Qytetit Studenti në Tiranë i shtohen edhe dy godina tërikonstruktuara nga themelet, me kushte të përmirësuara dhe infrastrukturë të standardeve europiane.
I gjithë qyteti po transformohet në një mjedis i ri vit pas viti, nga rrënimi i plotë, në një kompleks bashkëkohor që ofron kushte optimale, që nga dhomat e fjetjes të pajisura me dushe e tualete më vete, sallat e leximit, hapësirat e gatimit e ngrënies në çdo kat, internet falas, sistem sigurie, lavanderi, si edhe duke u përgatitur për zbatimin e projekteve të një sërë godinash të reja administrative, social-kulturore e sportive.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vizitoi sot ndërtesat e përfunduara (16 dhe17), ku aktualisht do të akomodohen 360 studentë. Ndërsa pas përfundimit të rehabilitimit të 14 godinave për këtë tre vjeçar priten të akomodohen deri në 2300 studentë. Krijimi i kushteve sa më të mira për jetesë dhe studim ka të bëjë me organizimin e brendshëm dhe me sistemet e projektuara në të, qe janë pikërisht sistemet mekanike, hidraulike, dhe ato elektrike.
“Në total kemi mbaruar 15 godina. Këto kanë qenë tre godinat e zaptuara, në bazë të “liri demokracisë” që u zhvendosën këtu shumë prej atyre zaptuesve të parë dhe u prishën nga tërmeti. Ka dy tipologji, një tipologji që ne kemi bërë me Kfw dhe një tipologji tjetër e bashkisë së Tiranës. Është si një recepsion hoteli, ka një pritje. Çdo godinë ka një administrator. Secili student merr kartën e vet. Shikojmë si duket një nga dhomat. Për dy veta, secili ka dushin e vet. Dushi ka qenë me orar kur e gjetëm në 2013. Ka një sallë për të ngrenë në mëngjes, mikrovalën, sobën, frigorifer” – shpjegoi Kryetari i BashkisëErion Veliaj gjatë vizitës në disa prej dhomave, ndërkohë që tha se është përfunduar dizajni për 4 ndërtesat publike të masterplanit, pishina olimpike, sallat e studimit, salla e administratës dhe hapësira multifunksionale.
Pas inspektimit, Kryeministri Rama mbajti një fjalë nëceremoninë e organizuar me këtë rast.
* * *
Faleminderit shumë edhe në radhë të parë, falënderime për të gjithë ata që punuan dhe që kanë realizuar këto zhvillime të reja domethënëse në “Qyteti Studenti dhe dua të kthej pak kokën tuaj mbrapa dhe t’ju kujtoj se, edhe pse protesta e studentëve, protesta shumë e madhe e studentëve e disa viteve më parë ka mbaruar me kohë dhe mbase për shumë është harruar, ne vazhdojmë të punojmë, duke i qëndruar besnikë të gjitha angazhimeve të marra dhe për të bërë pikë për pikë e presje për presje, çdo gjë që kemi premtuar. Natyrisht, që gjërat për të gjithë ata që e dinë çdo të thotë t’i arrish gjërat me punë, gjërat nuk arrihen sa hap e mbyll sytë, punën konkrete nuk bëhen si muhabetet në televizor apo si komentet në Facebook që nuk kanë nevojë për kohë, shpeshherë nuk reflektojnë asnjë lloj mendimi të thelluar, por kërkojnë kohën e tyre dhe kërkojnë mundësi.
Erioni e tha që ne e bëmë me shpejtësi një rehabilitim të një numri godinash, aq sa ishte nevoja për të akomoduar atë numër studentësh që ishin në atë vit, por plani i transformimit të gjithë Qytetit Studenti, në një qytet studentor të shekullit të ri vazhdoi dhe vazhdon.
