas shumë shkurt.
Besoj që ky është një moment historik për shëndetësinë tonë. Është një moment historik për Qendrën Spitalore universitare “Nënë Tereza”, por është një moment historik edhe për vetë Shqipërinë.
Sepse sot ne hapim një faqe krejt të re në një rrugë ,që siç e përshkroi ministrja ka qenë gjatë, ka qenë jo e lehtë dhe kishte një pikënisje që të thuash dëshpëruese është pak, në një situatë dhe sistem shëndetësor ku e vetmja vlerë e padyshimtë ishte vlera e profesionisteve të sistemit, e mjekëve, e infermiereve e që në kushte skandaloze luftonin për të mbrojtur jetë dhe për të shpëtuar jetë dhe në ndërkohë as nuk mendonin më dot se një ditë kushtet do të bëheshin ato që janë sot.
Por, përsëri ne jemi shumë më ambiciozë sesa kaq.
Nuk jemi absolutisht të kënaqur me çfarë kemi arritur, duam të shkojmë më tutje dhe ambicia është ta bëjmë këtë qendër spitalore pikën e referimit për të gjithë Ballkanin dhe ta kthejmë në një qendër ekselencë mes qendrave të ekselencës në Europë.
Kjo është plotësisht e mundur dhe unë dua ta përsëris këtu diçka,që e thashë edhe kur bëmë takimin me përfaqësuesit e spitalit SHEBA në Izrael që nga grupi ekspertëve të San Donados që ka ardhur këtu, kanë vizituar çdo cep të qendrës spitalore, kanë folur me shefat e pavijoneve, kanë folur me mjekë.
Përshtypja për personelin është vartetë e jashtëzakonshme. Dhe njësoj si edhe ata më parë, edhe nga miqtë tanë të San Donados,ne kemi dëgjuar fjalët më të mira për ju, për mjekët, infermierët, për personelin e qendrës dhe kjo është baza e besimit të tyre, e besimit tonë, që ne mund ta transformojmë qendrën në një qendër ekselence për kujdesin shëndetësor, për të gjithë Ballkanin.
Por paralelisht me qendrën, ne duam të transformojmë edhe Universitetin e Mjekësisë dhe dua ta theksoj që në të dyja këto bashkëpunime, që në fakt janë pjesë e të njëjtës marrëveshje, synimi nuk është thjeshtë që të kemi një partner më shumë, ndër shumë partner që kemi.
Synimi nuk është që të kemi një konsulent më shumë, ndër shumë konsulentë që kemi apo që të bëjmë një binjakëzim më shumë ndër shumë binjakëzime që kemi.
Synimi është që të deri në 2030-ën, nga njëra anë, qendra spitalore universitare të pësojë ekzaktësisht atë transformim që grupi i San Raffaele ka sjellë në Poloni, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset, duke u përfshirë drejtpërdrejtënë menaxhimin e qendrës, duke u përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e gjithë jetës së përditshme të qendrës, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset dhe duke bashkuar në kuptimin e vërtetë të fjalës, profesionistët e të dy anëve të San Raffaele dhe të QSUT-së.
Ndërkohë që, e njëjta ambicie është për universitetin. Ne tani më e kemi shembullin e parë me Universitetin Boku të Vjenës, një ndër universitetet më të vjetër të Europës, që tani më ka filluar procesin e shkrirjes me Universitetin Bujqësor të Tiranës për të arritur që në fund të kësaj dekade në Universitetin Bujqësor të Tiranës të vijnë studentë nga gjithë Europa për të studiuar me të gjithë parametrat e Universitetit të Bokut të Vjenës dhe në fund për të marrë një diplomë që është e njëjta me atë që merret në Vjenë. Dhe qëllimi është i njëjti që kur në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë të merret e njëjta diplomë që merret në Universitetin Vita-Salute San Raffaele dhe në ndërkohë Tirana të jetë një degë e universitetit të San Raffaele ky është objektivi i fundit të dekadës.
Marrëveshja e sotme e hap këtë kapitull dhe sot nuk është më çudi që të imagjinojmë që në këto vite, ne do të arrijmë që t’u japim të gjithë atyre që akoma kanë nevojë të shkojnë, jo në Turqi, jo në Itali, e jo në vende të tjera, për t’u kuruar mundësi që ta bëjnë këtë këtu në Shqipëri, në sistemin publik shëndetësor, ku të marrin shërbimin e nivelit më të lartë europian dhe nga ana tjetër, t’u japim mundësi të gjithëve, jo vetëm vajzat e djemve nga Shqipëria, por edhe vajzat e djemve nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe të tjerë nga rajoni që të vijnë të studiojnë në universitetin tonë të mjekësisë dhe të dalin nga ky universitet me një diplomë të nivelit më të lartë europian.
Kam shumë besim që stafi do ta përqafojë me pasion profesional këtë mundësi dhe do t’i bashkohet me të gjithë përkushtimin e nevojshëm grupit të partnerëve tanë që do të fillojnë intensivishtpunën, pasi ne të kemi përmbyllur të gjitha proceset teknike të marrëveshjes.
Në fund dua t’i bëj një falënderim shumë të veçantë presidentit të grupit San Donatos. Jemi njohur në fakt para pak kohësh dhe jam shumë i nderuar nga miqësia e tij, si gjithmonë në këto raste, kisha kohë që isha qepur San Donatos, po nuk po gjeja rrugën si të arrija deri tek habibi.
Dhe më në fund u gjet dhe rruga. Tani jemi vërtete bashkë dhe gjëja më e kënaqshme për mua është që kur Kameli erdhi në Shqipëri për herë të parë me hezitim të madh për hir të së vërtetës, mbeti aq i impresionuar sa në një kohë shumë të shkurtër, kjo është hera e tretë apo e katërt që vjen dhe e shikon perspektivën e këtij bashkëpunimi me një dritë dhe më të fortë sesa ajo që shoh unë. Dua të falënderoj dhe ambasadorin, i cili është këtu i pranishëm.
Qeveria italiane është një qeveri me të cilën ne kemi një marrëdhënie të posaçme. Italia është një vend me të cilin ne kemi një marrëdhënie të posaçme dhe tanimë ka gjithmonë e më shumë përfshirje nga ana e qeverisjes italiane në nisma konkrete si kjo që po bëjmë sot që ka dhe bekimin e qeverisë italiane. Se këtu bëhet fjalë, jo thjeshtë për shkëmbim informacioni apo shkëmbim eksperiencash, por bëhet fjale dhe për investime të konsiderueshme që ne do t’i bëjmë së bashku. Ju falënderoj shumë dhe shpresoj që isha më shkurt se zakonisht.
Shumë faleminderit!