Raporti i Progresit 2025, Shqipëria në rrugën e duhur për të mbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027
Raporti i Progresit 2025 për Shqipërinë i Komisionit Europian iu dorëzua sot Kryeministrit Rama nga Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian Silvio Gonzato, gjatë një konference të përbashkët për shtyp.
Ambasadori Gonzato theksoi se ky raport publikohet në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila ka përparuar me një shpejtësi të jashtëzakonshme në çeljen e grupkapitujve negociues, si dhe në zbatimin e agjendës së reformave, në kuadër të Planit të Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor.
“Raporti i këtij viti publikohet në një moment shumë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE. 5 nga 6 grupkapituj negociues tashmë janë hapur dhe po punohet për hapjen e grupkapitullit të fundit. E gjithë kjo është arritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe dëshiroj të përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat të shkëlqyer. Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në zbatimin e agjendës së reformave dhe të rritjes në kuadër të planit të rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor, duke përmbushur 21 masa reformuese, ndërmjet dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025, një rezultat i shkëlqyer që bëri që Komisioni Europian të disbursojë 99,3 milionë euro për Shqipërinë një tregues i prekshëm i angazhimit të BE për të stimuluar edhe me tej ritmin e reformave të shpejta në Shqipëri.” – u shpreh ai në konferencën e përbashkët për shtyp.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama nënvizoi që në thelb, raporti pohon se “Shqipëria është në rrugën e duhur për të mbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027”, – ndërkohë që sfidat janë të pranishme, po ashtu dhe çështjet për t’u adresuar, këto, jo vetëm në mënyrë sasiore, por edhe në mënyrë cilësore.
Kryeministri ritheksoi se Shqipëria është vendosur në pararojë të këtij procesi, duke u bërë një shembull pozitiv për vendet e tjera që duan të bëhen pjesë e familjes europiane.
“Ky raport thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë: Shqipëria është në rrugën e duhur për të mbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Ndërkohë që, patjetër në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap, sfida dhe çështje për t’u adresuar, jo vetëm në mënyrë sasiore, por edhe në mënyrë cilësore, në çdo hap në mënyrë që brenda vitit 2027 ne ta përmbyllim këtë proces dhe në mënyrë që raporti i vitit 2027 të shkruajë: Rekomandojmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ky është objektivi historik, Kjo është ambicia jonë dhe jam shumë krenar që, tanimë, askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi, së bashku me Malin e Zi dhe që më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv, që u jepet dhe të tjerëve që duan të bëhen pjesë e familjes europiane. Ky është raporti për mua.” – deklaroi Kryeministri Rama.
Raporti i Progresit 2025 për Shqipërinë i Komisionit Europian u prezantua dje nga Komisionerja për Zgjerimin e BE Marta Kos, së bashku me raportet e vendeve kandidate për anëtarësim në BE.