Reforma e Inspektimeve, për një sistem të bazuar në bashkëpunim, transparencë, vetëdeklarim, jo në penalizime, por në garantimin e konkurrencës së lirë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Reforma e Inspektimeve, për një sistem të bazuar në bashkëpunim, transparencë, vetëdeklarim, jo në penalizime, por në garantimin e konkurrencës së lirë

Në vijim të dialogut mes qeverisë dhe biznesit, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të biznesit, në Shtëpinë e Biznesit, ku u prezantuan hapat kryesore që do të ndërmerren në reformën e inspektimeve, për të ndërtuar një sistem të bazuar në bashkëpunim, në transparencë, vetëdeklarim, jo në penalizime, por në lehtësi të të bërit biznes dhe në garantimin e konkurrencës së lirë.

 

* * *

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje! Faleminderit! E keqja është krijuar për të bërë dëm të madh, por për t’u harruar shpejt kurse e mira është krijuar që asnjëherë të mos jetë mjaft dhe në mënyrë të natyrshme njeriu është krijuar që të keqen ta harrojë ndërsa me të mirën të ketë gjithmonë konflikt sepse natyrshëm kërkon më shumë.

E bëra këtë hyrje për të kujtuar që nga sa larg kemi ardhur deri këtu edhe se çfarë situate kemi pasur me marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit dhe shtetit me biznesin dhe njëkohësisht për të shfrytëzuar këtë rast, për të përsëritur atë që është në thelb të një procesi shtetbërjeje. Krijimi i strukturave dhe i mekanizmave që e bëjnë raportin mes shtetit dhe qytetarit, një raport të bazuar tek e vetmja alternativë, që do të thotë shteti nuk bën dot pa qytetarin dhe qytetari nuk bën dot pa shtetin dhe mes tyre nuk ka një alternativë tjetër si korrupsioni.

Korrupsioni është një alternativë që është aty në të gjitha rastet kur strukturat dhe mekanizmat që duhet të përmbushin detyrat e shtetit ndaj qytetarit, nuk arrijnë dot t’i përmbushin në mënyrë të barabartë për të gjithë apo krijojnë padrejtësi dhe krijojnë hapësira që e drejta mos jetë e barabartë për të gjithë dhe për këtë arsye, kjo luftë është një luftë shtetbërjeje që hap pas hapi, hapësira e ndërveprimit mes qytetarit dhe shtetit të zgjerohet dhe hapësira e ndërhyrjeve të korrupsionit të ngushtohet dhe unë besoj që ju jeni dëshmitarë që, pjesa më e madhe, se këtu ka dhe të rinj që nuk e kanë kaluar ferrin e korrupsionit të kudondodhur, në çdo qelizë të organizmit shtetëror të Shqipërisë, që sot jemi ku e ku me ku ishim, por patjetër sot kemi akoma nevojë për të shtyrë përpara me durim edhe me shumë vendosmëri që hapësira e këtyre marrëdhënieve të zgjerohet tërësisht dhe shtigjet e penetrimit të korrupsionit të ngushtohen në pikën që korrupsioni të mos jetë më një fenomen shqetësues.

Për këtë ne kemi ndërmarrë dhe nismën e fundit që patë në Kuvendin e Shqipërisë ose më saktë me grupin parlamentar dhe tani duhet ta shtyjmë më tutje në Kuvendin e Shqipërisë, për të adresuar në vijimësinë e të gjithë sektorëve që përbëjnë sistemin e organizmit të bashkëjetesës në Shqipëri mes shtetit dhe qytetarit, të gjitha pikat e dobëta që kërkojnë adresim të ri.

Na ndihmon shumë procesi i negociatave, na ndihmon shumë gjithë tërësia e problemeve të identifikuara, na ndihmon shumë edhe dija e fituar në këto vite, eksperienca, por edhe dija dhe eksperienca e Bashkimit Europian.

Për të ardhur tek inspektimet, sot është një pikë e dobët dhe pavarësisht të gjithë përmirësimeve që janë bërë, i përmendi edhe kryeinspektori, i dini vetë ju se sa shumë përmirësime janë bërë dhe sesa më pak e ndjeni presionin e përfaqësuesve të shtetit që quhen inspektorë në raport me korrupsionin por nga ana tjetër e dimë ne shumë mirë që ky presion vazhdon të jetë një presion që nuk mund dot të justifikohet sepse sot jemi në një fazë që mund të bëjmë një kapërcim tjetër dhe kapërcimin është një reformë e inspektorateve, një shkurtim i rëndësishëm i numrit të tyre, një bashkim i një sërë funksionesh që sot janë të ndara, çdo funksion një inspektorat, në një grup inspektoratesh, një shkëputje e inspektorateve nga ministritë, për të dalë si një forcë e re dhe autonome. Jo e pavarur, por autonome në veprimtarinë e vet, nën ombrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm të shtetit.

