Reformat në energji, Ministri Karakaçi: Mbi 600 MW kapacitete të reja dhe 61 milionë euro nga Plani i Rritjes
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur rezultatet e arritura gjatë periudhës 1 janar–30 qershor 2026 në kuadër të reformave në sektorin e energjisë dhe procesit të integrimit evropian. Gjatë kësaj periudhe janë përmbushur një sërë masash kyçe që modernizojnë kuadrin ligjor dhe e përafrojnë atë me standardet e Bashkimit Evropian.
Ndër masat e realizuara janë ngritja e sistemit të garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, miratimi i rregullave të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, si dhe Ligji i ri për Sektorin e Energjisë Elektrike, i cili synon forcimin e funksionimit të tregut, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe afrimin e Shqipërisë me tregun evropian të energjisë.
Ministri Karakaçi nënvizoi gjithashtu harmonizimin e legjislacionit për biokarburantet, thjeshtimin e procedurave për investimet në energjinë e rinovueshme dhe avancimin e zbatimit të paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.
Një tjetër arritje është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, duke krijuar më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të përfshihen aktivisht në tranzicionin energjetik.
Sipas ministrit, Shqipëria ka përmbushur gjithashtu objektivin për instalimin, deri më 30 qershor 2026, të 600 MW kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Aktualisht, vendi ka mbi 600 MW kapacitete të reja të instaluara, një rezultat që, sipas tij, dëshmon se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme.
Përmbushja e masave të parashikuara deri më 30 qershor i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Fondet do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Ministri Karakaçi theksoi se puna do të vijojë për përmbushjen e masave ende në proces dhe falënderoi strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucionet dhe ndërmarrjet në varësi, si dhe profesionistët e angazhuar në realizimin e reformave, me synimin për një sektor energjetik më modern, më të qëndrueshëm dhe gjithnjë e më të përafruar me Bashkimin Evropian.