Ky është një qytet, i cili në bazën e vet është një trashëgimi e të shkuarës, ndërkohë që ky është një qytet që duhet t’i shërbejë të ardhmes dhe duhet të ofrojë për studentët që vijnë këtu kushte optimale, të njëjta me kushtet më të mira që studentët kanë në vendet e Bashkimit Europian sepse ky konvikt këtu që ne sapo e pamë është një konvikt, i cili në çdo vend të Bashkimit Europiando të qëndronte me dinjitet në kategorinë A, jo në kategorinë B sepse kudo ka A, ka B, ka edhe C.
Ka konvikte edhe në Paris, edhe në Londër, edhe gjetkë që janë 4 persona në një dhomë, ndërkohë që, patjetër, ka edhe konvikte që ka dhe dy persona në një dhomë. Ky konvikt, këto konvikte kanë dy persona në një dhomë.
Ka konvikte edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian, ku dushet janë të përbashkëta për shumë njerëz,ndërkohë që këtu çdo dhomë ka dushin e vet, e kështu me radhë.
Kjo është njw ambicie që me mundësitë që rrisim çdo vit, falë rritjes së ekonomisë, falë rritjes së të ardhurave të bëjmë gjëra,të cilat i qëndrojnë kohës për një periudhë të gjatë dhe jo thjesht gjëra për sot e për nesër.
Në ndërkohë, po në këtë qytet po ngrihet dhe Kolegji i Europës,i cili është struktura e tretë, pas atij qendrorit të Bruges, dhe atij të dyti që u ngrit në Poloni për të mbështetur valën e parë të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe jo rastësisht u zgjodh Shqipëria dhe aspak rastësisht u zgjodh Tirana.
Shqipëria është një histori suksesi dhe është për të ardhur keq që për shumëkënd, thjesht sepse nuk duan qeverinë, është tërësisht legjitime të mos e duash qeverinë, mjafton kjo për të mohuar faktin që Shqipëria që është vendi i përbashkët i të gjithëve,pavarësisht se janë apo jo me qeverinë, është një histori suksesi. Është për të ardhur keq për faktin se, nëse nuk e njeh këtë histori suksesi, nuk kupton as sesi shumëçka ka nevojë të përmirësohet mund dhe duhet të përmirësohet.
Ndërkohë që, fatmirësisht shumica këtë e kupton fare mirë dhe kjo është dhe arsyeja pse ne jemi në një pozicion, ku nga njëra anë, kemi një besim të madh të njerëzve për të shpërblyer dhe nga ana tjetër kemi nevojën e përditshme për t’u përmirësuar.
Me Kolegjin e Europës këtu në këtë qytet, patjetër që do të rritet prestigji i Qytetit Studenti, patjetër që Qyteti Studenti do të bëhet një destinacion i një kategorie tjetër, jo thjeshtw në nivelin kombëtar, por edhe në nivelin rajonal pa asnjë diskutim.
Siç e tha Erioni, nuk janë vetëm konviktet pjesë planit të transformimit dhe rilindjes së plotë të Qyteti Studenti, por janë dhe një sërë godinash të tjera që nga godina administrative, tek godina që do të ketë qendrën e madhe te studimit dhe të leximit,ku synimi ynë është të bëjmë një bibliotekë të standardeve më të mira ndërkombëtare, qoftë me libra, qoftë me akses digjital. Pastaj, është edhe menca e përbashkët e studentëve, që në këto godina kanë edhe kuzhinat e tyre të përbashkëta, ku mund të gatuajnë vetë dhe të administrojnë vetë çfarë blejnë dhe çfarë dëshirojnë të kenë për t’u ushqyer. Pastaj është godina tjetër, e cila do të krijojë mundësi për të pasur aktivitete social-kulturore dhe godina ku siç e tha kryetari i bashkisë, do të jetë dhe pishina e parë olimpike në Shqipëri e mbyllur.
Të gjitha këto, nuk janë as dëshira, as fantazi, janë projekte për të cilat janë edhe financimet të dedikuara që presin për t’u vënë në dispozicion të realizimit të tyre.