Kjo do të thotë që të krijojmë bazën për të çelur një fazë krejt të re në këtë drejtim duke ndryshuar dhe qasjen, por edhe përmbajtjen në të gjithë kornizën e shtetit të figurës së inspektorit dhe duke e kaluar figurën e inspektorit në një status të ri, siç është statusi po themi që kanë doganat, apo statusi që kanë një pjesë e sistemit të tatimeve, apo statusi që ka shërbimi civil i Republikës së Shqipërisë dhe kjo trupë, nuk do të jetë një trup e cila do të ketë edhe gurin edhe arrën, se dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra nuk do të jetë një trupë që edhe do të vendos gjobat, edhe do të marrë në shqyrtim ankesën. Marrja në shqyrtim e ankesave do të bëhet edhe me pjesëmarrjen në trupa të komisioneve të apelimit, të përqafuesve të biznesit, në mënyrë transparente dhe në mënyrë sa më kolegjiale, për të krijuar një barrikadë, e cila të mos kapërcehet dot aq lehtësisht sa kapërcehet sot, ku përgjithësisht komisionet e apelimit lënë në fuqi vendimet e marra më parë nga inspektorët.

Përtej kësaj do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Parimi “jo gjobë në vizitën e parë”, do ta bëjë të pamundur shfaqjen në befasi të ca inspektorëve te dera dhe vendosjen e një gjobe ose mos vendosjen e saj në bazë të marrëveshjes së heshtur, por konkrete mes inspektorëve dhe biznesit që i përcjell nga dera duke i dhënë atë që ju biznesmenët, që doni që korrupsionin ta luftojë vetëm qeveria, ndërkohë që ju jeni viktimat në aspektin ku bëhet fjalë për raportin me inspektorët, se pastaj nuk jeni viktima, jeni agresorë në rastin kur përfshiheni vetë në procese që janë të paligjshme. Ndërkohë që kjo nuk mund të funksionojë kështu, ama në fund të ditës marrëdhënia është shumë e qartë, nuk është biznesi për t’i shërbyer shtetit, është shteti për t’i shërbyer biznesit në aspektin e kushteve dhe në aspektin e garantimit të të gjithë hapësirës së konkurrencës së lirë dhe të drejtë.

Prandaj duhet të jetë shteti që të hedhë gjithmonë hapin e parë dhe hapi i parë që në këtë rast për të shkuar shumë më larg në procesin e shtet bërjes dhe shumë më pranë krijimit të një shteti anëtar të Bashkimit Europian këtu në Shqipëri është vizita e parë, s’ka gjobë. Ka vetëm regjistrim të problemit dhe këshillim dhe kjo do të bëjë që vizita e dytë të jetë me një afat të përcaktuar. Pra mes vizitës së parë pa gjobë dhe të dytës nuk mund të ketë shfaqje të befasishme atje se erdhën festat e Vitit të Ri dhe një inspektor X apo Y do të blejë një gjel deti plus, por do të pritet afati. E ndërkohë problematika do të trajtohet nga institucioni dhe do të trajtohet dhe nga institucioni qendror, Ministria përkatëse për të parë se si qëndrojnë nga pikëpamja e karakteristikave të tyre këshillimet ose gjetjet e bëra në procesin që ka përfunduar me këshillim.

Besoj që ky do të jetë një moment ku revolucioni që ne kemi nisur kohë më parë do të hyjë në një fazë komplet të re dhe ku bizneset do të ndihen shumë më të lehtësuara nga stresi që “më erdhën, s’më erdhën”, “o shef, hajde këtu se kanë ardhur këta”, “Prit, mbaji aty se erdha”, por njëkohësisht do të jetë dhe më i përgjegjshëm se kur t’i vijë herën e dytë, nuk do vijë një tog e befasishme por do të rikthehet një trupë e cila është e monitoruar në ndërkohë.

