Reformim rrënjësor i modelit të menaxhimit të pyjeve dhe zonave të mbrojtura
Mjedisi dhe pyjet, natyra në tërësi, do të jenë tashmë pjesë e një plani të ri strategjik për mbrojtjen e tyre, që shënon një fazë tjetër, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, përmes modelit të administrimit unik dhe zhvillimit të qëndrueshëm, bazuar edhe në eksperiencat më të mira europiane.
Në Forumin e organizuar me këtë rast, “Për ty Natyrë”, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, – me pjesëmarrjen e ekspertëve të mjedisit, drejtuesve të institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë, studentëve e miqve të natyrës, u prezantua teknikisht platforma e zhvillimit të qëndrueshëm të natyrës, që synon forcimin e zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve si pasuri kombëtare, duke e lidhur këtë vizion drejtpërdrejtë edhe me rrugëtimin drejt BE.
Kryeministri Rama tha se reformimi i modelit të menaxhimit të pyjeve dhe të natyrës në tërësi, do të fillojë nga reformimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të mbrojtura dhe i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, duke i bërë bashkë dhe duke krijuar një sinergji mes të dyjave.
“Jemi angazhuar në një proces reformimi të modelit të menaxhimit të pyjeve dhe natyrës në tërësi. Një reformim, i cili do të duhet të fillojë nga një ristrukturim i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, duke i bërë bashkë dhe duke krijuar një sinergji mes të dyjave, për të pasur një agjenci, e cila të merret 360 gradë me zonat e mbrojtura dhe me pyjet, sepse eksperienca ka treguar që duam apo s’duam ne, janë dy komponentë të pazgjidhshëm nga njëri-tjetri dhe dy agjenci nuk e bëjnë më të lehtë, por e bëjnë më të ngatërruar procesin dhe nuk na ndihmojnë të ecim më shpejt në drejtim të një mirëmenaxhimi, të një cilësie që garanton standardet evropiane në këtë fushë.” – u shpreh kryeministri Rama.
Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se synimi për të mbyllur negociatat teknike me BE, brenda vitit 2027, kërkon një fokus më të madh tek mjedisi, tek pyjet dhe mirëmenaxhimi i tyre, si dhe fuqizimi i një ekonomie të re, të qëndrueshme të bazuar tek natyra.