Rama dhe Koçiu përurojnë Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut: Pajisje të teknologjisë së lartë, status i veçantë për dhuruesit vullnetarë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Rama dhe Koçiu përurojnë Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut: Pajisje të teknologjisë së lartë, status i veçantë për dhuruesit vullnetarë

Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), është transformuar rrënjësisht falë investimit për rikonstruksionin e plotë të saj, duke e shndërruar  në një qendër dinjitoze dhe bashkëkohore të cilësisë së lartë, me mjedise të një standardi bashkëkohor në dhurim, testim, përpunim ruajtje dhe shpërndarje.

Kryeministri Edi Rama, dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu vizituan mjediset e reja të qendrës së rikonstruktuar, të mirëpajisur me teknologjinë më të lartë, ku ndër të tjera është realizuar digjitalizmi i plotë dhurues-pacient në QKTGJ e banka gjaku në Tiranë, automatizimi i mëtejshëm në testim dhe përpunim, centralizimi i mëtejshëm i shërbimeve me qëllim sigurimin e cilësisë maksimale të gjakut dhe garantimin e aksesit të barabartë ndaj gjakut të mjaftueshëm e cilësor në çdo skaj të vendit.

“Këtu jemi në godinën tërësisht të re të qendrës kombëtare të transfuzionit të gjakut, një investim që u realizua nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2023. Ishte një investim total, jo vetëm në infrastrukture, por dhe në pajisje dhe në ngritjen e kapacitetit të stafit që punojnë në këtë qendër. Janë 60 punonjës që punonjës në këtë infrastrukturë dhe që shërbejnë për të gjithë ata dhurues që paraqiten këtu dhe dhurojnë gjak”, nënvizoi ministrja e Shëndetsisë, Koçiu.

Ajo theksoi se qendra ka marrë edhe certifikatën e akreditimit të cilësisë nga drejtoria europiane për menaxhimin e cilësisë.

Ministrja Koçiu bëri me dije se “jemi duke punuar edhe për kartën e dhuruesit vullnetar. Duam që krahas investimit të bërë deri tani, t’i pajisim të gjithë dhuruesit vullnetar që vijnë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut edhe me një kartë, me një status të veçantë i cili sa herë kryen procesin e dhurimit merr pikë dhe ato pikë do të krijojnë lehtësira në procese apo shërbime të tjera”.

Standardet europiane në dhurim, testim, përpunim, ruajtje dhe shpërndarje të gjakut, bashkëpunimi teknik me qendrën homologe franceze, si edhe stafi i kualifikuar dhe i mirëpaguar, kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen me 50% të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut. “Ne kemi rritje 50% të dhurimeve vullnetare të mbledhura nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe një rritje rreth 20% e dhurimeve vullnetare në tërësi krahasuar me një vit më parë. Ka mjaft sensibilizim dhe më ndryshe është përgjigja e njerëzve ndaj dhurimit vullnetar të gjakut”,  u shpreh Drejtuesja e QKTGJ Irena Qendro.

MSHMS ka si objektiv për 2024 rritjen e numrit të dhurimeve vullnetare të gjakut përmes ndërgjegjësimit të metejshëm të qytetarëve. Për këtë arsye, ministrja Koçiu bëri me dije nisjen sot të fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut e cila do të vijojë deri në fund të vitit.

Platforma online e dhurimit vullnetar të gjakut u jep mundësinë të gjithë qytetarëve që përmes aplikimit në e-Albania, të rezervojnë ditën dhe orën e dhurimit.

Me transformimin e realizuar Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është shndërruar në një operator ekselence i Shërbimit Publik Shëndetësor.

Previous Lojtari i artë i futbollit Italian Paolo Rossi në ekspozitën unikale çelur në Muzeun Kombëtar, në Tiranë