Reforma e shërbimeve të kujdesit për fëmijët shtrihet në Durrës dhe Shkodër, ministrja Spahiu: Zgjerojmë mbështetjen për fëmijët dhe familjet
Reforma e shërbimeve të kujdesit social për fëmijët po shtrihet në Durrës dhe Shkodër, pas transformimit të qendrave rezidenciale në Korçë dhe Vlorë, duke kaluar nga kujdesi institucional drejt modelit shtëpi-familje. Ky model synon të ofrojë një mjedis më të përshtatshëm për mirërritjen, zhvillimin dhe integrimin social të fëmijëve pa kujdes prindëror, si dhe të forcojë shërbimet mbështetëse për familjet.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, vizitoi qendrën rezidenciale për fëmijë në Durrës, e cila po transformohet sipas këtij modeli, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve komunitare në përputhje me nevojat e zonave të ndryshme.
“Këto lloj projektesh duhet të përshtaten me nevojat e komuniteteve dhe të jenë më të shumta në numër, duke adresuar dhe kërkesat e zonave të caktuara. Mund të ketë zona ku mund të jenë më evidente problematikat dhe ne mund t’i mbështetim më shumë”, u shpreh ministrja Spahiu.
Një tjetër prioritet i reformës është zgjerimi i shërbimeve të specializuara për fëmijët me nevoja të veçanta, përfshirë ata me çrregullime të spektrit të autizmit, për të garantuar kujdes më gjithëpërfshirës dhe të përshtatur me nevojat e tyre.
Qendrat e Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen ofrojnë kujdes alternativ, mbështetje psikosociale dhe edukative, me synimin për të parandaluar institucionalizimin dhe për të fuqizuar familjet në situata vulnerabiliteti.
Ky model mbështetet nga programi EU4SocialCare, i zbatuar nga UNICEF në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe NISMA ARSIS. Prej marsit 2026, shërbimi në Durrës financohet nga bashkia përmes Fondit Social dhe burimeve vendore.