Qëllimi ynë që të përfshijmë edhe në Qytetin Studenti arkitektë të mirënjohur që këtu të mos ketë thjesht godina utilitare, por të ketë edhe vepra të arkitekturës që t’i bashkohen koleksionit të jashtëzakonshëm që po krijon Tirana.
Unë pata privilegjin që të shtunën të mikpritja disa miq që ipërkasin botës së personaliteteve të shquara ndërkombëtare dhe që vinin për herë të parë në Tiranë, njerëz të shëtitur gjithandej, njerëz të botës dhe gjithmonë më ndodh por ishte, është gjithmonë krenari, kur dëgjon nga ata, të cilët vijnë këtu për herë të parë fjalët më të jashtëzakonshme për atë që gjejnë këtu në Tiranë, për arkitekturën, për pastërtinë, për energjinë e qytetit dhe mbi të gjitha për perspektivën e këtij qyteti.
Sigurisht, që kjo vlen shumë më tepër sesa për t’u kënaqur, për t’u inkurajuar dhe për t’u frymëzuar që kjo punë e madhe të vazhdojë.
Në fund, dua të them këtë. Qytet Studenti, kjo zonë në njëfarë mënyre, nga pikëpamja fizike e ka mishëruar transformimin e shtetit tonë, transformimin e të gjithë aspekteve të jetës sonë gjatë gjithë këtyre viteve.
Dhe në fund dua të them këtë, që kjo zonë, Qyteti Studenti në një farë mënyre nga pikëpamja fizike e ka mishëruar transformimin e shtetit tonë, transformimin e të gjithë aspekteve të jetës sonë gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo zonë ka mishëruar fizikisht të gjitha dhembjet dhe të gjitha deformimet e një tranzicioni që tani e kemi lënë pas.
Këtu në këtë qytet, mund ta shohësh fizikisht se Shqipëria nuk është më në tranzicion, Shqipëria është një vend që ka ende plot për të adresuar, por është ekzaktësisht siç duket këtu vendi që vetëm pak vite, pak hapa – sepse çdo vit në jetën e një individi është diçka shumë e madhe, por në jetën e një vendi e të një populli është vetëm një hap, – pak hapa nga hyrja me të drejta të plotë në BE dhe në këtë qytet sot mund të shohësh fizikisht edhe si është ndërtuar dhe është e dukshme, e prekshme, e jetueshmee nesërmja edhe si e shkuara vazhdon të jetë e pranishme përmes një sërë objektesh, një sërë shëmtirash që duhen edhe ato adresuar dhe që duhen edhe ato zëvendësuar.
Dhe këto shëmti janë fizike, janë po ashtu edhe pjesë e jetës institucionale të vendit në formën e mosmbarëvajtjes së një sërë gjërash, në formën e korrupsionit apo të të gjitha tyre gjërave, të cilat ne i kemi adresuar dhe do vazhdojmë t’i adresojmë si askush tjetër dhe njësoj siç do të jetë ky qytet, shumë më shpejt sesa vonë kur i thonë fjalës, një destinacion, ku asgjë nuk do të të lërë shijen e keqe të të shkuarës që qëndron mesh nesh, kështu qëndron edhe vendi ynë në kohën kur ne do t’i kthejmë dhe këto pak hapa dhe do të jemi, jo thjesht një vend në Evropë, por një vend i Evropës së bashkuar.
