Raporti i Progresit 2025 i Komisionit Europian, Shqipëria ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm
Komisioni Europian prezantoi sot Raportin e Progresit 2025 për Shqipërinë, ku vendi vlerësohet për përparimin e jashtëzakonshëm në procesin e integrimit europian, që nga Konferenca e Parë Ndërqeveritare në tetor 2024.
Raporti u prezantua nga Komisionerja për Zgjerimin e BE Marta Kos, së bashku me raportet e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, të cilat Komisionerja Kos i vlerësoi për objektivat ambicioze, teksa siguroi se Komisioni Europian i mbështet plotësisht këto ambicie.
“Vendet tona kandidate kanë objektiva ambicioze. Mali i Zi synon të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026, Shqipëria deri në fund të vitit 2027, ndërsa Moldavia dhe Ukraina në vitin 2028. Duke parë ritmin e disa vendeve kandidate, zgjerimi i suksesshëm i Bashkimit Europian zgjerimi i suksesshëm i Bashkimit Europian është një mundësi reale per vitet që vijnë. Për mua, ambiciet janë më të rëndësishme sesa vitet apo datat, dhe Komisioni Europian po i mbështet plotësisht këto ambicie. “ -u shpreh Komisionerja Kos, e cila duke u ndalur në përparimin e bërë nga Shqipëria e cilësoi atë të jashtëzakonshëm, që nga konferenca e parë ndërkombëtare në tetor të vitit 2024.
Për Komisioneren e Zgjerimit të BE, ky rezultat është tregues i përkushtimit politik të Shqipërisë dhe të aspiratave të qarta europiane të shoqërisë shqiptare.
Ajo shtoi se Shqipëria ka vijuar të thellojë reformat brenda grupkapitullit “Themeloret”, ndërsa pritet të dorëzojë vlerësimin e ndërmjetëm për këtë grupkapitull deri në fund të vitit.
“Shqipëria ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm që prej Konferencës së Parë Ndërqeveritare në tetor 2024. Gjatë këtij viti janë hapur katër kapituj të rinj, ndërsa grupkapitulli i fundit pritet të hapet në nëntor. Ky rezultat i veçantë përbën një njohje të qartë të përkushtimit të fortë politik të Shqipërisë dhe të aspiratave të qarta europiane të shoqërisë shqiptare. Sot, nëntëdhjetë e një për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian. Shqipëria ka vijuar të thellojë reformat brenda grupkapitullit“ Themeloret” dhe është duke u përgatitur të dorëzojë vlerësimin e ndërmjetëm për të deri në fund të këtij viti.” – u shpreh ajo.
Ndërsa, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian Kaja Kallas, e vlerësoi përparimin e bërë nga Shqipëria si të paprecentë, duke e renditur Shqipërinë në vendet pararojë për anëtarësim.