Reforma e inspektimeve, ministrja Ibrahimaj: Paralajmërimi si masë e parë ndaj bizneseve dhe tregues të rinj performance brenda shtatorit
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se brenda muajit shtator do të përcaktohen tregues të rinj performance, cilësie dhe sasie për zbatimin e reformës së inspektimeve, të cilët do të monitorohen nga Inspektori i Përgjithshëm dhe institucionet përgjegjëse.
Gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama, Inspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sula dhe inspektorët e terrenit, ministrja theksoi se reforma synon të lehtësojë barrën e kontrolleve ndaj bizneseve, të rrisë cilësinë e inspektimeve dhe të garantojë më shumë transparencë për kërkesat që subjektet duhet të përmbushin.
Një nga parimet kryesore të reformës është që paralajmërimi të jetë masa e parë ndaj biznesit, ndërsa gjoba të aplikohet sipas rasteve të përcaktuara qartë. Sipas ministres Ibrahimaj, qëllimi i inspektimeve duhet të jetë informimi dhe orientimi i bizneseve për respektimin e standardeve dhe përmirësimin e produkteve dhe shërbimeve ndaj qytetarëve. Në këtë drejtim, ajo kërkoi që inspektoratet të përcaktojnë qartë rastet kur aplikohet paralajmërimi dhe ato kur vendoset gjobë, si dhe që ky informacion të jetë i aksesueshëm paraprakisht për bizneset.
Aktualisht, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit ofrohet informacion mbi kërkesat dhe listat e kontrollit për sektorë të ndryshëm, duke u mundësuar subjekteve të njihen me detyrimet që duhet të përmbushin përpara kontrolleve. Ministrja theksoi nevojën që ky informacion të përditësohet në mënyrë të vazhdueshme sa herë ndryshon kuadri ligjor.
Një tjetër prioritet mbetet ngritja e një sistemi të integruar për proceset e punës së inspektorateve, përfshirë rekrutimin e inspektorëve, si dhe konsolidimi i strukturave të inspektimit.