Tjetra që besoj ka një rëndësi më vete është që biznesi do të klasifikohet. Kjo është shumë e rëndësishme. Thotë ajo shprehja “të gjithë si këmbët e dhisë”, në fakt nuk janë si këmbët e dhisë të gjithë sepse secili ka pozicionin e vet, ka qasjen e vetë ndaj punës, ndaj ligjit, ndaj shtetit dhe ka edhe nivelin e tij të suksesit. Kështu që, klasifikimi i bizneseve do të bëjë që bizneset të cilat në mënyrë të qëndrueshme do të rezultojnë korrekte në raport me shtetin, nuk do kontrollohen. Pra do të jenë në një fashë A të regjistrit të bizneseve ku faktikisht askush nuk mund të shkojë t’i bëjë kontroll. Do jenë zonë e ndaluar për inspektime. Pse? Për faktin që kanë treguar në një proces kohor që i janë përmbajtur kontratës me shtetin në mënyrë korrekte. Kjo e shoqëruar me inspektime mbi bazë risku, jo mbi bazë territori të inspektorëve që duhet të shkojnë në çdo derë se e kanë territor dhe të trokasin për kafe. Do ta lehtësojë shumë numrin e inspektimeve, do të ulë shumë numrin e inspektimeve. Ne kemi një numër inspektimesh që është katastrofik dhe nuk tregon në fakt forcë, por tregon të kundërtën, tregon dobësi. Nuk tregon në fakt përmbushje misionit, por tregon boshllëk dhe do të bëjmë që të ketë pak inspektime, të ketë shumë këshillim, por ama goditjet të jenë katastrofike për biznesin që nuk futet në binar. Pra numri i gjobave do të ulet në mënyrë drastike, por ama aty ku do vihet gjoba, aty do jetë goditje një hap larg vdekjes së atij biznesi, në kuptimin me pasoja të mëdha në financat e tij.

Nuk ka arsye për të kontrolluar të gjithë dynjanë dhe për të vënë gjoba nga të katërta anët dhe për tu kthyer prap për të vënë gjoba sepse është vetëm një konfuzion i madh dhe krijon një stres të panevojshëm.

Standardi më i lartë i një shteti për inspektimet është ky që thashë. Beso shumë, kontrollo pak, por kontrollo mirë dhe pasi kontrollon mirë, godit po aq fort sa beson. Në mënyrë që frika ta ruajë vreshtin, jo çdo vilë e rrushit të ketë frikë të zhvillohet sepse mund të vijnë dhe ta presin.

Mendoj që jemi në një fazë shumë pozitive me ekonominë dhe nuk është një mendim i bazuar në krijimin e një opinioni nga dëshira, por është një mendim i bazuar në krijimin e një opinioni mbi faktet. Nuk ka qenë ekonomia jonë asnjëherë më mirë se sot dhe nuk ka pasur asnjëherë në territorin e sipërmarrjes më shumë oportunitete dhe më shumë rezultate se sot. Këtë besoj e tregojnë të gjitha letrat tuaja dhe përveç letrave, e tregojnë dhe ato letrat e tjera që ju s’na i tregoni ne, po kjo është temë tjetër dhe këtë e tregon faktikisht dhe rritja e madhe e të ardhurave në buxhetin e shtetit, si pasojë e mirë administrimit patjetër, por dhe si pasojë e rritjes së ekonomisë.

Në këto kushte ne duhet ta ndihmojmë më të njëri-tjetrin. Si ta ndihmojmë më tej njëri-tjetrin? Shteti duke bërë sa më të lehtë punën tuaj, duke garantuar sa më mirë hapësirën tuaj nga interferencat e natyrave të ndryshme, duke e siguruar sa më mirë rrugën e konkurrencës mes jush dhe ju duke qenë korrekt me ligjin dhe me shtetin sepse me kontributet tuaja, pastaj shteti bën ato gjëra që biznesi nuk i bën dot. Siguron shërbimin publik shëndetësor, siguron shërbimin publik arsimor, siguron shumë e shumë gjera të tjera, shpenzimet kapitale e kështu me radhë.

Ju faleminderit shumë për gjithçka bëni, sinqerisht e them. Ndjesë për gjithë ato raste kur shteti nuk arrin dot të jetë dinjitoz në derën e sipërmarrjes tuaj dhe shfaqet përmes figurash që sillen në mënyrë jokorrekte, por jini të sigurt që nëse ka midis shumë gjërave që na bashkojnë, një gjë që ju me mua dhe mua me ju më bashkon më shumë se të gjitha, është neveria për karikaturat që shfaqen nëpër dyer dhe që vendosin në pozitë, duke kërkuar që ju të jepni patjetër atë që ju e quani kafe, se këtë fjalën kafe, ju e keni nxjerrë. “I dhashë një kafe”.

Bashkërisht ne patjetër që do bëjmë më shumë dhe do ta çlirojmë këtë territor nga ky presion, jam i bindur për këtë dhe kam shumë besim që po, është i vetmi njeri që nuk më ndahet se do leje ndërtimi për shtetin. Godinën e inspektoratit të përgjithshëm, po mbaje tani këtë se unë kam 7 kopje të kësaj. Tregoja ti. Unë e konfirmoj, kur t’ia u tregoj e konfirmoj që e kam parë, më pëlqen dhe e mbështes këtë ide. Se këtë ka hall ky që të them unë. Tani ti mund të flasësh në emrin tim edhe më shumë gjëra se kaq. S’ka problem. Mirupafshim!

Previous Deklarata e përbashkët – “Bashkëpunimi për sigurinë dhe flukset migratore në Ballkanin Perëndimor”