Jam i bindur që ndërkohë bashkia, Erioni do të vazhdojnë të bëjnë punë e tyre edhe në aspektin e plotësimit të gjithë këtyre hapësirave tanimë të shpëtuara nga barbaria edhe nga zaptuesit,me ende më shumë gjelbërim, me ende më shumë pemë, me ende më shumë diversitet në këtë aspekt sepse edhe ne këtë aspekt, ky qytet ka potencialin që të bëhet një qytet-park dhe nga ana tjetër, duhet të jenë të gjithë të bindur që për qeverinë tonë dhe për mua personalisht, Bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet dhe mbështetja jonë në këtë aspekt, ka qenë, është dhe do të mbetet një mbështetje prioritare sepse për ne ka shumë rëndësi që ky prioritet të vazhdojë të prodhojë sukses dhe ka shumë rëndësi që kjo punë të vazhdojë të jetë komplementare sepse Bashkia e Tiranës nuk është një bashki si të tjerat, por është metropoli i Shqipërisë dhe duke pasur edhe këtë sukses ekonomik në Tiranë, ka edhe kapacitete për të bërë hapa shumë më të mëdhenj sesa të tjerët dhe në një farë mënyrë për të udhëhequr me shembullin e vet, në rrugën ku dhe të tjerët do tëhyjnë hap pas hapi. Kështu, abonetë për të udhëtuar falas për pensionistet të mbështetura dhe të financuara drejtpërdrejt nga Bashkia e Tiranës, janë një hap që shkon në drejtimin e duhur sepse ato në fakt janë abone për pensionistët për të mos nxjerrë pensionistët lekë nga xhepi dhe për të mos paguar nga pensionet e tyre, por nga ana tjetër janë abone për të cilat paguan bashkia e Tiranës, paguajnë taksapaguesit, paguajnë ndërtuesit, të cilët i paguajnë kësaj bashkie taksat më të larta, se është kollaj të flasim për ‘’ky po ndërton, ai po ndërton’’ po nga ana tjetër duhet të shohim se sa gjëra marrin mbrapsht, jo thjesht në aspektin e një transformimi që askush nuk mund ta imagjinonte dhe nuk e imagjinojnë të huajt që vijnë dhe të huaj nga të gjitha kategoritë dhe ndërkohë për të vënë në jetë dhe projektin më të ri të përbashkët, mes qeverisë dhe bashkisë, që në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës dhe të krijojmë mundësinë për të pasur më shumë komunitet, në sensin edhe më shumë jetë sociale mes fëmijëve, për të pasur më shumë kapacitet që prindërit në momentin që lënë fëmijën në mëngjes në shkollë, të mos e kenë kokën mbrapa dhe të detyrohen pastaj të merren vesh me njëri-tjetrin, kush do e lërë punën për të shkuar e për ta marrë fëmijën për ta çuar në shtëpi, po të bëjnë punën e tyre me orë të plota.
E nga ana tjetër, patjetër edhe për të lehtësuar nga pikëpamja financiare një pjesë të familjeve që nuk e kanë shumë të lehtë jetën e tyre të përditshme ekonomike.
Kështu që pa diskutim që më e mira është e gjitha përpara, por jo sepse kështu është, por sepse kjo është puna që po bëjmë,duke u përballur në mënyrë të vazhdueshme me një të keqe që është e keqja e një trashëgimie të rëndë tranzicioni që e kemi lënë tani pas, se nuk jemi një vend në tranzicion përderisa negociojmë anëtarësimin dhe përderisa kemi derën e BE që shihet dhe mund të arrihet tanimë, që nuk është më si horizonti i detit ku nuk duket asgjë matanë, por edhe për faktin më të thjeshtë akoma, një përballje, e cila lidhet edhe me një përndjekje të së ligës, me një përndjekje të së keqes, me një përndjekje të një shpirti të keq që e ka bërë Shqipërinë të humbasë shumë shanse dhe të futet në shumë qorrsokakë, duke filluar qysh kur një grup njerëzish vizionarë dhe kurajozëshpallën pavarësinë dhe sapo ngritën flamurin, panë t’iu ngrihen dhe t’iu qepen këmba-këmbës edhe “shejtanët” e Shqipërisë, “shejtanët” që për fat të keq në më shumë se një rast, arritën edhe ta dominojnë Shqipërinë, para dhe prapa rënies së regjimit komunist, por tanimë kemi mundësinë që të ndihemi të çliruar në sensin që “shejtanët” aty janë, por në rastin më të keq luajnë rolin e hudhrës që na mbajnë larg syrit të keq dhe në rastin më të mirë na motivojnë 1000 herë më shumë që të bëjmë 1000 herë më shumë punë të mira dhe të jemi 1000 herë më shumë kritike me vetveten.
Faleminderit!