Ka përfunduar ndërhyrja rehabilituese në segmentin rrugor, nyja e Shkozetit – Plepa, me një gjatësi prej 4 kilometrash. Punimet janë realizuar brenda një kohe rekord, ku pas rehabilitimit të problematikave është asfaltuar edhe i gjithë segmenti. Po punohet me detajet e fundit të sinjalistikës, ku për shkak se aksi kalon përmes një zone të banuar, do të ketë një sinjalistikë të shtuar.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ndoqën nga afër punimet e fundit që po bëhen në këtë segment.
“Janë bërë punimet për 4 kilometrat. Është frezuar e gjithë shtresa asfaltike. Është bërë mbushja e gropave, që kishin pasur dëme të mëdha për shkak të trafikut të rënduar dhe peshave të mëdha që kalojnë, pastaj kemi bërë riveshje totale në 4 kilometra. Jemi në fazën e vendosjes së sinjalistikës horizontale”, u shpreh Evis Berberi.
Ky segment ka një rëndësi të veçantë pasi lidh Veriun me Jugun e vendit, duke përballuar një fluks të lartë të lëvizjes së automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, por i shërben edhe qytetit të Durrësit. Kryebashkiakja Sako bëri të ditur se janë dy zona të rëndësishme të qytetit të cilat lidhen përmes tij, Rrashbulli dhe zona e Plazhit.
Ministrja Belinda Balluku theksoi se falë kësaj ndërhyrjeje, ky segment do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve. “Është një punë që e kemi nisur dhe e kemi përfunduar në kohë rekord. Sipas një kërkesë të Bashkisë së Durrësit, sigurisht edhe të Ministres Kumbaro, duke qenë se ky segment prej 4 kilometrash, Shkozet – Plepa, konsiderohet me të vërtetë i rëndësishëm për qytetin e Durrësit, i rëndësishëm për turizmin, duke qenë se mbanë të gjithë trafikun veror të turizmit, por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që ky është një segment lidhës përsa i përket të gjithë trafikut që vjen nga Jugu i Shqipërisë dhe drejtohet drejt Tiranës”, nënvizoi Balluku.
Zhvillimit të qytetit të Durrësit, përmes projekteve të rëndësishme që po zhvillohen, shtoi Balluku, do ti përgjigjemi edhe me përmirësimin e infrastrukturës, siç është ndërhyrja për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, si dhe rehabilitimi i rrugës së vjetër të Ndroqit, por jo vetëm.
“Durrësi ka nevojë për një mbështetje të veçantë për shkak të shtimit të një numri të madh të projekteve të cilat do të kërkojnë edhe infrastrukturë të posaçme, siç është rasti i Marinës së Durrësit. Aty ka nisur puna tashmë. Nga ana tjetër, jemi në prag të nisjes së garës ndërkombëtare për portin e ri në Porto Romano, kështu që të gjitha këto projekte të mëdha do të jemi të detyruar edhe ne që ti përgjigjemi me infrastrukturë mbështetëse, qoftë kjo rrugore apo hekurudhore”, shtoi më tej Balluku.
Sa i takon infrastrukturës ndërhyrje rehabilituese gjatë vitit 2024 janë parashikuar edhe në disa prej urave, që janë pjesë e akseve rrugore të rëndësishme, në të gjithë vendin.